Dr. Ibrahim Latifi, në ditën e sotme mëngjezore të 25 majit, në klinikën “Rottal-Inn” në Eggenfelden të Bavarisë në Gjermani, ju ka ardhë një qytetar shqiptaro-gjerman i pazakontë: për herë të parë keni pacient në një “Bypass Operation” një gazetar: Maxhun Smajlin- gazetar i gjeneratës së parë të shkollës së gazetarisë në Kosovë; gazetar i Luftës e i Paqes: gazetar i Vendlindjes Trojenike në Kosovë dhe i Mërgimit Rezident në Gjermani; botues e kryeredaktor në tre vite i revistës “Marshi i Mërgimtarit”- e vetmja në gjuhë shqipe në Europë dhe në dy vite kryeredaktor për Gjermani i “Gazeta e Alpeve”- media/print shqiptare me shpërndarjen gjeografike më të madhe në Ballkanin Perëndimor, në Europë e Amerikë (96 copë abonime/shitje vetëm në Gjermani, nga të cilat 80 copë për çdo numër në landin e Bavarisë); i shpallur “Gazetari më i mirë për Vitin 2021”.
Gazetari Maxhun Smajli të gjitha këto përkushtime vullnetare e elitare gazetarie i kishte përherë dhe duket se do i ketë përgjithmonë në plan të parë të veprimtarimit të tij, pamvarësisht se këto vazhdimisht i kryen të dytat, gjithnjë pas punës së tij pothuaj përditore shtetërore/private të rrogës së tij me bordero apo në bankomat në Vendlindje e në Gjermani.
Dr. Ibrahim Latifi, gazetari veteran në detyrë dhe ende i ri në moshë, 58 vjeçari Maxhun Smajli i Klinës, ka qënë Reporter Lufte prej 7 majit 1998, përgjatë 13 muajve të Luftës në Kosovë, duke raportuar për 147 fshatra të 11 komunave të Kosovës, si gazetar i rregullt për Radio-Televizionin e Prishtinës, me të përditshmen “Koha Ditore” e Radio “Koha”, duke bashkëpunuar dhe me gjermanen “Deutsche Welle”, me “Kosova-Press” e “Kosova e Lirë”, duke dalë nga Lufta me 1.600 fotografi, 13 VHS kaseta, 240 minutshe, 32 minikaseta inçizime tonike dhe 6 fletore me shenime, duke u cilësuar gazetari më i keqtrajtuar fizikisht në Kosovë; 18 herë i keqtrajtuar, dy herë i hedhur për vdekje, i cili për ironi të fatit e faktit shqiptar nuk ka ende as Statusin e “Veteranit të UÇK-së”, nuk mban ende asnjë dekoratë presidenciale, të cilin nuk e ruajti e mbajti as shteti i Kosovës së pasLuftës – shteti më i ri i botës, po u detyrurue në emigrojë në Gjermani – në shtetin ma të fuqishëm të Europës.
Dr. Ibrahim Latifi po due për me të thanë se Maxhun Smajli, të cilit zemra i punon jetënisht për librat, është bibliotekari shqiptar vullnetar e aksionar, ndër më të mirët e të gjitha kohërave shqiptare, sepse në kohë okupimi të Kosovës nga Serbia, 30 vjet ma herët, në prill 1992, e ngriti të parën Bibliotekë Popullore e Shkollore “Liridoni” në Kosovë, e ngriti në vendlindjen e tij, në shtëpinë e tij të madhe, në Poterç të Epërm të Klinës, derisa serbët millosheviçianë e dogjën atë bibliotekë në Kohën e Luftës së Fundit në Kosovën dardane. Tashti kësaj biblioteke i ka mbet historia e mirë dhe pllaka e përjetësimit të saj. Maxhun Smajli edhe kur erdhi emigrant rezident në Gjermani, edhe tuj punue për ditë-punën si shofer kamioni, ia mbrriti të hapte në Bavari, në tokën e tij të re, me godinë e salla leximi, me fond të pasur me libra, gazeta e revista, Bibliotekën Publike Shqiptare “Akademik Mark Krasniqi”, e vetmja e tillë në të gjithë mërgatat shqiptare në botën e sotme. Atdhetari, bibliotekari e kulturologu Maxhun Smajli, në prill 2022, i bleu në qytetin e Pejës 100 libra shkollorë, të cilat u përcollën të paketuara nga “Takimi i Madh i Prishtinës” i 13 majit 2022 për nevoja emergjente kulturore shqiptare në shkolla të Luginës së Preshevës. E për ma tepër e ma mirë, mësuesi e veprimtari Maxhun Smajli, në Vitet e 90-ta, e hapi edhe Ambulancën e parë Mjekësore në Klinë të Kosovës.
Dr. Ibrahim Latifi, ju e dini se Maxhun Smajli me zemrën e tij, janë maratonamak të rrallë, të veçantë, historik. Në kohën e Luftës së fundit në Kosovë, si reporter i Luftës së UÇK-së, i ka ba nja 2.000 km shtegtime e marshime nga beteja në betejë, nga fronti në front, nga një krahinë në tjetren, i gatshëm me ja dhanë jetën me zemër e me mendjen e tij Lirisë e Pavarësisë së Kosoës dardane. Edhe para do vitesh, në 100-vjetorin e Pavarësisë, e bani një Marshim legjendë, me simbolika të larta, me sakrifica të mëdha, me evente të veçanta, nga Gjermania në Kosovë, në Kosharen monumentale të Luftës së Kosovës; në 78 ditë-aq sa zgjati Lufta e Madhe e Kosovës, në mbi 2.000 kilomtra aq sa bani në Luftën e Kosovës.
