Qazim Muja
Është fakt se arkivistët dhe historianët në botë, por edhe në vendet tona, jo gjithmonë e kanë njohur fotografinë si burimin parësor historik. Materiali i ashtuquajtur – jo konvencional, apo materiali i pa inkuadruar brenda një libri apo vëllimi, siç është fotografia, nuk ka pasur kurrë një vend kryesor, por megjithatë është mbajtur dhe ruajtur si një material me vlerë. Regjistrimet fotografike në vazhdimësi janë mbledhur sipas të njëjtave kritere, ashtu si materialet e tjera arkivore edhe pse gjatë redaktimit të materialeve, fotografitë do të hiqeshin nga koleksionet e dokumenteve të shkruara dhe do të vendoseshin në koleksione të veçanta duke u mënjanuar rëndësia e tyre.
Për shumë vite, fotografia u përdor në mënyrë individuale dhe selektive, vetëm për t’u integruar në të ashtuquajturën antropologji vizuale, si pjesë e kërkimit në botën e dukshme sociale dhe si një burim i të dhënave të ndërmjetësuara kulturalisht mbi sistemet vizuale. Mendoj se pikërisht shkëputja nga kjo traditë është edhe synimi i kuratorit dhe autorit të kësaj ekspozite, të mirënjohurit Ismet Azizi, që të paraqesë rëndësinë historike dhe dokumentare të fotografisë, gjegjësisht të këtij koleksioni, dhe ta prezantojë atë si një metodë tjetër ose subjekt tjetër kërkimi apo dokumentimi, ku për çdo fotografi mund të thuret një foto-ese, duke analizuar përmbajtjen e tyre si lëndë historike, arkivore dhe kërkimore. Prandaj edhe ekspozita “SANXHAKU, HISTORI E DHEMBJES KOMBËTARE” e tëra, në rend të parë, është një sagë e veçantë epike. Duke e ditur se deshifrimi i serive të ndërlikuara të ngjarjeve shoqërore në përgjithësi, dhe të atyre kombëtare në veçanti, autori Azizi ofron si metodë dhe qasje të veçantë për leximin e historisë, pikërisht fotografinë ose koleksionin e fotografive që mund të përdoren për të lidhur pjesët e ndara brenda një enigme të madhe, në rastin konkret në enigmën e rrudhjes së trojeve shqiptare, asimilimin e shqiptarëve, por dhe zhdukjen e tyre, jo vetëm të Sanxhakut, por në tërësi rreth e përqark Arbërisë, nga dhuna e paparë e pushteteve të ndryshme hegjemoniste.
Në këtë mënyrë kjo imazh-bërje si koleksion i veçantë, synon të kronikojë ngjarjet dhe mjediset shqiptare të tjetërsuara për të treguar një histori dhe njëkohësisht për të dërguar një mesazh nëpërmjet rrëfimit të tyre të fuqishëm dhe ndikimit vizual në situata reale socio-politike të një momenti të caktuar.
Të gjithë kemi dëgjuar për thënien e fotografit të famshëm Walter J. Lubken se “një foto vlen sa një mijë fjalë”, por kjo ndodhë vetëm në kushte të veçanta – zakonisht kur ato përfshijnë ngjarje nga konteksti në të cilin është vendosur fotografia, ndërsa në shumë raste të tjera ajo mund të jetë madje edhe një histori e tërë.
Andaj dhe këto fotografi si material arkivor përmbajnë informacione unike dokumentare e edhe historike, duke marrë status parësor njohës falë kontributit të mbledhësve të tyre, në rend të parë të zotit Azizi dhe po ashtu zotit Ali Daci me interes të jashtëzakonshëm për to, si material historik e dokumentar, pikërisht atëherë kur ekziston mungesa e informacionit, apo kur në mënyrën më drastike bëhen deformime të së vërtetës historike.
Ka një mori rrëfimesh që fshihen brenda këtyre fotografive të fiksuara që, sipas dixhiturës datojnë që nga viti 1912 (Luftëtarët e Plavës). Mbledhja e tyre, kështu, bëhet një pjesë tjetër, gjithnjë në rritje, e të dhënave historike. Artefaktet, antropologjia, fortifikimet dhe mjediset e ndryshme shoqërore na ofrojnë një kontekst gjeografik më të qartë të historisë sonë kombëtare dhe të rrënjëve tona në Sanxhakun e tjetërsuar.
