Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të ndajnë së bashku buxhet për rindërtimin e shkollës fillore “Dacaj” në Rozhajë, pasi ajo ishte djegur në muajin maj, ka njoftuar ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, transmeton “Zeri.info”.
Cakaj ka thënë se kjo është shkolla fillore më e vjetër në Mal të Zi dhe shkolla e vetme fillore në Rozhajë.
Shkrimi i plotë i Cakajt:
Mirëmëngjesi,
Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të shkollës “Dacaj” në Rozhajë – e vetmja shkollë shqipe në atë vend – kemi vendosur të marrim përsipër një pjesë të rindërtimit të saj pas dëmeve madhore të shkaktuara nga zjarri në muajin maj.
Kjo është shkolla fillore më e vjetër në Mal të Zi dhe shkolla e vetme fillore në Rozhajë. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur ta ruajmë e ta mbajmë të hapur këtë qendër domethënëse të arsimit shqip në Mal të Zi. Për këtë nuk do të kujdesemi vetëm duke rindërtuar godinën, por edhe duke siguruar materialet e nevojshme arsimore për të gjithë nxënësit shqiptarë atje.
Përderisa një pjesë të shpenzimeve për rindërtimin e kësaj shkolle i ka dhënë Republika e Kosovës, pjesën e mbetur për rindërtim, rregullim e mbështetje të nxënësve, do ta mbulojë plotësisht Republika e Shqipërisë.
Diskutim rreth këtij postimi