Sukseset e arsimit të lartë në Mitrovicë e Kosovë, ato të Kombinatit “Trepça”, si dhe të shkencës së xehetarisë janë të lidhura me emrin e tij. Në historikun e Universitetit të Prishtinës, atij i takon një nga vendet më të nderuara. Ishte prorektor i parë në Universitetin e Prishtinës, kryetar i Komisionit për hapjen e Shkollës së Lartë Teknike dhe të Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë (FXM), drejtor dhe dekan i parë të këtyre institucioneve të shkollimit të lartë të UP, profesor shumëvjeçar e shumë i nderuar i Fakulteti Teknik të Universitetit të Prishtinës, profesor emeritus i Universitetit të Prishtinës, rektor i Universitetit të Prishtinës, sekretar i seksionit të shkencave të natyrës dhe sekretar shkencor të ASHA e Kosovës, dekan i nderit të FXM, bartës i shumë funksioneve të larta shtetërore në Kosovë, themelues i shumë institucioneve shkencore, arsimore, shoqërore dhe ekonomike të Kosovës.
Minir Dushi është njëri nga korifenjtë e shkencave teknike të Kosovës. Ai ka i shërbyer me përkushtim popullit e vendit të tij, duke dhënë kështu një ndihmesë të veçantë në zgjidhjen e shumë problemeve. Dëshmoi në vazhdimësi vetitë më humane njerëzore, si: ndershmërinë, qytetarinë, mençurinë dhe përkushtimin për punë. Kontributi i tij pasqyrohet me shumë vepra shkencore të botuara nga Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave të Kosovës. Ato sot paraqesin një thesar shumë të çmueshëm të shkencës, të arsimit dhe kulturës të popullit të Kosovës dhe të kombit shqiptar në përgjithësi.
Minir Dushi u lind në vitin 1929, në Gjakovë. Që i vogël u edukua me dashurinë për shkollën, dijen dhe përparimin. Shkollën fillore dhe progjimnazin i kreu në vendlindje, kurse Shkollën e Mesme Teknike e mbaroi në Nish (1950). Studioi në Fakultetin e Xehetarisë të Universitetit të Beogradit gjatë viteve 1953-1958. U diplomua me suksese të larta në vitin 1958. Punimin e Doktoratës e mbrojti po në Fakultetin e Xehetarisë të Universitetit të Beogradit në vitin 1965. Është doktori i parë nga të gjithë lëmenjtë e shkencave teknike në Kosovë. Teza e doktoraturës “Principi izbora racionalnih karakteristika izvoznih tornjeva”, përmban 140 faqe dhe është e shoqëruar me grafikone, tabela dhe ilustrime tjera të nevojshme.
Karrierën në arsim e filloi në vitin 1950, në Shkollën e Nxënësve në Ekonomi në Minierën e Goleshit në Magurë e një vit më vonë në Shkollën Industriale për punëtorë të kualifikuar në Zveçan. Në vitin 1961, u emërua drejtor i SHLP të Xehetarisë dhe Metalurgjisë të sapoformuar në Mitrovicë. Në vitin 1969, u zgjodh profesor inordinar e pastaj ordinar i Fakultetit Teknik dhe në vitin 1970 prorektor i Universitetit të Prishtinës. Ishte iniciator për themelimin e FXM, ku u emërua dekani i parë. Në vitin 1975, u zgjodh rektor i Universitetit të Prishtinës. Po këtë vit u bë anëtar me korrespondencë e më 1979 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës. Gjatë tërë kohës, si punëtor i shquar shkencor, ka bashkëpunuar me organizatat ekonomike. Në Kombinatin “Trepça” për shumë vite e udhëhoqi Institutin e Plumbit e të Zinkut dhe botoi një sërë punimesh, studimesh shkencore si dhe tekste universitare. Ushtroi funksione shoqërore e politike kryesisht në arsim dhe ishte anëtar i kryesisë shtetërore të Kosovës. Në shkurt të vitit 1995, me rastin e 25 vjetorit të Universitetit të Prishtinës, Senati i këtij Universiteti e dekoroi me titullin “Profesor i Merituar”. Ai është fitues edhe i shumë mirënjohjeve të tjera të larta.
