Para 75 vjetësh (1951) është themeluar Gjimnazi i Mitrovicës, i cili është quajtur Gjimnazi i Naltë Shtetnuer Shqiptar në. Deri në vitin 1955 është quajtur edhe Gjimnazi Real Shtetnuer Shqiptar. Ka qenë e vetmja shkollë e mesme në gjuhën shqipe dhe ka vepruar ndaras nga gjimnazi serb. Edhe pse një vit shkollor (1954/55) kanë punuar në të njëjtin objekt shkollor, këto dy gjimnaze kanë qenë të ndarë me ndërrime, me dy drejtorë dhe me administratë të pavarur (të ndarë, të papërzier). Në Gjimnaz mësimi është mbajtur kryesisht në gjuhën shqipe. Numri i nxënësve, sipas gjuhëve mësimore, nuk ka qenë në proporcion me numrin e banorëve çka do të thotë se kishte dukshëm më shumë nxënës në Gjimnazin me mësim në gjuhën serbe sesa në Gjimnazin shqiptar.
Në vitin shkollor 1951/52, sikurse në shumë qendra të tjera të Kosovës, edhe në Mitrovicë, shkollat fillore u bënë tetëvjeçare dhe të obligueshme për fëmijët prej moshës 7 deri 15 vjeçare. Kështu, u suprimuan Progjimnazet, të vetmet shkolla gjysmë të mesme në gjuhën shqipe. Në Mitrovicë, siç theksuam më lart, u themelua Gjimnazi i Plotë Shqiptar. Viti shkollor 1951/52 ka filluar më 17 shtator 1951 në lokalin e ri shkollor të shkollës fillore “Meto Bajraktari”. Drejtor i parë është emëruar Stefan Zorba. Në fillim të vitit shkollor janë regjistruar 450 nxënës, mirëpo, për shkak të kushteve të vështira: udhëtimi, pamundësia për t’u strehuar në konviktin e shkollës etj., qysh në muajin e parë e kanë braktisur shkollën 87 nxënës. Për arsimimin dhe edukimin e tyre janë angazhuar këta mësimdhënës: Stefan Zorba, drejtor i Gjimnazit, Shemsedin Hadri, Sami Raça, Danica Lebedeva, Musa Deva, Mustafa Muni, Musherefe Raifi, Avni Kryeziu, Halit Zymi, Veton Gjinaj, Xhabir Xhabiri (nga 25.II.1952, në bazë të dekretit nr. 65, emërohet drejtor, ndërsa Avni Kryeziu zëvendësdrejtor), si dhe mësimdhënësit me honorar: Natalija Tanaskoviq, Evgenije Prudkov, Vladimir Tomiq. Gjatë viteve vijuese deri në vitin 1954/55 kanë punuar edhe këta mësimdhënës: Mybera Raifi, Reshat Deva, Hilmi Hisari, Nazmi Dedolli, Shinasi Korenica, Refik Nushi, Musa Gashi, Sulejman Murati, Hysen Muhaxheri, Radmilla Dërmaku, Bajram Zeka, Rexhep Hoxha, Xhevdet Pula (drejtor), Murteza Luzha, Ahmet Maloku, Ismet Dërmaku, Sejdi Sulejmani, Ramiz Hoxha, Agim Gjakova, Myslim Nagavci, Jusuf Venhari, Isak Buçinca, Feti Zhubi etj.
Në fund të vitit shkollor 1954/55 numri i përgjithshëm i nxënësve në Gjimnazin Real Shqiptar ka qenë gjithsej 313 (240 meshkuj e 73 femra). Në vitin VIII (kupto viti IV gjimnaz) kanë vijuar mësimet 24 nxënës (19 meshkuj e 5 femra) të sistemuar në një paralele. Lëndët mësimore kanë qenë: shqip, serbisht, frëngjisht, latinisht, vizatim, histori nacionale, histori e përgjithshme, biologji, matematikë, fizikë, kimi, filozofi, paraushtarak, ed. fizike.
Në mesi e qershorit 1955, doli brezi i parë i maturantëve të Gjimnazit të Mitrovicës (24 nxënës, 19 meshkuj e 5 femra): 1. Ajet Morina, 15.VII.1937, Vidimriq – Mitrovicë, 2. Ejup Hamiti, 4.X.1937, Kodër (Zasellë) – Mitrovicë, 3. Fikrije Deva, 5.V.1936, Mitrovicë, 4. Halil Shaqiri, 25.V.1933, Tërdevc – Gllogovc, 5. Hylkije Morina, 10.X.1936, Mitrovicë, 6. Ibrahim Gashi, 29.IX.1936, Fushë – Krujë – Shqipëri, 7. Islam Behrami, 15.V.1932, Vinarc – Mitrovicë, 8. Jusuf Mripa, 6.II.1935, Vushtrri, 9. Liljana Kryeziu, 8.VIII.1936, Korçë – Shqipëri, 10. Muhamet Hoti, 1932, Mitrovicë, 11. Muhamet Kërveshi, 14.I.1935, Mitrovicë, 12. Murat Bejta, 23.IV.1936, Zhiti – Podujevë, 13. Mustafa Shukriu, 30.X.1933, Mitrovicë, 14. Pëllumb Spahiu, 24.X.1936, Kukës – Shqipëri, 15. Ramadan Gashi, 1.I.1935, Runikë – Skënderaj, 16. Reshad Rudi, 19.XI.1937, Mitrovicë, 17. Rifat Osmani, 19.II.1935, Zhabar – Mitrovicë, 18. Sadika Kërxhaliu, 8.XI.1934, Mitrovicë, 19. Servete Rudi, 20.III.1936, Mitrovicë, 20. Skënder Skënderi, 6.V.1934, Kodër (Zasellë) – Mitrovicë, 21. Sulejman Kaçamaku, 11.VII.1936, Mitrovicë, 22. Vahedin Periuci, 3.XI.1935, Mitrovicë, 23. Vejsel Vejseli, 5.IV.1935, Mikushnicë – Skënderaj, 24. Xhemajl Boletini, 17.VII.1935, Boletin – Mitrovicë. Kujdestar i klasës ka qenë profesori i gjuhës shqipe e letërsisë, Rexhep Hoxha.
