Shkruan: Hys Shkreli
Serbët thonë se ai ishte jugosllav-serb, ndaj është i tyre. Boshnjakë thonë ishte boshnjak me origjinë, ndaj është pjesë e këtij nacioni . Malaziazët mendojnë se u takon kulturës së tyre, pasi ka lindë në rrethin e Plaves , maqedonasit lavdërohen më faktin që talenti i tij u zbulua gjatë shkollimit në Shkup , kurse shqiptarët e dinë, e duan dhe e respektojnë si kompozitor shqiptar. Mbi këto polemika qëndron një fakt i fuqishem: Çdo gjë qe Rexho Mulliqi krijoi, ishte shqiptare. Kritikët e kundershtarët e Mulliqit, mund ta shpallin atë edhe kinez apo meksikan, mirëpo, e tërë krijimtarija e tij është komplet shqiptare. Vetem shqiptare, dhe shumë – shqiptare. Edhe sikur Rexho Mulliqi , të ngritej nga varri, e të vetëdeklarohej i pakombësi, përseri arti i tij , e bën atë shqiptar, dhe pjesë e fryt të kulturës tonë.
Gjenerata e reja, e njohin më tepër si autor të këngës së popullarizuar “Baresha”, qe pas “Shotës”, është kënga më e njohur në Kosovë. Mirëpo Mulliqi vet, mbase sot nuk do ta pelqente një prezentim ose identifikim të tillë. Sepse, ai krijoi vepra shumë më të mëdha e më komplekse se “Baresha”. Fatkeqsisht, duke i takuar një rrethi pa ndonjë traditë të gjatë në muzikën klasike, ne, kohëhecjen në kronologjinë e kujtimeve tona, e lidhim shpesh më këngë të caktuara popullore e jo më vepra klasike. Mbase për këtë arësye “Baresha” më famën e vet, ka tejkaluar edhe autorin. Disa, këtë kompozim e identifikojnë vetem më Nexhmije Pagarushën. Mirëpo, “Baresha” s’do të lindëte pa idenë muzikore të Rexho Mulliqit dhe tekstin e Rifat Kukajt.
Mulliqi, i njohur në rini si Rexhep Mullaj, lindi në Guci të Malit të Zi në vitin 1923. Shumë heret i la imazhet idilike të vendlindjës dhe bukurinë pitoreske të Bjeshkëve të Nemura për të u shkolluar në Shkup. U rexhistrua në Medresën e Madhe të këtij qyteti, e cila, ndonëse ishte menduar si shkollë fetare, u shëndrrua në vatër intelektualësh, patriotësh e disidentësh politik nga të gjitha viset shqiptare. Mulliqi shumë shpejtë ra në sy në këtë shkollë për talentin e tij, jo në muzike, por në pikturë. Në këtë shkollë asokohe, pos shumë lëndëve tjera mësohej edhe muzika, e pesë gjuhë të huaja. Megjithëkëtë, pak kush ka mund të parashikojë që nga një medrese të dal një krijues i muzikës klasike. Aty, Mulliqi kishte arsimtar muzike një rus (Aleksander Zalijev), i cili i pari zbulojë talentin e djaloshit për muzikë dhe i sygjeroi rexhistrimin në Akademinë e Muzikës. E futi në korin e shkollës, dhe i propozoi violinën, instrument në të cilën Mulliqi do të dashurohet shpejtë. Mirëpo, kjo përkrahje e arsimtarit rus , një ditë do të i kushtoi Mulliqit. Do ti hakmerret e bëhet njollë politike, e akuzë e mëvonëshme.
