Nëse udhëtoni nga Peja për në Mal të Zi e shihni sa është e lidhur pjesa shqiptare e këtij vendi me Kosovën. Udhëtarët e një minibusi që qarkullon në relacionin Pejë-Plavë janë të gjithë shqiptarë nga Mali i Zi. Nëse e marrim qëllimin e këtyre udhëtarëve si kriter të vizitës apo qëndrimit të tyre, fitohet përshtypja se këta vijnë në Kosovë për arsye familjare, kulturore dhe tregtare.
Duke dal nga qyteti, shoferi e ndali minibusin para një restoranti ku bleu dy qese me byrekë dhe dy pica të mëdha të vendosura në kutitë përkatëse. Më vonë, pa patur ndonjë konsideratë për udhëtarët, shoferi u ndalë në pompën e benzinës dhe kur e mbushi rezervarin u kthye sërish në qytet se kishte harruar të blinte një lloj të cigareve të holla e të gjatë që i kishte dhuratë për dikën në Mal të Zi.
Një i ri, dikur rreth 16 apo 17-vjeçar, zuri vend pranë meje në anën e djathtë. Është nga Plava dhe flet shqip me theks të të rinjve prishtinas. Ai është i veshur si çdo i ri londinez dhe në kokë mbanë një kapelë bejsbolli me mbishkrim sportiv në anglisht. Duket si ata djemtë e bukur të Londrës urbane që janë anëtarë të bendeve që aspirojnë një ditë të bëhen ‘rock-star’. Megjithatë, djaloshi është nxënës i medresesë në Prishtinë ku muzika nuk duhet të jetë lëndë e rëndësishme. Ai kthehet në shtëpi për fundjavë së bashku me një grup tjetër të të rinjve që duket se janë anëtarë të një familjeje. Udhëtarët tjerë herë flasin shqip e herë serbisht. Ky është një paralajmërim se jeni duke shkuar në një vend bilingual.
Kur u ndalëm në kufirin e Kosovës, shoferi e futi dorën nën karrigen e konduktorit, i nxori qeset me byrekë dhe ua dha policëve. Në pjesën e kufirit malazez policët dhe doganierët u afruan me mirësjellje dhe shoferi ua dha kutitë me pica. Njeri nga policët e hapi kutinë me buzëqeshje. Përkundër rrugës, më shumë se gjysmë ore picat nuk ishin ftohur. Polici u gëzua dhe i qeshi fytyra. “Hvala, hvala” (Faleminderit, faleminderit), i tha shoferit.
Doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës dhe Malit të Zi duket se janë ‘argatë’ të shoferit i cili e ka për obligim “me ua çu bukën”. Kjo është arsyeja që ne nuk vonohemi në këto dy pika kufitare. Megjithatë, njëri nga doganierët malazez e qortoi një grua për shkak se ajo nga Peja po sillte fasule mbi masën e lejuar. Por, nuk ia konfiskoi e as nuk e gjobiti. Fasulja e kaloi doganën për shkak të picave.
Pika kufitare e Kullës gjendet në lartësi mbidetare prej 1250 metrave. Nga këtu duket se mund ta prekni qiellin me dorë. Me të hyrë në territorin malazez ndryshon natyra. Kodrat e mëdha dhe të thepisura janë të mbuluara me pisha shtatgjata të cilat ofrojnë gjelbërim të përhershëm. Dimensioni i pamjes alpike zgjerohet kur rruga lëshohet poshtë kodrave. Fshati i parë në këtë rrugë është Dacaj që ka shtëpi karakteristike të këtij rajoni. Shtëpitë kanë kulme të pjerrëta dhe janë të shpërndara në shpatije. Fshati është tërësisht i banuar me shqiptarë dhe duket si një panorama turistike.
