Është ligj i natyrës që i forti e mund të dobëtin, që peshku i madh e gëlltitë të voglin, etj., dhe se e njëjta gjë ndodhë edhe me popuj të vegjël të cilët robërohen dhe shfrytëzohen nga popuj të mëdhenj, gjegjësisht shtetet e vogla pushtohen dhe sundohen nga shtetet e mëdha, andaj kombi shqiptar si komb i vogël në Ballkan u pushtua dhe u sundua nga popuj më të mëdhenj, ndonëse për një pjesë të fatit të tij tragjik fajin e mbanë vet..!?
NGA: REXHEP ELEZAJ
Pra, në raportet midis popujve dhe shteteve më së keqi e kanë pësuar të vegjlit, siç i kemi përjetuar ne shqiptarët ndër shekuj vuajtjet dhe tragjeditë e të qenit komb i vogël, ndonëse këtij “rregulli” të pashkruar, jo vetëm popujt e vegjël, por as shtetet e vogla nuk kanë mundur t’i shpëtojnë, sepse gati gjithherë kanë qenë “viktimë” e shteteve të mëdha, sidomos qëkur u formuan shtetet nacionale.
Pra, këtij “fati” nuk i shpëtojë as Shqipëria londineze e pavarësuar me 28 nëntor 1912, e cila herë u pushtua nga Perandoria Austro-hungareze, herë nga Italia, e herë nga komunizmi ruso-jugosllav, ashtu siç ishin të pushtuara edhe vendet e vogla në Evropë, Azi, Afrikë, Amerikën latine, etj.
Me një fjalë, popujt dhe shtetet e vogla asnjëherë nuk kanë qenë sovrane dhe të pavarura në kuptimin e plotë të fjalës, përveç fuqitë e mëdha botërore, siç ishin Anglia, Franca, Gjermania, Italia, SHBA-të, Rusia, Kina, etj., edhe pse rreth statusit dhe dominimit të tyre në botë mund të diskutohet nga prizma të ndryshme juridike dhe historike, por ky nuk është objekt i këtij vështrimi.
Por, ajo që dua ta potencoj dhe trajtoj në këtë vështrim të shkurtë, është çështja kruciale; sa është i sakët dhe i qëndrueshëm slogani i përzemërt i shqiptarëve, në veçanti i atyre në Kosovë, se; “Ne shqiptarët kemi miqësi të përhershme me Amerikën, dhe sa janë shqiptarët populli më pro-amerikan në botë..”, që shtron pyetjen tjetër, se mbi çfarë faktorësh bazohet ky slogan, mbi miqësinë e vërtetë shqiptaro-amerikane, ose, cilat kanë qenë lidhjet kulturore dhe historike midis dy popujve tanë ndër shekuj, kur kihet parasysh distanca aq e madhe gjeografike. Apo, ishin ato marrëdhënie vetëm simbolike të bazuara, kryesisht mbi baza të interesave të vogla reciproke, meqenëse prezenca dhe dominimi amerikan në Evropë do të fuqizohet vetëm pas Luftës së Dytë Botërore nga viti 1945 e deri më sot, kur dihet fakti se gjatë dy luftërave botërore qëndrimi i amerikanëve ka qenë neutral dhe jo aktiv në mbrojtjen e popujve të vegjël..!?
Unë, besoj se sot e kësaj dite përqindja më e madhe e popullit amerikan nuk e dinë se ekziston një komb shqiptar ende i ndarë dhe i copëtuar në disa shtete, si dhe as në cilën pjesë të botës jeton, fakt i cili na bënë të konstatojmë se marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe shqiptarëve gjatë shekullit 20-të dhe deri më sot janë zhvilluar kryesisht brenda suazave të politikave dhe interesave zyrtare të dy popujve, përjashto këtu administratën e presidentit Bill Clinton (1993 – 2001), i cili me mish e me shpirt ka ushqyer dhe shfaq një miqësi të vërtetë ndaj 2 milion shqiptarëve të Kosovës, miqësi e cila doli jashtë kornizave të politikës zyrtare të SHBA-ve, duke marrë vendim personal dhe shumë të guximshëm që ta bombardojë Serbinë fashiste për shkak se regjimi kriminal i saj donte t’i shfaroste 2 milion shqiptarët e Kosovës. Prandaj nuk është aspak e rastësishme ngritja e bustit të tij dhe ai i znj. Madelline Allbricht në Prishtinë për të gjallë të tyre!
