Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Fokusi te Britania është çelësi i origjinalitetit të librit. Dauti ka të drejtë kur thekson se Mbretëria e Bashkuar nuk kishte interesa të mëdha apo të drejtpërdrejta në Shqipëri, dhe pikërisht kjo ishte arsyeja se pse shqiptarët shpresuan për ndihmë prej saj. Kush më mirë sesa një fuqi e paanshme për t’i shpëtuar ata nga fqinjët e këqij? Sidoqoftë, aty ku Dauti pasuron njohurinë tonë për atë periudhë është pikërisht roli që luajti Mbretëria e Bashkuar në çështjet shqiptare.
– Lexo po ashtu shkrimin e profesorit Andrew Thomas Park për veprën e Daut Dautit: Një vepër e vlefshme për procesin e krijimit të shtetit shqiptar dhe për rolin e shqiptarëve në rënien e Perandorisë Osmane
Pasi përshkruan shqiptarët më 1878 me themelimin e Lidhjes së Prizrenit, Dauti analizon se si u pasqyrua e gjithë kjo në Londër dhe në Stamboll. Dauti e vendos politikën e jashtme britanike ndaj shqiptarëve brenda pozicioneve liberale dhe konservatore. Liberalët e shihnin fenë si “një element thelbësor në ngritjen e ndjenjës kombëtare në Ballkan” (32). Kjo qasje nuk paralajmëronte gjë të mirë për shqiptarët me shumicë myslimane, pasi Britania i paramendonte të krishterët si të jetonin në një shtet “barbar” mysliman. Për më tepër, siç shton Dauti, udhëtarët britanikë që kishin ndikim shpeshherë i kishin sharë shqiptarët.
Sa për Britaninë, kur shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike gjërat nuk u përmirësuan, pasi mbizotëroi qasja liberale dhe lufta u pa në thelb si një luftë e drejtë për të çliruar të krishterët.
Duke parë se gjithçka ishte kundër shqiptarëve, është e jashtëzakonshme që ata arritën pavarësinë. Kjo histori, megjithëse e treguar mirë më parë, rrëfehet sërish me vështrime të reja nga Dauti. Përderisa Shqipëria dhe shqiptarët kishin qenë kryesisht dytësorë për Britaninë, më 1912 gjërat ishin ndryshe. Shqipëria nuk mund të injorohej.
Në kapitullin 7, “Ballkani për popujt ballkanikë”, më pëlqeu shumë shkrimi i Dautit mbi kontributin e Edith Durhamit në çështjen shqiptare. Për të qenë i sinqertë, nuk lodhem kurrë nga analiza e saj shpesh therëse dhe e drejtpërdrejt për Ballkanin dhe shqiptarët në veçanti. Edhe pse fillimisht mendonte se rajoni kishte nevojë për një sundimtar të krishterë, më vonë u bë mbështetëse e kauzës kombëtare shqiptare, të cilën e shihte si qendrore për zgjidhjen e problemit ballkanik.
Në fund, ishte Austro-Hungaria ajo që shpëtoi Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi ishte e vetmja fuqi gjatë Konferencës së Londrës që tregoi se mund të shkonte në luftë për Shqipërinë.
Në anën e shqiptarëve ishte parlamentari dhe diplomati i palodhur britanik, Aubrey Herbert, i cili me këmbëngulje mbrojti parimin etnik në përcaktimin e kufijve të rinj të Shqipërisë – kufij të cilët, në fund, sipas Herbertit, fatkeqësisht u dhanë atyre vetëm “shkëmbinj, gryka dhe përrenj malorë” (147). Britania, siç vëren Dauti, nuk kishte interes për një Shqipëri etnike që përfshinte të gjithë shqiptarët dhe qëndroi besnike ndaj synimeve të veta strategjike.
Kur Konferenca e Londrës përfundoi punën në gusht të vitit 1913, gjithçka që i duhej ishte të gjente ndonjë princ të papunë gjerman për të sunduar vendin. Herberti paralajmëroi me zgjuarsi se gjetja e dikujt që ishte i përshtatshëm do të ishte punë e vështirë. Ai i shkroi vëllait të vet: “Çdo princ do të ishte budalla ta pranonte po ta dinte vështirësinë, dhe edhe më budalla po të mos e dinte” (151). Kështu filloi një varg i gjatë e budallenjve që sunduan Shqipërinë.
E pavarur, por e privuar nga tokat e rëndësishme shqiptare, vendi pa të zbehej mbështetja për procesin e shtetndërtimit. Ana pozitive ishte se sovraniteti i shkurtër të cilin Shqipëria arriti më 1913, padyshim e shpëtoi nga zhdukja pas Luftës së Parë Botërore. /Telegrafi/
Diskutim rreth këtij postimi