Rozhaja në shumë aspekte përngjanë me vendbanimet e vogla apo qytezat e Zvicrës dhe Austrisë. Është i ndërtuar mbi disa kodra ku ngrenë shtat shtëpitë e mëdha, të reja dhe të bukura. Qendra e kësaj qyteze është e pastër dhe plot njerëz që shëtisin apo shkojnë në punët e tyre. Aty i takoj, për herë të parë, Ali Dacin dhe Safet Hadroviq Vrbiqkin, të cilët nuk janë hidhëruar edhe pse unë shkoj me vonesë të konsiderueshme. Aliu është mësues në shkollën fillore të fshatit të tij (Dacaj) që
është e vetmja shkollë shqipe në rajonin e Rozhajës. Shkolla ka 25 nxënës dhe 12 mësues. Ky fakt flet mjaft për krizën e shkollës shqipe në këtë vend. Ali Daci është nga të rrallët që lufton ta zgjerojë mësimin shqip edhe në vendbanimet tjera të Rozhajës. Por, mungon interesimi për shkollë të tillë. Beteja, por edhe lufta e tij, është e humbur por Aliu është nga ata që nuk e ngritin flamurin e bardhë.
Rrugës për Novi Pazar, Ali Daci i shpalos detajet e punës së tij dhe vështirësitë e shqiptarëve të kësaj ane. Nganjëherë flasim serbisht në mënyrë që të mos ndjehet keq Hadroviqi, por edhe që ta përfshijmë edhe atë në bisedë. Hadroviqi është letrar i njohur në Mal të Zi dhe më gjerë, dhe ka vepra të përkthyera edhe në shqip. Edhe ai, si intelektual boshnjak, ka hallet e veta.
Novi Pazari, qendra shekullore e kulturës dhe administratës së Sanxhakut, është i ngjashëm me qytetet e Kosovës. Ashtu janë edhe njerëzit. Ngjashmëria me Kosovën është e madhe. Heronjtë e këtyre njerëzve janë shqiptarë. Mburren me Aqif Blytën, Shaban Polluzhën dhe së fundi, gjithnjë e më shumë, me Adem Jasharin. Por, në këtë ngjashmëri ekziston një dallim. Ata që flasin shqip në Novi Pazar dhe Sanxhak përbëjnë një numër jashtëzakonisht të vogël. Për ne që jemi nga Kosova, gjuha që flasin këta njerëz është serbisht, por ata e quajnë boshnjakisht.
Dikur në Sanxhak shqiptarët kanë qenë shumicë, kurse gjuha shqipe ndoshta edhe ka dominuar në rajon. Por, çka ka ndodhur me shqiptarët dhe si është tretur gjuha e tyre shqipe?
Për ta shpjeguar këtë fenomen, duhet të kërkojmë ndihmë nga historia.
Territori që sot njihet me emrin Sanxhak gjendet në Serbi dhe Mal të Zi. Sipërfaqja e tij është rreth 8500 kilometra katrorë dhe ka rreth 400 mijë banorë. Sipas statistikave të vitit 2011, vetëm 4,062 veta janë deklaruar shqiptarë. Pjesa dërmuese janë regjistruar boshnjakë, kurse serbët dhe malazezët përbëjnë diku rreth 30 për qind të popullsisë.
Novi Pazari si qytet dhe Sanxhaku me këtë emër që tregon një kuptim gjeografik dhe njësi administrative territoriale, ka hyrë në përdorim si rezultat i sundimit otoman. Otomanët e kanë pushtuar këtë rajon diku kah mesi i shekullit XV, që ishte pjesë e rëndësishme e shtetit mesjetar serb i cili më vonë qe shndërruar në perandori. Disa kilometra në lindje të kështjellës antike Ras, e cila dikur ishte ilire dhe quhej Arsa, otomanët ndërtuan një qytet të ri të cilin e quajtën Yeni Pazar (Pazari i Ri në shqip ose Novi Pazar në serbisht siç quhet sot). Qyteti u ndërtua në brigjet e disa lumenjve të vegjël që derdhen në lumin Rashka dhe u zhvillua shpejt pasi që e lidhte veriun me jugun e Perandorisë Otomane të pjesës evropiane. U ringjallën rrugët e vjetra tregtare që vinin nga Dubrovniku dhe Bosnja e Hercegovina, por edhe nga Serbia për të dalë në Selanik nëpërmes Kosovës dhe Maqedonisë.
