E premte, 6 Dhjetor, 2024

Kush në të vërtetë e ndau Gorën?

Shkruan: Demir Reshiti* (Shkrim me shkas, i motivuar nga shkrimi i prof. Sadik Idrizi me titull “Ndoshta nuk e keni ditur, ose kush e ndau Gorën?”, i publikuar në profilin e tij në facebook më 20 gusht 2020.)

53
SHARES
658
VIEWS

Ditë më parë, profesor Sadik Idrizi, njëri nga pionierët e boshnjakizimit të Gorës, kishte kërkuar që në valët e radio Kukësit të transmetohen këngë gorane. Këtë e kishte arsyetuar me faktin se në rajonin e Kukësit jetojnë një numër i konsideruar i popullatës gorane të cilët meritojnë të dëgjojnë këngë në gjuhë të tyre. Kërkesa-propozimi i tij kishte nxitur reagime të mëdha, madje disa edhe e kishin fyer e kërcënuar për këtë. Unë edhe pse isha i ftuar nga miqtë e mi kuksianë (goranë e shqiptarë) që të jap opinionin tim lidhur me këtë “kërkesë”, vendosa të mos inkuadrohem në atë debat.

Kërkesën e profesor Sadikut e konsideroj legjitime por nuk arrita ta kuptojë se si ai kërkonte të transmetohen këngë gorane në valët e radio Kukësit, ndërkohë që vetën dhe bashkëkombësit e tij i konsideron boshnjakë! Për të qenë korrekt me vetveten ai si flamurtar i boshnjakizimit të Gorës, do të duhej të kërkonte që në valët e radio Kukësit të këndohen këngë boshnjake e jo gorane!

Profesor Sadikun e njoh që nga viti 1999 dhe e kemi ruajtur një miqësi e konsideratë të ndërsjellë edhe pse në shumë raste nuk jemi pajtuar (politikisht). E takoj shpesh në facebook dhe disa herë e kam përgëzuar për shkrimet me karakter historik për krahinën e Gorës veçmas për grumbullimin, sistemimin dhe publikimin e dokumenteve e fotografive me vlera të pa kontestueshme historike. Kjo ndoshta ishte njëra nga arsyet pse nuk dëshiroja ta komentoja kërkesën e tij për transmetimin e muzikës gorane në valët e radio Kukësit. Mirëpo, për t’u marrë me të më shtyu një shkrim i tij i publikuar në profilin e tij në facebook me titullin: MOŽDA NISTE ZNALI, ILI KO JE PODIJELIO GORU? (NDOSHTA NUK E KENI DITUR, OSE KUSH E NDAU GORËN?) i botuar më 20 gusht 2020, shkrim ky që kishte nxitur debat të nxehtë dhe ishte komentuar shumë nga komentues të ndryshëm ’pro&contra’!

Nuk jam i sigurt nëse profesor Sadiku do të më lejojë të kyçem në këtë debat, sidoqoftë unë do ta publikojë këtë shkrim dhe t’ia përkujtoj profesorit se argatin më të madh për ndarjen e Gorës e ka bërë pikërisht ai me një grusht përkrahësish të tij duke e imponuar boshnjakizmin dhe boshnjakishten në një krahinë ku kurrë nuk ka jetuar asnjë boshnjak!

Këtë ia kam thënë profesor Sadikut edhe në vitin 2002 kur isha këshilltar nga radhët e LPK-së në kuvendin komunal të Sharrit. Në diskutimin tim në seancën konstituive të përbërjes së re, iu pata thënë përfaqësuesve të subjektit politik (VATAN) që e drejtonte Sadik Idrizi se ata mund ta quajnë vetën edhe kinezë po të duan (është e drejtë e tyre) por të gjithë e dimë se në Gorë jetojnë goranët e jo boshnjakët. Madje iu pata thënë se për interesa politike janë kah e përçajnë vetë komunitetin goran! Kjo edhe ndodhi realisht dhe mëkatari më i madh për ndarjen e Gorës është pikërisht personi që tani po pyet kush e ndau Gorën, pra profesori Sadik Idrizi!

Në 30 fshatrat gorane të që gjenden në tri shtete (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut) njoh personalisht disa dhjetëra intelektualë nga radhët e këtij komuniteti që do të mund të japin kontributin e tyre në përpilimin e një abetareje në gjuhen gorane (gjuhë kjo që është ruajtur me fanatizëm nga banorët e kësaj treve).

Të mësosh dhe të shkruash në gjuhen e nënës, nuk ka më mirë. Për fat të mirë, në shtetin e Kosovës kjo i lejohet secilit komunitet.