Nga vitët e Shkupit, dashuri e Mulliqit do të bëhet violina. Më atë instrument, Mulliqi i ri, do të u bie ne sy edhe ushtarëve pushtues italian në vendlindje, ku ushtronte në një depo të zbrazët pranë rezervoarit të ujësjellësit. Ushtarët italianë, një ditë rrethojnë vendin, mirëpo më të dëgjuar violinën, ulin armët dhe të befasuar më virtuozin e ri, e pagëzojnë atë “Paganini i vogël”…
Nga Shkupi ku qëndroi deri më 1941, Mulliqi transferohet në Shkollën Normale të Prishtinës. Tri vjet më vonë , fillon studimet në Akademinë e Muzikës në Beograd. Në këtë qytet, një ditë, të gjitha planet e ëndrrat e tij krijuese do të thyhen. Në vend të diplomës, do të i dorëzohet fletëarresti, dhe do të perfundoj në burg, si anti-titist e kundërshtar i sistemit . Në vitin 1948, Jugosllavia prishi marrdhënjet më Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin. Pushteti filloi gjuetinë kundër politikanëve e intelektualëve opozitar. Kjo atmosferë, do të shfrytëzohet për të akuzuar, etiketuar e denuar shumë njerëz të pafajshem. Të gjithë kritikët e opozitarët e sistemit jugosllav u futen në nje thes dhe në një burg të ngritur mbi një ujdhesë të izoluar në Detin Adriatik. Ishte ky burgu më i errët e më famëkeq i ish Jugosllavisë, në Goli Otok. Aty gjendej edhe një numer i madh shqiptarësh tjerë të burgosur. Vet emri Goli Otok, apo “Ishulli i xhveshur”, për ironi,sikur përkonte më qellimin e pushtetit: xhveshjën nga dinjiteti, liritë peronale e personaliteti i të burgosurëve dhe “krijimi i njeriut të ri” sipas dizajnimit komunist të kohës. Mulliqi nuk u thye…
Pas përfundimit të burgut, në vitin 1953, Rexho Mullqi do ta lidhë ardhmërinë e tij më Kosovën; Sëpari me Prizrenin, ku punoi si pedagog, pastaj më Prishtinën (1956) ku do të bëhet përgjegjës i Programit Muzikor të Radio Prishtinës, të vetmit radiostacion më program në gjuhën shqipe në Kosovë. Aty themeloi Korin Radio Prishtinës, dhe sëbashku më Lorenc Antonin i vunë themelet institucionale traditës popullore dhe muzikës artistike në Kosovë. Edhepse tani në liri, etiketa e zezë – ish i burgosur politik, do të i rri e kercënohet mbi kokë edhe për shumë vite. Megjithëkëtë, jeta në Prishtinë do ta aktivizojë shpirtin e tij krijues. Më Kosovën, do ta lidhë jo vetëm muzika por edhe gjëra tjera…
Mulliqi, kishte një fjali, si totem motivues: “Muzika ishte dashurija ime e parë dhe e fundit”, thoshte ai. Mirëpo në jetën e tij është një përjashim nga kjo thënje. Ishte një kohë kur Rexho Mulliqi kishte edhe një dashuri të dytë – pos muzikës… Duke punuar në Prishtinë, ai afrohet më një këngëtare të re e të bukur, e cila përmbledhëte në unin e sajë tërë atë qe një krijues muzikor mund ta këtë ëndërr frymezuese: Bukurinë, sharmin e zërin. Ajo këngëtare quhej Nexhmije Pagarusha, dhe asokohe punonte në fonotekën e Radio Prishtinës. Dashuria midis Mulliqit e Nexhmijës u rritë në martesë. Nga ajo martesë lindi i vetmi djal, Leonardi, kurse nga ajo dashuri , lindi kënga e famshme “Baresha”.
Sot, mund të sypozojme se inspirimi krijues për “Bareshen” , mbeshtetej në dy burime: Zërin briliant të Nexhmije Pagarushës, dhe natyrën magjepse të vendlindjës së kompozitorit . Ai ishte lindë e rritur pranë Bjeshkëve të Nemura , midis peisazheve kolorite, ku baresha është frymzim e simbol i bukurisë femrore. Baresha , mbase ishte një Nexhmije e ëndërruar dikur moti, larg në rininë e jetën pastorale të lënë në vendlindje. Ndonëse martesa e Mulliqit më Nexhmijën një ditë përfundoi , ata mbetën në lidhje të pafund nëpërmjet këngës së përbashkët “Baresha”. Kjo këngë, ka një strukturë të pasur dhe komplekse për zhanrin të cilit i perket. Duket se kompozitori duke krijuar ate, kishte në mend një projekt më të madh. Në të vertetë, elemente e sentenca muzikore të “Bareshes” hasen edhe në dy simfonitë e Mulliqit. Më vonë, ai bëri edhe një variantë orkestrale të “Bareshes” dhe kështu, ky kompozimi u bë kriter i standardeve për komponimin e këngëve në frymën e melosit popullor, për krijuesit tjerë.
