Shkruan: Ramiz TAFILAJ – Houston, Texas / SHBA
Gjeopolitika e Fuqive të Mëdha, në historinë tonë si komb, zakonisht ka qenë e pamëshirëshme ndaj nesh. Qoftë në Kongresin e Berlinit (1878) apo Konferencën e Londrës (1912-‘13), si dy nga ngjarjet me peshën më të madhe historike e politike të historisë moderne, shqiptarët u dëmtuan jo vetëm territorialisht, por edhe si komb. Arsyeja e vetme, anipse jo e arsyeshme, ishte akomodimi i interesave të Fuqive të Mëdha të kohës duke ledhatuar sa s’duhet vendet si Serbia. Vetëm më 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, një nga këto fuqitë e mëdha të kohës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e Presidentit Woodroë Wilson, kishte ndërruar qasje: “Shqipëria duhet të jetë e pavarur,” kishte theksuar ky burrështetas amerikan duke përdorur veton që kishin SHBA-të kundrejt krejt planeve për të copëtuar Shqipërinë në tërësi, duke zhbërë kështu të vetmin shtet shqiptar në Europë dhe duke lënë shqiptarët komplet nën mëshirën dhe sundimin e shteteve fqinje, si Greqia, Mali i Zi e Serbia. Këtë fat nuk e patën Kurdët, të cilët nuk janë më as shtet e as kombe.
Besoj se nuk do shumë koment se si do ishim, apo më mirë thënë, si s’do ishim fare sot ndoshta as si shqiptarë e leje më si shtete që tani në kemi dy- Shqipërinë dhe Kosovën- pa këtë ndryshim drastik të politikës së SHBA-ve karshi shqiptarëve në Evropë të filluar nga Presidenti Wilson! Besoj se nuk duhet shumë analizë për të kuptuar se vet ekzistenca jonë e sotme si shtet e komb është duke iu faleminderuar SHBA-ve.
U deshtën gati edhe një shekull, që më 1999, përsëri të bëhej Amerika shpëtimtari i shqiptarëve të Kosovës dhe realisht pagëzuesi i shtetit më të ri në Kosovë, Republikës së Kosovës, kur në linjë me Wilson më 1919, ishte George W. Bush më 2007 që kishte deklaruar midis Tirane se “mjaft është mjaft, Kosova do jetë e pavarur!”
Sot, mbi një shekull pas shpëtimit të ekzistencës që na e bëri Amerika si shtet e komb dhe mbi dy dekada pas shpëtimit të Kosovës, që përsëri u bë falë SHBA-ve (kuptohet, edhe aleatëve të tjerë, gjithësesi) është shumë paradoksale të shihet një përkeqësim i marrëdhënjeve diplomatike në mes Kosovës e SHBA-ve. Kur kreu i diplomacisë së SHBA-ve e dënon publikisht Qeverinë e Kosovës dhe vet kreun e saj, dhe kur i fundit sillet si pasha ndaj aleatit më të pazëvendësueshëm e besnik të shqiptarëve e veçanërisht Kosovës, duket se busulla e orientimit gjeopolitik të Kosovës është totalisht e hutuar, për të mos thënë thellësisht e gabuar.
Bota dhe interesat politike ndërkombëtare as nuk varen e as nuk determinohen aspak nga Kosova. E kundërta është e vërtetë: veprimet e Kosovës- deshtëm apo s’deshtëm ne- orientohen, drejtohen dhe përcaktohen nga këto interesa. Krejt çka ne duhet të bëjmë është ta ruajmë kursin e veprimeve tona në linjë me SHBA-të. Pjesa tjetër është teknike.
Çfarëdo devijimi ynë nga kursi i një linje me SHBA-të është braktisje e një superanije për të ruajtur pozitën e një kapiteni të një barke as pa motor, në ujrat tmerrësisht të trazuara të një oqeani gjeopolitik ndërkombëtar. Stuhija që ka trazuar këtë oqean quhet Ukrainë. Andaj, siç e ka thënë edhe miku im i çmuar dhe ambasadori ynë pa portofol në SHBA, Dr. Faton Bislimi, “ky është momenti kur ne duhet të shohim përtej gardhit!” Ky është momenti kur ne duhet të jemi vizionarë e të mos luajmë me formalitetet kundrejt realiteteve. Teoria është e bukur në shpjegimin e fenomeneve, por është praktika ajo që i shkakton fenomenet. Sovraniteti si koncept teorik është impresiv, sidomos për një vend si Kosova, por realizimi i tij praktik është shumë i komplikuar sesa shihet nga kuptimi i shkronjave në ligj a kushtetutë. Fundja, edhe vet Kushtetuta flet jo vetëm për kuptimin bukfal të shkronjës, por edhe të shpritit të saj- pra, domethënjes së qëllimit për të cilën ajo është aty.
Veriu i Kosovës është pjesë integrale e Republikës. Askush nuk mund e as që duhet të mendojë ndryshe. As Amerikanët. Por, krijimi i një situate që ndoshta qëllimin e ka pasë shumë të mirë, por rezultatin goxha të keq, nuk i shërben Republikës së re të Kosovës. Nëse çarja me SHBA-të bëhet normë, Kosova humbë. Ne fitojmë, siç na mëson historia, vetëm atëherë kur jemi në linjë me SHBA-të. Fitore tjetër as nuk kemi pasë, e frigoj as që do të kemi. Po e lëshuam superanijen SHBA, dallgët e oqeanit të trazuar politik mund ta gëlltisin shpejt barkën tonë të vogël pa motor. Kapiteni e krejt ekuipazhi i tij s’do marrin lavdinë për fundosjen e atyre pasagjerëve. Pos mallkim!
Huoston-Teksas,
më 6 Qershor 2023
____________
Ramiz TAFILAJ është aktivist shqiptaro-amerikan që jeton e vepron në Houston, TX – SHBA. Për kontributin e tij për kauzën kombëtare, ai është nderuar edhe nga Presidenti i SHBA-ve me Medaljen e Arritjes Jetësore. Ai është gjithashtu anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë dhe mban Titullin e lartë Presidencial “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Diskutim rreth këtij postimi