Migrimi i shqiptarëve në drejtim të Turqisë përkon me dobësimin dhe rënien e Perandorisë Osmane dhe në një mënyrë përfaqëson “evakuimin” nga territoret e humbura. Në anën tjetër, motivet të cilat nxitën shpërnguljen, ishin fetare, politike, ekonomike dhe ekzistenciale. Ishte proces ballkanik në një shkallë të madhe (Greqi, Rumani, Bullgari, Jugosllavi), në të cilin hynte interesi i përbashkët i vendeve të Ballkanit dhe Turqisë. Jugosllavia u përpoq në këtë mënyrë të zgjidhë problemin me shqiptarët dhe të fitoj toka për kolonizim, ndërsa Turqia “me element të përshtatshëm” t’i populloj pjesët e boshatisura të vendit nga i cili ishin dëbuar më parë kurdët, armenët dhe grekët.
Ismet Azizi
Qarqet sunduese, kulturore e shkencore serbe dhe veçanërisht ideologët e krijimit të hapësirave të pastra etnike, me gjithë masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve, nuk ishin të kënaqur me rezultatet e kolonizimit dhe të shpërnguljes së shqiptarëve në vendet tjera. Edhe përkundër të gjitha masave drastike, numri i shqiptarëve nuk u zvogëlua, por, përkundrazi, shënoi rritje në saje të natalitetit të lartë në kushtet e rënda të jetës e të punës. Prandaj, pushteti i atëhershëm vendosi që këto qëllime të vetat t’i realizoj me shpërnguljen me dhunë e terror të të gjithë shqiptarëve nga trualli i Kosovës dhe meritoreve rreth saj, në një anë, dhe kolonizimin sa më intensiv të serbëve në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore. Për këto qëllime dhe u përpiluan një varg elaboratesh dhe planesh.
Një kontrollim i kaosit të shpërnguljes është legalizuar më 11 korrik 1938 me nënshkrimin e Konventës jugosllave-turke në Stamboll. Sipas konventës ishte paraparë dëbimi i 40.000 familjeve nga viset e pushtuar nga Serbia, “të cilët flasin turqisht dhe kanë kulturë turke” nga 46 rrethet e banovinave të Vardarit, Zetës dhe Moravës. Sipas konventës së përmendur, Turqia ka qenë e detyruar të pranoj 40.000 familje brenda gjashtë viteve, ndërsa me marrëveshje parashihej që Jugosllavia të paguaj kompensim Turqisë nga 500 lira turke për familje, d.m.th. në total 20 milion lira. Konventa parashikonte transferimin e emigrantëve dhe pasuritë e luajtshme deri në portin e Selanikut në kurriz të Jugosllavisë.
Elaboratit me karakter fashizoid, me titull “Shpërngulja e shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta), i paraqitur në klubin Kulturor Serb më 7 mars 937 të cilin e hartoi Dr. Vasa Çubriloviq, i parapriu një sërë veprimesh të kreut polit serb. Me këtë rast, po paraqesim dy dokumente që i paraprijnë elaboratit të Çubriloviqit dhe nënshkrimin e Konventës në mes Jugosllavisë dhe Turqisë.
Dokumenti i parë është Procesverbali i konferencës ndërministrore, e cila u mbajt në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë më 20 shtator të vitit 1935, në të cilën u diskutua për dëbimin e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.
