Dardania Press
E premte, 19 Shtator, 2025
  • BSBS
  • Ballina
  • Kosova
  • Sanxhaku
  • Shqipëria
  • Ballkani
  • Lugina
  • Diaspora
  • Vështrime
  • Kultura
  • Histori
No Result
View All Result
Dardania Press
  • Ballina
  • Kosova
  • Sanxhaku
  • Shqipëria
  • Ballkani
  • Lugina
  • Diaspora
  • Vështrime
  • Kultura
  • Histori
No Result
View All Result
Dardania Press
No Result
View All Result
Home Histori

Mbreti Zog i Parë dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë (1930-1939)

Trupi diplomatik shqiptar, i kushtoi rëndësi të veçantë edhe organizimit të mirëfilltë të organizatës së atëhershme myslimane, përkatësisht Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, i cili deri atëherë udhëhiqej nga klika serbomadhe. I deleguari i plotfuqishëm shqiptar në Beograd, Rauf Fico, në një takim që e pati në Beograd me Ferhat bej Dragën, i sugjeroi atij që të merrej vesh me Mehmet Spahon për riorganizimin e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, me qëllim që i njëjti të udhëhiqet nga shqiptarët e jo nga klika serbomadhe që i printe Fejzi Haxhiamziqi, një boshnjak i serbizuar.

19 Shtator, 2025
in Histori
14 0
0
Mbreti Zog i Parë dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë (1930-1939)
16
SHARES
204
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Qerim LITA, Shkup

Në mbarim të viteve të njëzeta dhe fillim të viteve tridhjeta të shekullit të kaluar, Mbretëria Shqiptare shprehu një interesim dukshëm më të madh për problemin shqiptar nën pushtimin e Mbretërisë së SKS-së, përkatësisht të Jugosllavisë. Këto sinjale u qartësuan kur për ministër fuqiplotë (ambasador) të Qeverisë Mbretërore të Shqipërisë në Mbretërinë e SKS-së (nga viti 1929 të Jugosllavisë) u emërua Rauf Fico, njëri ndër diplomatët më të shquar shqiptar të kohës. Posa e mori detyrën, R. Fico i raportonte Mbretit Zog për pozitën jashtëzakonisht të rëndë të popullsisë shqiptare, e cila vinte si rrjedhojë e dhunës dhe terrorit të vazhdueshëm të regjimit të atëhershëm të Beogradit. Ai shkruante se Shqipëria, e cila deri atëherë ishte marrë me konsolidimin e shtetit dhe nuk kishte pasur mundësi të ofronte një ndihmë dhe mbështetje të vërtetë për shqiptarët e robëruar në Kosovë, “tashti kishte ardhur koha që ta ngrejë zërin e saj, agimin e (Ditës Madhe)” dhe gjithë populli ka varur shpresat në veprat e Lartëmadhërisë së Tij “Shpëtimtarit Kombit Mbretit Shqiptarëve”. “Mua”, i shkruante më tej Fico Mbretit Zog “më duket se nashti është koha më e volitshme për të profituar nga rasti që është çfaqur me demarshet e bëra nga ana e Komitetit Ballkanik në Lidhjen e Kombeve. Nashti është koha që të kërkohet çelja e shkollave shqiptare në Kosovë e në Maqedonië. Një demarshë i tillë ka për të tingëlluar drejt nër zemrat e shqiptarëve të këtushmë. Krej i punës kishte për të qenë në formimin i një shërbimit të posatshëm për Kosovë, si një Komision me qendër në Shqipërië, ose si një Shoqëri e subvacionuar nga Shqipëria dhe me qendër jashtë Shqipërisë. Në qoftë se gjinden disa njerëz me të vërtetë të zotër, mundet të bëjmë shumë punëra. Kjo Organizatë sot për sot nuk ka nevojë të luftojë me pushkë, por, të miret vetëm me protestime me botime e me propaganda si po e bëjnë edhe kroatët…”.

Rrjedhimisht, me urdhër të Mbretit Zog, Ministria e Punëve të Jashtme, më 14 shkurt 1930, hartoi një studim me titull “Situata morale e materiale e Kosovës Shqiptare”. Në të përshkruhej programi politik serb, përmes të cilit tentohej shfarosja e elementit shqiptar të Kosovës dhe zhdukjen e tij nga ato treva. Si shembull studimi e merrte moton e kryeministrit të Serbisë, Nikolla Pashiq “ako e kokoška arbanska, utepaj”, që do të thoshte “mbyteni pulën nëse ajo është shqiptare”. Mjetet e përdorura për arritjen e atij qëllimi ishin të shumta, si: vrasje, rrahje, djegie, internime, çnderime, konfiskim të pasurisë, kufizim i lirisë personale, mohim i lirisë së arsimimit në gjuhën amtare, gjoba të majme, dhunim i të drejtave civile e qytetare etj. Sipas studimit, zhdukja e elementit shqiptar prej Kosove (nën emërtimin Kosovë konsideroheshin të gjitha trevat shqiptare nën pushtimin e Mbretërisë Jugosllave) ishte faza e parë e politikës pansllaviste e pushtuesve serbë, ndërsa faza e dytë e asaj politike ishte përdorimi i çdo mjeti për të shkaktuar turbullira në Shtetin e lirë Shqiptar. Për realizimin e kësaj faze, qarqet hegjemoniste serbomëdha i kanë përdorur këto mjete:
a) Shpërndarja e të hollave pa masë nëpër Shqipëri, për t’i bërë anëtarë të politikës së tyre shoviniste;
b) Dërgimi i emisarëve e të spiunëve brenda Shtetit Shqiptar për të krijuar pakënaqësi e kryengritje në Shqipëri;
c) Fushatë e shtypit dhe përhapja e lajmeve tendencioze për diskreditimin e Shqipërisë dhe të regjimit të saj;
d) Regjistrimi i anëtarëve (përkrahësve) të propagandës së shpëtimit të ardhjes së një sundimi serb në Shqipëri;
e) Përgatitja strategjike përreth kufirit, grumbullimi i ushtrisë me shumicë, artileri, municion kryesisht në këto vende: fusha e Prizrenit (Serekllek); në Gjakovë: Lipovec, Voksh.

