Vishegradasja për mua ka qenë konfuzioni i parë që nuk i gjeja zgjidhje dot. Kjo ishte për shkak se të gjithë që nuk flitnin shqip, më dukeshin njësoj. Kjo është sikur që sot disa ‘njerëz’ thonë se të gjithë myslimanët janë turko-arab. Sidoqoftë, arsyen e hidhërimit dhe urrejtjes së boshnjakes që kishte për shtetin jugosllav dhe serbët, do ta merrja vesh më vonë. Në mënyrë indirekte arsyet janë dhënë edhe në këto dy libra që i shihni në këtë postim.
Meša Selimović dhe Ivo Andrić janë shkrimtarë të kalibrit të madh, pa asnjë dyshim. Kështu do të konkludonim nëse bazohemi vetëm në shkrimet e tyre duke ua injoruar qëndrimet njerëzore. Por, edhe si shkrimtarë nuk janë aq të mëdhenj siç na paraqiten, sidomos Andrići. Kritikat e recenzioneve letrare në anglisht për këto dy vepra, kryesisht përqëndrohen në aftësitë e këtyre dy shkrimtarëve që kanë treguar në paraqitjen e strukturës shtetrore, politike dhe shoqërore të sistemit otoman dhe jetës së njerëzve në këtë strukturë. Edhe ky vlerësim është subjektiv për shkak se kritiku anglo-sakson nuk ka njohuri për atë se si ka qenë jeta në një vend otoman. Por, kritikut i pëlqen mënyra se si këta dy e kanë përceptuar këtë temë.
Në fakt se si ka qenë saktësisht organizimi politik otoman në Bosnjë, nuk e kanë përjetuar as Andrići e as Selimovići për shkak se këta dy kanë lindur kur ky vend ishte nën administrim austro-hungarez. Por, ajo që mund të thuhet është se këta dy e kanë njohur mirë trashëgiminë otomane, në të cilën janë rritur dhe historinë që e kanë mësuar në shkollë. Për kohën kur është botuar ‘Ura mbi Drinë’ ndoshta në Perëndim ka qenë roman revolucionar, por sot edhe romani më mesatar i Orhan Pamukut është i nivelit më të lartë.
Në realitet, Meša Selimovići është shkrimtar më i mirë se Ivo Andrići. Romani i tij ‘Dervishi dhe vdekja’ është vepër me kualitete të larta. Ky roman në fakt është biografia e tij, e cila në një mënyrë vazhdon edhe të ‘Kështjella’. Meša ishte partizan dhe komunist, së bashku me vëllaun që ia pushkatuan partizanët pasi që e akuzuan për vjedhje. Pasi që Meša nuk guxoi ta kritikonte këtë rast nga sistemi komunist, ai e vendosi ngjarjen në kohën otomane. Pra, regjimi represiv otoman në fakt është ai socialist jugosllav. Te ‘Kështjella’, Meša na bënë me dije se si njeriu i izoluar i jep zor t’a shpërthej rrethimin shoqëror që e mban të mbyllur.
Meša Selimović vinte nga një familje e pasur boshnjake me tradita myslimane. Por, ai nuk ndjehej mirë me të qenurit boshnjak mysliman dhe e ‘zbuloi’ se dikur moti, të parët e tij kishin qenë serbë. Rrethi i intelektualëve në Sarajevë ia pa për të madhe këtë ‘zbulim’ dhe i thanë se ‘ne të gjithë e dimë këtë dhe nuk ke zbuluar asgjë’. Megjithatë, ai dëshironte të ishte serb dhe shkoi për të jetuar në Beograd ku hapësira e shkrimtarit serb është tejet e gjërë. Asgjë të keqe në shikim të parë. Por, Meša Selimović bëri me dije se nuk ia vlenë të jeshë mysliman në Jugosllavi. Intelektualët bosnjakë këtë gjë e morën si dorëzim para presionit pan sllav që vinte nga Serbia. Pra, porosia e Mešës për boshnjakët nuk ishte vetëm shprehje dëshpërimi, por edhe paralajmërim se gjërat do të vështirësoheshin për ata që nuk janë serbë.
Njësoj veproi edhe Ivo Andrić. Ai vinte nga një familje katolike kroate, por veten e daklaroi serb. Në ‘Urën mbi Drinë’ të Andrićit, banorët myslimanë të Vishegradit janë turq. Pra, kanë qenë serbë, por tashti që bëhen myslimanë, e ndërrojnë etnicitetin. Në psiqikën serbe është ngulitur thellë urrejtja për serbin e konvertuar në mysliman sa që ai më nuk ka qenë serb sepse është bërë turk. Ky absurd i Andrićit krijon ndarje mbi të cilën ngritet urrejtja, e cila kërkon gjakderdhje. Por, gjërat në Vishegrad, sipas tij, janë kryesisht në rregull gjatë sundimit otoman. Por, sistemi është represiv dhe i egër sipas Andrićit. Sistemi i cili e ndërtoi urën më 1577 nga veziri i asaj ane (Mehmet Pasha Sokollu) me ç’rast u ndërtua qyteti dhe përparoi rajoni. Ura ekziston edhe sot dhe është ndër veprat e rralla të ndërtimit.
Porosia e Andrićit në këtë roman thotë se myslimanët janë turq dhe nga kjo janë edhe të huaj. Dhe, dihet se çka duhet të bëhet me të huajt. Porosia e tij do të shkonte në vend dy herë. Edhe Andrići si çdo konvertit dëshiron që të tregohet i zellshëm në mesin e ri të cilit i bashkohet. Që të mos ketë dyshime se nuk është bërë tamam serb. Para se ta shkruante këtë roman, Andrići kishte hartuar edhe një plan për përzënien e shqiptarëve nga Jugosllavia dhe zhbërjen e shtetit shqiptar. Gjatë Luftës së Dytë ai e shkroi romanin në fjalë kur në të njejtën kohë u dërgonte letra përshëndetëse çetnikëve serbë që e masakronin Bosnjën.
Andrićit nuk i pengoi kur italianët u ndihmuan çetnikëve që të vrisnin mijëra myslimanë dhe ta digjnin Vishegradin së bashku me 42 fshatra tjera myslimane përreth. Derisa Andrići e shkruante këtë vepër, serbët në Vishegrad ushtruan dy herë masakra. Dhe, më në fund porosia e Andrićit është përmbushur në luftën e fundit në Bosnjë. Në vitin 1992 policia dhe ushtria serbe në Vishegrad vranë më shumë se 3000 bosnjakë, dhunuan mijëra gra dhe e dogjën qytetin me rrethinë. Banorët myslimanë, që deri në këtë kohë përbënin 63% të popullatës në Vishegrad, u përzunë në atë masë sa që sot përqindja e tyre eshtë me siguri zero.
Kjo ka qenë porosia e Andrićit për Vishegradin. Ai e kishte të njejtën porosi edhe për shqiptarët, por ja që nuk iu realizua. Por, pyetja që duhet të parashtrohet në këtë rast është ajo e vjetra: a duhet të ndahet personaliteti i shkrimtarit nga vepra e tij? Në intervistat e tyre, që të dy, Meša Selimović dhe Ivo Andrić, deklarojnë se këto janë dy gjëra të ndryshme dhe nuk shkojnë së bashku. Në këtë rast duhet ta përjashtojmë Selimovićin nga përgjegjësia, por Andrići ka qenë kriminel pa asnjë dyshim. A mundet krimineli të jetë shkrimtar i madh?
Diskutim rreth këtij postimi