E mërkurë, 11 Dhjetor, 2024

Rebelët që mbijetuan

Dr. Daut Dauti: Noel Malcolm, tanimë kontribuuesi dhe autoriteti kryesor i historisë shqiptare, në këtë libër flet për arsyen pse historia shqiptare është e panjohur në botë. Mungesa e botimeve në gjuhë të huaja, kryesisht në gjuhën angleze që dominon sot në botë, është problemi kryesor që pengon përhapjen e historisë shqiptare.

48
SHARES
603
VIEWS

Noel Malcolm: Rebels, Believers, Survivors – Studies in the History of the Albanians (Rebelët, besimtarët, mbijetuesit – studime për historinë e shqiptarëve). Botoi: Oxford University Press, 2020.

Dr. Daut Dauti

Noel Malcolm, tanimë kontribuuesi dhe autoriteti kryesor i historisë shqiptare, në këtë libër flet për arsyen pse historia shqiptare është e panjohur në botë. Mungesa e botimeve në gjuhë të huaja, kryesisht në gjuhën angleze që dominon sot në botë, është problemi kryesor që pengon përhapjen e historisë shqiptare.

Malcolm librin ia kushton Robert Elsieit, i cili në veprat e tij të shumta ka ndikuar pa masë për pasurimin e fushës së albanologjisë dhe historisë shqiptare. Përkundër faktit që gjatë dy dekadave të fundit është bërë një përparim në këtë domen, Malcolm, duke qenë edhe vetë kontribuues, konstaton se nuk është bërë mjaft në këtë drejtim dhe se historia e shqiptarëve ende nuk ka depërtuar ku duhet dhe sa duhet. Fajin kryesor për këtë prapambetje, Malcolm e gjen te periudha komuniste, e cila e kishte izoluar Shqipërinë hermetikisht duke mos lënë hapësirë për komunikim dhe shkëmbime kulturore me botën.

Jashtë kufijve të Shqipërisë, në Jugosllavinë e Titos, Kosova, një vend tjetër shqiptar, gjendej në një pozitë më të mirë në këtë aspekt. Por, edhe këtu ka ekzistuar një problem që e ka penguar zhvillimin natyral të historiografisë shqiptare. Malcolm bën me dije se establishmenti akademik i Jugosllavisë socialiste ka qenë i interesuar vetëm për zhvillimet historike të sllavëve të jugut e jo për historinë e shqiptarëve apo Kosovës, të cilin vend e ka konsideruar si një provincë të prapambetur në të gjitha aspektet. Në mënyrë të zhdrejtë bëhet me dije se duhet ta kemi parasysh se në trajtimin e historisë shqiptare, edhe nga vetë shqiptarët, ka krijuar ndikim edhe forma pro sllave e interpretimit të ngjarjeve historike.

Kjo është korniza në të cilën Malcolm e vendos për shqyrtim problemin e mungesës së njohurisë së historisë shqiptare në botë. Brenda kësaj kornize janë dhënë edhe arsyet e tjera. Fjala është për zhvillimin e shtresës intelektuale shqiptare që është më e vonshme se ajo greke dhe serbe për shkak se shkollat shqipe ishin më të vonshme. Prandaj, varianti serb dhe grek i historiografisë së Ballkanit është më i vjetër dhe ka krijuar rrugë për të ushtruar ndikim edhe sot në dëm të historisë shqiptare. Është formuar një trend i cili tash e injoron historinë shqiptare duke e cilësuar si diçka të mbyllur në vete e që nuk ka ndikime apo lidhje me botën e jashtme. Në realitet, siç thekson Malcolm, është e kundërta. Historia shqiptare refle­ktohet në të gjitha drejtimet dhe kjo është për shkak se tokat e shqiptarëve kanë qenë qendra ku janë takuar, lidhur apo ndarë të gjitha religjionet, kulturat dhe perandoritë. Nga ky fakt janë krijuar interesat dhe ambiciet e ndryshme që më vonë janë drejtuar si aspirata ndaj tokave shqiptare. Kjo është një temë të cilën e ka shpjeguar Malcolm në veprat e mëparshme sikur edhe disa historianë të tjerë, por kjo gjë vihet në pah edhe në këtë libër.

