Në prag të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që do të mbahet më 31 janar 2026, ndjej detyrim qytetar, politik dhe moral të bëj thirrje për reflektim të thellë, përgjegjësi dhe unitet brenda LDK-së.
Si veprimtar i LDK-së që nga themelimi deri më sot, çdo ndarje, çdo përçarje dhe çdo humbje elektorale e kam përjetuar rëndë shpirtërisht. LDK-ja për ne nuk ka qenë thjesht parti politike, por ideal, frymë dhe sakrificë, lëvizje për liri, shtet dhe demokraci. Heshtja sot do të ishte tradhti ndaj kësaj rruge.
Ndarjet e brendshme, klanet dhe egot personale na kanë çuar në humbje serike ndër vite dhe kanë dobësuar rolin historik të LDK-së në jetën politike të vendit. Kjo gjendje është thelluar nga individë të katapultuar për interesa personale, pa lidhje ideale e morale me LDK-në. Ata që nuk e ndjejnë këtë parti si ideal, por vetëm si mjet pushteti e përfitimi, shndërrohen në marioneta të interesave dhe mercenarë politikë, pa vizion dhe pa përgjegjësi historike.
LDK-ja ka qenë dhe duhet të mbetet shtyllë e shtetformimit dhe demokracisë në Kosovë. Prandaj, interesat personale dhe pazaret e ngushta duhet të marrin fund, në mënyrë që të arrihet një unifikim real dhe të zhvillohen zgjedhje të lira,të fshehta, transparente dhe gjithëpërfshirëse pa kufizime për a’snji antar që pretendon.
Proceset e manipuluara, imponimet, votimi aklamativ dhe formalitetet procedurale vetëm sa e thellojnë krizën dhe e largojnë LDK-në nga misioni i saj historik. Ky Kuvend duhet të jetë moment kthese, jo vazhdimësi e gabimeve të së kaluarës. Jemi pesë minuta para orës 12:00.
Nëse në këtë Kuvend nuk ndodh unifikim i vërtetë dhe zgjedhje reale, unë dhe bashkëveprimtarë si unë, pas 36 vitesh aktivitet dhe përkushtim, do të ndalim çdo aktivitet dhe çdo mbështetje që fuqizon klane, pazare të pista dhe interesa të ngushta personale e karrieriste. Nuk do të jemi pjesë e shkatërrimit të idealit për të cilin kemi sakrifikuar kohë, pasuri dhe mund.
Bashkimi i LDK-së nuk është vetëm çështje partie, por detyrim moral ndaj votuesve, ndaj shtetit dhe ndaj trashëgimisë politike e shpirtërore të Presidentit Ibrahim Rugova.
Me respekt,
Oso Ferizi,
23.01.2026










Discussion about this post