Vitët e Prishtinës, do të jenë periudha më e frytshme në jetën artistike të Rexho Mulliqit. Ai u shëndrrua në institucion, që vuri themelet e muzikës artistike në Kosovë , posacërisht të simfonisë, si gjini e rëndësishme e këtij arti. E ndiej veten i hendikepuar, që nuk i takoj profesionalisht kësajë fushe për të u thelluar në vlerësimin e veprave të Mulliqit. Mirëpo, duke studijuar jetëhecjën e tij, më lehtë kuptohet e përjetohet muzika që ai krijoi dhe anasjelltas: Duke dëgjuar veprat e tij, ne sot lexojmë jetën e kompozitorit. Rexho Mulliqi është autor i simfonise së parë shqiptare të krijuar në Kosovë dhe pionier i muzikës kamertale në këtë ambient. Ai është edhe i pari shqiptar që shkroi muzikë filmi në Kosovë. Më përjashtim të operas, Mulliqi krijoi në të gjitha gjinitë, nga muzika kamertale e deri tek këngët për fëmijë. Ndër veprat tjera të njohura të tij janë , Simfonia nr. 1 (1955), Simfonija e Dyte Kosovare, Fantazija simfonike, “Akuarelet e Prizrenit”, “Legjenda per violine dhe piano”, pastaj kantatat “Vdekja e heroit”, “Poema per ata”, “Baresha”, kompozimet vokale per kor “Vjeshta” I dhe II, “Kosova”, “Suita e vogel” etj.
Në opusin e tij të pasur artistik,veçohën veprat orkestrale, nga të cilat kurorë e punës së tij është Simfonija e Dyte Kosovare. Ajo është një biografi e Kosovës dhe poetit. Fillon më një shpërthim jete – në tinguj, si një frymëlindje e nevojë per hapsirë e energji, dhe pastaj qetësohet më piano, flautë e instrumente të lehta qe sikur pikturojnë natyrën shqiptare të femijërisë së autorit , apo edhe Dardaninë antike, para një shkundjeje që sikur paralajmëron fortunat historike nëpër të cilat kaloi ky vend. Në pjesën e dytë, ashtu si edhe jeta e kompozitorit dhe ambientit ku jetoi, ky motiv përshkrues piktural ngritet në një dialog dramatik më orkestrën e plotë, zhvilluar në etapat qe secila në vete përbën një rrefim të veantë muzikor, ndonëse kompakte në tërësinë e veprës. Eshtë një veper antologjike cfarë nuk ka egzistuar më heret si gjini në Kosovë. Elemente nga kjo simfoni, janë shfrytëzuar nga autori edhe në muzikën për filmin “Uka i Bjeshkëve të Nemura”, i cili ishte i pari koproduksion i shtëpisë së dikurshme filmike “Kosovafilmi”.
Mulliqi shkroi edhe muzikën për baletin “Nita” dhe “Legjenda mbi ngadhnjimin”, si dhe për shfaqjet teatrore:”Besa”,” Erveheja”,”Nita”, “Fosilet”,”Dundo Maroje”etj. Të gjitha këto, vepra janë realizuar në skenën e Teatrit Kombtar të Kosovës (ish Krahinor). Perpunoi dhe harmonizoi mbi 150 kenge te ndryshme popullore shqipe. Muzika e tij, u jetësua edhe në ekranin filmik e televiziv. Ishte i pari kompozitor shqiptar nga Kosova që komponoi muzikë per film. Filloi me filmin “Kapiten Lleshi” në vitin 1960, ku përdorë motivet e këngës së njohur “Po vijnë krushqit”, mirëpo në një ritem paksa komercial. Ky film i produksionit jugosllav më akorë kombësish të ndryshme, kishte për subjekt luftën antifashiste shqiptare, dhe konfliktin midis komunistëve dhe ballistëve. Filmi është shfaqur gadi në tërë botën, dhe një kohë, ishte hit në vendet e Ballkanit e deri në Kinë. Ne film paraçitën disa aktorë shqiptarë, kurse një rrol kryesor e luan Abdurrahman Shala. Motivi “Po vijnë krushqit”, që në film fatkeqsishte këndohet ne gjuhën serbokroate, është perkëthyer e kënduar ne disa gjuhë të huaja, madje edhe në gjuhën kineze (mandarin). Duke mos dijtur se si ka arrijtur kjo këngë në film, viteve të fundit, në media digjitale, disa të rinjë shqiptarë kanë zhvilluar debate kritike duke besuar se “serbët, e kanë vjedhur këtë këngë shqiptare për filmin e tyre”. E vërteta është se kjo këngë shqipe ka hyrë aty nga Rexho Mulliqi, emri i të cilit qëndron më autorët tjerë të filmit. Sot, ky detal duket i parëndësishem, mirëpo në vitët e gjashtëdhjeta ishte pjesë e afirmimit të folklorit tonë. Mulliqi, shkroi muzikën edhe per filmat: ” Uka i Bjeshkëve të Nemura”, ” Era e Lisi”, “Qerim hesapesh”, si dhe për një numer filmash dokumentar.
