Nga Emin AZEMI
Ditën e diel (7 qershor) në një konferencë të përbashkët për shtyp, botuesi i njohur Fatmir Toçi, drejtues i shtëpisë botuese “Toena” dhe Institutit të Librit dhe Promocionit, së bashku me autoritetet më të larta të Komunës së Çairit, do të bëjnë publik zyrtarizimin e një nisme të madhe kulturore: ngritjen e “Tempullit të librit shqip” në Shkupin e vjetër, pranë shtatores sl Gjergj Kastriotit Skenderbeut. Ky vendim historik vjen si një kurorëzim madhështor i edicionit të parë të Panairit të Librit Shqip “Shkupi 2026”, i cili gjatë katër ditëve shndërroi Sheshin “Skënderbeu” në kryeqendrën mbarëshqiptare të dijes dhe fjalës së shkruar.
Shkupi i vjetër, ky dëshmitar i heshtur i shekujve, po zgjohet sot nën ritmin e një flladi të ngrohtë që vjen nga thellësitë e historisë. Mbi kalldrëmet e tij, aty ku koha ka gdhendur gjurmët e lashta të Dardanisë, po ngrihet një Tempull i ri, një koshere e artë ku pikat e mjaltit janë shkronjat tona, dhe një altar ku fjala e shkruar vjen si kurorëzimi i bekuar i Panairit që sapo mbylli siparin.
Ky tempull i dijes po ngrihet pikërisht aty ku roje vigjilente qëndron shtatorja e Kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Nën vështrimin e tij prej bronzi, libri shqip gjen strehën dhe mburojën e vet të amshuar. Skënderbeu, që dikur mbrojti qytetërimin me shpatë, sot bekon shpatën më të mprehtë të kombit në epokën moderne: fjalën e shkruar dhe ndriçimin kulturor.
Në këtë rrugëtim të madh, Shkupi përshkohet nga nxitimi i lumit dardan, që zbret si një dallgë madhështore prej kreshtave të bardha të maleve të Sharrit. Është ky Vardari i lashtë që i ngjan një kordoni të gjatë e të pashkëputur të rilindasve tanë të dikurshëm, ata që e vizitonin Shkupin si kryeqendër dhe që prej këtu shpërndanin thirrjet për unitet kombëtar në të gjitha vilajetet shqiptare. Ashtu si ky lumë që çan mes përmes zemrës së qytetit duke shpëlarë shekujt, ai tani pret dhe përcjell mbi valët e tij tingëllimën e bukur të shkronjave shqipe. Valët e tij nuk mbartin vetëm ujë, por bëhen dëshmitare dhe përhapëse të melodisë sonë të lashtë e të pashuar.
Kjo nismë nuk lindi në vetmi, ajo është fryt i një përqafimi të ngrohtë brendakombëtar. Kur botuesi eminent Fatmir Toçi bashkoi vizionin e tij me vullnetin e Komunës së Çairit,kreytarin e saj Izet Mexhitin, ata nuk u dakorduan vetëm për një marrëveshje administrative. Ata bashkuan dy brigje të të njëjtit lumë shpirtëror. Ky bashkëpunim vëllazëror tregon se kur mendja dhe zemra shqiptare bëhen bashkë, kufijtë gjeografikë shkrihen për t’i lënë vendin një hapësire të përbashkët kulturore. Libri këtu bëhet një urë e gjallë prej letre e shpirti, mbi të cilën ecën e nesërmja jonë.
Përmes këtij Tempulli, Shkupi po shtrin duart drejt zanafillës së vet, duke mëtuar të rikthejë lavdinë e humbur që i takonte ndër shekuj, atë lavdi të Dardanisë së dikurshme. Ky qytet po rindez sot fenerin e vjetër dardan, dritë e cila dikur udhëhiqte karvanet e dijes nëpër Ballkan e që tani do të ndriçojë sërish përmes fletëve të hapura, mu nën hijen e lavdishme të Kastriotit. Gjuha shqipe, e folur dhe e ruajtur me sakrifica si një thëngjill i fshehur nën hirin e kohërave, tashmë nuk po mbijeton më në heshtje. Ajo po zë vendin e saj të merituar në një algoritëm të ri.
Ky mekanizëm i ri kulturor do të jetë bërthama që ushqen shpirtin tonë kolektiv. Çdo libër në këtë Tempull do të jetë një rruzë në gjerdanin e këputur të historisë sonë, duke e lidhur sërish atë fort, nën bekimin e epokës kastriotiene. Ai do të shndërrojë kujtesën e pluhurosur në një lumë të vrullshëm e të kulluar, që rrjedh pafundësisht drejt pellgut të madh të kulturës dhe emancipimit kombëtar. Shkupi Dardan, me këtë tempull të librit, po dëshmon se lavdia nuk i përket vetëm të shkuarës, por po ringrihet më e fuqishme, e shkruar me shkronja të arta në faqet e librave që do të ndriçojnë brezat e ardhshëm.
Ky institucion i ri, sipa premtimeve të nismëtarëve, nuk do të jetë vetëm një vendstrehim i ftohtë i librave të radhitur mbi raftet e harresës. Përkundrazi, ai po ngrihet si një pikëtakim i gjallë, një udhëkryq shpirtëror ku lexuesit do të prekin frymëzimin e shkrimtarëve dhe ku mendjet e ndritura do të ndajnë të njëjtën tryezë me lexuesit. Këtu, nën çatinë e këtij tempulli, do të lindin miqësi e njohje të reja, dhe do të thuren ura të forta e të patundshme bashkëpunimi mes krijuesve dhe botuesve shqiptarë nga të gjitha trojet, duke e shndërruar këtë hapësirë në një laborator të vërtetë të kulturës sonë të përbashkët.










Discussion about this post