IDRIZ ZEQIRAJ
Në Mynih të Bavarisë gjermane, Nëndegët e LDK-së në Mynih, me kryetarin e ri, Bashkim Halilaj, dhe Starnberg, me kryetar Musa Hamza, organizuan Akademi Përkujtimore, kushtuar luftëtarit të Kosharës dhe kryetarit të Nëndegës të LDK-së në Mynih, Isuf Qetaj dhe krijuesit letrar e veprimtarit Fran Tanushi. Intonimi i Hymnit kombëtar dhe atij dardan, hapi aktivitetin në fjalë.
Nënkryetari i Nëndegës së LDK-së në Mynih, Blerim Cakiqi, përshëndeti familjet Qetaj e Tanushi; familjet e dëshmorëve: Gërvalla, Krasniqi, Zemaj, Hajdaraj, Bruqi, Rrahmani, Demaj, Zeqiraj dhe të të gjithë të rënëve për liri.
Tashmë, në cilësinë e moderatorit, Blerim Cakiqi, përshëndeti Nënkryetarin e LDK-së, Anton Qunin; deputetin Armend Zemaj; kryetarin e Degës të LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi; Presidentin e Partive PAN Evropiane, Kristian Hofer, me bashkëshortën Saranda Musliu, ish-deputete e Kosovës; Shoqatat: “Abeja” në Freissing, “Sali Çekaj në Pfaffenhofen, “Ilirida” në Landau, Shkollën shqipe “LAPSH” në Bavari, Lidhjen e Krijuesëve Shqiptarë në Mërgatë, Bashkësinë Islame në Mynih, veprimtarin veteran, Nikollë Skelaj dhe të gjithë të pranishmit
Programi filloi me recitalin e dy vajzave nga Shoqata “Abeja”, Aleta Haxhiaj dhe Ariana Haxhiaj, të cilat përformuan me recitalin, kushtuar dy veprimtarëve, të pushkës dhe të pendës, përkatësisht, Isuf Qetaj dhe Fran Tanushi. Poeti Ibrahim Hoxha deklamoi monologun kushtuar Isuf Qetaj dhe më pas monologun kushtuar Fran Tanushit, të realizuar përmbajtësisht dhe artistikisht, që u pëlqyen shumë nga të pranishmit.
Moderatori Cakiqi, ftoi në foltore ish-kryetarin dhe veprimtarin veteran të Nëndegës të Starnbergut, Fazli Gashin, për të folur për jetën dhe veprimtarinë e luftëtarit dhe të veprimtarit të përkushtur, Isuf Qetaj:
“Një veprimtar i çështjes kombëtare, si Demë Qetaj, ishte krenar që djali i tij ishte rritur, për t`i dalë zot Atdheut, andaj i dha bekimin e tij dhe të familjes, për t`u bërë luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për misionn më sublim, çlirimin e Atdheut.
Isuf Qetaj shkoi në Koshare, dhe iu bashkua, tanimë, heronjëve të Kosovës, komandant Sali Çekaj, Agim Ramadanit, Abaz Thaçit, Xhemajl Fetahut, Izet Demaj, Anton Qunit, Hysen Berishës, Fadil Hadëgjonaj, Skënder Hasanxhekaj, Milazim Maraj, Rrustem Berishës dhe gjithë atyre burrave të idealit, të cilët kishin ndërmarrë një mision të shenjtë, shkuljen e gurit të kufirit shqiptaro-shqiptar dhe çlirimin e vendit. Këtë mision ata e realizuan me sukses dhe bënë krenar gjithë kombin shqiptar.
Isufi, jo vetëm që luftoi për çlirimin e Kosovës, por edhe derdhi gjak për të. Ai u plagos në Kosharën epike të krenarisë sonë kolektive. Dhe, pasi u shërua, edhe pse iu sygjërua e kundërta, ai u kthye prap dhe iu bashkua shokëve në vijën e frontit, duke luftuar deri në çlirimin përfudimtar të Kosovës.
Kohën e kaluar në luftë, ai e vlerësonte si periudhën më të lumtur të jetës së tij.
Për shkak të mosfunksionimit të institucioneve rehabilituese për luftëtarët, Isufi së bashku me familjen e tij u bë institucion, duke u ardhur në ndihmë jo vetëm bashkëluftëtarëve dhe familjeve të tyre, por edhe shumë familjeve tjera që ishin në nevojë.