Në këtë pjesë otomanët gjetën një popullsi të përzier, shqiptare dhe sllave. Në pjesën e dytë të shekullit XVII, Evlija Çelebiu e vizitoi Novi Pazarin për të cilin shkroi se ishte qendër e rëndësishme që kishte 50 lagje dhe 1110 dyqane. Rajonin, sidomos Peshterin, e quajti Shqipëri. Sidoqoftë, kompozicioni demografik i Sanxhakut ndryshoi në dobi të shqiptarëve me fillimin e shekullit XVIII, kur në këtë rajon filloi të vendosej një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve që erdhën nga veriu i Shqipërisë dhe Kosovës. Në lidhje me përkatësitë etnike dhe gjuhëve të folura, burimet historike nuk janë shumë të qarta, por duhet besuar se shqiptarët dhe gjuha e tyre duhet të kenë qenë dominante deri në kohën e Kongresit të Berlinit (1878) kur Sanxhaku i Novi Pazarit ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës. Madje, Lidhja e Prizrenit e konsideroi këtë anë si pjesë shumë të rëndësishme të territorit shqiptar.
Megjithatë, gjërat ndryshuan pasi në Berlin, Sanxhaku i Novi Pazarit, së bashku me Bosnjë e Hercegovinën, kaluan nën administrim të Austro-Hungarisë. Vjena vendosi ta administronte Sanxhakun për t’ia pamundësuar Serbisë që të kufizohej me Malin e Zi dhe daljen në Adriatik. Nëpërmjet Sanxhakut, Austro-Hungaria planifikonte që të lidhej me hekurudhë me Mitrovicën dhe ta siguronte okupimin e tërë rajonit deri në Selanik në rast të rënies së Perandorisë Otomane.
Shkrirja e popullatës shqiptare në atë boshnjake kishte filluar më herët, por ajo u shtua dukshëm pas vitit 1878 kur kjo pjesë më nuk ishte në përbërje të Vilajetit të Kosovës. Sarajeva dhe qytetet tjera të Bosnjës u bënë qendra kulturore të ndikimit. Megjithatë, patriotët shqiptarë nuk hoqën dorë nga Sanxhaku. Burimet historike bëjnë me dije se gjatë vitit 1907-1908, Isa Boletini disa herë e kërcënoi Sanxhakun me invadim. Pas ngadhënjimit të Revolucionit Xhonturk, Austro-Hungaria e aneksoi Bosnjë e Hercegovinën, kurse Sanxhakun ia ktheu otomanëve në përbërje të Vilajetit të Kosovës. Por, elementi shqiptar tani më ishte dobësuar dukshëm dhe pas tri viteve filloi Lufta Ballkanike dhe Sanxhaku, si çdo pjesë shqiptare, e përjetoi tmerrin serb.
Pas Luftës së Parë Botërore, Sanxhaku hyri në përbërje të Jugosllavisë e cila nuk i dëshironte shqiptarët brenda saj. Shovinizmi serb i konsideronte myslimanët si sllavë të islamizuar ku dëshironte t’i fuste edhe shqiptarët. Prandaj, shqiptarëve të Sanxhakut ju mbetën vetëm dy rrugë: asimilimi në boshnjakë ose largimi për në Turqi.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore veprimet e shqiptarëve u ngjallën dhe shpresat për ta kthyer këtë vend brenda një shteti shqiptarë u shtuan. Në vjeshtën e vitit 1941, Sanxhakun e sulmuan forcat e mëdha çetnike të Drazha Mihajlloviqit. Udhëheqësit shqiptarë, siç ishin Shaban Polluzha, Pajazit Boletini, Bislim Bajgora, Aqif Blyta, Mulla Zekë Bërdyna, Sak Fazlija dhe disa tjerë, i mobilizuan rreth 50 mijë shqiptarë dhe nga Kosova i shkuan në ndihmë popullsisë së Sanxhakut. Shqiptarët u ndeshën disa herë me çetnikët në betejat e Kollashinit dhe Novi Pazarit dhe i shkaktuan dëme të mëdha çetnikëve të Drazhës të cilët u tërhoqën për të mos guxuar të kthehen më në Sanxhak.
