Intervista është bërë me lejen e Drejtorit të AKI-së, Petrit Ajetit, me kushtin që mos të publikohet emri i oficerit.
Kosovapress: Si e gjen 14-vjetori i pavarësisë së Republikës së Kosovës Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë?
Oficeri i AKI-së: AKI, është themeluar gati një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Është bërë operative një vit më pas, kurse sot është një shërbim inteligjence konkurrues jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë.
Megjithëse lufta për çlirim në vendin tonë ka përfunduar në vitin 1999, dhe përkundër pranisë së forcave paqeruajtëse të NATO-s, Kosova ka qenë në vazhdimësi në shënjestër të shërbimeve armiqësore, duke kërcënuar qenien tonë si shtet dhe komb. Në këtë mënyrë dhe në këso ambienti është edhe rrita e AKI-së, përkrah sfidave nacionale e rajonale.
E dyta, si institucioni i ri i inteligjencës, AKI është përballë menjëherë me forma të reja të kërcënimeve, të cilat kanë qenë sfiduese edhe për shërbime të fuqishme e me përvojë në inteligjencë. AKI ka lindur në kohën e zhvillimit të hovshëm të teknologjisë informative, gjë që, aq sa ka qenë privilegj, ka qenë edhe kërcënim i jashtëzakonshëm.
E treta, AKI ka lindur në kohën kur paralelisht Perëndimi dhe rajoni ynë po i nënshtroheshin kërcënimeve terroriste dhe manipulimeve të shërbimeve armiqësore me pjesëtarë të organizatave terroriste, gjë që është evidentuar edhe tek ne.
Dhe, e katërta dhe më e rëndësishmja, AKI ka lindur në kohën kur po rritej ambicia e Putinit për ta destabilizuar rajonin dhe veçmas Kosovën; me fabrikime storiesh diplomatike e propagandistike, të cilat, sipas kalkulimeve ruse, do të shërbenin për të shpërqendruar fokusin e Perëndimit nga fqinjët e Federatës Ruse, ku në fakt operon edhe me luftë Kremlini. Sot, për të gjithë është e qartë se, Rusia nuk është ajo që prezencën e saj në rajon e ka bërë për zhvillim të çfarëdo lloji, ekonomik a kulturor, teknologjik a social. Prezenca ruse në rajon ka pasur dhe ka për qëllim destabilizimin, anarkinë dhe kaosin.
A është më shumë se ç’duhet e mbyllur AKI?
Oficeri i AKI-së: Më lejoni t’ju njoftoj juve dhe opinionin se kjo intervistë realizohet me lejen e drejtorit të AKI-së z. Petrit Ajetit, me qëllimin kryesor që t’ua përcjell urimet tona për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për Ditën e Pavarësisë. Po e them, siç na e tha ai në letrën drejtuar punonjësve, se Pavarësia është kurorëzimi i sakrificave dhe i angazhimit të shumë brezave, ideali i të cilëve ishte liria. Prandaj, madhështia e kësaj Dite është festimi dhe kujtimi për sakrificat dhe vuajtjet nëpër të cilat kaluam përgjatë historisë sonë.
Gjithashtu, më lejoni t’ju them se kjo është intervista e parë e një punonjësi të AKI-së për medie. Shfrytëzoj rastin që, në këtë Ditë të Shenjtë, t’i përcjell urimet më të sinqerta edhe për rrjetin e bashkëpunëtorëve tanë.
AKI nuk është e mbyllur, madje është shumë e hapur. Megjithëse, dyert tona janë të hapura vetëm për punonjësit, ne jemi kudo që e kërkon siguria nacionale dhe interesi nacional. Ajo që është e mbyllur dhe e fshehtë është metodologjia e operimit tonë.
AKI nuk pasur nevojë që të dalë në opinion për të arsyetuar veprimtarinë e saj. Disa komunikata të rralla janë bërë në funksion të stabilitetit, si kundërvënie ndaj dezinformatave të qëllimshme, që kanë dashur të shkaktojnë panik. Por, edhe kjo është në shërbim të sigurisë nacionale.
Në anën tjetër, komunikimi ynë është i përditshëm me nivelin më të lartë shtetëror, gjë që është e përcaktuar edhe me ligj. Gjithashtu, ne në baza të rregullta komunikojmë me ekspertë të fushave të ndryshme, me intelektualë e njerëz të veçantë të jetës publike – me shtetësi kosovare, e sipas nevojës edhe të huaj.