Po ashtu, jam i sigurt se administrata e presidentit Donald Trump, përveç se dallon rrënjësisht nga ajo e presidentit Bill Clinton në të gjitha aspektet, mbase mes tyre ka një dallim kohorë prej gati 21 vjeçar, kjo e fundit raportet e saj me shqiptarët, alias me Kosovën i ka zhvilluar thjesht mbi interesa strategjike dhe politike amerikane; “Amerika First”, dhe këtë fakt e ilustron qartë pika tre (3) e Marrëveshjes së 4 shtatorit e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington, me të cilën parashihet “Hapja e një Korporate ndërkombëtare të Financave dhe zhvillimit të ShBA dhe EXIM me seli në Beograd (lexo: jo në Prishtinë), e cila do bazohet mbi memorandume të mirëkuptimit për të funksionalizuar me sa vijon:
– “Të dy palët do të zbatojnë marrëveshjen e autostradës Beograd-Prishtinë…
– Të dy palët do të zbatojnë marrëveshjen hekurudhore Beograd-Prishtinë…… si dhe të dy palët do të angazhohen për një studim të përbashkët fizibiliteti për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në detin e thellë në Adriatik..”..!?
Nga kjo pikë e marrëveshjes del i qartë konstatimi se administrata amerikane në krye me presidentin D. Trump, në marrëveshjen e 4 shtatorit midis Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar për palën kosovare nga kryeministri finok, Avdullah Hoti, e ka eliminuar rrënjësisht interesin nacional të shqiptarëve, sepse interesat dhe përfitimet ekonomike kurrë nuk mund t’i zëvendësojnë ndjenjat dhe interesat nacionale të tyre, siç është; kërkim falja, pranimi i gjenocidit ndaj 15 mijë shqiptarëve të vrarë dhe masakruar në Kosovë, dëmet dhe reparacionet e luftës si dhe gjetja e të zhdukurve nga ana e regjimit aktual të Serbisë, e që në thelb shërimi i të gjitha këtyre dhimbjeve të shqiptarëve paraqesin kushtin esencial për pajtim dhe normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë..!
Andaj, përderisa nuk do të ndodhë ky pranim i fajësisë nga ana e regjimit dhe popullit serb, siç veproi populli gjerman ndaj popullit jevrej pas LDB-re, mbani në mend, kurrë nuk do ndodhë pajtimi dhe normalizimi e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve, dhe këto fakte thelbësore, siç duket presidenti D. Trump dhe i dërguari i tij në dialogun Kosovë-Serbi, z. Richard Grenall, ose nuk i kanë pasur të qarta, ose i kanë anashkaluar me qëllim..!?
Edhe njëqind hekurudha dhe autostrada mund të ndërtohen në relacionin gjeografik Serbi-Kosovë-Shqipëri dhe anasjelltas, qofshin ato edhe me vlera prej miliarda e miliarda dollarësh, kurrë nuk kanë me e sjellë normalizimin e qëndrueshëm të raporteve midis dy vendeve fqinje, Kosovë-Serbi, dhe këtë fakt kyç, mjerisht nuk ka pasur guxim asnjë politikanë shqiptar nga Prishtina që t’ua bëjë të qartë presidentit D. Trump dhe stafit të tij të ngushtë në Washington.
Prandaj, si e tillë marrëveshja e 4 shtatorit, as nuk është historike për Kosovën, as nuk do e sjellë marrëveshjen finale të qëndrueshme dhe juridikisht të obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, e cila do i jepte fund konfliktit shekullor shqiptaro-serb në Ballkan.!?
Diskutim rreth këtij postimi