Rexhep Mulliqi ishte njeri i qetë e modest, më një kulturë europiane për kohën e tij. Një shpirt lirik, në një kohë të zymtë. I kishte ndodhur qe të fitojë edhe shpërblime ndërkombtare dhe këtë informatë të mos e ndaj as më miqët më të afertë.. Një vullkan i qetë – plot energji artistike. Tradicional në komponim, por në hap e në kominikim më kohët e rrjedhat kulturore. Dukej apolitik ne jeten publike, por ishte thellë i shqetësuar për ngjarjet qe e rrethonin. Ishte i heshtur, por plot ide e inovacione krijuese. Mulliqi nuk fliste shumë për të kaluaren e tij as biografinë e tij. Një kohë, edhe disa individë shqiptarë, nga smira ose për arësye tjera, ja mohuan përkatësinë etnike shqiptare. Kur gjatë një vizite në Tiranë e kishin pyetur se çfarë kombësie i takon, ai ishte përgjigjur shkurt : “Pyeteni muzikën time”. Heshtja e tij, fliste gadi sa edhe muzika qe kompononte. Ai nuk e zgjodhi heshtjën, por ajo ju imponua. Ishte i vetëdijshem që hapi dhe fjala e tij kontrolloheëshin nga pushteti. Heshtja e tij ishte protestë. Kompozitori Akil Koci e quajti “kompozitor i harruar”. Ndonjëherë, i vetmuar shoqërohej më një gotë. Por, kur gota e tradhtonte, atëherë nga goja e tij dilte e vërteta, sic kane thënë latinët. E kur Rexho fliste, të tjerët iknin, sepse fjala e tij shixhetë , godiste aty ku të tjeret s’ guxonin. Për shkak të së kaluarës se tij politike, flitej së ishte radhitur në listën e personave nën mbikqyrje të perherëshme nga sherbimi sekret. Njerëzit nga ajo listë, para cdo vizite të Titos ose ndonjë partiaku të lartë jugosllav në Kosovë, izoloheshin ose arrëstohëshin. Pushteti i frigohej fjalës se Rexhës .
Muzika e tij, hyri në në Europë, atëherë kur ne ishim larg sajë. Kompozimet e tij u kënduan ose ekzekutuan, nga Austria deri në Angli, në kohën kur të tjerët fare pak dinin për ne. Dy kënget e tija më të njohura, për kor, janë “Vjeshta” dhe “Vendi im”. “Vjeshta”, në vitin e 1966 ka fituar shpërblimin e parë ne Festivalin Nderkombtar Artistik në Langolen të Anglisë.
Për të i qetësuar pushtetarët e kohës, të cilët mbanin nën llupë punën e tij, Mulliqi aty këtu shkroi edhe ndonjë këngë ose kantatë në tema që u imponohëshin krijuesëve nga regjimi. Mirëpo, ky fakt nuk ia zbeh as ulë vlerën kompozitorit as thesarit muzikor qe la pas.
