Autori thekson se është marrë për vite me radhë me studimin e Lëvizjes Çetnike. Ai ka botuar monografinë “Draža Mihailović në pasqyrën e dokumenteve historike”, si dhe artikuj në gazetat “Politika” dhe “Borac” të SUBNOR-it (Organizata e Luftëtarëve të Luftës Nacionalçlirimtare në Serbi). Ai deklaron qartë se qëllimi i tij është të argumentojë se ushtria çetnike ka qenë një organizatë terroriste, jo vetëm përmes sjelljes ndaj armikut, por edhe përmes terrorit ndaj popullsisë vendase, veçanërisht ndaj myslimanëve shqiptarëve dhe boshnjakëve.
Programi çetnik i shtatorit 1941 parashikonte:
- Spastrimin etnik të Sanxhakut, Luginën e lumit Limit, Bosnjës Lindore dhe pjesëve të tjera me popullsi joserbe.
- Në dokumente të ndryshme, përfshi shënime personale të Mihailović-it, përmendet ideja e dëbimit ose shfarosjes së myslimanëve -shqiptarëve si “zgjidhje radikale”. Për shembull, Mihailovići ka shkruar: “Në momentin e duhur të gjithë myslimanët- shqiptarët do të dëbohen nga vatrat e tyre”.
Autori dokumenton me emra konkretë dhe përshkrime detale një seri krimesh çetnike që përfshijnë:
- Vrasje dhe kasaphanë brutale ndaj partizanëve, civilëve, madje edhe kundërshtarëve politikë serbë.
- Masakra kolektive në Jagodinë, Ćuprijë, Paraćin, fshatrat e Sanxhakut dhe shumë vende të tjera.
- Tortura të përbindshme: therje me thikë, prerje të gjymtyrëve, përdhunime, djegie të gjalla, varrosje të gjalla, dhe akte të tjera mizore.
Shembuj:
- Vrasja e një vajze myslimane 11-vjeçare afër Zaovina nga një çetnik që e theri me thikë pavarësisht lutjeve të saj.
- Vrasjet e organizuara të grave dhe fëmijëve myslimanë gjatë operacioneve në Sanxhak – Bihor dhe Bosnjë Lindore në janar–shkurt 1943.
- Çetnikët si bashkëpunëtorë të nazistëve
Autori argumenton se: Mihailović dhe udhëheqja çetnike shpesh bashkëpunuan me gjermanët dhe qeverinë kuislinge të Nedićit. Janë regjistruar raste të shitjes së robërve partizanë tek gjermanët, duke përfshirë edhe gratë.
Çetnikët kishin një sistem të brendshëm të terrorit me “treshe të zeza” që ekzekutonin: Anëtarë të dyshuar për lidhje me partizanët; Komandantë të dyshuar për mosbesnikëri (si Kosta Pećanac apo Jevrem Simić); Edhe vetë baballarë të komandantëve (rasti i Predrag Raković që urdhëroi vrasjen e babait të tij)
Autori mbështet tezën që: Ushtria çetnike nuk ishte as nacionaliste në kuptimin klasik, as vetëm anti-komuniste, por ishte një formacion terrorist i organizuar, që ushtronte dhunë sistematike ndaj popullsisë civile dhe kundërshtarëve.
Programi politik i çetnikëve të shtatorit 1941 parashikonte, ndër të tjera, pastrimin etnik të Sanxhakut, sidomos të Luginës së Lim-it dhe pjesëve të Bosnjë e Hercegovinës. Programi parashikonte një pastrim të tillë etnik që në “tokat serbe” të mbetej vetëm popullsia serbe, ndërsa problemi i myslimanëve të trajtohej në këtë fazë të luftës, si dhe “spastrimi radikal i qyteteve”.
Gjatë vitit të parë të kryengritjes kundër okupatorit në Jugosllavi, në lëvizjen çetnike shfaqen dy fenomene të veçanta: Terrori ndaj popullsisë së vet dhe Kulti i thikës, përkatësisht therja e njerëzve si formë vrasjeje dhe “betimi mbi thikë”
Institucioni i therjes së njerëzve – kundërshtarëve politikë – ishte ideuar dhe zhvilluar personalisht nga koloneli i atëhershëm i ish Ushtrisë Mbretërore të Jugosllavisë, që më vonë u bë gjeneral dhe mori tri grada gjenerali në mënyrë të përshpejtuar (nga dhjetori 1941 deri në qershor 1942), pikërisht në kohën kur kishte filluar bashkëpunimi me okupatorin dhe ushtrimi i terrorit ndaj popullsisë vendase përmes metodës së “treshes së zezë” (serbisht: crne trojke), e cila sipas urdhrave të Draža-s u formua në të gjitha njësite çetnike.
Sipas detyrave të këtyre “treshave”, të cilat populli i quajti me emrin e vërtetë “treshe të zeza”, anëtarët e saj betoheshin mbi thikë se do të kryenin therjen – dhe nëse nuk e kryenin, i priste dënimi me vdekje.