Për ata që e kanë përcjell punën jashtëzakonisht të vlefshme të Malcolmit, disa pjesë të këtij libri nuk janë të panjohura. Disa kapituj janë botuar më herët si ese dhe kanë trajtuar tema të ndryshme nga historia shqiptare. Këto ese trajtojnë tema në kohëzgjatje historike që fillon në shek. XV dhe përfundon në shek. XX. Edhe pse të botuara në kohë të ndryshme, këto ese e shpjegojnë titullin që mban libri dhe janë radhitur në 11 kapituj sipas parimit të kronologjisë.

Në kapitullin e parë, që fillon me të dhënat udhëpërshkruese të pelegrinëve të shek. XV, të cilët nëpër Shqipëri kalonin rrugës për në Jerusalem, shihet një interesim për këtë vend. Shqipëria e shek. XV qe bërë vend që kishte tërhequr vëmendje për shkak të depërtimit të otomanëve në Evropë dhe rezistencës së shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu. Megjithatë, vendi nuk e kishte tërhequr vëmendjen e historianëve sikur që ishte rasti i tregtarëve dhe pelegrinëve që ishin të vetmit nga shtresat shoqërore që e vizitonin ndonjë pjesë të Shqipërisë dhe që merrnin shënime. Shtresa e dytë, pelegrinët, janë të rëndësishëm për shkak se ata ishin kasta e vetme e shoqërisë së atëhershme që ishte e arsimuar dhe që kishte një shprehi të shënimit të gjërave që i shihnin. Malcolm këtu na sjellë dëshmitë e një duzine të pelegrinëve. Shënimet janë kryesisht të pjesës së territorit bregdetar dhe dy qytetet që përmenden më së shumti janë Durrësi dhe Vlora. Në një mënyrë kjo ka qenë rruga tregtare e vendosur nga vendikasit të cilën e kanë rrahur edhe pelegrinët.

Këto shënime janë të dorës së parë apo arkivore, shumica e të cilave më para kanë qenë të panjohura. Shënimet kanë të bëjnë me njerëzit (shqiptarët), vendet e tyre dhe relacionin që këta njerëz kishin me Venedikun, Napolin dhe Perandorinë Otomane. Andaj, këto shënime sot duhet të konsiderohen si burime të rëndësishme historike edhe pse nga vëllimi janë më të vogla se ato që ekzistojnë për vendet e tjera. Dmth., këtu shohim faktin se që nga fillimi i përdorimit të shkrimeve, interesimi për Shqipërinë nuk është i nivelit sikur ai për vendet e tjera, e cila dukuri do ta përcjellë shkencën e historisë deri në ditët e sotme. Megjithatë, nga të gjithë pelegrinët vendi quhet Shqipëri (Albania), kurse banorët, shqiptarë (Albanians). Në kapitullin e dytë që u kushtohet kelmendasve ofrohet historia disashekullore e këtij klani dhe një pjese të konsiderueshme të Shqipërisë veriore. Duhet theksuar se Noel Malcolm në veprat e tij e përdor termin klan pasi që ai nuk beson në termin fis, që është një shkallë më e ulët e organi­zimit shoqëror, siç veprojnë shumica e historianëve kur merren me shqiptarët. Kelmendasit, duke qenë klan luftarak, dalin në sipërfaqe si të rëndësishëm pasi që periudha në shqyrtim përshkohet me luftëra të njëpasnjëshme. Rëndësia e kelmendasve vihet në pah duke e shqyrtuar pozitën e tyre në relacion me venedikasit, austriakët dhe otomanët. Kelmendasit, si klan i vogël, dalin në sipërfaqe si faktor i rëndësishëm kah fundi i shek. XV kur bëhen derbenxhi apo kur otomanët ua japin të drejtën e kontrollimit të rrugëve që lidhnin Gjakovën dhe qytetet e tjera të Kosovës me Shkodrën. Pjetër Bogdani i kishte përshkruar kelmendasit si njerëz tejet barbarë, por që ishin ‘zbutur’ nga puna që me ta kishin bërë françeskanët.