Jeta e Rexho Mulliqit nuk ishte e qetë as e thjeshtë. Ai dukej sikur bënte jetë boemi, mirëpo në shpirtin e tij, zirëshin kohët e ngjarjet që kishte shkelur e jetuar. Nga fëmijërija barte një plagë të thellë . Ishte gadi foshnje, kur në derë të shtëpsisë së lindjës, i kishin vrarë të atin. Fqinjët joshqiptarë, i kishin thëne “…babanë ta vranë shqiptarët”, kurse pushteti kishte sulmuar shtëpinë më pretekst se aty fshiheshin kaçakët shqiptarë. Dy detale që nuk qëndrojnë sëbashku. Rexhoja u rritë, jetoj e vdiq më këtë enigmë në zemer.
Jeta e tij ishte gadi si muzika që krijoi; E pasur më ngjarje, më ndonjë dashuri, por edhe me drama të stuhishme. Mulliqi vdiq në Prishtinë në vitin 1982. Ishte ai vit i turbulltë për shqiptarët e Kosovës, ndaj shumë adhurues e miq të tij, munguan në ndërimin e fundit para varrit, për shkaqe objektive ose pengesa të natyrës politike. Nuk dijmë saktësisht ku dëshironte ta ketë varrin. Hyri në dheun e vendlindjës, më një ceremoni modeste, duke na e lënë terë pasurinë artistike qe kishte krijuar, si trashegim dhe obligim.Në varrim, nuk u dëgjua asnjë tingull i tij.
. Ata që e harruan për se gjalli, e refuzuan edhe pas vdekjës. Në vendlindjën e tij në Guci, u shpreh ideja që një rrugë të emrohet më emrin e tij, mirëpo kjo u refuzua. Kundërshtarët kishim po atë arsyetim i cili ishte akuzë kundër kompozitorit 60 vjet më parë: Ishte anti-tist, kundërshtar i sistemit etj. U refuzua poashtu edhe vendosja e bustit të kompozitorit në një vend publik afër shtëpisë së lindjës. Duket se prapa këtyre kundërshtimeve, qëndronte një inat i disa fosileve të sistemit të kaluar, të cilët, nuk ja falen Rexhës faktin pse u identifikua – shqiptar. Më vonë një bustë “enigmatike” e kompoziorit u vendosë mbi varrin e tij , mirëpo ajo u coroditë më mbishkrimin cirilicë, i cili fare pak përdoret në këtë mjedis më shumicë shqiptare.
Pas vdekjës së Mulliqit, posaçerisht gjatë luftës, në Kosovë filluan të zhduken deshmitë e punës së tij. Në Prishtinë u zhdukë busta origjinale e kompozitorit, punuar nga i ndjeri Agim Cafëderbasha, pronë e Shoqatës së Kompozitorëve . Nuk dihet nese kjo është busta e vendosur mbi varrin në Guci, ose jo. Familjarët dhe gruaja e tij e parë, Lubica, kishin deklaruar se, busta që po vendosnin ishte punuar nga miqët e Rexho Mulliqit në Kosovë. (!)
Dikush u përpoq të fshijë gjurmët krijuese të Mulliqi lënë në Kosovë . Janë zhdukur të gjitha partiturat origjinale të kompozitorit në Prishtinë. Disa akuzojnë të bijen, e disa thonë se ato gjenden në Vjenë e Berlin. Janë djegur madje edhe disa kopje të partiturave, që gjëndëshin në ndërtesën e ish Radiotelevizionit të Prishtinës, tash RTK. Ky fakt, poashtu ngritë dilema e pyetje të reja, pasi që e bija e tij, ishte përgjegjëse e Pruksionit muzikor të RTP-së në prag , dhe gjatë luftës në Kosovë. Pas dëbimit të punëtorëve shqiptarë nga Radio Prishtina, në vitin 1990, ajo mori timonin e drejtimit të Produksionit Muzikor të këtij institucioni, ndaj ka pasur të gjitha kompetencat dhe obligimin moral e familjar për të i siguruar ato nga “zhdukja”.
