E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Ish-përkthyesi boshnjak vjen me një rrëfim prekës, kujton njeriun që e shpëtoi nga vdekja e sigurt nga “Ushtria e Republika Srpska e Mladiqit”

Gazetari dhe politikani boshnjak Emir Suljagiq ka sjellë një rrëfim personal, rreth një ngjarje të ndodhur disa vite më parë, gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

43
SHARES
539
VIEWS

Bëhet fjalë për njeriun, i cili sipas Wikipedia aktualisht është Drejtor i Memorialit të Gjenocidit të Srebrenicës.

Ai gjithashtu shërbeu si ministër i Arsimit të Kantonit të Sarajevës dhe ishte gjithashtu zëvendësministër i Mbrojtjes.

Në një rrëfim të tij të publikuar në Al Jazeera, përcjell Telegrafi, Suljagiq shkruan për vendimin e konfirmuar për burg të përjetshëm për Ratko Mladiqin.

Dhe siç kujton ai, në kohën kur ai u arrestua në fshatin Lazarevo në Serbi në maj të vitit 2011, ish-komandanti ushtarak serb Ratko Mladiq ishte një hije e burrit që ai kishte takuar në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.

“Ai u arrestua pas 16 vitesh fshehje, duke shmangur me sukses urdhrin e arrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY)”.

Dhe sipas tij, “ka pak dyshim që policia serbe dhe agjencitë e inteligjencës – të cilat ekzekutuan arrestimin e tij pas viteve të presionit ndërkombëtar mbi Serbinë për të dorëzuar Mlladiqin dhe të dyshuarit e tjerë për krime lufte – gjithashtu e kishin ndihmuar atë të qëndronte i lirë gjatë gjithë asaj kohe”.

“Ndërsa pashë gjykatësit e IRMCT-së duke dhënë verdiktin e tyre, mendova se edhe pasi Mladiq të ketë ikur, jeta e tij do të mbetet në mesin tonë. Trashëgimia e tij do të vazhdojë të helmojë të ardhmen tonë. U qetësova me faktin se ai do të kalonte pjesën tjetër të jetës së tij duke u lodhur në burg dhe duke u frikësuar për jetën e tij çdo sekondë”.

Por, në shkrimin e tij, Suljagiq tregon se duke reflektuar për sa kohë kanë pritur që të vihet drejtësia, kishte menduar për njeriun që e shpëtoi nga vdekja e sigurt në duart e të ashtuquajturës Ushtria e Republika Srpska e Mladiqit.

“E kuptova që kurrë nuk munda ta falënderoja atë”.

“Kur qyteti ra në duart e trupave të Mlladiqit, unë e gjeta veten në Potoçari, në bazën që i përkiste batalionit holandez (Dutchbat) përgjegjës për zbatimin e ‘Zonës së Sigurt’ të caktuar në Srebrenica sipas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të KB. Dhjetëra mijëra civilë nga Srebrenica kërkuan mbrojtje në Potoçari më 11 korrik 1995. Në mbrëmjen e hershme të 13 korrikut, të gjithë u larguan me forcë. Të vetmit boshnjakë që mbetën në enklavë ishin një grup përkthyesish vendorë dhe punonjësish të agjencive të ndryshme të KB dhe ndërkombëtare, përfshirë mikun tim Hasan Nuhanoviç dhe mua”, kujton Suljagiq.

“Ne vëzhguam se si ushtarët serbë – me Hollandbat-in që ndihmonte – larguan me forcë 30,000 njerëz brenda tre ditësh. Baza dhe fushat përreth saj papritmas ishin bosh. Më 13 korrik, vrasja filloi rreth nesh. Natën, të plagosurit, kërkonin ndihmë në portën e Hollandbat”.

“Të gjithë u larguan. Holandezët më thirrën për të përkthyer. Ata më bënë që t’u them jo burrave. Pastaj qëndrova atje dhe pashë se si u zhdukën përsëri në errësirë, duke ditur që nuk kishin asnjë shans të mbijetonin”.

“Në pasditen e 14 korrikut, një faks mbërriti në selinë e Hollandbat. Ishte i shkurtër dhe përmbante këshilla juridike dhe dy emra. Aty shkruante: Kjo është për t’ju këshilluar që, sipas Këshilltarit Ligjor të UNPF, UNPROFOR ka një detyrim ligjor për të evakuuar stafin e tij lokal të punësuar sipas kontratës”.

