SHTEPIA BOTUESE PROKULTPRESS, PRISHTINE
SAPO ËSHTË BOTUAR ROMANI “BOSH” I AUTORES SË RE, SARANDË Halimi
NE SI BOTUES ESHTE E UDHES QE TA PARAQESIMI EDHE VESHTRIMIN E FUQISHEM PER KETE ROMAN NGA ANA E ZEKERIJA IDRIZIT:
Recenzent: Zekerija Idrizi
Botues: Fatmir Halimi, SHB “Prokultpress”, Prishtinë, 2025
ELEMENTET METANARRATIVË DHE POSTMODERNISTË TE ROMANI “BOSH“
“Vështrim kritik për romanin “Bosh” të romancieres së re Sarandë Halimi
Ditë më parë botuesi im, Fatmir Halimi, më dhuroi elektronikisht në email romanin e parë në dorëshkrim të sapodiplomuarës me nota të larta në shkencat e arteve në Universitetin e Prishtinës, Sarandë Halimi nga Besiana (Podujeva), me titull “Bosh”.
Mora për detyrë që pasi ta lexoj t’i hedh një reçensë. Fillova ta lexoj dhe u mrekullova që në fillim nga ky narracion letrar. Një semantikë e pasur gjuhësore, e shpërfaqur me nivel fin artistik dhe me një estetizëm të rrallë. Sakaq rrëfimi më mbërtheu dhe nuk u ndava së lexuari deri në faqen e fundit. Në fakt, më fascinoi skajshëm tema të cilën autorja e kishte vënë në qendër të trajtimit letrar. E, tema qëndrore ishte: dashuria ideale në mes kryepersonazheve dhe dashuria e afshi i prushtë ndaj leximit të librave nga letërsia shqiptare dhe e huaj ndërkombëtare, dhe, paralelisht, madje me theks të veçantë e vënë në fokus të vëmendjes së personazheve: qasja për të krijuar – pra, krijimtaria.
Kaq dendur brenda romanit “gumëzhijnë” vlerat më fundamentale të ARTIT: muzika, kënga, shfaqjet e dramave teatrale, poezia dhe proza.
Sistemi figurativ dhe boshtet strukturore në këtë narracion romanor janë elementë sa funksionalë po aq edhe një shkas për një meditim më të thellë në rrafshin e filozofisë dhe të letërsisë. Këto elemente na ndihmojnë të përthithim mesazhet mjaft sublime të këtij libri romanor.
Madje-madje, në mbarështrimin e këtij narracioni autorja, Saranda, shpërfash një individualizëm të theksuar intelektual e progresist. Individualizëm ky që, jo vetëm në boshtin strukturor por edhe në përmbajtje të romanit, mënyra se si ajo shprehet, se si “kalkulon” me dialogjet e personazheve, afeksioni narrativ letrar merr trajtat më të përkryera arkitektonike dhe estetike, ku frymojnë edhe gjësendet inorganike – peizazhet piktoreske të natyrës, se lëre më ato organike, të njerëzve të gjallë ….
Te ky roman “Bosh”, ndihet se autorja, Saranda, ka vokacion, talent, shije dhe stof letrar. Ajo bën një letërsi të kohës. E ka flakur përkohësisht petkun e saj të artit grafik dhe e ka veshur një tjetër, po aq sublim: letërsinë. Sapo fillon ta lexosh këtë roman sakaq e ndjen verbin e shkrimtarisë së saj, ndjen koreografinë e fjalës, shijon ecejaket e një semantike që lodron midis të thënës dhe të pathënës, të shndritshmes dhe të errtës. Pastaj, ajo di të luaj gjithnjë e më mirë me kureshtjen e lexuesit, e mban nën trysni rrëfimin, krijon ca suspansa që një lexues i kualifikuar vërtet nuk hutohet për asnjë çast, por, në të vërtetë, grishet të udhëtojë tok me trillin e shkrimtares viseve të “pashkelura”, aty ku buisin jetë njerëzish të rëndomtë e të shquar me gjeniumet e tyre profesionale, morale, karakteriale e kombëtare.