Teksti i dytë paraqet projekt planin për shpërngulje të cilin e ka hartuar komiteti i ngushtë ndërministror, që është miratuar në mbledhjen e 24 shtatorit 1935 në Beograd. Ndër konkluzionet e këtij projekti të cilin e kanë përpiluar së bashku përfaqësuesit e pesë ministrive dhe Gjeneralshtabit dominon nevoja e miratimit urgjent të konventave dypalëshe me Turqinë dhe Shqipërinë, ndërsa në rast të problemeve me shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri është propozuar të zhvendosen nga zonat kufitare në brendësi të territorit të Jugosllavisë. Lehtësime tatimore janë paraparë për ata të cilët do të heqin dorë vullnetarisht nga shtetësia, ndërsa për transport pa pagesë deri në Selanik mund të llogarisnin vetëm ata të cilët pasurinë e tyre të paluajtshme ua lënë shtetit. Pothuajse të gjithë propozimet e përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm u miratuan unanimisht si masa të cilat projekti propozon për “shpërngulje të suksesshme dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi ose Shqipëri”: Shtypjen e propagandës kundër dëbimeve që vinin nga Tirana, si dhe thirrjet sa më të shpeshta të regrutëve nga rrethet kufitare në stërvitje ushtarake dhe manovra, ndalimin e pranimit në shërbimin civil “të personave të cilët vijnë në shprehje për dëbim”, transferimi e zyrtarëve shqiptarë në pjesë të tjera të vendit, nacionalizimin e toponimeve dhe mbishkrimeve, etj. Të dy këto dokumente janë ruajtur në Arkivin e Jugosllavisë, në kuadër të Fondit të Ambasadës së Mbretërisë së Jugosllavisë në Turqi-Stamboll, Ankara (370), dosje 9, njësia arkivore 42, faqe 637-643.
Tekstin po e paraqesim (të përkthyer nga autori) në formën e vet origjinale, pa asnjë ndërhyrje stilistike apo gjuhësore.
Procesverbali i Konferencës ndërministrore , është mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme më 20 shtator të viti 1935. në lidhje me shpërnguljen e popullatës jo-sllave nga Serbia Jugore.
Prezent:
– nga Ministria e Punëve të Jashtme: Z. Ilia Milikiq, Shef i Seksionit të IV repartit politik, g. Milivoje Milçiq, këshilltar, g. Peter Çabriq, këshilltar, zoti Radovan Mitroviq, sekretar;
– nga Ministria e Bujqësisë: g. Vojislav Magovçeviq, inspektor, g. Gjuro Tataloviq, shef i seksionit financiar ;
– nga Ministria e Punëve të Brendshme: Z. Dushan Tadiç, inspektor;
– Nga Shtabi i Përgjithshëm: Z. Jovan Sokolloviq, gjeneral kolonel;
– nga Ministria e Financave: Z. Dushan Trajkoviq, këshilltar;
– nga Ministria e Transportit: g. Milosh Popoviç, zyrtar i lartë Komercial. Departamenti General i drejtorisë së hekurudhës.
Seancën e udhëhoqi g. I Milikiq. Procesmajtje e udhëhoqi g. Dr. Feodor Koreniç dhe g. Dr. Jozo Logar, notar të Ministria e Punëve të Jashtme.
Seanca u hap në ora 18
***
G. Ilija MILIKIQ thotë se zoti V. Magovçeviq shprehu dëshirën që në një konferencë ndërministrore të trajtohet çështja e shpërnguljes së turqve dhe myslimanëve të tjerë nga rajonet jugore. Kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse në masë kompakte turqit dhe arnautët përgjatë kufirit të Arbërisë ( Shqipërisë) paraqesin problem kombëtar dhe në aspektin ushtarak problem të rëndësishëm. Numri i shqiptarëve, i cili është mbi gjysmë milion, nga viti 1931 është rritur për rreth 65.000 veta. Arsyeja e dështimit të nacionalizimit të elementit jo sllav, arsyeja është se popullsia ortodokse në rajonet jugore numerikisht është e vogël (në rajonet jugore ka vetëm 165.000 ortodoks) dhe për shkak se elementi jonë nuk ishte mjaft e përgatitur për ushtrimin e nacionalizimit. Prandaj, nuk mbetet gjë tjetër përveç dëbimit të elementit jo-sllave nga vendi.
