Me konferencën përkujtimore të 28 Prillit 2024 ne vatranët e Boston rikthyem veprimtaritë kombëtare me emrin e Vatrës në vëndlindjen e Federatës PanShqiptare të Amerikës, Vatra në Boston me Vatra Boston.
Boston për ne vatranët dhe Shqiptarët e Amerikës është Vlora e Shqiptarisë për trashëgiminë historike dhe muzeale të Kishës nënë, kisha e Shën Gjergjit e PHD Theofan Stiljan Nolit, e para kishë Shqiptare në botë dhe të Federatës PanShqiptare të Amerikës, Vatra. Duke qënë një organizim energjik Vatra Boston është edhe një siguri për veprimtari të tilla akademike si konferenca përkujtimore e 28 Prillit 2024 në Boston, që ruajnë e pasurojnë trashëgiminë e themeltarëve të Vatrës. Megjithëse organizatorët e kësaj veprimtarie u bënë thirrje gjithë degëve të Vatrës të ishin prezente, pa u mjaftuar vetëm me një përshëndetje me shkrim duhet që në të ardhmen degët e Vatrës ta planëzojnë për ta kthyer në traditë përkujtimin e themelimit të Vatrës në Boston, në vëndlindjen e saj.
Kjo traditë e përkujtimit të ditëlindjes së Vatrës do të shërbejë më pas edhe për takime të degëve të Vatrës për bashkërendim të kalendarit kombëtar të veprimtarive në shërbim të Identitetit kombëtar e të vetë Federatës Vatra.
Ne nuk do të mjaftohemi thjesht me përcjelljen e përshëndetjeve zyrtare, por në kryesi të Vatra Boston do të vendosim çfarë mund të bëjmë së bashku me degët e Federatës.
Kështu, do të fokusohemi për të fuqizuar shkollat Shqipe të komunitetit ku jemi, por edhe të përgjithësojmē e pasurojmë programet e ruatjes së Identitetit kombëtar përmes këngëve dhe valleve Shqiptare ndër degët e Federatës PanShqiptare Vatra bazuar në çfarë do të bëjmë më mirë për ardhmërinë. Vatra Boston ka një fillim premtues me synimin për ta bërë komunitetin tonë të Shqiptarëve të Masaçusets më të gjallëruar dhe më të përfaqësuar në qytetin dhe shtetin ku jetojmë e punojmë përmes emrit Vatra të pagëzuar nga themeltarët e kësaj Federate mbarëshqiptare. Lobimi për çështjen Shqiptare do të jetë një nga aksionet tona qytetare të Vatra Boston në Kongresin Amerikan apo dhe këtu në Masaçusets ku kanë zyrat përfaqësuesit tanë. Motua e Shqiptarëve të Masaçusets që u bashkuan me Vatrën që nga vitet 2000, sot e në vazhdim është gjithëpërfshirja vullnetare dhe pa dallime çfarëdo qofshin për të ruajtur e pasuruar trashëgiminë historike të Vatrës. Ajo çfarë e bën më frymëzuese veprimtarinë tonë kombëtare për degët e tjera të Federatës PanShqiptare Vatra është pasqyrimi real në gazetën Dielli, si dhe në mediat vizive të Albanian Culture TV të z.Adem Belliu; AlbTv USA të z.Gani Vila; Noli show program të z.Nazmi Salihut dhe arkivës së veprimtarive të bashkësisë shqiptare të Usterit me Ardian Murraj, gazetar i lirë dhe freelance videographer.
Ne duam dhe po provojmë se tashmë kemi me Vatra Boston një organizim Shqiptar me frymë Noliane dhe Koniciane ku dëgjohet zëri i anëtarit aktiv, sepse Vatra nga vetë emri përndjell ngrohtësi dhe dashuri nga anëtarësia. Veprimtaritë komunitare dhe atdhetare që bëjmë ne nuk janë dhurata nga të tjerë. Ato janë fryt i një punë bashkërenduese të disa prej veprimtarëve me anëtarë të kryesisë dhe përfundimisht me miratimin e kryetarit të degës. Këto veprimtari janë përkushtim i të gjithë komunitetit për të gjithë ne. Ne sot këtu në Amerikë na bashkon Shqiptaria dhe emrat e Nolit, Konicës dhe Vatrës. Rëndësi ka që ne së bashku me organizatat Shqiptare të Masaçusets si me Kishën e Nolit, Albanians Fighting Cancer, Labëria, Harvard Students Association, Çunat e Boston që ishin të pranishme, si dhe Massbesa me të cilën bashkëkomunikojmë do të bëjmë më të mirën e mundshme që të përbashkohemi me veprimtari duke gjallëruar organizatat tona dhe komunitetin Shqiptar në Masaçusets. Në këtë frymë bashkëpunimi në komunitetin tonë Dr.Agim Aliaj, anëtar i bordit të Albanian Fighting Cancer theksoi se, të gjithë ne, duhet të ndjekim rrugën e patriotëve tanë para nesh për të mbajtur gjallë kulturën dhe traditat tona.