Shumica e këtyre udhëheqësve janë vrarë gjatë luftës, pos Aqif Blytës i cili në vitin 1945 u zu nga regjimi komunist në Gjakovë që ishte qyteti i tij i origjinës. Blyta gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë kryetar i Novi Pazarit dhe gjatë kësaj periudhe ai ka hapur shkollat e para dhe të fundit shqipe. Para luftës, për një kohë të gjatë, Blyta e ka përfaqësuar Sanxhakun në Parlamentin e Jugosllavisë. Komunistët e sollën Blytën për ta ekzekutuar publikisht në Novi Pazar së bashku me Ahmet Dacin dhe me disa shqiptarë tjerë. Ky ka qenë një veprim barbar i regjimit komunist që kishte për qëllim eliminimin e elitës shqiptare dhe njëkohësisht t’ua bënte me dije banorëve të Sanxhakut se nuk do ta toleronte elementin shqiptar në këtë rajon. Masat tjera ndëshkuese që pasuan në Sanxhak ishin pjesë e një politike antishqiptare të sistemit të ri që u instalua në Beograd. Ky sistem përgatiti një grusht të rëndë dhe të fundit kundër shqiptarëve. Ligjet e reja dhe kushtetuta e Jugosllavisë socialiste e shpiku një komb të ri, të cilin e quajti ‘Mysliman’, duke bërë me dije se fjala ishte për sllavët e konvertuar në fenë myslimane. Në këtë grup u detyruan të hynin shqiptarët ose ata që kishin prejardhje shqiptare e që gjendeshin në prag të asimilimit. Me këto masa, të folurit e gjuhës shqipe në Sanxhak mori fund. Por, Shaban Polluzha dhe Aqif Blyta mbetën heronj të përjetshëm jo vetëm për ata që e ndjenin veten shqiptarë, por edhe për tërë popullsinë joserbe.
Në prag të viteve të ‘90-ta, kur filloi rënia e komunizmit dhe me të edhe shkatërrimi i Jugosllavisë, banorët e Sanxhakut u aktivizuan për të gjetur vend në situatën e re. Tashti ata u deklaruan boshnjakë e jo myslimanë. Kjo ide është tërësisht e pranuar nga sanxhalinjtë të cilët e refuzojnë prejardhjen sllave. Të gjithë deklarojnë me ngulm se prejardhja e tyre boshnjake vjen nga ilirët. ‘Kërcimi’ nga ilirët në boshnjakë është një tezë jo shumë e përshtatshme për t’u shpjeguar shkencërisht, por kështu ka vendosur elita politike dhe intelektuale e sanxhaklinjëve dhe kjo gjë është akceptuar gjerësisht në popull. Kjo teori, pasi që i bënë boshnjakët tërësisht të ndryshëm nga serbët, kërkon edhe gjetje të vendit adekuat të kësaj popullsie.
Në Sanxhak ekzistojnë dy rryma politike të cilat, në shikim të parë nuk duken se dallojnë shumë nga njëra-tjetra. Nga një vrojtim i shkurtër shohim se dallimet megjithatë ekzistojnë. Boshnjakët e Sanxhakut kanë krijuar disa parti politike, por dy janë kryesore: SDA (Stranka Demokratske Akcije – Partia për Veprim Demokratik) dhe SPP (Stranka Pravde i Pomirenja – Partia për Drejtësi dhe Pajtim). Që të dy këto parti mëtojnë pavarësinë e Sanxhakut nga Serbia ose, së paku, një autonomi politike dhe kulturore të avancuar.
SPP udhëhiqet nga Muamer Zukorliqi, një figurë e rëndësishme politike dhe religjioze me karakter tejet interesant. Zukorliqi ka qenë Myfti i Bashkësisë Islame të Sanxhakut dhe ende e mban këtë titull. Për Zukorliqin boshnjakët janë ilirë dhe në mesin e tyre nuk ka asnjë sllavë. Por, njëkohësisht, ai e mohon prezencën dhe rëndësinë e tanishme apo të dikurshme të shqiptarëve në Sanxhak dhe duket se nuk është i interesuar të krijoj lidhje me politikën apo kulturën shqiptare të Kosovës dhe
Shqipërisë. Kritikët e tij këtë gjë e shpjegojnë si rezultat të frikës që ai ka nga elementi shqiptar që mund t’ia zhbëjë idenë dhe qëllimin politik. Megjithatë, retorika e tij ndaj Beogradit është agresive kurse ndaj Prishtinës dhe Tiranës mënjanuese ose shumë e kujdesshme.