Organi kryesor i Programit Politik Serb ishte “Mbrojtja Popullore”, që përbëhej nga struktura të ndryshme, duke filluar nga shtatmadhoria ushtarake, ministra, funksionarë të lartë, autoritete vendore e deri te xhandari serb. Ndërkaq, masat për zbatimit e programit ndaheshin në tri pjesë: a) Propaganda pansllaviste; b) Arsimi dhe mjetet e kulturës; c) Reforma Agrare.Lidhur me pjesën e parë, përkatësisht propagandën pansllaviste, kleri ortodoks serb, por edhe një pjesë e klerit katolik slloven, i cili e kishte pranuar programin në fjalë, kishin marrë urdhër që të zhvillojnë propagandë, për t’i bindur shqiptarët se ato “nuk ishin të tillë”, por “serbë të shqiptarizuar”. Përveç kësaj, personaliteteve të shquara shqiptare u dërgoheshin emisarë më të ndryshëm për “tua ulë sedrën shqiptare” e për t’i shndërruar në “vegla të zgjatura” të sundimit serb. Rol të veçantë, siç theksohet në studim, kanë pasur çetnikët serbë, të cilët shkonin nga njëri katund në tjetrin, ku ndonjëherë kryenin vrasje, ndonjëherë rrahje, ndonjëherë djegie të shtëpive të atyre shqiptarëve të cilët refuzonin t’i nënshtroheshin propagandës së tyre pansllaviste.

Shqiptarëve, u ishte mohuar me ligj e drejta arsimore dhe kulturore kombëtare. Me pushtimin e Kosovës nga ushtria serbe (1918), u mbyllën të gjitha shkollat në gjuhën shqipe, që ishin hapur nga austriakët gjatë Luftës së Parë Botërore, si: shkolla e qytetit të Gjakovës, që numëronte 840 nxënës, me mësuesit: Isuf Puka, Sali Morina, Niman Ferizi, Ferid Imami, Ibrahim Kolçiu, Ibrahim Fehmiu, Lush Ndoca etj.; tre shkollat fillore të Pejës, me gjithsej 713 nxënës, me mësuesit: Murat Jakova, Hajdar Sheh Dulla, Abdurrahman Çavolli, Mulla Rexh Meta, Halit Kastrati, Shaqir Çavolli, Sedat Pejani, Shaban Kelmendi e Pal Lumeni; shkolla e vajzave në qytetin e Pejës, me 257 nxënëse, me mësuese bashkëshortet e Zef Markut e Pal Lumezit, si dhe një sërë shkolla të tjera fillore që vepronin në Ferizaj, Istog, Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë, por edhe në fshatrat e Prizrenit, Gjakovës e të Pejës, si: Bec, Brodosan, Brovinë, Glloxhan, Irzniç, Junik, Ponashec, Sermjan, Zhub, Gurakoc, Rakoc, Baran, Zallkuqi (Zllokuqani), Strellc, Budisalsi etj. Po gjatë vitit 1919 u shkatërruan të gjitha shoqëritë kulturore e muzikore shqiptare në Gjakovë, Pejë, Prizren dhe Shkup. U mbyllën të gjitha sallat e leximit dhe bibliotekat shkollore, ndërsa librat e tyre u konfiskuan nga autoritetet serbe. Në vend të shkollave shqipe u hapën shkolla serbe me alfabet cirilik, edhe pse 90 për qind e popullsisë përbëhej nga popullsia shqiptare.