Konferenca përkujtimore e 112-vjetorit të Vatrës në Boston u bë prova e bashkimit dhe konsolidimit të këtij bashkëpunimi. Kjo veprimtari u bë një bukuri Shqiptare që foli përmes Vatranëve me rishfaqjen e ngrohtë të saj në fundprillin e 2024-ës.
Fakti që ne kemi një komunikim të pandërprerë dhe bashkëpunim në vazhdimësi me Kishën e Shën Gjergjit, kisha nënē e kishave Shqiptare që hapi Noli në Amerikë flet për siguri të mbështetjes dhe realizimit të projektit të dixhitalizimit të Bibliotekës së Nolit nga Vatra Boston dhe komuniteti. Zonja Neka Doko mori kështu më 28 Prill një përkrahje më të hapur dhe të sinqertë për projektin e dixhitalizimit. Krenari të dëgjonim së bashku në konferencën e 28 Prillit aty ku lindi Vatra audion e Nolit të Madh ku përmblidhte punën kombëtare të Federatës PanShqiptare të Amerikës, Vatra se si e bëri me shtet dhe anëtare të Lidhjes së Kombeve, Shqipërinē. Ne do të punojmë së bashku të inkurajojmë dhe mbështetim aq sa të mundemi talentet e reja në komunitetin tonë në çdo fushë ku ata kanë prirje. Vatra Boston duhet ta kthejë në traditë një takim prezantues me studentët që mbarojnë shkollën e mesme, si dhe ata që përfundojnë studimet e larta. Kryetari Mentor Maksutaj vuri në dukje punën që duhet të bëjmë në Vatra Boston dhe organizatat e tjera për dhënien e bursave studentëve në nevojë. Organizatat Shqiptare të Boston, por në veçanti Vatra Boston do të përkujdeset më shumë për sensibilizimin e komunitetit që më shumë studentë Shqiptarë të aplikojnë të studjojnë në Harvard University dhe MIT, këshillë kjo e ligjëruesit në Harvard University z.Faton Limani, që u mirëprit në konferencën përkujtimore.
Kështu ne vlerësojmë edhe familjet edhe të afërmit e tyre, që rritin dhe edukojnë këtë brez Amerikanësh të Rinj me tradita Shqiptare. Ne kemi shumë punë për të bërë për ta bërë sa më masiv organizimin tonë, me qëllim që të jemi më të plotë dhe kështu së bashku ti japim më shumë ardhmëri Identetit tonë kombëtar me shkollat Shqipe të komunitetit, por edhe me Gjuhën Shqipe si lëndë përzgjedhëse tashmë në Harvard University. 110 anëtarët aktivë të Vatra Boston sot janë prova më e mirë e një organizimi dinamik që pothuaj u dyfishua në katër muaj. Anëtarësimi në Vatra Boston vazhdon. Shumë domethënës ishte anëtarësimi i nipit Vasil Pani që mban emrin e gjyshit, kryetarit të Vatrës Vasil Pani. Ndërlidhja e brezave Vatranë është tashmë realitet edhe me Vatra Boston. Fjala e një pasardhëse të familjes vatrane, 94 vjeçares Mary Thomas shërbeu si një kujtesë historike e gjallë se çfarë bënte Vatra në Boston pas luftës së Dytë Botërore e deri në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Ne jemi duke krijuar ura bashkëpunimi së pari me degët e Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra, si dhe me shoqata atdhetare në Kosovë siç është Kosova për Sanxhakun me kryetarin z.Ismet Azizi. Ne do të përgjithësojmë suksesin e punës së çdo Shqiptari që rrezaton krenari kombëtare me diturinë dhe profesionalizmin e tij në Masaçusets kudo dhe kushdo qofshin këta Shqiptarë në biznes, industri, kujdesin shëndetësor, ndërtimtari, arte, edukim, sport a kudo. Ne do të punojmë së bashku të mbajmë traditat e bukura Shqiptare të foklorit, valleve tradicionale, këngëve popullore, kostumeve kombëtare, si dhe mësimin e instrumenteve muzikorë me qëllim që ti trashëgojmë edhe këtu. Një nga këto nisma është edhe projekti i Grupit Labëria të Boston, anëtarë të të cilit janë edhe anëtarë të Vatra Boston.