Muzeu Kombtar i Kosovës, nuk besojmë të ketë ndonjë dokument apo gjësend të ruajtur nga kompozitori më i madh i shtetit të ri. Në vend të investimit për gjetjen e partiturave, apo konzervimin e ndonjë shënje personale të kompozitorit, ky muze shpenzoi para do vitësh mbi 10.000 euro, për të bërë një video-klip të këngës “Baresha”. Realizmi ishte nën nivelin e këngës, ndaj këngëtarja Pagarusha e ndaloi atë . Nuk kishim dëgjuar më parë qe muzeu të bej klipe muzikore. Pas gjashtë dekadash, Tirana arrijti të siguroi partiturat e Çesk Zadesë nga muzika e filmit “Skenderbeu” te humbura në Moskë në vitin 1952. Një shembull për mësim…
Disa individë e institucione, si Filharmonija e Kosovës, i shprehen respektin e tyre Mulliqit, aq sa kishin mundësi. Në solemnitetin e shpalljës së pavarësisë, u egzekutua premierë, Simfonija e tij e Parë . Kompozitorit ju nda, pas vdekjës, edhe shpërblimi “Niket Dardani”.
Para një viti, edhe vajza e tij e vetme, nga martesa e parë, Vesna, hodhi një gurë akuze. Ajo na kritikoi pse po e “bëjmë” Mulliqin shqiptar, cfarë ai nuk ishte, shkroi ajo. S’ka dyshim së vajza është e ndikuar nga e ëma ose rrethi i sajë nacionalist serb. Ajo vetë, jetoi në Kosovë dhe ishte e privilegjuar pikërisht pse mbante mbiemrin Mulliqi, të cilin ajo preferon ta shkruaj “muliç”. Këndoi edhe në festivalin “Akordët e Kosovës”. Megjithëkëte, për hir të Rexho Mulliqit, shqiptarët ja shtrinë dorën Vesnës, duke e ftuar ate në manifestimin përkujtues për të atin, në Prishtinë. Ajo refuzoi ftesën..
Edhe pas tërë këtyre gjurmëve të thella lënë në kulturën tonë, disa akoma kontestojnë origjinën dhe biografinë artistike shqiptare të Rexho Mulliqit. Ata qe sot duan ta përvetsojnë Mullqin, nuk treguan këtë interesim për së gjalli. Rexho Mulliqi më se paku u ekzekutua në Serbi. Veprat e tij u ekzekutuan në Vjenë, Berlin, Amsterdam e disa qendra qytete tjera europiane, por jo në Beograd, ku u shkollua e burgosë. Para një muaji (dhjetor 2013) Simfonija e Dytë Kosovare , u ekzekutua madje edhe në Podgoricë, nga Orkestra Simfonike e Malit të Zi. Ishte ky i vetmi ekzekutimi i gjallë premierë i kësajë vepre, në këtë pjesë të Ballkanit. Kjo simfoni e shkruar në vitin 1972, ishte publikuar më heret, por vetem si inçizim, nga Orkestra Simfonike e Lubjanës. Polemika rreth Mulliqit na e kujton betejen midis serbeve e kroateve, per “pervetesimin” e nje kompozitori tjeter te famshem. Njerin nder kompozitoret me te medhenj te Ballkanit Josip Shtolcer (Sllavenski), serbet e quajn serb, ndonese ai, gjithnje eshte deklaruar kroat dhe ka lindur ne Kroaci. Shtolcer eshte i pari kompozitor nga ky rajon qe ne muziken e tij perdori folklori shqiptare. Qysh ne vitin 1936 ai publikoi ne Paris “Kenget shqiptare”.
Kuj i takon Rexho Mullqi? Ai sëpari i takon muzikës. Artit më të vjetër të botës. E muzika u takon të gjithëve. Pastaj i takon kulturës shqiptare. Por, u takon edhe të gjithë atyre qe e duan e respektojnë punën e tij. Ate nuk kemi nevojë ta bëjmë ne – shqiptar. E bëjnë veprat e tij. Aktori Bekim Fehmiu, për së gjalli gjithnjë u identifkua si shqiptar, mirëpo mungoi në filmat shqip. Rexho Mulliqi, e bëri të kundërtën: Nuk eksponoi shumë nacionin e tij, mirëpo punoi, e krijoi – shqip. Kritikë e kundërshtarë , ja lëkunden emrin e eshtrat disa herë, por, veprën e tij – jo. Ai mbetet kompozitori më i madh qe ka dhënë Kosova, dhe njëri ndër krijuesit më të mëdhenjë të muzikës artistike në botën shqiptare. Më Çeskë Zadenë ,i cili priu në këtë fushë, janë dy etërit e simfonisë shqiptare.
Diskutim rreth këtij postimi