E bardha, e mira dhe njerëzorja e kanë shndërruar emrin e shqiptarit në atë të hyjnorës. Dikur, të gjitha mrekullitë që dergoj Zoti në tokë për njerëzimin i posedonte shqiptari, disa prej të cilave i hasim edhe në ditët tona. Andaj, kësaj here vendosa të shkruaj pak rreshta, për njërën nga këto bardhësi; dasmat – martesat. Fakt ky që nuk e ka lënë kombin shqiptarë të shuhet – zhduket.
Për dallim nga popujt tjerë, mërgimtarët shqiptarë janë të lidhur për atdheun e tyre. Me fanatizëm po ruajnë vlerat kombëtare-shqiptare. Të rinjtë dhe të rejat, edhe pse të lindur dhe të rritur jashtë atdheut, po vendosin që ceremonitë martesore t’i bëjnë në Kosovë, si shprehje e dashurisë që kanë për atdheun e tyre. Ata po martohen në atdhe dhe po marrin bekimet e saj.
Nuk të erdha në dasëm, Genti!
Jetbina dhe Argenti lidhin fatet dhe jetërat e tyre
Nuk të erdha në dasëm, Genti! Ritmi i vrullshëm i jetës po më shtreson me kërkesat e shumta. Mirëpo, dasma e jote, si motiv dhe burim frymzimi, m’i rrëmbeu shpirt e mëndje dhe gëzova me dasmorët. E dashura e sotme, si shqiponjë shtriu krahët mbi Dukagjin e mbarë shqiptari. Në qytetin e Haxhi Zekës, në Pejë, jo larg Grykës së Rugovës, në lokalin e bukur hotelier “Maestros”, bëhej dasëm. Osman Ferizi marton djalin e tij të vetëm, Argentin.
Kur shqiptari e shqiptarja buzëqeshin, shembëlltyra e Zotit bie në fytyrat e tyre dhe, i jepin jetë vendit. Të tillë ishin edhe Osmani e Sofa, të cilët në hyrje të sallës, që sa shkonte e mbushej plot e përplot me krushqë e dasmorë, u dëshironin mirëseardhje.
Nisur nga thellësia e menqurisë dhe urtisë, Idriz Zeqiri, në këtë ceremoni martesore, të ardhur nga anë të ndryshme të trojeve shqiptare ishin edhe, Ali Daci, Ismet Azizi, Pjeter Coli, Smajl Çeku, Sali Cacaj, Esat Ruka, Haxhi Lajqi, Ylli Mici, Agim Kurti, Enver Musa, Skender Gashi, Brahim Rexha, Tal Istrefi, Luigj Gjergji, Rashit Nikçi, Fazli Kelmendi, Isa Podrimja, Tahir Buçolli, Rexhep Nikçi, Afrim Mula, Xhevdet Muriqi dhe djali i Sali Çekut, Hyseni.
Aty ishin edhe pjestarët e grupeve të para guerile të armatosura; Feim Beqiri, Fatmir Stavileci, Jakup Limani dhe Islam Visoka. Brenda qenies sime ndjeva një vullkan të zjarrtë, e thashë me vete;- kjo familje njeh dëshirën tonë- Trojet e bashkuara shqiptare janë emblema jonë.
Dhëndrri si një shtizë flamuri, me nusen e tij, si një mollë e kuqe, që simbolizon bukurinë dhe shëndetin e saj, lidhnin jetët dhe fatet e tyre-martoheshin. Të lindur për njëri-tjetrin; i blatuan njëri-tjetrit betimin se, në të mirë e në të keq do t’i qëndrojnë besnik, njëri-tjetrit.
Vallëzon dhëndrri me nusen Dasmoret vallëzojnë
Tingujt përqafonin ëmbël e këndëshëm ndëgjuesin në sallë, ashtu si flladi pranveror tokën e shenjtë. Si dy shqiponja, qifti i ri, vallëzonin mes dasmorëve vallën “Hajde ta vallëzojna vallen e Rugovës, deri tek Molla e kuqe është e Kosovës”. E ata, dasmorët, duke duartrokitur thërrisnin me sa zë kishin:”Urime, urime dhe u trashëgofshi!”. Mëpas, vallës së tyre iu bashkangjitën dasmorët.