Pra, kushdo që do të marrë përsipër këto kurse duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë e mbarëvajtjes së çdo programi jashtëshkollor në bashkëpunim me Vatra Boston dhe prindërit.
Kjo ide mbetet për tu parë e planëzuar në vijim. Kushdo që do marrë përsipër kurse për trashëgiminë e kulturës Shqiptare ne do ti mbështetim që ti jetësojmë ato.
Çfarë na frymëzon ne vatranëve të Boston?
Nderi i kombit Fan Noli lindi në mërgim dhe u bë një nga shtyllat kombëtare për shpëtimin e Shqipërisë dhe kombit me kishën Shqiptare të Amerikës dhe bashkëthemelimin e Federatës Vatra. Konica, Dako, Kirka, Çekrezi, Panët, Athanas, Pipa e shumë të tjerë që vunë mbi gjithçka Çështjen Shqiptare në shërbim të kombit e shtetbërjes. Një shëmbull tjetër është lobisti i Çështjes Shqiptare Joseph DioGuardi, i lindur në Amerikë, por kur dëgjoi të folurit Shqip në ditëlindjen e tij nga Shqiptarë të Kosovës në New York gjaku i kujtoi se kjo ishte gjuha e babait Arbëresh. Ndaj DioGuardi me Shqiptarët kontribues u bë lobisti më i madh i tre dekadave, lajmëtari i parë me rezolutat në Kongresin Amerikan për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, si i pari Kongresman Arbëresh. Me dhjetra Vatranë i janë bashkuar misionit të tij.
Vijmë tek brezi mē i ri. Edona Kosovic studente në Harvard University bëri kërkesën për mësimin e Gjuhës Shqipe një vit më parë. Një fat i madh ky për ne Shqiptarët e Amerikës.
Faton Lumani tashmë është bërë jo vetëm ligjërues i Gjuhës Shqipe, por edhe Shqiptari më i dashur i Harvardit sot për sot që hap dyert për Shqiptarët e Boston, të Shqipërisë dhe Kosovës etj. Shembuj të tillë ka me mijëra. Edhe kur në Boston nuk vepronte më Federata apo Vatra e Boston, prapëseprapë shpirti vatran ishte këtu. Shumë prej vatranëve këtu sot janë veprimtarë të komunitetit të Masaçusets për disa dekada. Thjesht. Ne në Vatra Boston do të ndjekim shembullin e organizimit të një qyteti Amerikan që të fton vullnetarisht të shërbesh në bord apo në komisionin e qytetit ku banon, apo me kandidaturë vullnetare votohesh për kryetar apo këshilltar i bashkisë. Ky është modeli strukturor që Konica paraqiti më 14 Prill 1912 në programin e mbledhjeve të bashkimit në Federatën Vatra kur edhe votuan për kanunoren e parë. Pikërisht ne duhet të pranojmë vullnetarizmin nga njerëz që e kanë pasion Shqiptarinë dhe punën me komunitetin, nga njerëz që e kuptojnë se organizimet qytetare si kjo e Vatra Boston duan sakrificën e kohës e më shumë. Pikërisht, kjo ngjau edhe me nismën për zhvillimin e konferencës përkujtimore nga anëtarët e Vatrës, z. Subi Çako dhe Artur Vrekaj, por me miratimin nga kryetari i Vatra Boston z. Mentor Maksutaj.
Fakti që ne jemi sot këtu të Riorganizuar në Vatra Boston pas 112 vjetësh të themelimit të Federatës PanShqiptare Vatra flet më shumë. Një risi e kësaj veprimtarie është bashkëpunimi me biznesmenët Shqiptarë të Çunave të Boston për sallën ku u zhvillua dhe Neviol Shukullit me Boxford House Pica që u vlerësua për ndihmesën e tij. Konferenca përkujtimore e 112-vjetorit të themelimit të Vatrës organizuar nga Vatra Boston po shërben tashmë edhe si një frymëzim për të vazhduar me veprimtari të tjera kombëtare.
Nga Artur Vrekaj
veprimtar i bashkësisë shiptare
Shrewsbury Massachusetts.
28 Prill, 2024
Diskutim rreth këtij postimi