E diel, 24 Nëntor, 2024

Lamtumirë rapsodi i ditëve tona, Demir Krasniqi (1950-2021)

Gjilan – Lajmi i vdekjes gjithnjë vjen si dush i ftohtë, si tronditje e çastit të sapo marrjes së njoftimit…

24
SHARES
295
VIEWS

Edhe kësaj radhe erdhi, sikurse me rastin e këtij njoftimi për ikjen nga bota materiale e arsimtarit, këngëtarit, mbledhësit të folklorit të traditës, autorit të një sërë librash me këngë dhe të shkrimeve publicistike: Demir Krasniqit!… Demir Krasniqi që herët e kultivoi këngën shqipe, duke luajtur me violinë me vëllain e tij Hazirin, por edhe me instrumentalistë tjerë… Punoi me përkushtim për ruajtjen e traditave të folklorit shqiptar, të rapsodisë; mirëpo komponoi edhe këngë popullore të lirikës qytetare…

Para Luftës Çlirimtare, veçmas pas çlirimit të Kosovës nga okupimi i Serbisë, iu përkushtua grumbullimit, vjeljes dhe përpunimit të rapsodive, në brendi të cilave vendosi frymën epike të dëshmorëve, heronjve, martirëve, viktimave të dhunës e gjenocidit shekullor serb… Trajtoi në vargje shembuj qëndrese e sakrificash dhe, solli një mori publikimesh, qoftë për rapsoditë historike, qoftë për poetikën popullore lirike të kënduar…

Demir Krasniqi bëri monografi për këngëtarin popullor Qamili i Vogël, si dhe vëllime tjera librash më gërshetime motivesh epike-lirike… Këndoi në shumë mjedise dhe ahengje, mori pjesë edhe në festivalin e kultivuar, atëbotë të popullarizuar “Akordet e Kosovës”, përkrah emrash të shquar të këngës shqipe, si Nexhmije Pagarusha, e të tjerë. Kështu, Demir Krasniqi u popullarizua në mjediset tona dhe, pothuaj se tërë jetën u përpoq të mbante gjallë jetën muzikore në Kosovë, në mjedise të mbyllura dhe të hapura të Kosovës. Doemos etnomuzikologjia shqiptare do t` i ketë borxh veprimtarit muzikor Demir Krasniqit, që t`i qaset në të ardhmen gjithanshëm studimit për opusin e këtij kompozitori, kantautori dhe vjelësi të zellshëm të folklorit muzikor shqiptar. Gjithsesi me interes, edhe në këtë rrethanë zije, vlen të theksohet angazhimi publicistik për aktualitetin i Demir Krasniqit…

I palodhshëm për t`i pasqyruar në mënyrën e vet ngjarjet e pakëndshme dhe arritjet në shoqëri, me anë satirizimesh, ironizimesh dhe brohoritjesh të rimuara në strofa vargjesh dhe artikujsh në portalet: Rajoni press, “Zemra Shqiptare” e gjetiu… Këngëtari dhe rapsodi Demir Krasniqi pushoftë në dheun e Kosovës së lirë!

Mehmetali Rexhepi/rajonipress/

Diskutim rreth këtij postimi

Welcome Back!

Login to your account below

Create New Account!

Fill the forms below to register

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.