Më 23 prill 2026, Novi Pazari do të jetë vendi i promovimit të librit “Prezimena u Novom Pazaru” (Mbiemrat në Novi Pazar) të autorit dr. Mensur Zukorliq, një botim që pritet të zgjojë interes të madh te studiuesit, historianët dhe të gjithë ata që interesohen për prejardhjen familjare dhe identitetin kulturor të Sanxhakut.
Promovimi mbahet në Bibliotekën Popullore “Dositej Obradović”, në ora 18:00, me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura si prof. dr. Rexhep Shkrijel, prof. Esad Rahiq, prof. Rizo Gruda dhe vetë autori.
Dr. Mensur Zukorliq është me prejardhje nga Gucia, nga fshati Orle, një toponim që lidhet me fjalën “orl / shqiponjë”, gjurmë e shtresimeve të vjetra gjuhësore e kulturore në këtë hapësirë shqiptaro-boshnjake.
Libri “Prezimena u Novom Pazaru” / “Mbiemrat në Novi Pazar” pritet të sjellë të dhëna me rëndësi për kuptimin, zhvillimin dhe historinë e mbiemrave të banorëve të këtij qyteti me traditë të lashtë. Nëpërmjet mbiemrave shpesh ruhen gjurmët e fiseve, lëvizjeve demografike, zanateve, përkatësive fetare dhe lidhjeve krahinore.
Në kohën kur identiteti dhe rrënjët po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje, ky botim paraqet një kontribut të vlefshëm për kujtesën kolektive dhe studimet mbi Sanxhakun.
DardaniaPress e përshëndet këtë botim dhe u uron autorit dhe organizatorëve një promovim sa më të suksesshëm.










Discussion about this post