Elementi kryesor i boshnjakizmit të Zukorliqit është religjioni islam. Në këtë drejtim duket se ai ka patur mjaft sukses në implementimin e kësaj karakteristike pasi që pasuria e Bashkësisë Islame, e cila me objektet e saja afariste është e konsiderueshme, është nën kontroll të tij. Pastaj, ai është themelues dhe drejtues i shumë shkollave dhe dy universiteteve. Në politikën e jashtme Zukorliqi u jep përparësi vendeve arabe, duke e përjashtuar Turqinë dhe Erdoganin për shkak se besohet që ai është i lidhur me Gylenin. Në politikën e brendshme në Sanxhak ndikimi i tij duket se është në rritje e sipër. Në vendet urbane gjithnjë e më shumë shihen femra të mbuluara me shami kurse alkooli pothuajse nuk shitet në asnjë restorant apo shitore. Megjithatë, zgjedhjet që u mbajtën para disa ditësh për Këshillin Nacional Boshnjak treguan se Zukorliqi nuk është i fuqishëm aq sa duket.
Nën Listën ‘Samoopredjeljenje’ (Vetëvendosje) zgjedhjet për Këshillin Boshnjak i ka fituar sërish udhëheqësi i SDA-së, Sulejmani Uglanini, një lider karizmatik dhe figurë kryesore e skenës politike të Sanxhakut. Uglanini nuk e mohon rëndësinë e religjionit, por boshnjakizmi i tij është laik. Për dallim nga Zukorliqi, shqiptarët për Uglaninin janë të rëndësishëm. Ai e pranon ekzistimin e shqiptarëve në Sanxhak si pjesë të boshnjakëve dhe i kushton rëndësi të madhe lidhjes me Kosovën. Mbi të gjitha, është ndër të rrallët në Sanxhak që e flet gjuhën shqipe. Prandaj, kundërshtarët e tij politik e quajnë ‘shqiptar të fshehur’. Sidoqoftë, kjo është arsyeja që rreth tij tubohen edhe boshnjakët të cilët mbiemrat i kanë të shqiptarëve. Uglanini shkollën e mesme e ka kryer në Prishtinë dhe në Kosovë njihet edhe për lidhjet e tija familjare me shqiptarët.
‘Me çlirimin e Kosovës liria ka ardhur para derës sonë’, thotë Uglanini dhe flet për programin e tij të ‘Vetëvendosjes’ i cili parasheh pavarësi për Sanxhakun.
Pavarësia është e vështirë të arrihet pasi që e cenon sovranitetin territorial të Serbisë dhe Malit të Zi, por autonomia është alternativë e mundshme. Skena politike në Novi Pazar duket se është në përgatitje dhe në pritje të ndonjë ndodhie. Prandaj, nga bisedat me njerëz dhe politikanë shihet një vlim i ideve politike dhe qarkullim i konspiracioneve karakteristike ballkanike. Uglanini është i matur dhe dëshiron ta përfshijë bashkësinë ndërkombëtare në zgjidhjen e çështjes së Sanxhakut. Ai preferon zgjerimin e lidhjeve edhe me politikën e Kosovës dhe Shqipërisë dhe kërkon ndihmë të çfarëdo lloji nga këto dy vende. Ndihmë nga Kosova kërkon edhe një masë e madhe e njerëzve të Sanxhakut.
Rexhep Shkreli e potencon rëndësinë e ndihmës nga Kosova. Shkreli, siç shihet nga mbiemri, është shqiptar dhe profesor i historisë në Universitetin Shtetëror të Novi Pazarit. Ai flet shqip dhe i praktikon zakonet shqiptare. Kohën jashtë universitetit Shkreli e kalon në dyqanin e tij të argjendarisë nga ku nuk ka gjasa të dalësh pa e diskutuar historinë e shqiptarëve në Sanxhak.