Deri në vitin 1688 kelmendasit ishin në shërbim të otomanëve në të gjitha luftërat, por një vit më vonë ata dolën në anën austriake. Vjena kishte bërë mund të madh që kelmendasit t’i largonte edhe nga ndikimi i venedikasve. Me fitoren e otmanëve pasoi një dënim kundër atyre që morën anën austriake por, për çudi, kelmendasit nuk u prekën. Në vitin 1690 kelmendasit u paraqitën sërish në Kosovë, si zotërues të vendit, për t’i mbledhur taksat dhe për ta plaçkitur rajonin, siç bënin shpesh.

Përkundër kontakteve të përhershme me otomanët, në shërbim të të cilëve ishin, dhe joshjes që ua ofronte pushteti, kelmendasit nuk islamizoheshin. Në vitin 1700 shohim një ndryshim të kësaj gjendjeje. Hudaverdi Mahmutbegolli, pasha i Pejës, pasi që në anën e tij i kishte siguruar shumicën e klaneve të tjera shqiptare, mori një vendim të rëndësishëm. Pasi që kelmendasit ishin të padëgjueshëm dhe faktor destabilizues, Mahmutbegolli i zhvendosi ata në Peshter të sanxhakut të Novi Pazarit. Por, brenda një kohe të shkurtër më shumë se gjysma e tyre u kthyen në vendin e mëparshëm. Megjithatë, fundi i fuqisë së kelmendasve ishte viti 1737 kur një pjesë e madhe e tyre u tërhoqën në drejtim të Beogradit me austriakët që po i humbnin betejat nga otomanët.

Më vonë kelmendasit do të bëheshin sërish të rëndësishëm, por jo si më parë për shkak të ndërrimit të rrethanave. Një pjesë e tyre u islamizua, por klani mbeti i lidhur siç ishte më parë. Për kelmendasit lidhja e gjakut u tregua më e rëndësishme se religjioni dhe ky është një fakt të cilin Malcolm e merr si shembull dhe parim me të cilin do të identifikoheshin shqiptarët në një periudhë të mëvonshme të historisë së tyre.

Për rëndësinë e familjeve shqiptare Bruni dhe Bruti të Ulqinit, Malcolm ka shkruar në librin e tij të mëhershëm që tani na është i njohur. Por, ai tashti në kapitullin e dytë sjell një shkrim të panjohur deri më tani të Antonio Brunit që ka të bëjë me bejlerbellëkun e Rumelisë të vitit 1596. Antonio Bruni kishte punuar në administratën e Moldavisë që udhëhiqej nga kushëriri i tij Bartolomeo Bruti, i cili në këtë pozitë ishte emëruar nga kushëriri tjetër, Sinan Pasha.

Pas një analize përfshihet edhe teksti i Brunit në tërësi, ku diskutohen religjioni, gjuha dhe kushtet e jetës së myslimanëve dhe të krishterëve në Rumeli. Por, pjesa dërrmuese ka të bëjë me shqiptarët, shtrirja etnike e të cilëve në atë kohë është pothuajse e njëjtë me territorin që më vonë u quajtën katër vilajetet shqiptare, mbi të cilën hapësirë rilindësit ndërtuan aspiratat për krijimin e shtetit shqiptar. Madje territori shqiptar, pas ardhjes së otomanëve, u zgjerua deri në Tivar që, sipas Brunit, ky qytet më herët ishte sllav, por aty filloi të flitej gjuha shqipe pasi që sundohej nga myslimanët shqiptarë. Mes të tjerash, Bruni flet për një ekzistencë paqësore në mes të shqiptarëve myslimanë dhe të krishterë, kurse katolikët i përshkruan si luftëtarët më të spikatur dhe lojalë të Perandorisë Otomane. Ata rebelohen më shpesh sesa që duhet për shkak se janë të prirë nga instinktet luftarake. Prandaj, sipas Brunit, otomanët dhe të tjerët shpesh i shtynin me qëllim që të rebelohen në mënyrë që t’i dënojnë pas humbjeve.