Siç shihet në fotografinë që i bashkëngjitet këtij teksti, në provimin që u organizua në afatin e qershorit 1955, kanë diplomuar dymbëdhjetë maturantë: Murat Bejta, Servete Rudi, Liljana Kryeziu, Ejup Hamiti, Vesel Veseli – Shabani, Rifat Osmani, Ibrahim Gashi, Halil Shaqiri – Halilaj, M. Juniku (ka mbaruar Gjimnazin në Gjakovë, ndërsa ka diplomuar në Gjimnazin e Mitrovicës), Skender Skenderi, Reshat Rudi dhe Muhamed Kërveshi.
Vlen të theksojmë se shumica e këtyre ish-maturantëve të brezit të parë kanë kryer fakultete të ndryshme, ndërsa disa syresh kanë përfunduar studimet pasuniversitare, kanë marrë grada shkencore, si: prof, dr. Ibrahim Gashi, prof. dr. Skender Skenderi, prof. dr. Ejup Hamiti, prof. dr. Murat Bejta, prof. dr. Muhamet Kërveshi, prof. Rifat Osmani, prof. mr. Servete Rudi dhe kanë kanë qenë vite me radhë pedagogë në Universitetin e Prishtinës, Tiranës, Tetovës etj.
Në vitin shkollor 1955/56 të gjitha shkollat e territorit të komunës së Mitrovicës, të cilat deri atëherë kanë qenë të ndara sipas përkatësisë gjuhësore dhe kanë punuar, të thuash, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, me urdhëresë të organeve shtetërore e komunale, janë bashkuar në një shkollë të vetme, me një drejtor dhe me një administratë të përbashkët. Kështu, sipas të dhënat zyrtare statistikore, Gjimnazi i Mitrovicës paraqitet si një shkollë e vetme e jo si më përpara: Gjimnazi i Naltë Shtetnuer Shqiptar dhe Gjimnazi i Naltë Shtetnuer Serb. Gjatë periudhës 1955-1959 është quajtur Gjimnaz i përziem, me drejtor Dragan Cvetniqin, ndërsa më 23 nëntor 1959 është pagëzuar me emrin e profesoreshës sllovene, “Silvira Tomazini”. Prej 10 qershor 1992 e tutje Gjimnazi i Mitrovicës mban emrin e shkrimtarit, leksikografit, folkloristit, historianit, klerikut e patriotit të shquar, Frang BARDHI.
Në fund dëshiroj të theksoj se, që nga themelimi i tij, Gjimnazi i Mitrovicës ka arritur rezultate të lakmueshme. Numri i nxënësve dhe klasave është rritur nga viti në vit, ndërsa kuadri mësimor ka ardhur gjithnjë më i kualifikuar. Numri i nxënësve me mësim në gjuhën shqipe është rritur sidomos pas Plenumit të Brioneve (1966) e këndej dhe nga bankat e këtij institucioni të mesëm arsimor kanë dalë kuadro të profileve të ndryshme: mësimdhënës, mjekë, inxhinierë, juristë, ekonomistë, artistë, sportistë etj., që janë bërë krah i fortë i zhvillimit të Kosovës e më gjerë.
Për lexuesit tanë të nderuar po jap edhe këto të dhëna, duke bërë edhe njëherë krahasimin e numrit të nxënësve të vitit 1955 me atë të vitit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2008). Derisa në qershor të vitit 1955 kanë përfunduar vitin 24 maturantë (19 m e 5 f), në qershor 2008, 614 maturantë (280 m e 334 f) të Gjimnazit “Frang Bardhi” kanë hyrë në testin e Maturës Shtetërore: XII – 3, 4, 5, 6 (gjimnazi matematikë-informatikë – 111 nxënës – 57 meshkuj e 54 femra, të sistemuar në katër paralele), XII – 7, 8, 9, 10, 11, 12, 13 (gjimnazi shkencat natyrore – 231 nxënës – 114 meshkuj e 117 femra, të sistemuar në shtatë paralele, XII – 14, 15, 16 (gjimnazi shkencat shoqërore – 102 nxënës – 33 meshkuj e 69 femra, të sistemuar në tri paralele), XII – 17, 18, 19 (gjimnazi i gjuhëve – 83 nxënës – 36 meshkuj e 47 femra, të sistemuar në tri paralele), XIII – 1, 2, 3 (gjimnazi i përgjithshëm – 87 nxënës – 40 meshkuj e 47 femra, të sistemuar në tri paralele).









Discussion about this post