Individët, robër ose simpatizantë të lëvizjes nacionalçlirimtare, shënoheshin fillimisht me famëkeqin shkronjën “Z” (si “zaklati”, që do të thotë “për t’u therur”), e më pas likuidoheshin. Gjatë hetimit të Mihailović-it në gjyq, në pyetjen “Kush i shënonte me shkronjën ‘Z’?”, ai u përgjigj: “Unë i kam shënuar me ‘Z’.”
Për një periudhë (qershor–shtator 1942), listat me të dënuarit me “Z” u publikuan edhe nga BBC-ja në Londër, por kjo “turpërim morale” u ndalua më vonë nga ministri i Jashtëm britanik Anthony Eden.
Kronikë e shkurtër e vrasjeve më të egra
Në monografinë e përmendur për Draža Mihailović-in, kam trajtuar një numër të madh krimesh çetnike: therje, masakra ndaj partizanëve të zënë rob, simpatizantëve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, e të tjerë. Në këtë punim do të paraqes, sipas vlerësimit tim, disa nga krimet më të rënda dhe më karakteristike.
Në fillim të shkurtit 1942, kur një pjesë e njësive partizane u detyrua të tërhiqej nga rajoni i Nova Varoš-it dhe Zlatarit përmes lumit Lim, çetnikët kapën vëllanë dhe motrën Spasojević – Milena (nxënëse e shkollës normale dhe anëtare e komitetit të rrethit të SKOJ-it) dhe vëllanë e saj Dragoslavin, bujk.
Të dy i nxorën për ekzekutim. Ia dhanë armën djaloshit dhe i urdhëruan ta pushkatonte motrën e vet, duke i premtuar se do ta falnin. Djali u ligështua, e lëshoi pushkën dhe ra pa ndjenja. Çetnikët e pushkatuan Milenën, ndërsa djalin e “falën” dhe e kthyen në fshat – por shpërndanë lajmin e rremë se ai kishte vrarë motrën. Vetëm pas një kohe të gjatë dhe me shumë vështirësi, djaloshi arriti të përgënjeshtrojë këtë gënjeshtër të tmerrshme.
Therja e komunistëve në Guçë- (nëntor 1941)
Në një sulm çetnik gjatë natës në qytetin Guçë, u zunë rob dy figura të rëndësishme të lëvizjes komuniste:
- Milan Bato Janković, anëtar i Komitetit Krahinor të PKJ-së për Čačak
- Rade Prelić, komandant i qytetit të Guca-s
Të dy u torturuan dhe u therën. Jankovićit ia prenë mollëzën e fytit (“adamin”) dhe e vendosën në një kavanoz me alkool, të cilin ia dërguan nënës së tij me postë (!) – “Zonjës Jela Janković, Čačak”.
Kasapi me sëpatë – Milan Vukosavljević “Bisha”
Në dhjetor 1941, gjatë pushtimit të dytë të Čačak-ut, bashkë me “vullnetarët” e Ljotić-it, erdhi edhe një katil çetnik i njohur, Milan Vukosavljević. Ai ishte i armatosur me një sëpatë të vogël dhe shoqëronte çdo ekzekutim të robërve partizanë – duke i prerë kokat apo gjymtuar kufomat. Populli e quajti “Milan bisha”, për shkak të egërsisë së tij.
20 dhjetor 1941 – Urdhri për spastrimin e Sanxhakut nga myslimanët
Draža i dërgon urdhër majorit Đorđije Lašić dhe kapitenit Pavle Đurišić:“Të pastrohet zona e Luginës së Lim-it drejt Bijelo Polje, Sjenicë dhe Peshteri nga popullsia myslimane- shqiptare.”
Në 2 janar 1943, Mihailović urdhëroi “pastrimin e qarkut të Čajniče-s” si hakmarrje për sulmet ndaj serbëve.
Koloneli Zaharije Ostojić shtoi:“Sançaklinjtë duhet të theren…”
6 janar 1943 – Raporti i Pavle Đurišić ( për gjnocdidin në Biohor): 400 myslimanë luftëtarë të vrarë , 1.000 gra dhe fëmijë të vrarë. Kafshët dhe pasuria e plaçkitur. Më 13 shkurt 1943 ai raportoi për 1.200 luftëtarë myslimanë dhe 8.000 gra, pleq e fëmijë të vrarë në rajonet e Foçës, Čajniče-s dhe Bijelo Polje-s.
Çetnikët si organizatë e vetë-dëshmuar terroriste
Autori thekson: dëshmitë vetjake të çetnikëve – nga urdhrat e Mihailović-it, raportet e Kalabić-it, ditarët dhe urdhrat zyrtarë – janë dëshmi më e fuqishme për karakterin terrorist të kësaj ushtrie sesa çdo burim tjetër “armik”.
Metodat e përdorura nga ekzekutorët çetnikë ishin ndër më çnjerëzoret e mundshme. Thika për therje u bë një objekt i shenjtë për ta.
- Betimi nuk bëhej mbi kryq, por mbi thikë – me detyrimin që urdhrat e komandantëve të përmbusheshin pa hezitim.
- Ka dëshmi që pasi kryenin therjen, disa çetnikë lëpinin thikën e përgjakur, si në ndonjë ritual sadist.