Që në hyrje të librit u përballa me një narracion postmodernist, që të mbante në ankth gjatë leximit. Me këtë rast i fitova ndjesitë e njëjta sikur kur kam lexuar herët në jetë, ta zëmë, librat: “Melone vdes” të Samuel Becketit, romanin “I huaji” të Albert Kamys, “Metamorfozën” e Franc Kafkës apo “Të mjerët” të Viktor Hygos. Por dhe jam ngazëllyer shumë njëkohësisht teksa lexoja dialogjet mbresëlënës mes personazheve rreth letërsisë dhe krijimtarisë në poezi e prozë …
Më duhet tani të shpërfaqi mbresën, pandehmën dhe vështrimin tim gjykues që ky roman të ardhmen do jetë edhe në qendër të kritikës letrare jo vetëm shqiptare, por edhe ndërkombëtare, për arsye se narracioni i tij është i mbushur me elementë qenësorë të intertekstualitetit, metafiksionit, metanarrativës, fragmentarizmit dhe postmodernizmit. Për më tepër, madje, është ky një narracion libror sa i përshkuar me plot dashuri e vlera mistiko-metafizike e letrare, po kaq edhe me vlera universale, gjithënjerëzore. E, këto vlera primordiale ia ka dalë me sukses autorja t’i shtjellojë e t’i përçojë me finesë e elegancë letrare e meditative deri te lexuesit potencialë të saj.
Dua të vë theksin edhe te një fakt tjetër po i rëndësishëm: menjëherë në hyrje autorja e paraqet kryepersonazhin në një situatë sa paradoksale po kaq edhe “morbide” në pikëpamje psiko-mentale. Kjo tamam në rolin e një “Mersoi” kamyan, të një “Melone” becketian dhe të një “Gregori” kafkian”. Thënë më saktë, krypersonazhi personifikon “njeriun absurd”, si protagonist në një botë të joidealtë, që, në një imazh sizifian, bart mbi shpatulla gurin e Sizifit mitologjik.
Dhe, në këtë konktekst, sa për konfirmim, lexoj fjalët hyrëse:
“Katër mure”, kjo është gjëja që sapo më ra ndër mend, gjë që edhe po e mendoj tani. Nuk është se po mendoj për një hiç gjë, por ka orë që gjendem mbyllur këtu brenda katër mureve dhe kisha aq kohë sa të analizoja rrahjet e zemrës sime, të cilat i përshtateshin tik-takeve të orës së vjetruar në mur… Gjersa shëtita tërë këto mendime nëpër kokën time, unë tashmë paskam ndërruar pozicionin e qëndrimit në shtratin tim. Thënë të drejtën tani nuk e di se a mund të them se jam ulur, por as i shtrirë nuk jam, nuk e di si të them, por e di se koka ime vetëm sa nuk po preket tek dyshemeja kurse këmbët po qëndrojnë akoma disi mbi shtrat, e shpina ime gjendet e mbështetur në pjesën e poshtme të shtratit. Gjersa po qëndroj kështu, vërej se unë nuk jam brenda katër mureve. Në pozicionin që jam unë, dyshemeja dhe tavani duken sikur mure, kurse muret që i shikoja më herët duken si dysheme e tavan, pra kështu gjithçka mund të konsiderohet mur këtu. E tani pasi kuptova se jam gjithsej brenda gjashtë mureve, kam frikë se do bëhen shtatë, sepse rruazat e shpinës më janë ngrirë të tëra dhe për pak do bëhem mur edhe unë dhe nuk e di si do qohem drejt nga kjo pozitë…“
Kjo pozitë “fatale” psikologjikisht, absurde e plot ankth e makth njëkohësisht, është si rrjedhojë e dy tragjedive që e mbërthejnë kryepersonazhin: që në vitet e hershme të fëmijërisë, atë dhe familjen e tij e braktisë nëna, e cila ndahet nga burri i saj dhe martohet gjetkë me një person tjetër, dhe, e dyta, i vdes gjyshja (nëna e babait), e cila gjatë rritjes dhe zhvillimit të tij e ka zëvendësuar të ëmën e tij, duke u përkujdesur maksimalisht për ushqimin, veshmbathjen dhe edukimin e tij.
