Të nderuar besimtarë!
Vëllezër e motra!
Nesër më 2 Prill 2022 është dita e parë e ramazanit, andaj kam kënaqësinë dhe privilegjin që me urimet dhe përgëzimet më të mira të ju dëshiroj, shëndet, mirëqenie dhe agjërim të lehtë të muajit të Ramazanit.
Duke ditur se Islami është udhëzim hyjnorë i cili e shoqëron njeriun nëpër të gjitha fazat e jetës së tij, pa marrë parasysh vendin dhe kohën, njeriut i ofron mundësin reale të rregullimit të jetës duke e shoqëruar atë me kryerjen e obligimeve që dalin nga Kurani Famlartë.
Nisur nga ky parim agjërimi i muajit të Ramazanit e pajis besimtarin edhe më shumë me ndjenjën e dashurisë, respektit, vetëdijes, urtësisë, solidaritetit, zemërgjerësisë, devotshmërisë dhe moral e edukatë të fortë në raport me Krijuesin.
Muaji ku na bashkojnë edhe më tepër, ibadetet e namazet, syfyri e iftari, zeqati e sadakaja, solidariteti e bamirësia, mirëkuptimi e përkujdesja ndaj atyre që kanë nevojë, thërret që të jemi edhe më afër Zotit, më tolerant, më dorëlirë, më të afërt me familjen, farefisin e shoqërinë. Zaten ky është edhe mesazhi i Ramazanit.
Muhamedi a. s. thotë:
“Kush agjëron Ramazanin me besim dhe vetëllogaritje të sinqertë do ti falë tërë çka ka gabuar më parë.”
Agjërimi i muajit të Ramazanit thërret për një mobilizim edhe më të madh shpirtërorë, duke shtuar në ibadet dhe bërjen e veprave të mira nga se është muaji i Kuranit dhe rahmeti i Zotit është edhe më i madh gjatë këtij muaji.
Le të na shërbej muaji i Ramazanit si shansi më i mirë për të zgjatur duart tona kah skamnorët, jetimët, të gjithë atyre që kanë humbur shpresën për një jetë më të mirë. Të forcojmë vlerat e Ramazanit për të qenë të lumtur dhe për ti bërë të tjerët të lumtur. Ndaj lypset nga ne të gjithë që me punën tonë të krijojmë kushte sa më të mira për një jetë më të dinjitetshme, për të gjithë ata që jetojnë dhe e duan këtë vend ku i Madhi Zot na ka krijuar.
Edhe një herë ,më lejoni t’ju shpreh urimet dhe përgëzimet më të sinqerta për muajin e Ramazanit, duke e lutur Allahun që të na pranoi agjërimin, namazin, sadakan dhe adhurimet tona.
Me fat RAMAZANI
Diskutim rreth këtij postimi