Religjioni dhe rebelimi është temë që përsëritet në disa kapituj të këtij libri. Në kapitullin e tretë shohim fenomenin e kripto krishterimit të shqiptarëve në Kosovë. Studimi i Malcolmit në këtë temë është vazhdimësi e veprës së mirënjohur të Frederick Hasluck (Christianity and Islam under the Sultans). Këtu kemi të bëjmë me faktin se në këtë fushë është treguar një vëmendje e posaçme në ndërlidhjen e religjionit islam dhe të krishterë. Nga kjo, siç marrim vesh nga Malcolm, është krijuar një pamje më e pasur e cila tashti e përjashton nga moda vizionin e dikurshëm Manicheanan që e paraqet krishterimin si të shtypur nga islami.

Kripto-krishterimin te shqiptarët Malcolm e shpjegon duke i angazhuar tre faktorë: 1. Koekzistencën sociale të shqiptarëve; 2. Sinkretizmin religjioz; dhe 3. Ekuivalentizmin teologjik (amfibianizmi).

Jeta e dyfishtë (myslimane-katolike) e shqiptarëve në Kosovë nuk del se ka qenë gjithmonë interesante dhe paqësore. Ka pasur raste kur kjo kategori është deklaruar e krishterë dhe ka kaluar pa pasoja, por në disa situata ka përfunduar rëndë. Malcolm e përmend rastin e vitit 1846 kur në disa fshatra të Karadakut të Gjilanit disa banorë u deklaruan katolikë. Diku rreth 150 veta (25 familje), së bashku me priftin, u dënuan me ekzil. Pothuaj se gjysma e tyre vdiqën rrugës nga kushtet e rënda derisa shkuan dhe u kthyen nga Anadolli pas dy vjetëve. Kripto-katolicizmi paraqitet mjaft i përhapur në Karadak saqë në mesin e tyre kishte edhe personalitete siç përmendet edhe Idriz Seferi në këtë libër. Kjo popullsi kaloi edhe më keq pas rënies së Perandorisë Otomane pasi që u bë shënjestër e politikës serbe për konvertim të dhunshëm në ortodoksi. Disa prej tyre pranuan të emigronin në Turqi për t’i ikur konvertimit.

Religjioni në kapitullin e katërt paraqitet nëpërmes gjykatave të inkuizicionit në Spanjë dhe Itali. Malcolm ka hulumtuar dokumentet e këtyre gjykatave duke gjetur rastet e shqiptarëve myslimanë të cilët kryesisht shërbenin si ushtarë. Por, si myslimanë apo ‘renegatë’, përparimi i tyre nuk ishte i sigurt në këto vende kur toleranca fetare nuk vinte në shprehje. Prandaj, ata deklarohen se në esencë janë të krishterë dhe se më parë qenë konvertuar në myslimanë pa dëshirën e tyre ose me dhunë. Deklaratat e tyre në gjykatë përngjajnë në ato të sotmet për azil politik ku duhet të vërtetohet se mbi ta, në vendin e origjinës, është ushtruar dhuna në procesin e konvertimit. Vetëm në dy raste kemi dënime me burg ndaj tyre. Në rastet e tjera dënimet janë lutjet shtesë dhe shkuarja më e shpeshtë në kishë ku do t’iu faleshin mëkatet. Këtu është fjala për periudhën që fillon në shek. XV dhe ajo që vlen të theksohet është fakti se të gjithë këta njerëz, edhe nëse janë nga Greqia e sotme apo Mali i Zi, deklarohen se janë nga Shqipëria. Edhe këtu mund ta shohim idenë e Shqipërisë gjeografike apo etnike të asaj kohe.

