Duke folur për lirinë e fjalës Shaip Kamberi trondit parlamentin serb.
Po japim në tërësi fjalim e tij në parlament.
Bashkë me gjuhën, simboli kombëtar paraqet elementin që veçon/karakterizon një popull, nëpërmjet të cilit përfaqësuesit e pakicës nacionale paraqesin dhe shprehin identitetin e tyre kombëtar.
Nga ky parim, sot, flamuri i Republikës së Serbisë valon ligjërisht në Graçanicë në Kosovë, në Kotor në Mal të zi, në Kumanovë në Maqedoninë e Veriut; ku serbët vendorë gëzojnë statusin e pakicës kombëtare.
Këtu nuk shoh asgjë të keqe që pakicat, në bazë të ligjit, të realizojnë të drejtën e përdorimit të simbolit të tyre kombëtar. Ajo është një e drejtë legjitime të cilën edhe unë e përkrahi.
Por i njëjti standard nuk vlenë në Serbi.
Se ndonëse Kushtetuta e Serbisë nënvizon “ruajtjen e identitetit të tyre” për pakicat kombëtare, Ligji mbi të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare thotë: “Simboli kombëtar nuk mund të njejtë i njejti me simbolin e një shteti tjetër”.
Pra, thjesht, përderisa flamuri i Republikës së Serbisë mund të valojë në shtete fqinje, flamujt e Republikave fqinje nuk mund të valojnë në Serbi.
Cili është mesazhi që jep ky Kuvend?
Se edhe të tjerët duhen ndaluar me ligj simbolet kombëtare për pakicën serbe?
Jo.
Zgjidhja nuk është te kush kujt nuk po ia lejon simbolet kombëtare. Por te e drejta e tjetrit që besojmë se na takon neve.
Edhe përkundër ndalimit ligjor të përdorimit të simbolit kombëtar të shqiptarëve në republikën e Serbisë, ne angazhohemi për barazi, flamuri serb le të përdoret lirshëm nga minoriteti serb, por që njëkohësisht pakicat në serbi të gëzojnë të drejtën që lirshëm dhe në mënyrë publike të përdorin simbolet e veta pa kufizime. Barazia është që për tjetrin të dëshirojmë atë që dëshirojmë për veti.
Pra, lë të valojë flamuri serb në Gracanicë por edhe flamuri shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Jo diskriminim të barabartë, por respektim të barabartë të pakicave nacionale. Derisa ndalon përdorimin e lirë të simboleve kombëtare të pakicave, ky parlament, rrezikon edhe të drejtat e minoritetit serb në rajon.
Si do të reagonit nëse, nesër, parlamenti i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi apo R. Kosovës do të harmonizojnë ligjet e veta për përdorim të simboleve kombëtare me Ligjin serb?
Prandaj ndryshimi i Ligjit për pakica imponohet edhe si domosdoshmëri në të mirë të moinoritetit serb në rajon.
Vendosja e flamujve të shteteve të huaja në jakat e kaputave të presidentëve të shtetit gjatë takimeve biletarale përfaqësojnë vetëm iluzionin e demokracisë ndërkohë që pakicave iu mohet përdorimi i simboleve kombëtare.
Barazia në përdorimin e lirshëm të simboleve kombëtare është kontribut në stabilitetin dhe mundësinë e pajtimit si dhe për paqe të qëndrueshme. E kundërta nënkupton vetëm burim të urrejtjes dhe mosdurimit mes kombeve.
Për këtë arsye, në cilësinë e shefit të Grupit parlamentar Lugina e Bashkuar /SDA Sanxhak, pyes kryeministren Brnabiq dhe ministren për drejtat e njeriut dhe pakicave se a do të nisin procedurë për eliminimin e ndalesës së përdorimit të lirë të simboleve kombëtare që parasheh al.2 nen. 14 i Ligjit për mbrojtjen e pakicave?
Ju faleminderit
Diskutim rreth këtij postimi