Këto tragjedi heroin e librit e shpiejnë në mërzi, pikëllim dhe vetizolim të plotë – faza këto të palakmueshme në të cilat ai mediton thellë për gjitha ligjet dhe misteret e jetës dhe mëton ndërkohë t’i dekodojë ato për të kapur esencat e tyre “ezoterike” dhe ekzistenciale – pra, për të kuptuar thellë në esencë filozofinë e tyre.
Brendapërbrenda romanit zhvillohen dialogjet intensive plot sens e kuptim jetik, socio-filozofik, liriko-dashuror dhe esetiko-letrar, të cilat autorja i ka prezantuar në imazhe mjaft sublime dhe me një gjuhë e diskurs të ngjeshur e të rafinuar si në pikëpamje semantike, gjuhësore, ashtu edhe në atë ideo-botëvështrimore. Në këto dialogje gëlojnë bisedat në mes personazheve: babai Eriku, nëna Klementina, e motra Aoda (të kryepersonazhit), fqinja Brikena dhe vajza e saj Ema, miku Teodori, e dashura, aktorja teatrale dhe poetja Klementina, moderatori i aktiviteteve letrare të poezisë Bruno e ca të tjerë.
Në këtë drejtim, me mjaft interes filozofik dhe ideo-artistik e letrar janë bisedat dhe polemikat në mes të kryepersonazhit dhe miqve të tij, Teodorit dhe Klementinës.
Në këtë roman duket sikur autorja na thotë zëplot mesazhin krucial: “Miq, letërsia është një zonjëz e brishtë plot farfuri, strehëza ime, ajo që e dua fort e ku preh shpirtin tim, ajo që më nxit e më prin udhëve të fantazisë, trillit, hijeshisë së fjalës, rrjedhës së ligjërimit, hip e zbrit ngjarjeve, ca të ndodhura e ca të fantazuara, gdhend karaktere, u jap frymë konkordancave, kaoseve e konflikteve, i kthej situatat nga dukja normale e latente në befasime e thagma çmeritëse dhe anasjelltas, duke përdorur si karrem përkitje sa të besueshme aq edhe të “pabesueshme”, sa racionale aq edhe irracionale, që vijnë nga bota e realtë dhe njëkohësisht edhe nga bota e imagjinatës dhe muzës sime ideo-artistike. Shpresoj që kjo krijesë e imja letrare, ky libër, do të shkaktojë emocione të ëmbla te ju, lexues të nderuar!”
Mjerisht, në epilog, narracioni romanor ka përfundim tragjik. Vdes kryepersonazhi nën trysninë e sëmundjeve, pikëllimit dhe lëngimeve të shumta që e kishin plandosur disa herë në krevat spitali. Ai vajti nga kjo botë relative me dy synimet e dëshirat e tij të parealizuara: nuk ia doli t’i rikthehet nënës së tij e të vazhdojë të bashkëjetojë me të dhe nuk arriti dot ta kurorëzojë dashurinë e tij ideale me martesë me të dashurën e tij, Klementinën.
Ai vdes në një mjerim të thellë, thënë metaforikisht, ai shndërrohet në “murin e pestë” brendapërbrenda katër mureve të akullta të dhomës së shtëpisë së tij.
Në epilog, pason letra elegjiake, plot trishtim, mërzi e pikëllim, e të dashurës së tij, Klementinës, ku ajo shpëfaq dashurinë e thellë të saj ndaj tij. Ndërkohë ajo i gjen edhe shënimet e ditarit të tij nga i cili e kupton se sa shumë ai e ka dashuruar atë….
Për fund ta them përmbledhtazi: ky roman emancipon në shumë pikëpamje lexuesit potencialë, si ideo-artistikisht po kaq edhe letrarisht dhe socio-filozofikisht.
Rrjedhimsht autorja, romancierja e re, Sarandë Halimi, është një figurë shumë inteligjente dhe shkrimtare e talentuar me një diskurs mahnitës letrar, e cila premton shumë të ardhmen për botën e letërsisë sonë kombëtare shqiptare.
Razgovor o ovom članaku