“Kemi informacione se ka familjarë të personave të zhdukur që kanë shitur dhe tokë e gjithë pasurinë, dhe i kanë dorëzuar paratë në Serbi, për t’i gjetur të dashurit e tyre”, thotë Hoti në RTK.
“Ka familjarë të tjerë, e këtë e kam dëgjuar me veshët e mi ku pretendojnë se më i dashuri i tyre, i ka thirrur në telefon dhe u ka kërkuar shuma të parave e ata i kanë shitur të gjitha”.
Ai thotë se të gjitha këto para i kanë dhënë në Serbi. “Natyrisht se të gjitha janë mashtrime”.
Hoti apeloi tek familjarët e të pagjeturve që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve. Hoti kërkon që familjarët e të pagjeturve, kur bien në kontakte të tilla, t’i njoftojnë institucionet përkatëse të Kosovës.
“Ka shumë grupe të ndryshme serbësh që mashtrojnë, e që janë kryesisht nga Beogradi”.
Ai deklaron se i kupton familjarët e të pagjeturve, por kërkon që të mos bien pre e emocioneve.
“Nuk di ndonjë familjar që ka marrë informacion në formë të tillë edhe është zbardhur fati i të pagjeturit”. Krejt këto raste, Hoti i ilustroi edhe me ngjarjen që i ka ndodhur vetë atij.
“Ai kërkonte një vlerë të mashe parash në formë të Bitcoin”, tregon ai, duke shpjeguar se edhe më herët kishte një rast tjetër kur ia kërkonin 400 mijë euro për t’i treguar se ku është Ukshin Hoti. “Po, mua personalisht më kanë kontaktuar në Messenger”.
Sipas tij, ky hackeri i ka thënë se ka arritur të hyjë në dokumentacionet e shtetit të Serbisë dhe se sipas tij, ata janë hackerë nga një vend tjetër.
“Komunikimi ishte në anglisht dhe na thoshte na dërgoni kaq të holla sepse do t’u japim informacione të klasifikuara”, tha Hoti, duke sqaruar se tashmë është mësuar me gjëra të tilla.
“Ajo që dua të them është se jam mësuar dhe e di se si funksionojnë këto grupe”.
Duke folur pastaj për rastin tjetër kur i janë kërkuar 400 mijë euro, Hoti tregon se kjo ka ndodhur një javë pasi në RTK ishte transmetuar një emision hulumtues për disa dokumentacione sipas të cilave, Ukshin Hoti është i vrarë dhe i varrosur.
“Mbi dy javë më kanë mbajtur në ethe mua dhe gjithë familjen”, rrëfen Hoti, duke sqaruar se ishte 99% i bindur se ishte mashtrim. “Por ai 1% ishte ndoshta gjithçka për mua, madje aq i madh saqë të dridhej trupi gjatë tërë kohës e të linte pa gjumë, derisa u përmbyll”.
Hoti tregon edhe fjalët që ia thoshin. “Se babi ishte gjallë, në një burg të fshehtë në Serbi, e shikova dje, e shikova pardje, shkoj nesër e bëj një foto ta dërgoj, ua sjell deri në kufi”, rrëfen Hoti fjalët e mashtruesit, që për të gjitha këto, kërkonte 400 mijë euro.
“Kur je familjar e dëgjon fjalë të tilla, është emocion i madh dhe e harron logjikën”.
Ai tregon se kurrë nuk ia dërguan fotografinë dhe pas tre javësh, në bashkëpunim edhe me institucionet e Kosovës, është bindur se është mashtrim. “Mashtrimi ishte nga Serbia”.
Duke folur për zhdukjen e veprimtarit Ukshin Hoti, babait të tij, Andin Hoti tregon se saktësinë e vetme që e di në këtë rast, është 16 maji 1999, ditë e diel, kur pa punuar administrata e burgut, dy gardianë e kanë marrë Ukshin Hotin dhe e kanë zhvendosur jashtë burgut.
“Me qindra tjera informacione kemi por asnjë nuk janë të vërtetuara”, thotë Hoti.
“Një informacion që e kemi marrë është se kinse atë e kanë marrë me një veturë të tipit ‘Yugo’ dhe e kanë dërguar në Istog”, thotë Hoti.
“Tjetër informacion është se kinse është dëgjuar një e shtënë me armë, pasi babi ka dalë nga burgu”, thotë ai, duke shtuar se -“informacion tjetër është se kinse ushtria e ka vrarë 300 metra larg burgut”.
Megjithatë, ai tregon se asnjë nga këto informacione nuk kanë rezultuar të sakta, përfshirë edhe atë se kinse -“ai mbahet i burgosur në burgjet sekrete serbe”.
Duke mirëkuptuar familjarët e të pagjeturve që kërkojnë të afërmit e tyre dhe në rrethana të tilla shpesh përfshihen më shumë nga emocionet sesa nga arsyeja, Andin Hoti tregon se edhe vetë ka pasur raste kur ka menduar se është afër për ta gjetur Ukshin Hotin, babanë e tij.
“Edhe ditëve të fundit ka pasur një moment kur kam shpresuar se jam shumë afër ta gjej, por nuk rezultoi ashtu”, tha Hoti.
/telegrafi/
Diskutim rreth këtij postimi