Ministria e Punëve të Jashtme konstaton se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet Arbanasëve [Shqiptarëve], sepse ata janë kompakt dhe në kontakt të vazhdueshëm me Arbaninë [Shqipërinë] fqinje, ku, pavarësisht pa përcaktimit politik, megjithatë, ngadalë krijuan një ndjesi kombëtare.
Shpërngulja politike, deri më tani, nuk ka dhënë ndonjë rezultat të veçantë. Ky element shpërngulet në Turqi dhe në Arbani [Shqipëri]. Ekziston mundësia që numri i të shpërnguluarëve në Turqi të rritet duke u bazuar në ligjin turk të vitit të kaluar për popullimin e të gjitha krahinave të saja me popullatë të kulturës turke. Për këtë qëllim, turqit kanë lidhur një marrëveshje me Rumaninë, dhe tani negociatat janë duke i zhvilluar edhe me Bullgarinë. Marrëveshja me Rumaninë parasheh që turqit nga Rumania, të cilët janë rreth 400.000, duhet të shpërngulen brenda 5 viteve. Të gjithë pasurinë e tyre, para se gjithash, do të mund të kompensohen nga qeveria rumune. Gjatë dëbimit ata gëzojnë privilegje të caktuara; udhëtojnë pa pasaporta të zakonshme, tatimet e vjetëruara shlyhen, zyrtarëve iu kthehen të gjitha paratë e paguar në fondin e pensioneve, rekrutët janë të liruar nga shërbimi ushtarak të mëtejshëm, për transportimin e gjërave me anijeve nuk paguhet taksë, ose transportin e kafshëve, mjetet tjera, e kështu me radhë. Vlera e pronave të emigrantëve, të cilët, për shkak të kohës së shkurtër kan mbetur të pa shitura, sikurse pronat e vakëfeve, qeveria rumune do t’ua paguaj emigrantëve nga burimet e tyre, ndërsa më vonë do të merren vesh me qeverinë turke.
Qeveria e Shqipërisë, e cila më parë ka qenë e gatshëm të pranojë një numër të caktuar të shqiptarëve tanë, tani thotë se kjo nuk mund të bëhet për arsye financiare. Megjithatë, ne besojmë se këtë nuk e bënë për shkaqe kombëtare: ajo nuk dëshiron të reduktojë numrin e Arbanasëve [Shqiptarëv] tek ne për shkak të pretendimeve të ardhshme territoriale. Qeveria turke, në të kundërtën, ka miratuar për emigrantët e saj deri në vitin 1936. 3.000.000 lira turke.
Ligjit mbi Shtetësinë e bëri të mundur për dëbimin e popullatës jo-sllave; por megjithatë ka disa vështirësi nga ana jonë.
Në radhë të parë është vërejtur se është bërë një gabim, për shkak se në mesin e deklaratave për largim gjinden edhe një numër i madh i kërkesave të myslimanëve nga Sanxhaku, të cilët janë megjithatë njerëz tanë. Prandaj nuk ka arsye që ata të largohen nga vendi. Ne ia kemi tërheqë vëmendjen Ministrisë së Brendshme se deklarata të tilla në të ardhmen të popullatës sonë sllave mos të pranohen.
Vështirësi tjetër është likuidimi i pasurisë së patundshme të të shpërngulurave. Kjo çështje deri diku mund të zgjidhet me huanë të cilën Ministria e Bujqësisë mori nga Bankën Hipotekare Kombëtare në vlerë prej 21,800.000 dinarë.
Ne nuk duhet të harrojmë se edhe ata që e kanë likuiduar tashmë pronat e tyre, hasin në vështirësi në marrjen e pasaportave, duke pasur parasysh formalitetet mëdha të mbledhjes së certifikatave. Ministria e Punëve të Jashtme ka propozuar që këto vërtetime të lëshohen sipas detyrës zyrtare.