Në kapitullin e pestë religjioni është prezent në trajtimin e ‘Çetës së profetëve’ të Pjetër Bogdanit, të cilën vepër Malcolm e cilëson kryekëput religjioze. Qëndrimi negativ i Bogdanit ndaj islamit nuk e befason Malcolmin. Por, qëndrimi denigrues ndaj profetit të këtij religjioni, Muhamedit, është befasues dhe Malcom shtron pyetjen se si është e mundur të mendohet se ky libër do të shpërndahej në një vend ku ndalohet ky denigrim dhe e cila gjë e rrezikonte modus vivendin e krishterimit në Perandorinë Otomane?

Një kritikë tjetër e Malcolmiit ka të bëjë me angazhimin aktiv të Bogdanit në anën e austriakëve kundër otomanëve, e cila gjë nga disa historianë shqiptarë shihet si luftë çlirimtare. Për Malcolmin kjo luftë ka karakter fetar dhe zëvendësimi i pushtetit otoman me atë austriak nuk do të ishte çlirim, por vetëm ndërrim i sunduesit. Për ta bërë ‘Çetën e profetëve’ më atraktive dhe që të duket libër studimor, Bogdani ka përfshirë edhe pasazhe të Kuranit në të. Me siguri kjo është bërë me qëllim që libri të duket më atraktiv për myslimanët, por në esencë kjo gjë më shumë duket dekorative sesa studimor. Madje Malcolm konkludon se njohuria e Bogdanit për islamin është e mangët dhe se ai (Bogdani) del se nuk e ka lexuar Kuranin.

Komentet e Bogdanit kundër islamit dhe krishterimit ortodoks, Malcolm i cilëson si armiqësore që kanë për qëllim mbrojtjen e jo sulmin ndaj këtyre dy religjioneve. Ky qëndrim del për arsye se katolikët në këtë kohë pothuajse masivisht konvertoheshin në myslimanë apo ortodoksë. Arsyet e konvertimit i jep vetë Bogdani dhe ato kanë të bëjnë me dëshirën e njerëzve për ta përmirësuar statusin e tyre shoqëror dhe ekonomik, së bashku me dëshirën për t’iu ikur taksave që i rëndonte të krishterët. Por, arsyeja kryesore, sipas Bogdanit, është dështimi i kishës katolike që grixhës t’i ofrojë format më elementare të nevojave shpirtërore. Kjo arsye shoqërohet edhe me mungesën e priftërinjve. Madje, edhe nëse kishte priftërinj, njohuria e tyre për doktrinën e krishterë ishte e varfër. Prandaj, nuk ishte për t’u habitur shumë kur fshatra të tëra, së bashku me priftërinjtë, konvertoheshin në myslimanë.

Malcolm konsideron se ‘Çeta e profetëve’ ka tri qëllime: 1. bashkësisë katolike t’i mësohet doktrina e krishterë; 2. të parandalohet konvertimi i katolikëve në myslimanë dhe në ortodoksë; dhe 3. të konvertohen myslimanët dhe ortodoksët në katolikë.

Bogdani, religjioni, kelmendasit dhe Kosova, janë të pranishëm edhe në kapitullin e gjashtë ku Malcolm analizon ‘migrimin e madh të serbëve’ nga Kosova. Me këtë rast Malcolm hedh poshtë teorinë serbe si gënjeshtër dhe si propagandë, e cila është ringjallur në shek. XIX për të hyrë në programin nacionalist serb që aspironte përfshirjen e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në kuadër të shtetit serbomadh. Kjo është një temë të cilën autori e ka paraqitur në disa raste duke e hedhur poshtë si të pabazë dhe të pavlefshme. Qëndrimi shkencor i Malcolmit për këtë çështje, duke i ndarë mitet nga e vërteta, tanimë është i njohur dhe ka zënë vend fuqimisht në historio­grafi. Por, duhet theksuar se Malcolm me këtë rast kritikon jo vetëm historianët serbë dhe disa të huaj, por edhe ata shqiptarë për shkak se të gjithë këta përpiqen që këtë ngjarje ta përvetësojnë duke i selektuar të dhënat e favorshme historike dhe duke i përjashtuar dëshmitë që nuk iu shkojnë për shtati. Prandaj, sugjerimi i tij është se historia duhet të shkruhet vetëm në bazë të fakteve.