Sa i përket pjesës së tretë, pra Reformës Agrare, në studim ndër të tjera thuhej se autoritetet pushtuese serbe, duke filluar nga viti 1919 e deri më 1921, ua konfiskuan pronën pronarëve të mëdhenj shqiptarë pa asnjë dëmshpërblim. Numri i pronarëve shqiptarë, që iu ishte marrë toka ishte i madh, ndërsa në studim veçoheshin vetëm disa familje më të njohura, siç ishin: familja e Ferhat bej Dragës në Mitrovicë, Xhemal bej Prishtinës në Prishtinë, Halim bej Derallës në Tetovë, Mustafa Agë Gjilanit në Gjilan, Sherif Gjinovcit në Prizren, Asllan Beut në Gjakovë, Ibrahim Beut në Gjakovë, Ismet bej Kryeziut në Gjakovë, Ahmet bej Berishës në Gjakovë, Bajram Currit në Gjakovë, Halit Bakallit në Gjakovë, Muhamet Pulës në Gjakovë, Mehmet Zajmit në Gjakovë, Qerim bej Begollit në Pejë, Jashar Pashës në Pejë, familjes Zajmi nga Peja, Jakup Ferrit në Guci, Preng Gjokës në Gjakovë, Llesh Çupit në Gjakovë, Mark Nikoll Bibës në Brekoc të Gjakovës, Myftar Demës në Zhub të Gjakovës, Gjon Markut në Guskë të Gjakovës etj.

Përveç këtyre, pushtuesit serbe i kishin konfiskuar në mënyrë kolektive tokat e shqiptarëve në këto fshatra: Sajevë, Sllatinë, Pozharan në Nënprefekturën e Gjilanit; fusha e Nerodimes, Shtimes, Lipjanit, Prishtinës, Vushtrrisë e deri në Mitrovicë; tokat e fshatrave Gjinoc, Grejkoc, Gelancë, Lutogllavë (Flokatë) në Nënprefekturën e Sharrit; fusha e Prizrenit, duke filluar prej Serakllëkut e deri te fshatrat Vlashnje, Nashec, Atmaxhe, Tupec, Landovicë e Zerzë të Prefekturës së Prizrenit; tokat e fshatrave Romajë, Damjan, Lipovec, Smaç, Fshaj, Bishtazhin, Rogovë të Prefekturës së Prizrenit; tokat e fshatrave Marmull, Brodosan, Doblibar, Sermjan, Kralan, Bardhaniq, Dashinoc, Lumbardhi, Llugaxhi, Qerim, Lugbunar, Trakaniq, Novosellë, Bec, Palabardh, Gërgoc, Dobrixhe, Firajë, Gramocel, Fusha e Kronit të Plakës, Piskota, Babajt e Lloçit, Deçan, Lloçan, Voksh, Kallavaja e Junikut, Batushë, Rracaj, Pacaj, Plangçor, Dujak, Hereç, Ponashec, Brovinë, Krejtnec, Babaj i Bokës, Koronicë, Maje, Guskë, Fusha e Tyrbes në Brakoc, Vogovë, Zhub, Firz, Moglicë, Rraçe, Pjetërshan, Kusarë, Dol dhe Kushavec të Nënprefekturës së Gjakovës: tokat e Isniçit, Strellcit, Lëbushës, Turjakës deri në Pishtan, Lugjet e Baranit, Lloshan të Drinit; tërë fusha e Pejës deri në Drin e nga Drini deri në Gjyrakoc, Rrakosh, Uji i Mirë, Rrudnik të Prefekturës së Pejës.

Të gjitha këto toka që u ishin konfiskuar shqiptarëve u jepeshin në sasi të madhe kolonëve serbë e malazezë, por edhe dalmatinëve, boshnjakëve dhe kozakëve rusë. Përveç tokës së bukës, shqiptarëve, siç bënte me dije studimi, u qenë konfiskuar edhe livadhet, pyjet, kopshtet e shpeshherë edhe trualli i shtëpisë. Krejt në fund të studimit thuhej se: “Martirizimi i Shqiptarëve të Kosovës ashtë i pa tregueshëm. Kishin me u dashtë vëllime e vëllime për me pasun nji idhe ekzakte mbi vuajtjet e bashkëkombasvet t’onë n’ato vise. Edhe sikur të thoshin se Shqiptarët e Kosovës vuejnë që prej 10 vjetësh e tehu nën rrezhimin serb sikur se dikur Izrailitët n’Egjypt, prap se prap krahasimi na duket se nuk i afrohet realitetit të tmershëm. Me një fjalë do të përfundojmë tue thanë: Mjerë shqiptarët që jetojnë nën thundrën e rrezhimit serb”.

Menjëherë pas hartimit të këtij studimi, krahas Legatës Mbretërore në Beograd, Qeveria Mbretërore Shqiptare hapi edhe dy përfaqësi diplomatike: Kryekonsullatën Mbretërore në Shkup dhe Konsullatën Mbretërore në Manastir. Në këtë dy përfaqësi u dërguan diplomatë të shquar si Sheremet Xhaxhuli, Xhemil Frashëri etj., të cilët së shpejti vendosën lidhje të ngushtë me krerët kombëtarë e fetarë shqiptarë të Kosovës, siç ishin: Ferhat bej Draga, Sait Hoxha, Shaban Efendiu, Asim ef. Luzha, Iljaz Agushi, Kadri Saliu, Xhevat Begolli, Banush Sedllari, Mulla Nura i Gjinocit, Mulla Vesel Kryeziu-Pagarusha e shumë të tjerë.