Ata emigrantë, kryesisht të varfër, nuk munden vetë t’i bartin shpenzimet e transportit. Prandaj, është e nevojshme që të sigurohet transport pa pagesë deri në kufi ose të paktën një zbritje prej 75%. Megjithatë, Ministria e Transportit nuk do të bëjë ndonjë lëshim nga rregullorja për tarifa.
Si do që të jetë, dëbimi duhet të bëhet me një plan të caktuar. Për shkak të kredisë së kufizuar që posedojmë, duhet të përcaktojmë se cilat rrethe, nga arsyet ushtarake dhe politike, duhet në radh të parë t’i shpërngulim.
G. Milivoje MILÇIQ konstaton se çështja e shpërnguljes së myslimanëve nuk është e re, sepse ka ekzistuar që nga viti 1878 (Muhaxhirët). Është e re në raport me § 55, i cili deri në vitin 1933 mbeti vetëm në letër. Më në fund në këtë vit qeveria shqiptare e ka ngitë këtë çështje, me qëllim ë zgjidhjes çështjen e shtetësisë të atyre shqiptarëve, të cilët për çfarëdo arsye kishte ikur nga vendi ynë në Arbani. § 55 vlera e së cilës u cilësua më 1 nëntor të 1933 është vazhduar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme deri më 1 nëntor 1938. Nga ata që dhënë deklarata, rrallë rrallë kush është shpërngulur duke marrë parasysh faktin, që qeveria shqiptare nuk ka dhënë leje për imigrim.
Deri më tani, janë shpërngulur në Turqi vetëm rreth 20.000. Për Shqipëri janë dhënë rreth 2000 deklarata, por asnjë nga këto nuk iu është dhënë leje për tu vendosur në Shqipëri. Turqit në vendin tonë paraqesin një element të qetë, të shkëputur nga metropoli (Stambolli) nuk u janë nënshtruar propagandës nacionaliste. Tek Shqiptarët situata është krejt e ndryshme në lidhje me faktin se u vendosën në masë të dendur në rajonet kufitare (në disa rrethe mbi 90% nga numri i popullsisë së përgjithshme).
Ne jemi në marrëdhënie miqësore me Turqinë dhe brenda disa muajsh ne mund të zgjidhim çështjen e dëbimit të turqve. Turqia pranon të gjithë njerëzit e kulturës turke dhe në këtë mënyrë do të jemi në gjendje t’i shpërngulim një pjesë të Arbanasëve.
Në asnjë mënyrë viktimat nuk do të ishin të shumta, për tu zgjidhur kjo çështje. Ministria e Bujqësisë, me anë të një organizimi të planifikuar, duhet ta shkatërroj kompleksin Arnaut, duke i vendosur në çdo fshat disa familje tona, dhe përgjatë kufirit me Shqipërinë duhet krijuar një brez të pastër pa shqiptarë.
Z. Vojislav MAGOVÇEVIQ thotë se Ministria e Bujqësisë kryen kolonizimin për 15 vjet me radhë. Më së shumti u shpërngulën nga rajonet pasive(Bosnja, Lika, Hercegovina, Mali i Zi). Me këtë veprim janë konsumuar të gjitha sipërfaqet e lira që i kishim në dispozicion, por janë edhe 17.000 familje të cilat kanë aplikuar për ndarjen e tokës dhe janë në pritje për t’iu krijuar mundësinë për vendosje (kolonizim ) në rajonet jugore. E vetmja zgjidhje e problemit do të ishte, shpërngulja e elementit turk dhe shqiptar, i cili është veçanërisht i fortë në 17 rrethe; atje relacioni është 73% me 27% në dëm të popullatës sonë. Arsyet kombëtare kërkojnë të vazhdojmë me kolonizimin pikërisht pran kufirit shqiptar. Për këtë qëllim, tani Ministria e Bujqësisë ka marrë një kredi prej 21,000.000 dinarë në Bankën Hipotekare Kombëtare për blerjen e pronave turke dhe shqiptare në jug të Serbisë. Nëse dëshirohet të blihen 15.000 hektarë tokë, ku do të mund të vendosen 3000 familjet e kolonistëve tanë, atëherë do të ishte e nevojshme një shumë prej 30.000.000 dinarë. Megjithatë, disa do të donin të fitojnë transport falas deri te kufiri turk, dhe për këtë kishin me dhënë pasuritë e tyre pa pagesë.