Isuf Qetaj vendosi t`i kthehet aktivitetit në LDK në Bavari. Në vitin 2015 u zgjodh anëtar i Kryesisë së Degës të LDK-së në Gjermani. Në Kuvendin e 9-të Zgjedhor, ai zgjidhet kryetar i Nëndegës së LDK-së në Mynih, Ndërkohë, ai u ngarkua edhe me detyra tjera në Shoqata, si anëtar i kryesisë në Shoqatën e zëshme “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, si dhe në forma të tjera të organizimit të shqiptarëve në Gjermani.
Isuf Qetaj kishte vullnet të çeliktë dhe energji të paparë. Punonte këtu bashkë me vëllezërit, poashtu punonte e projektonte punët në Kosovë, mirrej me fëmijtë e vet të vëllezërve që aq shumë i donte e me aq butësi i trajtonte. Isufi angazhohej shumë seriozisht në aktivitetin e shoqatave e në veçanti në aktivitetet e LDK-së në Gjermani dhe në Kosovë. Nuk i harronte asnjëherë as shokët e idealit, të cilët i vizitonte dhe i përkrahte me aq sa kishte mundësi, në forma të ndryshme.
Kapitull në vete është angazhimi i tij në zgjedhjet e çfarëdo niveli. Lirisht mund të themi se roli i Isufit, në fitoren e LDK-së në komunën e Istogut ishte i pamohueshëm, si në angazhimin e tij në Mërgatë dhe në Kosovë.
Isufi ishte humanist, modest e korrekt, patriot i dëshmuar, idealist e institucionalist i përkryer, punëtor e i palodhshëm, i dobishëm për familje, komb e Atdhe.
Luftëtari Isuf Qetaj, e mbijetoi luftën, por e pësoi në paqe. Një sulm i papritur kardiak, në moshën 41 vjeçare, më 08 dhjetor 2021, na e mori Isufin tonë. Ai u varros me nderime të larta, si luftëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, nën patronatin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Kosharës, pranë shokëve të idealit, në dheun e Kompleksit Memorial të Kosharës, ku ishte pjesë e çlirimit edhe ai.
Baba Demë e Nëna Havë, zonja Besë, të nderuar qofshit dhe e nderuar qoftë familja Qetaj, për jetë e mot!
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së këtij burri. I lehtë i qoftë dheu i Kosharës legjendare”, – pëmbylli fjalën e tij, për luftën dhe jetën aktive, të Isuf Qetaj, veprimtari i hershëm i Mërgatës shqiptare, Fazli Gashi!
Deputeti Armend Zemaj, duke përshëndetur dhe ngushëlluar Familjet Tanushi dhe Qetaj, si dhe të pranishmit në Akademinë Përkujtimore, veç tjerash tha: “Më vjen mirë që jeni bashkë të gjithë, të prirë nga kryetari i Degës, Osman Ferizi.
Në vijim Zemaj foli për jetën dhe veprimtarinë e poetit, shkrimtarit dhe veprimtarit shumëdimensional, Fran Tanushit. Është shembull tipik i njeriut të përkushtuar për çështjen kombëtare edhe nga Mërgata, ashtu si dikur Luigj Gurakuqi e Fan Noli. Frani si krijues, njeiu i letrave, me botimet e disa librave, me fjalën krijuese artistike, u bë frymëzim për brezat shqiptarë. Ishte i çiltër, i dashur dhe me një angazhim profesional maksimal, për lirinë dhe demokracinë e Atdheut.
Zoti i bekoftë familjet, të cilat i lindën, i rritën dhe i edukuan veprimtarët e devotshëm për liri, pavarësi dhe demokraci, Fran Tanushin dhe Isuf Qetaj”, – e fundoi fjalën e tij përmbajtësore, deputeti Armend Zemaj.
Moderatori Blerim Cakiqi, ftoi në foltore anëtarin e Kryesisë së Degës të LDK-së, Ibrahim Rexhaj, i cili, në emër të Degës dhe kryetarit të saj Osman Ferizi, ngushëlloi Familjet Tanushi dhe Qetaj, duke përshëndetur edhe të pranishmit, ndër të tjera, ai potencoi:
“Amëshimet e hershme të Fran Tanushit dhe Isuf Qetaj, janë një humbje e madhe, jo vetëm për familjet e tyre, por, edhe për komunitetin shqiptar në Mynih dhe më gjerë në Mërgatë e Kosovë.