Pjesa qendrore e këtij libri është kapitulli i shtatë që ka të bëjë me Ali Pashë Tepelenën. Janë shkruar shumë libra për Ali Pashën. Janë shkruar poezi, këngë, drama, madje në Francë është komponuar dhe ekzekutuar edhe një operetë. Por, në aspektin akademik ky kapitull, i titulluar ‘Ali Pasha dhe Britania e Madhe gjatë luftërave të Napoleonit’, është studimi më serioz që është bërë deri sot. Titulli i kapitullit e shpjegon brendinë dhe këtu autori sjell gjëra të panjohura që kanë të bëjnë me Ali Pashën, Britaninë dhe me fuqitë e tjera në mënyrë të zhdrejtë. Malcolm ka eksploruar dokumentet e panjohura arkivore, por edhe literaturën ekzistuese. Madje, nga literatura akademike, librin e Katherine Flemingut me titull ‘The Muslim Bonaparte’, e sjell për diskutim pasi që ajo në shumë raste arrin në konkluzione të ndryshme me këtë të Malcolmit. Kritika e Malcolmit bazohet në faktin se profesoresha Fleming interpretimet i bazon në kornizën e vendosur nga tezat e ‘Orientalizmit’ të Edward Saidit. Dhe, në këtë mënyrë pamja e personalitetit dhe qëllimeve të veprimeve të Ali Pashës nuk dalin të plota.

Në studimin e Malcolmit, Ali Pasha portretizohet si mjeshtër i spikatur i intrigave diplomatike të Evropës së asaj kohe. Të tillë pashën e kishte bërë edhe situata (luftërat e Napoleonit) në të cilën ai veproi në mënyrë të mahnitshme. Gjatë kësaj krize, Ali Pasha ia doli ta zgjeronte territorin e pashallëkut të tij në mënyrë të konsiderueshme. Pothuajse tërë Greqia, Maqedonia dhe shumica e territorit të Shqipërisë së sotme ranë nën sundim të tij.

Pasi që Ali Pasha doli të ishte aktor i kompletuar i lojës diplomatike të Fuqive të Mëdha të asaj kohe, atëherë cili ka qenë qëllimi i tij? Cilat ishin motivet e manovrimeve të Luanit të Janinës në këtë periudhë dhe situatë komplekse? Malcolm konkludon se Ali Pasha për qëllim kishte mbijetesën apo ruajtjen e sundimit të tij në territorin që e kontrollonte. Malcolm nuk e pranon qëndrimin e disa historianëve shqiptarë që thotë se Ali Pasha po krijonte shtetin e pavarur shqiptar dhe se në këtë mënyrë po paraqitej si proto-nacionalist shqiptar. Por, ai nuk e mohon mundësinë që pasha do ta pavarësonte pasha­llëkun e tij në rast të rënies së Perandorisë Otomane sikur që nuk e mohon as faktin që sundimi i tij pati efekt më vonë në procesin e zhvillimit të nacionalizmit shqiptar.