Është për t’u theksuar fakti se trupi diplomatik shqiptar rëndësi të veçantë i kushtoi edhe organizimit të mirëfilltë të organizatës së atëhershme myslimane, përkatësisht të Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, i cili deri atëherë udhëhiqej nga klika serbomadhe. I deleguari i plotfuqishëm shqiptar në Beograd, Rauf Fico, në një takim që e pati në Beograd me Ferhat bej Dragën, i sugjeroi atij që të merrej vesh me Mehmet Spahon për riorganizimin e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, me qëllim që ai të udhëhiqet nga shqiptarët e jo nga klika serbomadhe që i printe Fejzi Haxhiamziqi, një boshnjak i serbizuar. Andaj Ferhat Draga u takua me M. Spahon dhe u pajtuan që Mexhlisi i Ulemasë së Shkupit të udhëhiqet nga ulematë shqiptarë dhe njëkohësisht të bashkëveprojë me Mexhlisin e Ulemasë së Sarajevës. Dy bashkëbiseduesit u pajtuan që ky bashkëpunim midis shqiptarëve dhe boshnjakëve të shtrihet edhe në fushën politike. Lidhur me këtë, Rauf Fico, më 25 shtator 1935, i shkruante Mbretit Zog se marrëveshja e arritur midis Dragës dhe Spahos, përbënte një rëndësi të veçantë për popullsinë shqiptare myslimane të Kosovës dhe se shqiptarët duhet që “të lidhen me sho-shoqin në rreth të organizatës fetare dhe të sigurojnë zgjedhjen e disa deputetëve të pajisur me dijeni e me kurajo civile, që të mundin t’i mbrojnë të mjerët kosovarë, para terrorizmave e grabitjeve të tmerrshme që po iu bahen në mënyra zyrtare e private dhe të ndalojnë definitivisht shtrëngimet që po iu bëhen për emigrim…”.

Me ardhjen e Millan Stojadinoviqit në krye të Qeverisë së Mbretërisë Jugosllave, filloi intensifikimi i procesit të shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova për në Turqi. Ai, në fillim të shtatorit 1935, urdhëroi themelimin e Komitetit Ndërministror, i cili më 24 shtator të atij viti hartoi “Projektin për shpërnguljen e elementëve josllavë nga Serbia Jugore”. Në të, veç të tjerash, thuhej se çështja e shpërnguljes “duhet rregulluar sa më parë përmes konventës speciale” midis Jugosllavisë dhe Turqisë, si dhe midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ashtu sikurse “kjo çështje është zgjidhur midis Turqisë dhe Rumanisë”. Në rast se me Tiranën nuk do të mund të arrihej një marrëveshje për shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri ose nëse shqiptarët nuk do të dëshironin të shpërnguleshin në Turqi, atëherë duheshin zbatuar menjëherë dispozitat ligjore që parashikonin shpërnguljen e plotë të popullsisë shqiptare “nga zonat kufitare, në brendësi të vendit” dhe popullimin e këtyre zonave me popullsi të kombësisë serbo-malazeze. Për të gjithë personat që “shprehnin dëshirën për shpërngulje”, pra që deklaronin se tërhiqeshin nga shtetësia jugosllave, projekti parashikonte lehtësi të shumta.

Në përputhje me projektin dhe konkluzionet e Konferencës Ndërministrore, autoritetet lokale serbe në Kosovë, sidomos organet policore dhe xhandarmëria, ndërmorën një sërë masash të papërballueshme kundër popullsisë së varfër shqiptare, duke i dënuar ata me gjoba prej 100 deri më 200 dinarësh. Një politikë e tillë erdhi në shprehje sidomos në fshatrat shqiptare të rretheve të Prizrenit, Suharekës, Sharrit, Rahovecit, për t’i detyruar ata që të shpërnguleshin për në Turqi. Lidhur me këtë, ministri fuqiplotë i Qeverisë Mbretërore Shqiptare në Beograd, Rauf Fico, i shkruante MPJ-së në Tiranë se nga këto shtrëngime të tepruara “më duket se Qeveria Jugosllave dëshiron që Kosovarët e shkretë të revoltohen para këtyne shtrëngimeve të pa sosuna, që kështu edhe Qeverija të gjejë nji shkak legal për çdukjen ma me lehtësi t’elementit shqiptarë…”.

Për një organizim sa më të mirë të popullsisë shqiptare, me nismën e Legatës Shqiptare në Beograd, u formua Organizata Studentore “Besa”. Në ballë të kësaj organizate, siç vënë dukje dokumentet diplomatike të Mbretërisë Shqiptare, ishin 13 studentët më besnikë të Legatës: Shaip Kamberi nga Tetova, Shaip Mustafa nga Presheva, Abdullah Saqipi nga Presheva, Sokol Dobroshi nga Gjakova, Tahir Ismaili nga Gjakova, Xhevdet Pallaska nga Gjakova, Ibrahim Lutfiu nga Prizreni, Imer Rashidi nga Struga, Ejub Abdurrahmani nga Dibra, Nexhib Deva nga Mitrovica, Esad Doko nga Ohri, Esad Imeri nga Gjilani dhe Hasan Hakiu nga Prizreni.