Të dy, tashmë, të amëshuarit, ishin aktivistë të shkëlqyer. Krijuesi letrar, Fran Tanushi, ishte anëtar i hershëm i LDK-së dhe prezantonte në aktivitetet e saj. Si krijues, kryesisht, poet, me disa libra të botuara, ishte anëtar i devotshëm i Shoqatës së Krijuesëve Shqiptarë, në Gjermani. Ai ishte aktiv në të gjitha veprimtaritë e kësaj Shoqate, brenda dhe jashtë Gjrmanisë. I dashur dhe komunikues me kolegët krijues dhe shqiptarët, dashamirë të fjalës së shkruar.
Isuf Qetaj, ishte djalë i ri, sapo kishte mbushur të 18 vjetët, kur mori vendimin e prerë, për të rrokur armën, në luftën për lirinë e Kosovës. Stërvitjen ushtarake do ta bënte në Papaj të Tropojës, për të qenë i gatshëm, për betejat që e prisnin. Edhe pse i ri në moshë, përkushtimi i tij në kryerjen e detyrës ushtarake, ishte për lakmi. I disiplinuar, i dëgjueshëm, i gatshëm për çfarëdo aksioni luftarak, për çka dëshmojnë edhe plagët e tij.
Respektin dhe dashurinë për komandantët, eprorët e tij ushtarakë, e ruajti si kujtimin e shenjtë, edhe pas përfundimit të luftës.
Komandantët e Kosharës flasin me admirim për ushtarin e devotshëm, Isuf Qetaj. Ai mbajti lidhje të përhershme, ndoshta, më shumë se askush tjetër, me eprorët ushtarakë, të cilët, me përkushtimin e tyre, profesionalizmin e përkryer, arritën thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Ata legjitimuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, me betejat e shumëta, që përbëjnë Luftën e lavdishme të Kosharës. Pjesë e kësaj fitoreje, ishte edhe ushtari i orëve të para, Isuf Qetaj i jonë.
Liria e Kosovës e gëzoi skajshëm Isuf Qetajn. Por, vrasjet në paqe, të pas luftës, pra, vrasjet politike, ashtu si i gjithë populli ynë, i përjetoi rëndë edhe ish-ushtari i Kosharës. Për atë, kriminelët kishin emër. Por, ata ishin dhe janë në shtet e pushtet, drejtues partishë, uzurpuan institucionet, përfshi edhe sistemin e drejtësisë.
Isuf Qetaj ishte një aktivist i shkëlqyer. Fillimisht, u kyç në Shoqatën kulturore-humanitare, Shqiptaro-Gjermane, “Sali Çekaj”, me qendër në Pfaffenhofen të Bavarisë. Nismoi si anëtar i thjeshtë, më vonë anëtar i denjë i Kryesisë të kësaj Shoqate, duke dhënë kontribute solide, në të gjitha nismat humanitare, të cilat i ka ndërmarrë Shoqata sa e suksesshme, aq edhe e zëshme “Sali Çekaj”.
Kyçja në LDK ishte joshje logjike e Isuf Qetaj, sepse ishte partia e parë plurale në Kosovë, me një program të qartë politik dhe atdhetar. Në Kuvendin e 8-të Zgjedhor, u bë anëtar i Kryesisë së Degës, ndëra 4 (katër) vite më vonë, vihet në krye të Nëndegës të LDK-së në Mynih.
Ne do t`i kujtojmë gjithmonë poetin e veprimtarin, Fran Tanushin dhe luftëtarin e Kosharës Isuf Qetaj, që të dy si veprimtarë të përkushtuar të çështjes kombëtare.
Lavdi jetës dhe veprës së tyre fisnike”, – përfundoi fjalën e tij, veprimtari aktiv i Mërgatës, Ibrahim Rexhaj.