Sidoqoftë, askush deri më sot nuk e ka paraqitur më mirë dhe nuk e ka shpjeguar në kaq imtësi relacionin e Ali Pashës me britanikët. Ali Pasha manipulonte me aleancat e tij në relacion me rusët, francezët dhe otomanët, por britanikët i konsideronte si aleatët më të mirë që mund të kishte regjimi i tij. Ekzistonin shumë arsye pse zyrtarët britanikë themeluan dhe zhvilluan kontakte me Ali Pashën. Këto kontakte ishin të nivelit më të lartë e deri tek ushtarakët në terren dhe përfaqë­suesit diplomatikë britanikë që u dërguan në oborrin e Ali Pashës. Megjithatë, Malcolm këtë formë të bashkëpunimit në mes të pashës dhe Londrës e quan ‘quazi aleancë’. Kjo ishte për shkak se nuk kishte marrëveshje formale të nënshkruar dhe ishte e përkohshme që rezultoi për shkak të interesave britanike që rrezikoheshin nga Napoleoni dhe Rusia. Më tutje, brita­nikët ishin të vetmit që i ofruan ndihmë Ali Pashës pasi që i dërguan armatim dhe ekspertë. Ali Pasha kërkonte sasi jashtë­zakonisht të madhe të armatimit. Në njërën nga këto kërkesa ai kishte shkruar se me këtë armatim forcat e tij ushtarake do të depërtonin deri në Danub për të krijuar paqe dhe zonë të sigurt për britanikët. Kjo ishte një mundësi që pasha tentonte ta shfrytëzonte për zgjerimin e territorit të tij. Por, britanikët nuk ishin të interesuar për këtë gjë. Ata i ndihmuan pashës për aq sa mendonin se do ta siguronin ndihmën e tij që do të mjaftonte për interesat që kishin në mesdhe. Kur u zhduk rreziku nga Napoleoni, përfundoi edhe aleanca e britanikëve me Ali Pashën.

Një interesim të zbehur të britanikëve, në krahasim me Ali Pashën, paraqitet edhe në kapitullin (8), ku bëhet fjalë për diplomacinë britanike ndaj Lidhjes së Prizrenit. Këtë qëndrim Malcolm e ka bërë me dije edhe në veprat e mëhershme. Këtu bëhet fjalë edhe për nacionalizmin shqiptar, aspekte të të cilit analizohen më gjerësisht në kapitullin e fundit të këtij libri.

Dy kapituj të tjerë kanë të bëjnë me dy personalitete. Malcolm ka zbuluar dorëshkrimin e autobiografisë së Lazër Tushës që është shkruar në vitin 1881-’82. Tusha ka qenë një shkodran i trajnuar për prift, por më vonë e ka ushtruar zejen e rrobaqepësit. Kjo autobiografi e titulluar ‘La mia vita in Albania’ (Jeta ime në Shqipëri), siç bën me dije Malcolm, është biografia e parë e shkruar nga një shqiptar. Teksti biografik ka të bëjë me jetën personale të Tushës, por sot është e rëndësishme për shkak se aty mund të shohim për zakonet, ndodhitë dhe jetën që është zhvilluar në atë kohë në Shkodër dhe pjesë të Shqipërisë veriore.

Personaliteti i dytë është prifti Ernesto Cozzi (1870-1926), i cili edhe sot mbetet pothuaj i panjohur edhe pse kontributi i tij ka qenë i konsiderueshëm në fushën e albanologjisë dhe në atë të religjionit. Për këtë arsye, Malcolm pohon se personaliteti dhe vepra e Cozzit janë neglizhuar dhe ai sot mund të krahasohet lirisht me Franz Nopcsan dhe Edith Durhamin. Malcolm analizon një vepër të Cozzit, e cila nuk është përfunduar e as botuar, por vjen si ndihmë e rëndësishme për historiografinë shqiptare të sotme.

Ky libër, si çdo tjetër i Malcolmit, parqet pasurim të historisë shqiptare dhe përmban autoritetin vulosës të ngjarjeve historike që trajtohen në të. Si çdoherë, edhe kësaj radhe Malcolm ka shfrytëzuar disa referenca, kryesisht burime historike të dorës së parë, për ta argumentuar qëndrimin e tij në shpjegimin apo interpretimin e çdo ngjarjeje. Rëndësia e punës së Malcolmit nuk qëndron vetëm në faktin se ai na e mëson historinë shqiptare. Veprat e tij shërbejnë edhe për njohje me atë që quhet shkencë dhe brilancë e shkrimit akademik. /Revista “Akademia”/Telegrafi/

Diskutim rreth këtij postimi

Welcome Back!

Login to your account below

Create New Account!

Fill the forms below to register

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.