Kjo organizatë ishte shumë aktive, veçmas në përpilimin dhe shpërndarjen e afisheve dhe trakteve, përmes të cilave njoftohej opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar për skamjen dhe vuajtjet e popullit shqiptar si rrjedhojë e grabitjes së tokës së bukës nga ana e regjimit jugosllav. Një trakt të tillë ata e lëshuan në pjesën e parë të vitit 1937, me të cilin rinia studentore shqiptare shprehte brengën e thellë për vuajtjet e vëllezërve të tyre shqiptarë nga ana e regjimit jugosllavë, që në kohë të fundit shprehej në “rrahje, kërkime pushkësh dhe grabitjen e tokave”. Trakti, pas një përshkrimi të hollësishëm mbi rrahjet masive të shqiptarëve nga ana e xhandarmërisë, siç thuhej, “vetëm për ta plotësuar dëshirën e autoriteteve për t’i sjellë nji kobure të shekullit të kaluem”, ju drejtohet shqiptarëve, përkatësisht vëllezërve dhe baballarëve të tyre, për sa më poshtë vijon:

“…Juve, ju konsiderojnë si të pa-dëshirueshëm dhe anti-shtetas. Jo, neve nuk jemi anti-shtetas, siç dëshirojnë të na paraqisin. Këjo është toka e prindërve tanë, këjo eshtë toka e jonë, dhe kurrkush nuk ka të drejtë të na dëboje, kundra dëshirës sonë të na dëboje nga ky shtet dhe nga toka pjellore e jonë për në Turqi, në shkretinat e Anadollit. Neve, vëllezërit dhe djelmt tuaj, të çqetsuar nga ngjarjet e fundit dhe nga jetesa e randë e sotshme, i shofim me urrejtje të gjitha ato që bëhen mbi juve, se mundimet e juaja janë edhe mundimet tona…”.

Në Promemorien që Kryekonsullata Mbretërore Shqiptare në Shkup e hartoi gjatë vitit 1937 thuhej se e tërë veprimtaria organizatës “Besa” bazohej në udhëzimet dhe urdhëresat e eprorëve, në radhë të parë në “ringjalljen e forcimin e idesë kombëtare” dhe të përhapjes së mësimit të gjuhës amtare në trevat e ndryshme të Kosovës dhe se për realizimin e këtij qëllimi ishin “shpërnda nër shumicë libra të ndryshme”, qo sot me kënaqësi “shohim që një pjesë e konsiderueshme ka mësuar të këndojë e të shkruajë gjuhën amtare”, ndërsa në vende të caktuara si në Tetovë dhe Rahovec “janë formuar organizata të fshehta politike të ndryshme të vendit” për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe për të siguruar “tash për tash ekzistencën e bashkëkombasvet të vetë duke bërë që Qeveria të heqë dorë nga zbatimi arbitrar i tokave, me anën e së cilave shqiptari siguronte kafshatën e gojës”.

Është e rëndësishme të vihet në dukje fakti se veprimtarinë e përhapjes së mësimit të gjuhës shqipe e zhvillonin ulematë shqiptarë, në mejtepet e tyre, natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me organizatën studentore “Besa” dhe me parinë nacionaliste shqiptare. I ngarkuari me punë pranë Legatës Mbretërore Shqiptare në Beograd, Seremet Xhaxhuli, i shkruante MPJ-së në Tiranë se organizata e fshehtë e rinisë studentore “Besa”, me mbështetjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm nga i nënshkruari “nuk le rast pa i treguar” pjesës intelektuale të këtushme vuajtjet e Kosovarëve. “Disa kohë më parë”, shkruan më tej Xhaxhuli, “kryetari i kësaj organizate në një mbledhje të studentëve n’Universitetin e Belgradit, mbajti fjalimin, me anën e të cilit i shpjegoj gjendjen gjer e gjat mjerimet, e shkaktuara prej zbatimit në një mënyrë çnjerëzore të Reformës Agrare në viset e Kosovës”. Në vazhdim ai e ngre lartë veprimtarinë e anëtarëve të kësaj organizate, që ishte me plotë sakrifica, prandaj ata meritojnë “çdo lëvdërim e përkrahje”, të cilët që tani po dëshmojnë me fakte se po bëhen prisat e vërtetë të Kosovës. “Me këtë rast”, shkruan Xhaxhuli, “mar lejen t’Ju lutem një herë që të kini mirësin dhe t’i akordoni secilit antar të kësaj Organizate nga 60 fr. ari në muej. Këta janë sot 12 dhe bashkë me Fetah Sedllarin 13 veta… Këta djelmosha janë të zhveshur nga çdo interes dhe këtë ndihmë duhet që atdheu i tyre i lirë t’ia u akordoj jo si shpërblim, pse ky nuk shpërblehet, por si një përkrahje që të mos vuajnë nga urija si dhe të mos shtrëngohen të lënë për gjysmë studimet”.