Ky thesar fotografik si i tillë përfaqëson një trashëgimi të rëndësishme që na tregon për të kaluarën dhe ka vlerën e vet dokumentare, historike, por edhe artistike.
Duke e ditur se fotografitë shpesh shërbejnë si një shtesë për kërkimin, apo madje si një lëndë e veçantë kërkimore, mendoj se autori Azizi ka pasur parasysh, mbi të gjitha, që potencialin e grumbulluar të fotografive historike e dokumentare t’ua prezantojë, në rend të parë publikut të gjerë, por edhe antropologëve, i vetëdijshëm se antropologjia e fotografisë zbërthen më mirë dhe më saktë kuptimin e saj, po e quaj – imazherik, për të sugjeruar dhe ndërtuar në mënyrë më të dokumentuar dhe më besnike të kaluarën tonë. Prandaj, edhe beson se roli i antropologëve është të shpjegojnë se si të ashtuquajturat fotografi etnografike ose antropologjike duhet përdorur për të përcaktuar jo vetëm kulturën, por gjithë atë që është substanciale për një popull. Për shembull, në rastin konkret do na japin përgjigje përse vallë gjithë ata qeleshepunues në Pazarin e Ri? Ose nga ajo veshje e pastër kombëtare shqiptare te Ago Petllaqa, Hamëz Camaj, Niko Camaj, Salih Uglla, e sidomos te Avdullah Selimi (Homeri i Ballkanit). Dhe ja, përgjigja na del nga fotografitë e ekspozuara, si formë e dokumentimit historik. Nisur nga kjo jam i bindur se, si ata të informuarit, si ata të painformuarit, nga kjo ekspozitë do të dalin me bindje krejt tjetër për Sanxhakun dhe etnogjenezën e popullatës së tij.
Shumë studiues kanë prirjen të fokusohen vetëm në aspektin artistik dhe personal të fotografisë, por harrojnë se fotografia nuk është thjesht një art; është edhe mbajtje e shënimeve historike, është mbamendje specifike vizuale. Sepse histori ka kudo, por dhe askund nëse ajo nuk regjistrohet. Madje fotografia mundëson që ngjarjet historike të duken më reale, sesa thjesht histori dhe ashtu si çdo burim, ato do të jenë objekt debati pasi që bëhen thelbësore për dokumentacionin historik. Të gjitha këto fotografi, e gjitha kjo ekspozitë na ofron ngjarje të rralla historike, por edhe të vërteta dhe pamje besnike imazherike të disa figurave të njohura siç janë Shaban Polluzha, Aqif Bluta e ndonjë tjetër si dhe të luftëtarëve shqiptarë gjithandej Sanxhakut e gjetiu, që domosdo shtojnë dukshëm ligjërimin historik.
Pasi që fotografia kap ngjarjet në një mënyrë unike, në një formë që fjalët nuk munden, sepse të lexosh për një ngjarje është ndryshe nga ta shohësh atë në një foto ose ta dëshmosh atë nga dora e parë, Azizi sikur ka nxjerrë një mesazh shumë të rëndësishëm për historianët tanë, se ata duhet të kuptojnë që fotografia është bërë një mjet tjetër dokumentimi tejet i rëndësishëm dhe i pashmangshëm për deshifrimin e fateve tona kombëtare gjatë historisë që nga lindja e fotografisë, me fotografët tanë të famshëm: Marubët, Kol Idromenon, Kristaq Sotirin dhe më vonë Shani Picin e Gjon Milin, si dhe të fotografëve të huaj që përshkuan trojet arbërore.
Andaj dhe dëshira për rritjen e ndërgjegjësimit, pranimit dhe përdorimit të fotografive nga studiuesit si burime legjitime të informacionit historik ka bërë që autori dhe studiuesi i mirënjohur Azizi, si mbledhës dhe kurator, të vlerësojë dhe rivlerësojë rëndësinë e këtij koleksioni duke na i prezantuar këto fotografi përmes ekspozitës “Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare” jo vetëm si artefakte, por si një dëshmi të veçantë historike për ç’gjë, në emrin tim dhe tuajin e përgëzoj dhe e falënderoj.
Ju faleminderit!
Diskutim rreth këtij postimi