Në Rapid City aeroplani aterroi herët në mëngjes. Nga Deytoni u nisëm herët, por për shkak të ndërrimit të zonës së matjes së kohës, mbërrimë poashtu herët në Rapid City. E morrëm kerrin që e kishim porositur por pas 20 milave e kthyem për shkak se frenat nuk i kishte në rregull. E morrëm një tjetër dhe Ruth filloi ta ngiste e para në rrugën tonë të gjatë për në rezervatin e indianëve sioux ku ia kishim mësy të shkonim. Ruth ka qenë një grua e mrekullueshme dhe diku rreth 40 vjeçare. Pasi që ishte e racës së përzier (nëna gjermane kurse babai indian) kishte edhe pamje të ëmbël. Ajo i njihte indianët jo vetëm për shkak të babait, por edhe i studjonte proceset vendim marrëse në kuvendet e tyre.
Pas dy orëve të vozitjes Ruth u lodh dhe e zëvendësova unë. Brett, poashtu një studjues nga Republika e Afrikës së Jugut, doli në karrikën e parë ku isha unë kurse Ruth u shtri prapa dhe e zuri gjumi.
Para meje doli rruga e gjatë, e drejtë dhe e zbrazët, sikur në filmat amerikan. Pa gjallëri, në asnjërin drejtim. Një lloj realiteti që i përngjante ëndërrës. Dikur nga pas erdhi një Ford Mustang klasik dhe më kaloi me shpejtësi të madhe. E shikova tabelën dhe e pashë që isha duke vozitur sipas rregullave, 70 mila në orë. Mustangu me siguri 80 ose 90. Thashë me vete, hajt ta kaloj. E mbërrina shpejtësinë 90 dhe e kalova. Pas një qasti ai më kaloi me shpejtësi 100 mila (160 km). Vendosa ta kaloj edhe unë dhe kështu filloi gara. Brett filloi të frikësohej nga shpejtësia dhe në një moment e vërejta që ishte shtangur në trup dhe zverdhur në fytyrë.
Herën e fundit kur e kalova Mustangun shpejtësia ime ishte 120 mila. Pastaj e ngadalësova shpejtësine në nivelin e lejueshëm, por Mustangu më nuk u duk dhe unë e fitova garën.
Kur mbërrimë në Badland, Brett më zëvendësoi. Pas pak minutave na ndali një polic për shkak të tejkalimit të shpejtësisë. I tha Brett-it se kishte vozitur 10 mila mbi shpejtësinë e lejuar. E zgjova Ruth-in nga gjumi dhe i thash:’Qu, se na ka dalë ni problem. Merru vesh me këtë njerin tand’.
Ajo kërkoi të dilte nga vetura dhe polici e lejoi. Pastaj, dolëm edhe ne dy me leje. Ruth, me gjuhën e saj të ëmbël e luti policin që t’ia falte dënimin Brett-it. I tha se ishim studjues dhe mysafirë në Amerikë dhe se po e vizitonim rezervatin. Sa për informim, policia në rezervatet indiane, është polici në vete dhe nuk ka të bëjë me ato të shteteve por lidhet direkt me legjislaturën federale.
Polici, një djalë i ri, edhepse serioz, ishte i butë nga natyra. E dëgjoi lutjen e Ruth-it dhe ia fali gabimin Brett-it. Ka qenë zor me i refuzu lutjet e Ruth-it. Pastaj, ajo na fotografoi me policin para veturës së tij. Mund ta vëreni në fotografi se si Brett shihet fajtor në fytyrë sikur të kishte bërë kush e di se çka.
Pak momente pas kësaj fotografie i thashë policit. ‘Ti është dashtë me dalë një orë më herët dhe më përpara që për me m’pa mu qyshë voziti’.
‘Sa ke shku shpejt’, më pyeti.
130 i thashë.
Polici e solli kokën disa herë.
Deshta m’i thanë sille krytë ti badihava se hala s’ke pa shqiptar me sy. Por, natyrisht që nuk i thashë.
Pastaj, polici më pyeti se ku gjendej saktësisht Kosova dhe pse kanë shkuar atje ushtarët amerikanë. I tregova që Kosova është larg prej atyhit dhe se ushtarët ishin atje për t’i kryer do punë që duhet pas për fundimit të luftës.
P.S. E shkrova këtë copë tregimi pasi sot m’u kujtua shoqja ime Ruth Yellowhawlk, e cila ka ndërrua jetë katër vite pas kësaj ngjarje.
Diskutim rreth këtij postimi