Edhe pa ushtri, polici zyrtare e gjyqësi shtetërore, disiplinoi popullin e tij, duke e këshilluar dhe shpresuar se koha punon për shqiptarët dhe Kosovën, ditë të mira do të vijnë edhe për popullin tonë të shumëvuajtur.
Pushtuesi ishte i hershëm në planet e tij ogurzeza. Argatët e tij shqipfolës akuzonin dhe koordinonin intriga e kurthe kundër udhëheqësit shpirtëror, tashmë, President i Kosovës. Zërat shtoheshin: “Duam luftë”,- çirreshin ata. Por, kur filluan krismat, hileqarët ishin larg frontit!
Aleati i dorë së parë sugjeroi, më saktë, ultimatoi Presidentin Rugova: “Luftën duhet ta fillojë e para Serbia. Përndryshe, çdo thyerje e kësaj porosie rrugë të mbarë pa Amerikën!” Kjo ishte porosi e brendshme, andaj kundërshtarët politikë vazhdonin kritikat dhe intrigat – njëherësh.
Pushtetin moral përgjatë një dekade para lufte, Presidenti Rugova e shtoi me pushtetin faktik fizik pas luftës. Disa “biçim komandantësh”, të cilët mrizonin në “Bllokun e Zi” të Tiranës, gjatë luftës, tani, pas luftës donin pushtetin përdhunshëm e përgjakshëm. Vrasjet e kundërshtarëve politikë, gjatë pas luftës, ishin tmerr dhe terror. Në shënjestrën vrastare ishin oficerët luftë bërës të FARK-u të Ibrahim Rugovës: veprimtarët dhe aktivistët e LDK-së; gazetarët dhe korrespondentët e luftës; por, edhe brenda llojit, veprimtarë të hershëm të LPK-së, për të shmangur konkurrencën pushtetare të pritshme në Kosovën e lirë!
Autoriteti i Presidentit Rugova nuk u zbeh as nga tam-tamet agjitative se “ne, UÇK-ja e çliruam Kosovën, as akuza “tradhtar”, siç bëri presidenti shqiptar Mejdani dhe e përsëriti zëdhënësi i UÇK-së në televizionin shqiptar!
Pasi dështoi propaganda lehaqene agjitative, banda e “komandantëve” vrasës, vendosi eliminimin fizik të Presidentit.
Kryetari i LDK-së të Rugovës, komandanti i UÇK-së të Rugovës dhe deputeti i Kosovës, Smajl Hajdaraj, përmes vëllait të tij, Fazliut, në Gjermani, na kërkoi blerjen e një veture të blinduar, sepse “jeta e Presidentit Rugova është në rrezik”. Një grup mërgimtarësh, me dominim rugovas, u organizuam, duke dhënë nga 1.000 marka, ndonjë biznesmen edhe më shumë, dhe në kohë rekorde u plotësua kërkesa.
Njëri nga atentatorët dëshmon: “Po të mos ishte makina e blinduar, makina normale do të fluturonte në ajër, së bashku me Rugovën”.
Askush nuk u muar me tentim vrasjen e Presidentit! Drejtësia ishte dhe mbeti peng e komandantëve pushtetarë. “Dashti Zoti dhe shpëtova edhe kësaj here”,- tha Dr. Rugova asaj dite të takimit me sekretarin e NATO-s Solana. Dihen me emër e mbiemër organizatorët dhe tre pjesëtarët e telekomandës të tritolit shpërthyes. Dy syresh, në vazhdim të karrierës, janë kandidatë për deputetë!
Rasti Ukë Rugova:
Nënë Lezja e Luigj Gurakuqit e pyeti atë: “Pse nuk po martohesh, bir?!” Gurakuqi ynë qe përgjigjur: “Nuk dua t`ua lë fëmijëve të mi mërinë, urrejtjen e armiqve të mi”. Dhe, pengu ynë i madh është se Gurakuqi nuk na la trashëgimtarë. Keqardhje e dhimbje shpirti!
Përkundrazi, Presidenti Rugova la dy djem dhe një vajzë, së bashku me nënën e tyre fisnike dhe dinjitare – Fane Rugova. Politikanë të pa fisëm, rrugaçë e kriminelë, për ta denigruar figurën madhore të Presidentit Rugova, sajuan skandalin për çështje të vizave, edhe pse tregtia e vizave ka qenë masive dhe askush nuk është marrë në përgjegjësi. Gjithçka është e kurdisur nga pushtetarë të lartë, personat e ofruar, profiterët zyrtarë.
Qëllimi ishte denigrimi i Presidentit Rugova, ngritja artificiale e ndonjë figure zëvendësuese, me emërtesa “komandant”, “kryekomandant”, “komandant suprem”, ndërkohë që, atëbotë, nuk kishte as batalione, as brigada ushtarake, pa të cilat njësi nuk ka as komandantë!
Nuk u mjaftuan me Ukë Rugovën, për të cilin u sajua dosje e falsifikuar dhe u mbajt peng, pa guxuar ta shpallin të pafajshëm, pikërisht, nga zyrtarët e lartë, të cilët e kishin gatuar këtë “çorbë të thartuar”. Më në fund u gjend edhe momenti i deklarimit të pafajësisë.
Komandantët pushtetarë, ngulmues në poshtërsinë e tyre. Ata iu turrën vajzës engjëllore, Teutë Rugova! U përzgjodh të votojë, përkundër përcaktimit të partisë të saj, LDK-së, për të dhënë votën për qeverinë e AAK-së! Nën shantazhin kriminal, kushtëzuar me ndëshkimin, dënimin e të vëllait, Ukës, nëse refuzon votën për qeverinë e arnuar edhe me deputetë të “Lista Serbe”!
Analoge me shantazhimin kriminal, që ka përdorur edhe PDK-ja, qysh në kohë lufte, ndaj të burgosurit politik dhe gazetarit të “Bota sot”, Shefqet Jashari-Strofci: “Ose hesht, mos shkruaj, ose ta vrasim djalin e hasretit”! I njëjti shantazh është përdorur edhe ndaj Jashar Salihit, për ta grabitur Fondin “Vendlindja thërret”. Së fundi, për shantazh e kërcënim ose “tërhiqu nga dëshmia në Gjykatën e Hagës, ose ta vrasim djalin e hasretit”, po përballën Hashim Thaçi me dostat e tij kriminelë.
Ukë Rugova – është përzgjedhur kandidat për deputet në listën e LDK-së me numër 10. Në nderim të Presidentit Ibrahim Rugova; në ngushëllim dhe lehtësim për vuajtjen fizike, psikologjike e shpirtërore, të pamerituar të Ukë Rugovës dhe të Familjes Simbol Rugova, është në nderin e anëtarësisë dhe të elektoratit rugovian, të dhurojnë votën e tyre fisnike.
Kjo votë do të ishte konfirmuese e një besimi dhe respekti, për të gjithë shqiptarët vendorë dhe botërorë, të cilët nderojnë shtet formuesin dhe shtet ndërtuesin e Kosovës tonë bashkëkohore.
Urojmë për bindjen dhe mirëkuptimin Tuaj!










Discussion about this post