Në një takim të zhvilluar sot në Bujanoc, Shaip Kamberi priti drejtorin e Departamentit për Siguri në misionin e OSBE Mission to Serbia, Valentin Mikhailov, me të cilin diskutoi për situatën shqetësuese të përfaqësimit të shqiptarëve në strukturat policore në Luginën e Preshevës.
Kamberi theksoi se ruajtja e policisë multietnike në Luginë ka rëndësi jetike për stabilitetin, sigurinë dhe besimin institucional të qytetarëve shqiptarë. Sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tash e një kohë ka bllokuar punësimin e të rinjve shqiptarë në polici.
Ai bëri të ditur se kanë kaluar më shumë se dhjetë vite nga punësimi i shqiptarit të fundit në stacionin policor në Bujanoc, duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë të diskriminimit institucional dhe të mbylljes së derës për integrimin e shqiptarëve në institucionet e sigurisë.
Deputeti shqiptar informoi përfaqësuesin e OSBE-së edhe për iniciativën e dorëzuar në Parlamentin e Serbisë, së bashku me deputetët e SDA-së, për inkuadrimin kolektiv të shqiptarëve në polici — një model i ngjashëm me procesin e vitit 2003, kur me ndërmjetësimin ndërkombëtar u arrit integrimi i pjesëtarëve shqiptarë në strukturat policore pas krizës në Luginë.
Kamberi paralajmëroi se vazhdimi i këtij trendi mund të çojë në zhdukjen e plotë të përfaqësimit shqiptar në polici brenda më pak se një dekade.
“Një situatë e tillë do ta rrezikonte seriozisht sigurinë e qytetarëve shqiptarë dhe do të na kthente në fundin e viteve ’90, kur shqiptarët nuk ishin fare të përfaqësuar në polici”, theksoi ai gjatë takimit.
Në fund, Kamberi shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me OSBE-në në mënyrë që iniciativa për përfshirjen e shqiptarëve në polici të shtyhet përpara dhe të mos lejohet degradimi i mëtejmë i pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Takimi i sotëm rikthen në vëmendje një nga çështjet më të ndjeshme për shqiptarët në Luginën e Preshevës: përfaqësimin institucional në sektorin e sigurisë. Pas më shumë se dy dekadash nga procesi i integrimit të policisë multietnike, alarmi i ngritur nga Shaip Kamberi tregon se shumë prej arritjeve të pasluftës po zbehen gradualisht.
Mungesa e shqiptarëve në polici nuk është vetëm çështje statistikash apo punësimi, por çështje besimi, sigurie dhe barazie qytetare. Për shqiptarët e Luginës, policia multietnike ishte një nga garancitë kryesore për stabilitetin dhe shmangien e tensioneve ndëretnike.
Nëse institucionet e Serbisë vazhdojnë të mbyllin dyert për të rinjtë shqiptarë, atëherë paralajmërimi për “kthim në vitet ’90” nuk tingëllon më si retorikë politike, por si një shqetësim real për të ardhmen e shqiptarëve në këtë rajon.










Discussion about this post