Dr. Ibrahim Latifi, ju e dini nga shkenca mjekësore se puna e gazetarit është disa herë më e vështirë se ajo e minatorit, sikurse e mirëdini se zemra punon dykohshëm e njejtësisht, së parit: për veten e saj dhe së dytit: për trupin e njeriut. Po, mesa duket, dr. Ibrahimi, edhe ju tashma e keni kuptuar apo mësuar se zemra e gazetarit Maxhun Smajli ma shumë e ma tepër se për vetëveten e tij bio-fizike-jetësore ka punuar në Luftë e Paqe për Kombin e tij Shqiptar, për shkrimet e tij, për gazeta, revista e librat e tij, në detyra shtetërore/private të punës pagëdhënëse e jetëmbajtëse, në detyra e funksione shoqërore e humanitare, në marshime legjendë drejt Atdheut e ngjitje alpinistike në Alpet Lindore të Europës.
Dr. Ibrahim Latifi, ne te dy jemi larg gjeografikisht, por koha e bota digjitale na ka afruar shumë, për ma tepër ne “takohemi” shpesh, pasi në Klinikën tuaj “Rottal-Inn” në Eggenfelden të Bavarisë të Gjermanisë vjen e përdyjavshmja panshqiptare e ndërballkanike “Gazeta e Alpeve” (e cila gjendet në tavolinë pune, bibliotekën e vogël e sirtarët e punës tuaj). Ne, Bordi Botues e Redaksia e “Gazeta e Alpeve” në Tiranë kemi shkruar për kontributet e atributet e tua mjekësore, si portretin “Dr. Ibrahim Latifi – me dorë në punë e zemër tek Zoti”, atëherit kur iu gjende pranë zemres së atdhetarit Xhevdet Muriqi në Gjermani, pasardhës i legjendarit Zhujë Selmani të historisë, i cili pas operacionit tuaj ndihet prapë një “Zhuj Selman i Ri”. Kësaj here, pacienti yt i kahershëm e atdhetari i përhershëm, gazetari i Çmimit “Pena Alpine”, Maxhun Smajli i Kosovës e Gjermanisë, i Shqiptarisë, e ka dergje për botim në “Gazeta e Alpeve” një esse portretizuese për Ju e për rastin e tij mjekësor, me titull “Kardiologu, dr. Ibrahim Latifi dhe zemra ime e sëmurë”, që po e përcjellim në rrjete sociale panshqiptare, sepse pas “Bypass Operation” të 27 majit 2022 në klinkën Tuaj do të shkruhet shkrimi tjetër e ndryshe: “Kardiologu dr. Ibrahim Latifi dhe zemra e shëndoshur e gazetarit Maxhun Smajli”.
Dr. Ibrahim Latifi ne ndihemi me fat që të kemi dhe jemi krenarë për Ty, sepse ma shumë se 15 shqiptarë në Gjermani i keni shpëtuar nga vdekja e sigurtë; sepse spitalit ku punoni ia keni ngritur lart emrin e famën; sepse jeni mjek mjaft i kërkuar nga shqiptarët, por edhe nga gjermanët e nga të tjerët në Gjermani; po mbi të gjitha përveçse mjek i mirë jeni dhe njeri i mirë, ndaj kur kalon rrugëve të Bavarisë ndalen kalimtarët e shumtë që ta kanë provue ndihmën mjekësore e ndigjue famën doktoriale e të nderojnë me gjithë zemër, me dorë në zemër, me përzemërsi.
Dr. Ibrahimi Latifi i Prizrenit e i Bavarisë, duke e shëruar kësaj here zemren e sëmurë përkohor të gazetarit, veprimtarit, humanitarit, bibliotekarit, kulturologut, studiuesit, botuesit Maxhun Smajli, keni shëruar një zemër që ka punuar e punon për Kombin e vet Shqiptar si ma i miri djalë, si ma i forti burrë, si ma i larti personalitet.
Bordi Botues e Redaksia e “Gazeta e Alpeve” i urojnë sukses të lartë në këtë operacion zemre, gazetarit Maxhun Smajli- kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” për Gjermani, duke mirëpritun që me penën e tij alpine, me zemren e tij atdhetare, me mendjen e ditur, me punën e madhe botuese e shkrimore, të jetë prapë, edhe sivjet, trofetues e meritor i shpalljes “Gazetari më i mirë i Vitit 2022”.
Dr. Ibrahim Latifi, në përmbyllje, si gjithnji, edhe kësaj here, edhe për këtë rast “Bypass Operation” të 27 majit 2022 për veprimtarin atdhetar, gazetarin e botuesin, Maxhun Smajli, e meritoni respektin e mirënjohjen tonë. Zoti të bekoftë!
Tiranë, 25 maj 2022
Diskutim rreth këtij postimi