Në pjesën e parë të vitit 1937, me urdhër të Mbretit Zog, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë u formua një komision special, me të cilin udhëhiqte vetë ministri i Jashtëm, Ekrem bej Libohova, ndërsa në të merrnin pjesë diplomatët më të shquar shqiptarë të kohës, si: Rauf Fico, ministër fuqiplotë, i akredituar në Athinë; Tahir Shtylla, këshilltar legate, ministër – përfaqësues i Mbretërisë Shqiptare në Beograd; Seremet Xhaxhuli, sekretar i parë, kryekonsull i Kryekonsullatës Mbretërore në Shkup dhe Hamdi Karazi, drejtor për Punët e Lidhjes së Kombeve me seli në Gjenevë. Komisioni, pasi e shqyrtoi gjer e gjatë problemin shqiptar në Jugosllavi, më 16 maj të vitit 1937 hartoi dokumentin e titulluar “Studim mbi problemin e ekzistencës morale e materiale të minoritetit shqiptar në Jugosllavi”. Në të ndër të tjera thuhej se “Komisioni në fjalë, tue ripohuem parimin që ekzistenca morale dhe materiale” e popullsisë shqiptare në Jugosllavi, përbën problemin kryesor dhe “tue konsideruar faktin” se midis Turqisë dhe Jugosllavisë “është përfunduar një marrëveshje – ndoshta edhe e pashkrueme”, sipas së cilës i tërë minoriteti “turk” do të shpërngulet për në Turqi, shfaq bindjen e plotë se një numër i konsiderueshëm shqiptarë të Kosovës e të Maqedonisë “do të përmblidhen në këtë shpërngulje, tue kalue për turq”, dhe këtë bindje, Komisioni e mbështet për sa më poshtë vijon:

a) Është interesi i Jugosllavisë që shqiptarët të rrallohen, sidomos në viset ku ata janë në shumicë dhe në mënyrë kompakte, pra përgjatë brezit kufitar me Shqipërinë dhe në vend të tyre të instalojë njerëz të gjakut dhe gjuhës sllave.

b) Është interesi i Turqisë që t’i merr edhe shqiptarët nga pikëpamja demografike dhe nga një pikëpamje tjetër politike që hynë në kuadrin e politikës së Antantës Ballkanike kundër rrezikut gjerman që është shfaqur pas “Anschluess-it”, sepse në këtë mënyrë i bën një favor Jugosllavisë, me të cilën ajo ka dobi të përforcojë edhe më tepër marrëdhëniet miqësore.

c) Këtë interes të dyfishtë turko-jugosllave e ndihmojnë nga njëra anë injoranca e shumicës së shqiptarëve në Jugosllavi…, dhe nga ana tjetër fakti që elementi shqiptar, sidomos qytetarët, përgjithësisht e flasin gjuhën turke edhe në familje, gjë që e lehtëson shumë pikëpamjen pseudo-raciste turke, sipas së cilës për t’u pranuar si emigrant turk në Turqi, mjafton me e quajtur veten turk dhe të flasësh nga pak turqisht.
Për t’u dalë në mbrojtje shqiptarëve të Kosovës dhe për ta penguar shpërnguljen e tyre për në Turqi, Komisioni solli pesë (5) dokumente me rëndësi të veçantë kombëtare, të cilat në vazhdim po i paraqesim të plota:

Dokumenti I

“Pas si u bisedua gjer e gjatë impobisiliteti i formimit të një Komiteti nën drejtimin e Zotit Ferhat Draga për të drejtuar aksionin e Qeverisë s’onë në favor të Minoriteteve Shqiptare të Kosovës, u vendos që t’i përsëriten edhe një herë Naltmadhënis së Tij Mbretit arsyet që e shkaktojnë këtë impobisilitet dhe t’i propozohet që aksioni politik dhe administrimi i fondit relativ të drejtohet prej Legatës Mbretnore në Belgrad në bashkëpunim me Konsullatën e Shkupit e Manastirit.

PROPAGANDË

1) U vendos që të thirren gjith parit e Kosovës, influenca e të cilëve ka qenë e provuar me siguri, si dhe atdhetarizmi i tyre i njohur, të cilve Guverna Shqiptare t’u ver në dispozicion një shum të hollash me anën e së cilës këta t’intensifikojnë propagandën e tyre nër popullatat shqiptare për të ndaluar emigracionin, të mbajnë gjallë ndjenjën e shqiptarizmës dhe të përhapin me mjetet që disponojnë mësimin e gjuhës shqipe. Për këtë qëllim Legata Shqiptare në Belgrad, Kryekonsullata e Shkupit dhe Konsullata e Manastirit do të përpilojnë listat që do të përmbajnë emnat e këtyre parive.

