Me ndjenjë të veçantë respekti dhe mirënjohjeje dëshiroj të falënderoj Kryeredaktorin e revistës prestigjioze “Edukata Islame”, prof. Ramadan Shkodra, si dhe Myftiun e Kosovës, Naim ef. Tërnava, prof. Elez Osmanin dhe dr. Sadik Mehmetin, për pritjen e ngrohtë, mikpritjen vëllazërore dhe bisedën e frytshme që patëm në ambientet e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Ishte një kënaqësi e veçantë të vizitoj redaksinë e kësaj reviste me traditë dhe reputacion të lartë në fushën shkencore, kulturore dhe islame, e cila prej dekadash ka dhënë kontribut të rëndësishëm në promovimin e dijes, kulturës, vlerave shpirtërore dhe mendimit shkencor në hapësirën shqiptare.
Gjatë këtij takimi pata mundësinë të njihem më nga afër me të arriturat shkencore, botuese dhe kulturore të revistës “Edukata Islame”, me projektet dhe aktivitetet e saj, të cilat përbëjnë një pasuri të çmuar për jetën intelektuale dhe akademike të popullit tonë.
Nga ana ime, pata kënaqësinë t’i njoftoj të pranishmit me hulumtimet dhe veprimtarinë time shkencore, veçanërisht në fushën e historisë së Sanxhakut, si dhe me aktivitetet dhe sukseset e Organizatës Joqeveritare “Kosova për Sanxhakun”, të cilën kam nderin ta drejtoj. U ndalëm veçanërisht te rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike, forcimit të bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve dhe boshnjakëve, si dhe nevoja për kultivimin e dialogut, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë në rajonin tonë.
Vlerësimet e shprehura nga prof. Ramadan Shkodra për punën time hulumtuese dhe shoqërore i konsideroj si një nder të madh dhe një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në shërbim të shkencës, historisë dhe afrimit të popujve tanë.
Edhe një herë shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për mikpritjen, respektin dhe gatishmërinë për bashkëpunim, me bindjen se ura të tilla komunikimi ndërmjet institucioneve shkencore, kulturore dhe fetare janë në dobi të së ardhmes sonë të përbashkët.
Prof. Ismet Azizi
Studiues dhe publicist
Kryetar i OJQ-së “Kosova për Sanxhakun”










Discussion about this post