Në njoftimin për media të Akademisë së Shkencave të Kosovës bëhet e ditur se varrimi i të ndjerës do të bëhet më 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.
Mbledhja komemorative do të mbahet në mjediset e ASHAK-ut në orën 11:00, ndërkaq homazhet do të bëhen nga ora 12:00-13:00.
“Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë opinionin se më 17 janar 2023 ndërroi jetë akademike Edi Shukriu, një emër i njohur dhe i çmuar në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare”, thuhet në njoftim.
Kush ishte Edi Shukriu?
Edi Shukriu u lind në Prizren (1950). Shkollimin fillor e të mesëm i kreu në vendlindje, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit (1972). Magjistroi në Universitetin e Beogradit (1979) dhe doktoroi në Universitetin e Prishtinës (1990).
Punoi në Muzeun e Kosovës (1974-1979) dhe nga viti 1979 në Universitetin e Prishtinës, duke ligjëruar kurse në nivelin bazik në Degën e Historisë për arkeologjinë dhe historinë e lashtë.
Themeloi Grupin e Arkeologëve të Rinj “Shtjefën Gjeçovi” të Universitetit të Prishtinës (1986-1990), organizoi ekspedita arkeologjike, inicioi dhe themeloi Degën e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik, me Drejtimet Antropologji Kulturore dhe Arkeologji, ku ligjëroi disa lëndë.
Veprimtarinë shkencore dhe profesionale e përqendroi në hulumtimet arkeologjike dhe të historisë antike, në mbrojtjen e integruar të trashëgimisë kulturore dhe prezantimit të trashëgimisë kulturore në vend dhe jashtë, të menaxhimit dhe të shfrytëzimit të saj për zhvillime shoqërore dhe ekonomike.
/telegrafi/
Diskutim rreth këtij postimi