Kjo marrëveshje është njëra nga tri marrëveshjet e nënshkruara në nëntor të vitit 2022 në kuadër të Samitit të Berlinit.
E njëjta pritet të votohet sot edhe në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës. Nëse marrëveshja miratohet sot në Këshillin e Ministrave, e njëjta dërgohet më pas për miratim në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës.
Prezantimin e kësaj marrëveshje para deputetëve e ka bërë kryeministri Albin Kurti i cili ka thënë se është optimist se e njëjta do të ratifikohet edhe në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Marrëveshja që zuri më së shumti vend tek opinioni publik jo vetëm në Kosovë, ishte ajo për lëvizje të lirë vetëm me karta të identitetit. Me Bosnjën dhe Hercegovinën ne kemi marrëdhënie të vështira për shkak të vetos së Republikës serbe atje, por edhe kryeministri i Bosnjës dhe Hercegovinës që është serb po ashtu nënshkroi në Berlin dhe kjo na bën optimist që edhe atje do të mund të ratifikohet kjo marrëveshje dhe të mundësoi qarkullimin nga Kosova në Bosnjë dhe anasjelltas vetëm me karta të identitetit”- ka thënë Kurti.
Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse.
Kuvendi sot ka miratuar edhe dy marrëveshjet tjera të nënshkruara në Berlin.
Me 83 vota për asnjë, kundër dhe asnjë abstenim u ratifikua marrëveshja për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor.
“Liria e shërbimeve mundësohet përmes njohjes së diplomave dhe profesioneve të cilët bëjnë të mundur lëvizshmërinë të bizneseve dhe të profesionistëve bëhet fjalë për mjekë dentistë stomatologë dhe arkitektë. Heqja e barrierave do të rrisë mobilitetin dhe potencialin e shërbimeve e të përfitimeve për të gjithë”- tha Kurti për këtë marrëveshje.
Ndërsa, më 84 vota për, Kuvendi ratifikoi edhe marrëveshjen për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore,
Nënshkrimi i këtyre 3 marrëveshjeve mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, vjen pas gati dy viteve negociata.
Procesi i Berlinit u themelua në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares Angela Merkel.
Kjo iniciativë kishte qëllim krijimin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të lartë zyrtarë “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor” ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile të rajonit.
Arjana Berisha
kallxo.com
Diskutim rreth këtij postimi