2) Kësaj parie t’i sugjerohet që të vije në kontakt me Kroatët dhe me elemente të tjera të Jugosllavisë që nga bashkëpunimi me këta mund të dal ndonjë dobi çështjes të Minoriteteve t’ona, për këtë qëllim i sugjerohet Qeverisë Mbretnore që Kryekonsullatën Nderi në Zagreb ta transformoj në Kryekonsullatë Kariere. Presenca n’at qytet të një Përfaqësuesi të tillë me qëllim reprezentativ do të lehtësonte edhe përkrahte bashkëpunimin që formoj objektin e këtij vendimi.
3) Të përdoren dhe të ndihmohen elementet disidente që qoftë për idhërirat e tyre umanitare dhe idealistike, qoftë për parimet e tyre politike qertojnë veprën çnjerëzore të Guvernës Jugosllave ndaj Minoriteteve përgjithësisht dhe ndaj Minoriteteve shqiptare veçanërisht. Kësish elementa do të kërkohen në ç’do qark dhe t’i sinjallohen me kohë Qeverisë dhe do t’u jepet një randësi të posatshme Bullgarëvet të Kosovës e të Maqedhonisë.

4) Të pajosen Përfaqësit Diplomatike e Konsullore me nga një automobilj sepse një gjë e tillë do t’i vinte në pozitë Përfaqsonjësit të shëtisnin nëpër vende ku banojnë shqiptarët, me që një veprim i tillë do shërbente shumë propagandës s’onë”.

Dokumenti II

STUDENTËT
1. Të zgjerohet shoqëria e të 12 studentëve simbas vendimeve që do të marë ajo vetë.
2) Të ndihmohen studentët e tjerë universitar që ndjekin sot për sot mësimet e tyre në Belgrad.
3) Të sillen n’Universitetet e Belgradit e Zagrebit ata studenta kosovarë që kanë mbaruar shkollën e mesme.
4) T’intensifikohet vajtja e shqiptarëve në shkollat fillore dhe të mesme sepse u konstatua nga statistika shumë a pak ekzakte që influenca e tyre asht shumë e paktë.
5) Të ndihmohet dhe mësimi i mesmë po n’atë mënyrë që ndihmohet aj universitar simbas nevojave të tija.
6. Pa u komprometuar prindërit e tyre të dërgohen në shkollat e Shqipërisë një sasi të vogël djelmësh shqiptarë edhe një të elementit turk, dhe zgjedhje e tyre djelmoshave të bëhet nër ata që mund të sigurohet që nesër do të kthehen në Jugosllavi.
7. Sa për shkollën profesionale t’imamëve në Shkup, Kryekonsullata e këtij qyteti t’inkurajojë hyrjen e shqiptarëve në shkollë qoftë duke përdorur influencën e Këshillit të Naltë Fetare, qoftë duke u akorduar bursa komplete atyre që nuk do të kenë bursa nga Komuniteti Mysliman, Konsullata e Manastirit do të veprojë në këtë mënyrë”.

Dokumenti III

NDIHMAT
1) Do të ndihmohen imamët dhe përgjithërisht fetarët që për qëndrimin e tyre patriotik kanë qenë të larguar prej detyrës që kanë pasur. Gjithashtu do të ndihmohen përgjithërisht ata shqiptar që provojnë se për qëndrimin e tyre patriotik ose si konseguenca të persekutimeve të vuajtura qoftë për shkaqe politike, qoftë për aplikimin e Reformës Agrare ndodhën në pamundësi ekonomike që të jetojnë.
2) Duhet ndihmuar dhe inkurajuar materialisht konfidentët e ndodhur nër viset e ndryshme të Kosovës, e të Maqedhonisë, të cilët me shumë sakrifica i shërbejnë çështjes kombëtare dhe u sjellin informata të dobishme Përfaqsive Mbretnore”.

Dokumenti IV

SHTYPI
1) Të krijohet një Fletore e sumbvencionuar prej nesh në gjuhë serbishte dhe turqishte për tani dhe eventualisht më tutje po t’a premtojnë cirkonstancat politike në gjuhë shqipe me qendër në Shkup. Drejtori të shënohet prej Legatës Mbretnore në Belgrad, duke marë pëlqimin e Konsullatave të Shkupit e të Manastirit. Misioni i kësaj fletore do të jetë: brenda posibilitetit dhe duke u mbajtur gjithnjë në lëmën shkencore e fetare t’u tregoj Shqiptarëve origjinën e historinë e tyre. Të mbrojë të drejtat e atyre popullatave në konformitet me ligjat e vendit e t’i denoncojë Qeverisë dhe opinionit ilegalitetet t’autoriteve lokale ndaj tyre, të jetë organë në dispozitën e Grupit shqiptar në Këshillin e lartë fetare për çdo veprim që ka lidhje me aktivitetin e këtij komuniteti, të propagojë vlerën e kulturës duke inkurajuar elementin shqiptarë që të vejë në shkollat laike e ekseliatike.

2) Një aktivitet tjetër duhet zhvilluar për sa i përket shtypit të Jugosllavisë, duke përdorur dhe ndihmuar shkrimtar të njohur dhe të vyarshme, të cilët të meren, brenda posibiletit me çështjen shqiptare përgjithësisht, e me çështjen e minoriteteve shqiptare mundësisht. Të flasin dhe të tregojnë rëndësinë e një afrimi shqiptaro-jugosllave interesin e në dobin e të dy Shteteve. T’i përgjigjen dhe të polimizojnë në shtypin që atakonë vendin t’onë, dhe me një fjalë t’i përgatisin Shqipërisë një opinion të mirë në Jugosllavië”.