- Në raste të tjera, mbledhnin gjakun e viktimave në tasa dhe e pinin, “për shpirtin e të vrarit”.
Disa krime të tjera që përshkruhen:
- Grave u priteshin gjinjtë, burrave hundët, veshët, apo edhe u nxirrej zemra, si në një rast afër Čačak-ut, ku një partizan i guximshëm vrau rojen e tij dhe u qëllua nga të tjerët – pas vdekjes, çetnikët i nxorën zemrën “që ta shihnin sa e madhe ishte zemra e një trimi”.
- Disa viktima u hodhën në zjarr, si rasti i Mustafa Davadžić-it, që u pjek mbi hell nga çetnikët e Romanisë.
- Në Drugovac, fshatarë u hodhën të gjallë në zjarr.
Vrasje me gurë – një metodë e veçantë.- Pas torturave barbare (varje për këmbësh, therje me gjilpëra nën thonj, rrahje), ata u vranë me gurë – një mënyrë e rrallë ekzekutimi.
“Riedukimi” i robërve – shndërrimi i partizanëve në çetnikë,- Një praktikë tjetër e tmerrshme ishte ajo që autori e quan “janitarizëm”:
- Robërit partizanë nuk vriteshin menjëherë.
- Fillimisht u shpërlahej truri: u thoshin se kishin qenë në anën e gabuar, se partizanët ishin tradhtarë dhe se kishin mëkatuar ndaj mbretit.
- Më pas i dërgonin në therje që të shihnin si bëhej, e më vonë, vetë i nxisnin të merrnin pjesë.
- Kishte raste që ata vetë bëheshin kasapë, siç dëshmon studiuesi Vladimir Nikšić Lale: në zonën e Čačak-ut, nga 79 çetnikë kasapë, 6 ishin ish-partizanë të “riedukuar”.
Shitja e partizanëve te gjermanët – “danak në gjak”.- Në nëntor 1941, çetnikët kapën qindra partizanë në zonën e Užice-s dhe i grumbulluan në Planinica, në malin Ravna Gora. Major Aleksandar Mišić, djali i gjeneralit legjendar Živojin Mišić, u mbajti një “fjalim patriotik”. Premtoi se nuk do t’i dorëzonin tek gjermanët – por pastaj i shiten për para: 350 partizanë për 3.000 dinarë secili. Midis të robëruarve ishte edhe një doktoreshë, që i tha Dražës se nuk do të shëronte çetnikët sepse ata i kishin vrarë nënën dhe motrën. Mihailović e qëlloi me pistoletë në vend.
Nën thikën e “treshes së zezë” ranë edhe vetë komandantë të çetnikëve: Božo Ćosović – Javorski, 1943, u vra nga bashkëkomandantët e vet; Milutin Janković, komandant në Dragačevo, u vra nga vetë kumbar i tij – Draža Mihailović; Jevrem Simić, mik i vjetër i Mihailović-it, u ther; Kosta Pećanac, u ther në 1944; Masar Đurović, Radomir Đekić, Ilija Pažina, etj.
Në një rast, komandanti Filip Ajdačić urdhëroi që t’i pritej koka komandantit çetnik Kondor (Dušan Radović), dhe koka u mbajt në thes për të frikësuar fshatrat.
Në tetor 1941, gjatë një beteje me gjermanët afër Ljuljaci dhe Bare, çetnikët ishin në pozicionet përballë. Pasi gjermanët u tërhoqën, çetnikët masakruan kufomat: u prenë organet gjenitale dhe u futën në gojët e tyre. Kur gjermanët e kthyen terrenin, fotografuan kufomat dhe më vonë fotografitë ia treguan Mihailović-it në një takim në Divci më 11 nëntor 1941. Ai u përgjigj: “Nuk e di. Nuk kam dhënë urdhër.”
Reagimi i gjermanëve: “Kjo nuk e zbut përgjegjësinë tuaj.” Më pas, kur Nedić u prit nga Hitleri në fund të vitit 1943, ky i fundit u tha: “Ju serbët na keni kafshuar dy herë: më 27 mars [1941] dhe me kasaphanën e kufomave të ushtarëve tanë.”
Autori përmbyll me konstatimin e drejtpërdrejtë: Ushtria çetnike e Draža Mihailović-it u transformua në një organizatë terroriste, që ushtroi gjenocid në zona si Vraniq, Jagodinë, Sanxhak, Foçë, e tjerë.
Radovanović dëshmon, me një ton të dokumentuar dhe pa ekuivoke, se Lëvizja Çetnike përbënte një organizatë të mirëfilltë terroriste me objektiva gjenocidale, e karakterizuar nga sadizëm, bashkëpunim me pushtuesin, dhe pastrim etnik sistematik.
Ky burim paraqet një dëshmi të rrallë në diskursin historiografik serb, dhe është i pazëvendësueshëm në analizën shkencore për krimet në Sanxhak, në veçanti në kuadër të studimeve mbi gjenocidin e Bihorit në janar 1943 dhe reflektimin e tij në krijimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
/Ismet Azizi/
Discussion about this post