Në foto: nga e majta Blerim Cakiqi, Kolonel Anton Quni, Demë Çetaj, Viktor Tanushi, Bashkim Halilaj – në çastin e dorëzimin të – Mirënjohjeve –
Heroi i mbijetuar i Luftës së Kosharës, Kolonel Anton Quni, nënkryetar i LDK-së, së bashku me deputetin Armend Zemaj, të ardhur enkas nga Kosova, për këtë Akademi, evokoi kujtimet për ushtarin Isuf Qetaj, nga lufta në Koshare. Përpos tjerash, Koloneli i nderur Quni, rrëfeu:
“Me autorizimet të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe të komandantit të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Kolonel Rrustem Berishës, përshëndes Familjet Qetaj e Tanushi; kryetarin e Degës, Osman Ferizin; dhëndrrin tonë, Kristian Hofer, me nusen Saranda Musliu, ish-deputete e Kosovës; organizatorët e kësaj Akademie dhe të gjithë ju, të pranishëm.
Ushtarin Isuf Qetaj e njoha në dimrin e vitit 1998, në Qendrën Stërvitore në Papaj. Ishte i ri. Moshatarët e tij vazhdonin shkollën, dëgjonin hitët e këngëve, ndërsa Isufi me uniformë ushtarake, çantë në shpinë, shënjen e UÇK-së në krah dhe armën e mbushur në dorë, kishte zgjedhur luftën.
Qëndrimi dhe shikimi në sy, me qeshje të lehtë, si përgjigje për t`iu përgjigjur thirrjes së kryekomandantit Ibrahim Rugova, për ta mbrojtur dhe çliruar Kosovën.
Fillimisht u caktua në grupin e minahedhësve, një detyrë delikate, sepse një mbushje baroti – më pak apo më shumë -, në vend të armikut, mund t`i dëmtosh shokët. Në batalionin e diversantëve, ku unë komandoja, Batalioni 56 i forcave serbe, u zhduk fare. Vërtet, gëzuam fitore, por, pësonim edhe humbje të ushtarëve tanë.
Isufi përvehtësoi trigonometrinë dhe gjeometrinë, në përdorimin e armatimit, pastrimin e ujit dhe veprimet tjera në luftë e sipër. Është e pamundur të kujtosh luftën e Kosharës dhe të mos e kujtosh ushtarin e disiplinuar dhe trim Isuf Qetaj”, – përmbylli rrëfimin e tij të natyrshëm, njëri nga komandantët më emblematik dhe më të respektuar, të luftës për liri, Kolonel Anton Quni.
Anëtari i kryesisë të Nëndegës të LDK-së, në mynih, Blerim Cakiqi, lexoi telegramet e shumëta, të ardhura nga klube dhe Shoqata të Mërgatës.
Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni dhe kryetari i Nëndegës të LDK-së në Mynih, Bashkim Halilaj, ndajnë – Mirënjohjet – të akorduar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe Nëndega e LDK-së në Mynih, përkatësisht, për Familjen Tanushi dhe Qetaj, të cilat i pranojnë Viktor Tanushi dhe Demë Qetaj. Në emër të dy familjeve në fjalë, falenderoi, fort i emocionuar dhe shumë mirënjohës, Demë Qetaj.
Mjeshtri i zërimit, Florian Zymeri, student i Informatikës, vuri në transmetim këngëtarin Ibrahim Qetaj, me këngën kushtuar Isuf Qetaj, dhe atë të Shaban Krasniqit, kushtuar Fran Tanushit.
Drejtori i RTV-Fontana-, Zeqir Mehmetaj, me kamerën e tij të artë, përveç se i kudondodhuri në Kosovë, Shqipëri, Ulqin e Rozhajë, Iliridë e Kosovë Lindore, po gjenë kohë dhe mundësi edhe për Mërgatë. Ai përcolli, nismë e mbarim, besnikërisht, Akademinë Përkujtimore, kushtuar djemëve veprimtarë, në shërbim të Atdheut-Kosovë, Isuf Qetaj e Fran Tanushi.
Këshilli Organizativ, i përbërë nga: Blerim Hajdaraj, Milaim Gërvalla, Musa Hamza, Blerim Cakiqi, Ibrahim Potoku dhe Bashkim Halilaj, kanë qenë të përkushtuar, për të realizuar këtë Akademi Përkujtimore të suksesshme dhe të dinjitetshme.
Diskutim rreth këtij postimi