Duket se Novi Pazari është ndër vendet e rralla ku shqiptarët priten me respekt dhe madje, në disa raste, edhe me admirim. Jonuzi është i shtyrë në moshë e cila ia ka kërrusur supet. Në një qese të najlonit i bartë dy bukë të cilat sapo i ka blerë në furrë. Na ka shënuar nga larg me shikim dhe na e zë rrugën në mënyrë që të ndalemi patjetër para tij. Kur ndalemi, me buzëqeshje na thotë: ’Vi mora da ste Albanci’ (Ju patjetër jeni shqiptarë). ‘Po’, i themi. Me mallëngjim të papërshkruar na tregon se si dikur edhe babai i tij dhe tërë shtëpia kanë folur shqip. Pastaj flet për heronjtë dhe shqiptarët tjerë që nga Kosova vinin për ta mbrojtur Novi Pazarin kur kjo tokë ende konsiderohej e tyre. ‘Mos na harroni’, thotë Jonuzi, duke bërë me dije se këtyre njerëzve ende ju duhet ndihma jonë.
Sot, të kërkosh ndihmë nga Kosova është sikur që thotë një fjalë popullore ‘me lypë sy prej qorrit’. Kosova ka ardhë në atë gjendje që as vetes nuk mundet me i dalë zot. Shqipëria është e painteresuar dhe ekziston përshtypja që ky shtet as qe e din se ekziston diku Sanxhaku. Megjithatë, ndihmë të madhe është duke ofruar vetëm ‘Kosova për Sanxhakun’ një shoqatë e udhëhequr nga Ismet Azizi që ka për qëllim afrimin dhe njohjen e ndërsjellë me këto dy vende. Kur shkoni në Sanxhak e
merrni vesh punën e madhe që ka bërë kjo shoqatë. Qëllimi i saj është bashkëpunimi kulturor i Kosovës me Sanxhakun, por edhe ringjallja e gjuhës shqipe që planifikohet me trajnim të mësuesve të kësaj ane.
Gjatë një mbrëmjeje, dy të rinj, me gëzim të madh, na dalin në rrugë. Ata na njohin nga Facebooku dhe e dinë që shqiptarët (gabimisht) e konsiderojnë boshnjakishten si gjuhë serbe. Prandaj, na përshëndesin turqisht të cilën gjuhë, në rastin tonë, e përdorin si Lingua Franca. Ne i rrudhim krahët. Pastaj, njoftohemi dhe ia krisim muhabetit boshnjakisht. Fuadi është nga grupi i të rinjve për të cilët shoqata ‘Kosova për Sanxhakun’ ka organizuar një vizitë në Prekaz dhe Prishtinë. Me mburrje na i tregojnë fotografitë ku ata duken para varrit të Adem Jasharit dhe Shaban Polluzhës. Duket se vizita në Prekaz ka qenë ekskursioni i tyre i jetës, edhe pse kanë qenë në vende të ndryshme, por më së shumti në Stamboll ku është i lindur njëri prej tyre. Po ashtu, me mburrje na i tregojnë edhe fotografitë e heronjve shqiptarë që stolisin muret e shtëpive të tyre. Në radhë vijnë fotografitë ku ngritet flamuri i Kosovës ose i Shqipërisë, kur ekipet futbollistike të këtyre dy shteteve zhvillojnë ndeshje.
Ndikimi, sidomos i Kosovës në Sanxhak, ka filluar të krijohet. Duhet patjetër t’i shijojmë mantiat e Novi Pazarit. Kur vjen koha e pagesës, nikoqirët tanë shtyhen për pagesë me pronaren e restorantit. Pronarja, njëkohësisht zonja që i ka gatuar mantiat, nuk i merr paratë se na konsideron si mysafirë nga Kosova. Paratë shihen duke lëvizur. Një dorë e shtynë dorën tjetër dhe kalimi i parave zgjatet në pafundësi. Punë shqiptarësh.
Kodra e Ramoshevës gjendet në mes të rrafshnaltës së Peshterit. Nga maja e saj, Peshteri, rajon blegtoral, duket si në shuplakë të dorës. Në jug duket edhe kufiri me Kosovën. Fshatrat janë zgjeruar me shtëpi të reja, por është zvogëluar numri i banorëve të cilët kryesisht kanë migruar në vendet evropiane për punësim. Dikur këto fshatra e kanë furnizuar edhe tregun e Kosovës me ushqim për bagëti dhe njerëz. Shtëpitë karakteristike të cilat në katin e parë kanë qenë të ndërtuara me gurë, kurse në të dytin me material druri, janë në zhdukje e sipër. Shumë fshatra kanë emërtime që rrjedhin nga gjuha shqipe. Të tillë janë edhe mbiemrat e banorëve të sotëm.