Përgjatë zonës kufitare me Shqipërinë, ku është rreth 85% e popullsisë shqiptare, është aktiv edhe Komiteti Shqiptarë, të cilin e ndihmon qeveria shqiptare, e cila inkurajon shqiptarët të mos shpërngulen.
Ne do t’u jepnim para për prona vetëm personave të cilët marrin pasportë valide, të cilët kanë kryer shërbimin ushtarak dhe kanë të paguara të gjitha taksat; ata menjëherë do të hipin në tren. Praktika e mëparshme e policisë së qeverisë sonë, kur ka lëshuar pasaportë me vlefshmëri prej gjashtë muajsh, ishte e gabuar, sepse këta persona nuk kanë humbur shtetësinë, dhe kështu ata u kthyen.
Duhet përpiluar një plan dhe program për shpërngulje me idetë kryesore. Në këtë drejtim, me siguri do të mund të shërbejë si një marrëveshje bazë me Rumaninë.
G. Ilija MILIKIĆ pastaj kalon tek masat të cilat duhen ndërmarrë për eliminimin e vështirësive, të cilat po pengojnë shpërnguljen e popullsisë jo-sllave në bazë të § 55 të Ligjit mbi Shtetësinë. Këtu do të vinte në shprehje: lëshimi i pasaportave pa pagesë, lirimi nga të gjitha detyrimet, dhënia e mundësisë që pa pagesë të arrihet në kufirin shtetëror në këmbim të pasurive të paluajtshme në shfrytëzim të shtetit, nënshkrimi i një konvente me Turqinë, të ngjashme me atë të Rumanisë, lirimi nga shërbimi ushtarak. Gjithashtu, duhet thjeshtuar procedurat administrative me rastin e nxjerrjes së çertifikatave të shumta, të cilat janë të nevojshme për të shpërngulurit.
Me qëllim të zbatimit sa më të shpejtë të këtyre masave në jetë, g.Milikiq propozon organizimin e një Komiteti të ngushtë, në të cilin do të hyjnë g. M. Milçiq, kolonel, J. Sokolloviq, D. Tadiç dhe V. Magovçeviq, me detyrë të hartimit të një projekti të masave të cilat duhet të ndërmerren për të shpejtuar emigrimin e popullsisë jo-sllave, e cila do të paraqitet në Këshillin Ministror për miratim.
Të gjithë të pranishmit u pajtuan me këtë propozim.
Z. Kolonel J. Sokoloviç, thotë se ai ka disa propozime pavarësisht Konventës, e cila do të arrihet me Turqinë, për të përshpejtuar shpërnguljen e popullsisë jo-sllave.
1. Me forcën e ligjit t’i detyrojmë t’i kryejnë të gjitha detyrimet tatimore;
2. Emigrantët të largohen nga trevat e banuara me turq dhe shqiptar, sepse edhe ata të cilët llogariten si miq tanë, bëjnë propagandë kundër shpërnguljes;
3. për shkak se turqit tanë nuk konsiderohen si pakicë kombëtare, të detyrohen fëmijët e tyre të vijojnë shkollat tona kombëtare, sepse deri tani ka ndodhur që tre të katërtat e të rinjve të kësaj ane, të cilët vijnë në shërbim ushtarak, shkruajnë vetëm turqisht;
4. të lëshohen njoftime konfidenciale për ata që nuk shpërngulen, të mos pranohen në shërbime shtetërore dhe as në shërbime publike ;
5. këto treva të shënohen me emra tonë nacional ;
6. të krijojmë zonën e banuar me elemente tona përgjatë kufirit shqiptar. Për këtë qëllim, të fillojmë kolonizimin e hapësirave pran kufitare, kështu që të shkojnë në mënyrë sistematike në drejtim të brendshëm. Kjo çështje të zgjidhet pjesë-pjesë, planin e aprovuar për 10 vitet e ardhshme.