Gëzim Nika dhe Arianit Hoxha, duke lëshuar zërat e tyre, i drejtoheshin gjakut tim të shpërndarë nëpër botë. Kënga “Thërret Prizreni mori Shkoder”, si gjyle topi, depërton në hapsirën e pafund qiellore dhe se nal fluturimin deri mbi Kurshumli e Kollashin. Kantautori i njohur, Esat Ruka, me zërin e tij të bukur, me emocione të forta, që përcolli në sallë, i mrekulloi dasmorët.
Si shqiponjat kur lazdrohen në ajër, valltarët e Ansamblit Artistik “Rugova”, nga Peja dhe “Ardhmeria”, nga Gjakova, bënin të luanin themelet e kullave të Dukagjinit. Kënga dhe vallja dilnin nga salla dhe merrnin rrugët e lagjës së Pejës dhe i vesheshin bjeshkës deri në majat e naltësive qiellore.
Drejruesi i Ansamblit “Rugova”, Elez Nikqi
Vallëtarë të Ansamblit “Rugova”dhe “Ardhmeria”
Sa të lumtur ndiheshin miqtë, që kishin ardhur nga Juniku. Gjyshi i Jetbinës, Sejdiu, por edhe Ibish Krasniqi, nuk nguronin të shprehnin gëzimin për lidhje miqësore me Osman Ferizin dhe familjën e tij.
Shpirti u flet shpirtërave
U mora leje dasmorëve dhe bashkë me meloditë e çiftelisë së Esat Rukës e Gëzim Nikës, shkova në Kodrali, tek djepi që ia ka përkundur ëndërrat, Osmanit. Nga qielli kishin zbritur shpirtërat e babë Xajës dhe nënë Tabes. Më folën përmallue për gjakun e tyre të tretur largë, shumë largë trojeve shqiptare.
“ Osmani ishte fëmijë pa fëmijëri, me obligime burri. U rinua për flakë zjarri, e shpirtin ia dogji malli për atdhe”, më foli shpirti engjëllor i xha Xajës. Shpirtërat e tyre u fashitën kur iu thash se, sonte martohet nipi i juaj, djali i vetëm i Osmanit, Argenti, me ma të bukurën e Junikut të historisë, Jetbinën. “Eh! Oktapodi vdekatar na pati shtërnguar fort e fort lakun në fyt…, e ne, nuk i bëmë dasmën sugarit tonë”, më foli me pengun e shpirtit engjëllor, nënë Tabja.
Dhe, nga atje, pasi përfluturova mbi Dukagjinin e ëndërrave të mia, solla urimet e shpirtërave të hyjnizuar, ku dashuria dhe malli për pleqtë, bashkë me respektin për ta ua ndrydh shpirtërat djemve dhe vajzave, nipave dhe mbesave të tyre.
Motrat, kulti i dashurisë vëllazërore, rrethojnë vëllanë e kunatën
Motrat, kulti i dashurisë vëllazërore; Mërgata, Enkeleta dhe Etleva, të gëzuara rrëthojnë vëllanë dhe kunatën. Mergata, vajza e madhe e Osmanit, emri i të cilës nuk është thjeshtë vetëm një emër, por është një tansi, një pjesë e jetës shqiptare e përcjellë me plagë e krenari. Mergata, sjell në mendje kohën e ndrydhjëve shpirtërore të prindërve të saj, tash e 28 vite më parë, kur edhe e pagëzuan me këtë emër malli e krenarije, vuajtje e qëndrese. Ajo, është krenare për emrin që bartë. “Unë jam vetë jeta e prindërve të mi”, thotë, ajo.
U realizuan edhe fotografi të shumta
Për mua ishte një natë pa halle, pa derte. Përmes këtyre rreshtave, ju dhashë jetë ndjenjave të mia. Dhe për fund, në emrin tim dhe të redaksisë së “Gazeta e Alpeve”, uroj që Argenti e Jetëbina të kenë fat, jetë të gjatë e të lumtur! U trashegofshi!
Diskutim rreth këtij postimi