Gjatë gjithë karrierës së tij si inxhinier, ekspert dhe profesor Universiteti ai është dalluar për aftësinë, vullnetin dhe pasionin në punë si dhe për korrektësinë në raport me punëtoret, studentët dhe me kolegët. Kudo që ka punuar, është dalluar për përkushtimin e profesionalizmin. Anëtar korrespondent i ASHA të Kosovës u zgjodh që nga themelimi i Akademisë, në vitin 1975, kurse në vitin 1978 u përparua në anëtar të rregullt të ASHAK. Rreth 5 vjet Akademik Minir Dushi ishte në krye të Bashkësisë së Institucioneve Shkencore të Kosovës, ku si kryetar zhvilloi aktivitet të dendur sidomos në fushën e botimeve shkencore. Veçmas nëpërmes të kësaj bashkësie u zhvilluan aktivitete dhe u bënë të gjitha parapërgatitjet për themelimin e Shoqatës së Shkencave dhe Arteve të Kosovës sot ASHA e Kosovës. Veprimtaria botuese e Akademik Minir Dushit është e frytshme dhe cilësore. Ai ka rreth 150 njësi bibliografike: punime shkencore të botuara në vend dhe jashtë vendit, studime, projekte, elaborate në fushën e problematikës së xehetarisë të Kombinatit “Trepça”, recensione, tekste universitare (katër tekste universitare) dhe tetë vepra shkencore të botuara nga ASHA e Kosovës, Universiteti i Prishtinës dhe Bashkësia e Institucioneve Shkencore të Kosovës. Akademik Minir Dushi, ka të botuara këto tekste Universitare: “Makinat minerare”, Prishtinë, 1975, Pajisjet minerare ngritëse, Prishtinë, 1986; Makinat minerare transportuese, UP, Prishtinë, 1996; veprat shkencore të botuara nga Seksioni i shkencave të natyrës të ASHA të Kosovës, Bashkësia e Enteve shkencore dhe UP, si: Principi izbora racionalnih karakteristika izvoznih tornjeva, Prishtinë,1968, Stemet ciklike të transportit, Prishtinë, 1999; Sistemi i integruar tekniko-teknologjik “Trepça”, Prishtinë, 2002; Universiteti i Kosovës (1981-1983), botim i veçantë i UP, Prishtinë, 2004; Zhvillimi i shkencave të xehetarisë dhe metalurgjisë në Kosovë (1970-2005), Prishtinë, 2005; Veprimtaria shkencore në Trepçë (1950-1989); Pasuritë minerare të Kosovës, pjesa I, II Prishtinë, 2008 etj. Vepra e fundit që përmendëm, “Pasuritë Minerale të Kosovës” është i pari studim shkencor përgjithësues në gjuhën shqipe, që evidenton dhe pasqyron të gjitha pasuritë minerale të Kosovës që njihen deri me sot. Ai njëkohësisht pasqyron hulumtimet e kërkimet e ndryshme që janë bërë që në fillim të shekullit njëzet nga shoqëritë angleze dhe sidomos ato të pasluftës së Dytë Botërore, shfrytëzimin e këtyre pasurive, duke vënë në dukje edhe gjurmët e vjetra që flasin për përdorimin e disa prej këtyre mineraleve që në antikitet.
Akademik Minir Dushi është nder intelektualet e rrallë që ka lënë të shkruara vepra të veçanta, sic janë: Libri për kombinatin Trepça, libri për Universitetin e Kosovës, libri për zhvillimin e shkencave të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Kosovë dhe librin për Pasuritë minerare të Kosovës e shkruar në dy vëllime. Ky kontribut dhe përkushtim i vazhdueshëm i tij e veçon atë si intelektual dhe njeri me cilësi dhe autoritet të plotë të shkencëtarit. Libri “SISTEMET CIKLIKE TË TRANSPORTIT”, i botuar nga seksioni i shkencave të natyrës të ASHAK në vitin 1999, është i shoqëruar me figura, skica dhe i sqaruar nëpërmjet një aparati matematikor adekuat dhe të qartë për ta kuptuar, ndërsa libri tjetër “SISTEMI I INTEGRUAR TEKNIKO-TEKNOLOGJIK-TREPÇA” i botuar nga ASHAK (2002) ngërthen në vetvete një spektër të gjerë problemesh nga fusha tekniko-teknologjike dhe ekonomik-industriale, gjithë treguesit e prodhimit industrial dhe shënimet e tjera të nevojshme për gjigantin ekonomik të Kosovës “Trepça”. Edhe vepra ”UNIVERSITETI I KOSOVËS (1981-1983)”, është botim i rëndësishëm, ku paraqitet zhvillimi i arsimit të lartë në ish Jugosllavi dhe në ish KSA të Kosovës në kohën kur akademik Minir Dushi ishte në krye të institucionit (Universiteti i Prishtinës).
Vepra shkencore ”ZHVILLIMI I SHKENCAVE TË XEHETARISË DHE METALURGJISË NË KOSOVË (1970-2005)” është një studim monografik, ku shqyrtohen gjendja dhe formimi i kuadrit inxhinierik nga shkencat e xehetarisë dhe të metalurgjisë, përkatësisht të gjeologjisë dhe të teknologjisë si faktor i rëndësishëm për zhvillim dhe progres tekniko-shkencor. Edhe vepra shkencore ”VEPRIMTARIA SHKENCORE NË TREPÇË (1950-1989)” si botim i veçantë i Seksionit të shkencave të natyrës të ASHAK, Prishtinë, 2005, është një studim i thukët shkencor ku pasqyron në hollësi zhvillimin e veprimtarisë shkencore në ish federatën Jugosllave, në Kosovë dhe veçmas në kompleksin industrial të “Trepçës”.
Diskutim rreth këtij postimi