Si masë të parë për organizimin e shpërnguljes të elementit jo sllav g. Kolonel J. Sokoloviq propozon krijimin e një komiteti të përhershëm intern, i cili do të mbetet i tubuar me përgjegjësi të plotë, pavarësisht juridiksionit.
Të gjithë që ishin të pranishëm u dakorduan me këtë propozim.
Konferenca sjell konkluzionin e mëposhtëm:
1. Duhet iniciuar çështjen e shpërnguljes me qeverinë turke dhe të përpiqemi për të zgjidhur të njëjtën gjë në një mënyrë të ngjashme si ajo që bëri Rumania, pra përmes një konvente speciale.
2. Kushdo që dëshiron të shpërngulet, duhet t’iu epen pasaporta pa pagesë.
3. Të gjitha këta persona duhet të jenë të liruar nga detyrimet ndaj shtetit (tatimet, taksat vendore, etj).
4. Atyre që ofrojnë pasuritë e tyre të patundshme në këmbim të transport falas deri në kufi, t’ju bëhet e mundur një gjë e tillë, ndërsa atyre të cilët i kanë shitur pasuritë t’ju mundësohet 75% zbritje.
5. Këta persona duhet liruar nga pagesa e detyrimeve të inventarit të vdekur, të cilin e bartin me veti, sikurse edhe paratë.
6. Ministria e Ushtrisë dhe Marinës tashmë ka nxjerrë një urdhër që të gjithë personave, të cilëve u jepet leja për shpërngulje pa marrë parasysh se a kanë obligime ushtarake. Gjithashtu, duhet liruar ata që duan të shpërngulen, edhe nëse janë në kryerjen e shërbimit ushtarak.
Komiteti i ngushtë, do të përpiloj një plan projekt për shpërngulje, i cili në konferencat e ardhshme ndërministrore definitivisht të pranohen dhe t’i dorëzohet Ministrit të Bujqësisë. Zoti ministër i Bujqësisë do ta sjellë para Këshillit Ministror, i cili do të sjellë zgjidhjen e caktuar.
U mor vendim që komiteti i ngushtë të takohet më 24 shtator 1935. Në ora 9 në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Seanca përfundoi në ora 20.
Proces mbajtës Dr. Feodor Koreniç d.v, Dr. Jozo Logar d.v.
Takimin e kryesoi Ilia Milikić d. v.
20 shtator 1935. Beograd
Projekti i Konferencës së Komitetit të Ngushtë mbi shpërnguljen e elementit jo-sllav nga jugu i Serbisë
Për zgjidhjen e vendimeve te Konferencës ndërministrore të 20 shtatorit të 1935, komiteti i ngushtë është takuar më 24 shtator të këtij viti, i cili për çështjen e shpërnguljes së popullsisë jo-sllaves së vendit tonë, konkretisht nga Serbia Jugore, sipas nenit 55 të Ligjit për Shtetësi, ka marrë këtë përfundim:
1. Çështjen e shpërnguljes duhet rregulluar sa më shpejt sipas konventës speciale midis vendit tonë dhe Turqisë, si dhe në mes vendit tonë dhe Shqipërisë, sipas formës që kjo çështje është rregulluar ndërmjet Turqisë dhe Rumanisë.
2. Në rast se me Shqipërinë nuk mundemi të arrijmë marrëveshje për shpërnguljen e Shqiptarëve në Shqipëri, ose shqiptarët të cilët nuk dëshirojnë të shpërngulën në Turqi, duhet menjëherë të aplikohen ligjet në fuqi për detyrimin e këtij elementi të zhvendoset nga zona kufitare në brendësi dhe të njëjtat treva të popullohen me popullsi sllave.