Nga Kodra e Ramoshevës duket edhe fshati Boroshticë, i cili emër sipas fshatarëve është kombinim i fjalëve ‘Borë’ dhe ‘Shtizë’. Nezir Shkreli është nga ky vend dhe i vetmi në fshat dhe në familjen e tij që deklarohet shqiptar. Neziri angazhohet për ringjalljen e shqipes dhe me të edhe të shqiptarëve, por kjo duket një punë e vështirë e cila gjë atë e brengos pa masë. Përkundër mungesës së gjuhës, në shtëpinë e tij frymohet shqip. Kur marrin vesh ardhjen tonë, shtëpia dhe oborri mbushen me fëmijë të gëzuar që janë të shëndoshë e të bukur. Na shikojnë me admirim sikur të ishim shpëtimtarët e tyre. Dhurata më e mirë për këta fëmijë do të ishte një shkollë shqipe të cilën ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë.
Përballë Kodrës së Ramoshevës qëndron Kodra e Trajanit, ushtarit spanjoll që u bë perandor i famshëm romak. Kodra e mori emrin e tij për shkak se ai, pas nënshtrimit të ilirëve, rrëzë kësaj kodre e ndërtoi kazermën ku u themelua garnizoni ushtarak romak që kishte për detyrë ta ruante rajonin nga kryengritjet dhe ta kontrollonte rrugën tregtare. Pas romakëve vendi ra nën pushtet të bizantinëve, serbëve dhe otomanëve. Dhe, përsëri nën serbët. Sundimet e perandorive nuk kanë mundur t’i eliminojnë banorët por ua kanë zhdukur karakteristikën kryesore të etnisë: gjuhën.
Gazo Dukagjinac është i shtyrë në moshë, por mbahet mirë. Mbiemri flet për origjinën, por ai, si të gjithë tjerët, figuron i regjistruar si boshnjak. Djali i tij, Mitko Dukagjinac, deklarohet shqiptar dhe ka luajtur futboll për shumë ekipe dhe reprezentacionin e Bosnjë Hercegovinës. Emrin Sanxhak, Gazo e cilëson si të gjinisë femërore. Nexhip Kaqar (boshnjak) ia tërheq vërejtjen për gabimin duke ia bërë me dije se ky emër është i gjinisë mashkullore. ‘Pa, dobro, ja sam albanac’ (Mirë de, unë jam shqiptar), përgjigjet Gazo duke bërë me dije se gabimi duhet t’i falet se kjo për te është gjuhë e huaj. Të gjithë qeshim me zë pasi që boshnjakishtja është e vetmja gjuhë që flet Gazo.
Gazo kërkon që të ndalemi te xhamia e fshatit Melajë, vendit të tij të lindjes. Ai thotë se xhamia është më e vjetra në rajon dhe insiston të hyjmë në oborr edhe pse e vëren hezitimin tim. Xhamia duket si çdo tjetër, por në tokën e saj e ruan një pjesë të historisë së shqiptarëve. Në krah të djathtë të xhamisë gjenden varret dhe Gazo, duke prirë para, më jep shenj që ta përcjell. Për shkak të respektit ndaj të vdekurve, mundohem të gjej shteg për të mos shkelur mbi varre. Diku kah mesi, ai ndalet para varreve të familjes së tij dhe me mburrje e zgjatë dorën në drejtim të varrit të babës, gjyshit dhe disa tjerëve të familjes së tij. Në gurë të varreve janë fotografitë e të parëve të tij – Dukagjinac. Të gjithë janë me plisa në kokë ose me maramën karakteristike që sot ende e hasim në Rugovë. Varreza është plot me mbiemra shqiptarë. Këta janë ata që kanë folur shqip. Të gjallët nuk dinë shqip dhe vetëm për këtë arsye janë boshnjakë. Gjuha shqipe në Melajë është varrosur para një apo dy gjeneratave kurse diku tjetër edhe më herët. Gurët e varreve janë shndërruar në kujtime për të kaluarën shqiptare dhe përmendore të gjuhës shqipe. Kjo simbolikë është e rëndë si vdekja por është realitet. /Telegrafi/
Diskutim rreth këtij postimi