“Ndërsa e njihni situatën tuaj të vështirë, është megjithatë e domosdoshme që të merren të gjitha masat për të siguruar sigurinë dhe evakuimin e sigurt të dy përkthyesve të UNMO: Z. Hasan Nuhanoviq (TZ 00172), Z. Emir Suljagiq (TZ 00173)”.

Sidoqoftë, shkruan më tej, Suljagiq, përcjell Telegrafi, ky tekst nuk siguronte domosdoshmërisht që Hasani dhe ai do të mbijetonin, por kjo do të thoshte që, nga të gjithë burrat boshnjakë të bllokuar në bazën Hollandbat në Potoçari dhe rreth tij, dikush dinte për Hasanin.

Sipas tij, dokumenti përmbante një paragraf tjetër ku kërkohej që dërguesi të informohej në rast se ndonjë gjë mund të shkonte keq.

“Unë dhe Hasani ishim me fat pasi kishim nënshkruar një lloj specifik të kontratës së KB. Jam i sigurt se askush nga ne nuk e dinte se çfarë do të thoshte kjo në kohën kur nënshkruam. Ne gjithashtu ishim me fat pasi ishte një njeri në Tuzla, të cilin e takuam vetëm disa herë dhe i cili, për çfarëdo arsye, vendosi të veprojë sipas asaj kontrate”.

Siç tregon ai, Kenneth Biser ishte një ish-nënkolonel i fortë i Ushtrisë Amerikane që punonte në departamentin e Çështjeve Civile të misionit të KB në Tuzla, në territorin e kontrolluar nga Qeveria Boshnjake.

Ai erdhi në Srebrenicë disa herë, duke udhëtuar nga Tuzla përmes pikave të shumta të kontrollit serb gjatë rrethimit.

“Ai do të fliste me ne të dy gjatë vizitave të tij, por kjo ishte shkalla e marrëdhënies sonë. Mendova për të si të informuar, sarkastik dhe të pëlqyeshëm”.

Suljagiq supozon se mesazhi që Biser dërgoi u nxit nga një telefonatë sekrete që Hasani i bëri Tuzlës nga qendra e komunikimit Dutchbat.

“Nëse dikush zbulonte se Hasani kishte hyrë në qendrën e komunikimit, ai do të dëbohej nga baza, edhe nëse kjo do të thoshte që ai nuk do të mbijetonte”, thotë ai, duke shtuar se Hasani bëri thirrjen telefonike për shkak të thashethemeve në rritje që serbët po kërkonin – dhe holandezët po konsideronin – për dorëzimin e stafit të punësuar në vend, disa prej të cilëve gjetën strehim në bazën holandeze me familjet e tyre.

Kështu, shton ai, “unë dhe Hasani, së bashku me disa duzinë të tjerë ‘staf lokal’, u nisëm nga baza në Potoçari më 21 korrik, pas një dhjetë ditësh torturuese… Dhe mbijetuam”.

Në fund të shkrimit të tij, gazetari boshnjak thotë se pas vendimit të gjykatës, tani është e sigurt se Mladiq, njeriu që mbikëqyri gjenocidin, do të kalojë vitet e tij të mbetura në burg.

Sidoqoftë, shkruan ai, “unë refuzoj të jem peng i tij dhe dua të nderoj njeriun që shpëtoi jetë në ato ditë të errëta”.

“Unë nuk mbaj mend që u takova përsëri me Kenneth Biser dhe jam i sigurt që kurrë nuk e falënderova siç duhet ose e njoha në mënyrën që meritonte për atë që bëri për mua dhe të tjerët. (Por) Jam i sigurt se veprimet e tij në raport me Hasanin dhe mua shpëtuan jetën e të tjerëve edhe nga baza”.

”Nuk kam asnjë mënyrë tjetër për të thënë faleminderit përveç kësaj. Faleminderit, Ken. Faleminderit edhe në emër të vajzës sime”, përfundon shkrimin e tij Emir Suljagiq.

/Telegrafi/

Diskutim rreth këtij postimi

Welcome Back!

Login to your account below

Create New Account!

Fill the forms below to register

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.