3. Për të gjithë ata persona të cilët, në bazë të nenit 55 të Ligjit për Shtetësi t’u ipen deklaratat me të cilat do të heqin dorë nga shtetësia jonë, për një kohe të caktuar të shpërngulen jashtë vendit tonë, t’u mundësohen përfitimet e mëposhtme:
a) t’iu lëshohen pa pagesë pasaporta të emigrantëve, sipas rrethanave edhe kolektive;
b) të lirohen nga të gjitha detyrimet ndaj shtetit (taksat, tatimet, ushtria, etj);
v) në rastin kur personat të cilët shpërngulën, kanë hipoteka dhe borxhe private (letra me vlerë, obligacione dhe dokumente të ngjashme), të bëra deri më 1 shtator 1935, t’iu paguhen pasuritë të tyre të paluajtshme në vlerën e paraparë ;
g) t’ju sigurohet transporti pa pagesë deri në Selanik dhe Svilengrad, nëse kanë deklaruar se të gjithë pasurinë e tyre e paluajtshme t’ia lënë shtetit tonë. Gjithashtu kjo vlen edhe për emigrantët e varfër;
d) t’ju lejohet zbritje në shfrytëzimin e hekurudhave për 75% e personave të cilët qëndrojnë mirë financiarisht apo që më herët kanë shitur pronat e tyre;
f) të lirohen nga të gjitha pagesat për eksportin e inventarit të vdekur dhe të të hollave;
e) të lirohen nga momenti i dhënies së deklaratës për shpërngulje nga: rekrutimi, dërgimit në ushtri, shërbimit ushtarak, ushtrime ushtarake. Nga kjo mund të bëhet përjashtim, nëse shpërngulën brenda një viti nga data e dhënës së deklaratës.
4. Për një migrim më të suksesshëm dhe më të shpejtë të popullsisë jo-sllave në Turqi, ose Shqipëri, komiteti ka ardhë në përfundim se është e dobishme për të marrë këto masa:
a) me të gjitha mjetet të parandalohet dhe të përjashtohet çdo propagandë që bëhet në mesin e këtij elementi kundër shpërnguljes e cila kryhet nga Shqipëria;
b) nga popullsia jo-sllave që vjen në konsiderim për shpërngulje, të kërkohet zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve ekzistuese, veçanërisht ato që lidhen me pagesën e detyrimeve fiskale (tatimet, mbi-tatimet, shërbimet ushtarak, etj);
v) sa më shpesh të jetë e mundur në territorin e Serbisë së Jugut, veçanërisht nga trevat kufitare të thirren në ushtrime ushtarake, ushtri rezervë me origjinë jo-sllave, pa marrë parasysh ushtrime apo manovra, qoftë për ndërtimin e rrugëve ose objekteve fortifikuese;
g) kryesisht mos të pranohen në shërbimin civil (dhe publik) personat të cilët janë emigrant potencial, ndërsa ata që tashmë janë në shërbime të tilla, të shpërndahen në zona ku jeton popullsia jonë;
d) të zbatohet në mënyrë rigoroze principi i arsimimit të detyrueshëm të fëmijëve të këtyre trevave në shkollat tona fillore;
f) në mënyrë strikte të zbatohen të gjitha rregullat e popullimit të rajoneve jugore, kryesisht viset kufitare) menjëherë të ndërmerren masat e shtetëzimit të objekteve gjeografike (vendbanime,lumenj, male, etj) me emërtime tona. Kjo vlen për mbishkrimet publike, emrat e kompanive, reklamave, etj;
e) Të gjitha masat e përmendura, tërësisht dhe menjëherë duhet të zbatohen duke filluar nga vija kufitare me Shqipërinë drejt brendësisë së vendit tonë.
24 shtator 1935. Beograd
Diskutim rreth këtij postimi