AKI nuk ka synime që ta të jetë e dukshme publikisht, por të jetë në mesin e publikut.
Cili është rrjeti i bashkëpunëtorëve të AKI-së?
Oficeri i AKI-së: Aseti më i çmueshëm i AKI-së është rrjeti i bashkëpunëtorëve, prandaj përgjigjja e kësaj pyetjeje është e klasifikuar si sekreti më i madh. Por, mund të them se, bashkëpunëtori ynë është qytetari patriot, i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm; bashkëpunëtori i AKI-së është njeriu kredibil, profesional dhe me qasje të duhur, aty ku i duhet sigurisë nacionale të Kosovës; bashkëpunëtori ynë është ai që aq sa sigurinë dhe interesin nacional e vlerëson edhe demokracinë si sistem i vlerave. E them këtë sepse, sot, është sfidë të ruhet siguria dhe paralelisht me të edhe demokracia. Kjo është e përbashkëta e vendeve demokratike.
Në shikim të parë, vendet diktatoriale e autoritare, mund të duken më të fuqishme, por fuqia e tyre është e rrejshme dhe nuk i shërben as qytetarëve të tyre. Ajo iu shërben vetëm atyre që i udhëheqin këto vende – pushteteve të tyre autoritare e diktatoriale, në dëm të qytetarëve të tyre, por ndikon dukshëm edhe në vendin tonë dhe vende të tjera.
Sipas AKI-së, cilat janë kërcënimet më të mëdha?
Oficeri i AKI-së: Janë një varg i gjatë i kërcënimeve, por ne i ndajmë në fusha. Kërcënime që vijnë nga spiunazhi, terrorizmi dhe krimi i organizuar. Në fakt, AKI është tashmë më e fokusuar te spiunazhi, i cili paraqitet në forma të ndryshme. Si i tillë, spiunazhi është veprimtari e maskuar armiqësore e një vendi që synon ta dëmtojë një vend tjetër. Sfida e çdo shërbimi të inteligjencës është spiunazhi, dhe nga kjo vjen edhe emërtimi i vet shërbimeve të inteligjencës. Ne e kemi të strukturuar mirë veprimtarinë tonë kundër spiunazhit armiqësor. Natyrisht, që mbetet për t’u bërë gjithmonë më shumë. Çdo shërbim inteligjent synon të dijë edhe më shumë sesa di. Kjo i shërben sigurisë nacionale.
Në vitet e fundit, qarkullon edhe forma e përzier e kërcënimeve që tashmë quhet kërcënim hibrid. Kjo formë është shumë delikate dhe shfaqet e kombinuar, duke u nisur nga propaganda e përzier me diplomaci, e shoqëruar me aktet subversive fizike dhe kibernetike, ndonjëherë edhe me tendenca terrori e thirrje paniku dhe që zakonisht udhëhiqet nga një shërbim i inteligjencës. Kosova i është nënshtruar një veprimtarie të egër të kërcënimeve hibride, kryesisht nga Serbia dhe Rusia.
Qëllimi i këtyre fushatave nuk është vetëm dëmtimi i vendit tonë, por edhe i të gjithë atyre që na kanë ndihmuar neve dhe që përkrahin e kultivojnë vlerat demokratike. Lufta hibride e udhëhequr nga Rusia dhe që me vete ka edhe pushtetin e sotëm në Serbi, por edhe aktorë të tjerë joshtetërorë në shërbim të këtyre shteteve, është shembull i luftës së pushteteve autoritare të mbetjeve komuniste kundër sistemit demokratik. Ashtu si ata janë përreth Putinit në Kremlin, edhe ata që e rrethojnë liderin e Serbisë në Beograd, janë mbetje e së kaluarës së errët komuniste.
Prandaj, edhe ne, sikurse edhe shërbimet partnere jemi krenarë që, krahas sigurisë vlerësojmë demokracinë. Si në çdo fushë tjetër institucionale, edhe në inteligjencë Kosova radhitet si shtet demokratik, pa kuadro që janë mbetje e komunizmit.
Cilat janë storiet më të mëdha të suksesit që mund të përmenden?
Oficeri i AKI-së: Storiet më të mëdha të suksesit të AKI-së janë se në Kosovë nuk ka grupe kriminale të cilat i zhdukin njerëzit dhe rivalët politikë të pushtetit duke i bluar në makina mishi, ashtu siç ndodh në Serbi.
