Në një atmosferë të mbushur me emocione, respekt dhe krenari kombëtare, në Qendrën për Kulturë në Rozhajë u mbajt edicioni i XVI i manifestimit tradicional “Ora e Maleve”, një ngjarje që tashmë ka marrë përmasa të rëndësishme kulturore dhe historike, duke i dhënë zë kujtesës për të rënët e luftës në Husaj të Rozhajës gjatë vitit 1999.
Manifestimi nisi me intonimin e hymnit të flamurit ,hapjen e ekspozitës personale të piktorit të njohur, prof. Xhevdet Spahija, e cila solli para të pranishmëve një pasqyrë artistike të thellë dhe autentike të identitetit dhe shpirtit tonë kombëtar. Në vijim, programi u zhvillua në një organizim të përkushtuar nga drejtori i manifestimit, z. Ali Daci, i cili prej vitesh mban gjallë këtë traditë me dinjitet e përkushtim të rrallë.
Ngjarja u moderua me elegancë dhe profesionalizëm nga gazetarja dhe moderatorja Altiana Zogaj, së bashku me profesoreshën e mirënjohur Senada Pepiq, të cilat i dhanë programit rrjedhë të qartë dhe komunikim të ngrohtë me publikun.
Të pranishëm në këtë manifestim ishin figura të njohura nga mbarë hapësira shqiptare, ndër ta akademiku Kujtim Shala, i cili promovoi tri veprat e tij më të fundit, për të cilat foli me vlerësim të lartë kritiku dhe studiuesi Ndue Ukaj. Po ashtu, pjesëmarrja e veprimtarit të njohur Mehmet Bardhi nga Ulqini dhe shumë personaliteteve të tjera i dha kësaj ngjarjeje një dimension gjithëkombëtar.
Nga Istogu mori pjesë edhe drejtori ekzekutiv i Klubit Letrar “Podguri”, Nuradin Imeraj, i cili në kuadër të këtij manifestimi pati nderin të ndajë çmimin “Ora e Maleve” për znj. Trandafile Molla-Baja, poete dhe publiciste e njohur, e cila kishte ardhur nga Italia për të qenë pjesë e këtij organizimi domethënës.
Një moment i veçantë ishte edhe fjala e inxhinieres së pylltarisë dhe shkrimtares, e njohur zonja Evelina Ajazi, njëkohësisht si gjuetarja e vetme profesioniste femër në Kosovë dhe rajon, e cila me emocion kujtoi mikpritjen e banorëve të Rozhajës ndaj refugjatëve nga Kosova në vitin 1999, duke e vlerësuar këtë si një akt të madh human dhe vëllazëror. Në shenjë respekti, ajo i dhuroi organizatorit disa ekzemplarë të librit të saj më të fundit.
Programi vijoi poetën e shquar Armenida Qyqja e cila kishte ardhur special nga Kanadaja duke filluar me orën letrare, ku poetë dhe krijues nga treva të ndryshme sollën krijimet e tyre, duke e bërë fjalën artistike një urë lidhëse mes së kaluarës dhe së tashmes. Orën letrare me vargjet e saja e nderoi poetja fituese e vendit të parë në Tiranë zonja
Blertë Tmava Veselaj e cila nga auditi mori duartrokitje dhe përkrahje të veçantë. Ndërkohë, performanca e Ansamblit kulturor-artistik “Repsha” solli një frymë festive dhe energji të veçantë, duke e ngritur atmosferën në nivele të larta emocionale.
Ngjarja u përcoll nga afër nga mediat, përfshirë RTK-në dhe RTV Fontana, duke siguruar që jehona e këtij manifestimi të arrijë tek publiku i gjerë.
Në përmbyllje, organizatori nderoi me mirënjohje dhe çmime disa figura të shquara për kontributin e tyre, ndërsa mbrëmja u kurorëzua me një darkë të përbashkët për të gjithë pjesëmarrësit – një moment që forcoi edhe më shumë lidhjet mes tyre.
“Ora e Maleve”në krye me
Ali Dacin mbetet një dëshmi e gjallë se kujtesa nuk shuhet, por përkundrazi, ajo ndriçon rrugën e së ardhmes, duke e kthyer sakrificën në krenari dhe historinë në frymëzim për brezat që vijnë.










Discussion about this post