Dokumenti V

PARIJA
1) 1. Ferhat Draga – 2. Seid Hoxha – 3. Iljaz Haxhi Xhemal Prishtina – 4. Doktor Xhafer Sulejmani – 5. Xhevat Begolli – 6. Sherif Voca – 7. Zejnel Strazimiri – 8. Sejfedin Begolli – 9. Ramadan Bllaca (Ramë Bllaca) – 10. Mustafa Dënguti – 11. Kadri Salihu – 12. Sulejman Kryeziu – 13. Asim Hoxha”.

Krejt në përfundim të këtij shkrimi duhet theksuar se e tërë veprimtaria e parisë shqiptare në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare nën pushtimin e Mbretërisë Jugosllave financohej nga fondi i Oborrit Mbretëror. Shuma e përgjithshme vjetore ishte 37.320 frangë shqiptarë. Nga kjo shumë, 7.200 i takonin Ferhat Dragës si kryetar i Komitetit të fshehtë; 1.200 studentit Fetah Sedllari; 720 studentit Aqif Gjilani; 960 studentit Nezir Sejfo; 960 studentit Hajri Zejno; 1.680 studentit Selahudin Ferhat Draga; 9.360 u takonin 13 anëtarëve të Organizatës Studentore “Besa”; 840 ishin për Organizatën e Fshehtë “Djelmënia”; 6.000 i takonin Organizatës së Fshehtë Nacionaliste; 1.800 ishin dhuratë periodike ndaj hoxhallarëve; 4.200 ishin për elementet jugosllave me parime disidente; 2.400 i takonin studentit Skënder Begolli.

Fund

/SHENJA/

Tags: Qerim Lita

Discussion about this post

  • Trending
  • Comments
  • Latest
Qazim Haziri: Djaloshi që u dogj me benzinë për s‘gjalli

Qazim Haziri: Djaloshi që u dogj me benzinë për s‘gjalli

15 Gusht, 2024
Gjenocidi serbo-malazez në krahinën e Bihorit në natën e Bozhiqit të 43-tës, sipas dokumenteve të arkivave shqiptare (I)

Gjenocidi serbo-malazez në krahinën e Bihorit në natën e Bozhiqit të 43-tës, sipas dokumenteve të arkivave shqiptare (I)

0
Gjenocidi në krahinën e  Bihorit në Natën e Bozhiqit të 43-tës, sipas dokumenteve arkivore shqiptare (II)

Gjenocidi në krahinën e  Bihorit në Natën e Bozhiqit të 43-tës, sipas dokumenteve arkivore shqiptare (II)

0
PRESIDENTI I REPUBLIKES SE SHQIPËRISË, SHKELQËSIA E TIJ Z. ILIR META MË 30 QERSHOR 2022 DEKOROJ PRIJËSIT E SANXHAKUT

PRESIDENTI I REPUBLIKES SE SHQIPËRISË, SHKELQËSIA E TIJ Z. ILIR META MË 30 QERSHOR 2022 DEKOROJ PRIJËSIT E SANXHAKUT

0
Dervish Mitrovica – delegat në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912)

Dervish Mitrovica – delegat në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912)

0
Mbreti Zog i Parë dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë (1930-1939)

Mbreti Zog i Parë dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë (1930-1939)

19 Shtator, 2025
BE, USA, NATO bashkë që KOSOVËN mos ta mbajë peng as dhe Lista Serbe

BE, USA, NATO bashkë që KOSOVËN mos ta mbajë peng as dhe Lista Serbe

19 Shtator, 2025
Shaip Kamberi: Të drejtat janë univerzale, ato nuk janë mëshirë e shtetit

Kamberi bën thirrje për krijimin e një komisioni hetimor në Serbi për vdekjen e ushtarëve shqiptarë në ushtrinë jugosllave në vitet ’80

18 Shtator, 2025
“Xhandarmëria bullgare i arrestoi në Çarshinë e Shkupit, dy vëllezërit tregtarë të qelesheve, Mahmutin dhe Hakiun, pasi kishin furnizuar shqiptarët…”/ Historia e panjohur e demonstratës së 10 majit ‘41

“Xhandarmëria bullgare i arrestoi në Çarshinë e Shkupit, dy vëllezërit tregtarë të qelesheve, Mahmutin dhe Hakiun, pasi kishin furnizuar shqiptarët…”/ Historia e panjohur e demonstratës së 10 majit ‘41

18 Shtator, 2025
  • Ballina
  • Kosova
  • Sanxhaku
  • Shqipëria
  • Ballkani
  • Lugina
  • Diaspora
  • Vështrime
  • Kultura
  • Histori
info@dardaniapress.net

© 2020 Dardania Press - Powered by AA.

No Result
View All Result
  • Ballina
  • Kosova
  • Sanxhaku
  • Shqipëria
  • Ballkani
  • Lugina
  • Diaspora
  • Vështrime
  • Kultura
  • Histori

© 2020 Dardania Press - Powered by AA.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Create New Account!

Fill the forms bellow to register

All fields are required. Log In

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In