Storiet tona të suksesit nuk numërohen vetëm duke varguar emrat e atyre që përballen me ligjin në gjykata, apo me personat e shpallur non grata, por duke krijuar një ambient aq të sigurt sa të mos ketë as hapësira për pretendime të tilla kërcënuese.
Nuk do të ishte sukses sikurse t’i kapnim dhe identifikonim autorët e një provokimi me pasoja të përgjakshme, me numër të madh viktimash si në sulme terroriste, në stadiumin e Prishtinës në një ndeshje ndërkombëtare futbolli. Imagjinojeni një situatë të tillë!
Sukses është ndalimi i atyre njerëzve që të hyjnë në stadium dhe depërtimi i tyre jashtë vendit tonë. Natyrisht, edhe masa përcjellëse – ndalimi i hyrjes së tyre në vendin tonë për një periudhë të gjatë.
Misioni ynë është që në bazë të informacionit inteligjent të jetë prediktiv dhe preventiv! Prandaj mediet dhe publiku e kanë të vështirë që ta identifikojnë punën e inteligjencës.
AKI ka një varg suksesesh të tjera shumë të rëndësishme, por shumë prej tyre janë të klasifikuara dhe nuk do të dihen për një kohë të gjatë. Për ne, është e rëndësishme që sigurinë tonë nacionale ta përforcojmë edhe më shumë, pa pasur nevojë ta tregojmë autorësinë tonë aty ku kemi dorë, por të shoqëruar me institucionet më të larta shtetërore dhe institucionet e tjera të sigurisë ta bëjmë më të mirën për vendin tonë.
Këtë nivel e kemi arritur me partnerët më të fuqishëm, pa ndihmën e të cilëve vështirë se do të arrihej, as suksesi, as mendësia profesionale e AKI-së.
Ne, nga një shërbim i cili deri para disa vitesh ishte trajnuar nga shërbimet më të fuqishme mike në botë, sot jemi kthyer në partner të rëndësishëm të këtyre shërbimeve. Jo vetëm në luftimin e terrorizmit, por deri në atë që quhet maja e këtij profesioni – kundërspiunazh.
Si i shihni zhvillimet në Ukrainë dhe a kanë impakt në rajon?
Oficeri i AKI-së: Kur bëhet fjalë për sigurinë, atëherë mund të thuhet se çdo konflikt i armatosur mund të prodhojë efekte të padëshirueshme kudo në botë. Në rastin konkret, krah forcave separatiste ruse në Ukrainë ka pasur të rreshtuar shumë serbë, të cilët kanë qenë pjesë e strukturave kriminale luftarake në vitet e ’90-ta.
Serbë të grupeve paramilitare e militare që kanë kryer krime në Kosovë, Bosnjë e Kroaci, i janë bashkëngjitur grupeve paramilitare e militare ruse e proruse në Ukrainë. Tashmë është botërisht i njohur grupi paramilitar rus “Uagner”, i cili është nën udhëheqjen e një miku të Putinit. Ky grup, dhe natyrisht edhe serbë brenda këtij grupi, përveç Ukrainës, janë përfshirë në krime monstruoze edhe në Siri, Libi e deri në Venezuelë. Disa nga serbët janë kthyer, një numër i madh ka mbetur në Rusi, dhe po ashtu, ka indikacione që një numër tjetër tashmë po shkon drejt Rusisë dhe po bashkëngjitet krah rusëve për një luftë eventuale të re.
Më shqetësuese se kaq janë marrëveshjet që i bënë Beogradi zyrtar me Moskën për ndjekjen e oponentëve të tyre politikë, që zakonisht në shumë raste prodhon burgosje të tyre dhe ndonjëherë përfundon edhe me vrasje.
Ka disa zëra serbë që e kundërshtojnë këtë formë veprimi, por ata po vijnë duke u zvogëluar, si rezultat i kërcënimit.
Si përmbledhje në këtë pyetje – po bashkëpunimi i strukturave militare e paramilitare ruso-serbe kërcënon seriozisht rajonin. Një nga njerëzit që planifikohej ta vriste presidentin malazez ishte serb ultranacionalist, i cili përveç se kishte qenë në front lufte në Ukrainë, udhëhiqej nga oficerët rusë të inteligjencës ushtarake. Ju e dini se AKI ka arritur të ndihmojë në zbulimin e këtij grushteti në Mal të Zi.
bota sot
Diskutim rreth këtij postimi