Boshnjakizmi në Gorë, për mendimin tim është zgjedhur si një e keqe më e vogël nga një pjesë e intelektualëve goranë pas çlirimit Kosovës. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka luajtur profesori Sadik Idrizi dhe një grup intelektualësh nga treva e Gorës, të shtyrë nga Numan Baliq dhe Nadira Avdiq Vllasi të cilët për ta rritur numrin e boshnjakëve në Kosovë (iu nevojitej ky numër për përfitime politike) shfrytëzuan lidhjet me këtë kategori intelektualësh dhe deri diku ia arritën ta “boshnjakizonin”, Gorën edhe pse të gjithë e dinë se në Gorë nuk ka jetuar kurrë asnjë boshnjak.

Ky boshnjakizim i imponuar ndikoi në përçarjen e komunitetit goran dhe u krijoi hapësirë jugonostalgjikëve dhe shërbëtorëve të Beogradit që në emër të goranizmit të organizojnë pushtet paralel dhe ta imponojnë mësimin me plan-programe të Serbisë!

Pak retrospektivë

Menjëherë pas çlirimit të Kosovës u hap radio Sharri. Ky radiostacion nisi punën me ato pak pajisje që i kishin lënë drejtuesit e ish-“radio Gora studio S” që regjimi i Beogradit e kishte hapur në Dragash me qëllim të përhapjes së propagandës serbe në këto anë. Kisha fatin që të jem kryeredaktori i parë i këtij radiostacioni dhe qysh në muajin e dytë të punës filluan presionet që të punonim edhe në gjuhë boshnjake (serbe). Presione të tilla vinin nga çarqe të ndryshme të cilat i shfrytëzonin edhe ndërkombëtarët. E mbaj mend një rast kur ish-administratori i UNMIK-ut, polaku Marek Kasprzyk na pat bërë presion që ta marrim në punë ish-kryeredaktorin e radio Gorës, Fejzo Kamberin, dhe hoqi dorë vetëm pasi ia tregova një dokument (koment redaksional) të shkruar e nënshkruar nga ky i fundit i cili fushatën e bombardimeve të NATO-s e kishte quajtur agresion ndaj shtetit të Serbisë duke i arsyetuar të gjitha krimet që regjimi i Milosheviqit kishte bërë në Kosovë!

Ky dokument e la pa punë Fejzo Kamberin e neve na shpëtoi me faqe të bardhë, por presionet për të filluar program në gjuhë serbo-boshnjake u shtuan duke na kërcënuar madje se do të na e merrnin licencën!

Unë nuk isha kundër fillimit të programit në gjuhen e komunitetit goran por isha kategorikisht kundër që në valët e radio Sharrit të dëgjoheshin këngë nga Lepa Brena dhe Brena të tjera që realisht këndonin serbisht…

Presioni sa vinte e shtohej andaj mu desh që të këshillohem me intelektualë nga radhët e vetë komunitetit goran për të marrë mendimin e tyre… Porta e parë ku trokita ishte intelektuali Nazif Dokle (tashmë i ndjerë) me të cilin njihesha prej kohësh dhe e respektoja pikërisht për faktin se angazhohej për ta bërë një abetare të gjuhës gorane. Ia tregova “hallin” dhe përgjigja e tij ishte e rrufeshme: Nuk vjen në konsiderim që në valët e atij radiostacioni të dëgjohen këngë boshnjake sepse në Gorë nuk jeton asnjë boshnjak, e nga ana tjetër goranët kanë këngë e valle të bukura autoktone të cilat i kanë kultivuar e ruajtur me fanatizëm gjithandej ku jetojnë! Më pëlqeu ky qëndrim i prerë dhe i argumentuar i z. Dokle për muzikën…

–Po për lajmet dhe emisionet foljore si do ia bëjmë, – e pyeta?

  • Eee për këtë pjesë do ta keni më vështirë, pikërisht për shkak se nuk ka një alfabet të gjuhës gorane, – ma ktheu profesor Nazifi duke më propozuar që ta gjej ndonjë gazetar që e flet bukur gorançen dhe të përpiqet që edhe pjesën foljore ta realizojë në gjuhën gorane! Ashtu edhe ia bëmë. Angazhuam një djalë entuziast nga fshati Brod, tashmë të ndjerin Muso Masllar i cili të njëjtat lajme që ne i përgatitnim në gjuhën shqipe, i përkthente dhe i përshtatke në të folmen gorane. Kjo zgjidhje nuk u pëlqente “boshnjakëve” ndonëse me kalimin e kohës filluan ta pranonin, madje shpesh bënin komente se e folmja e Musës ishte “brodski” e jo “goranski”!

Këmbëngulja ime për të mos lejuar të këndohet boshnjakisht (lexo serbisht) në radio Sharri, më kushtoi me shkarkimin nga detyra e kryeredaktorit dhe largimin nga puna nga radiostacioni që e kisha ngritur pothuajse nga zeroja!

Bresanë, 17 tetor 2020

*Autori është gazetar dhe publicist

Diskutim rreth këtij postimi

Welcome Back!

Login to your account below

Create New Account!

Fill the forms below to register

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.