Sot, në moshën 61-vjeçare, e kuptoj më qartë se kurrë se jeta nuk të mëson vetëm si të jetosh—por edhe si të qëndrosh. Të qëndrosh kur të ligjtë presin të dorëzohesh. Të flasësh kur shumëkush zgjedh heshtjen. Të ecësh drejt, edhe kur rruga mbushet me pengesa, padrejtësi, inate, tradhti e zhgënjim.
Gjithë jetën kam besuar. Kam qenë besnik. Kam dhënë zemrën, fjalën,besen dhe qëndrimin tim pa llogari. Ndoshta ndonjëherë kam besuar më shumë se ç’duhej, por kurrë nuk jam penduar që kam qenë i drejtë. Sepse njeriu mund të humbë shumë gjëra në jetë—por nëse humb karakterin, dinjitetin dhe besën, humb gjithçka.
Që nga lufta dhe pas saj, kam zgjedhur të mos hesht. Kam shkruar për padrejtësitë, për vrasjet politike, për korrupsionin, për hajnitë, për zhvatjet, për amoralitetin e atyre që pushtetin e shohin si pronë personale, për populizmin dhe përqarjen që po na kushton si Komb. Për këtë kam marrë kërcënime, fyerje, sulme dhe baltosje. Kanë menduar se do të më trembin… por kanë gabuar.
Ata që më njohin, e dinë mirë: unë nuk nënshtrohem. Nuk shitem. Nuk dorëzohem.
Kam qenë, jam dhe do të mbetem opozitar ndaj çdo pushteti,partie që harron popullin, që don ta marrë peng Shtetin, ndaj çdo lideri që e vendos veten mbi shtetin, ndaj çdo partie që idealin e përdor për interes personal.
Për më shumë se katër dekada, dashurinë për Atdheun nuk e kam dëshmuar me fjalë, por me sakrificë, me përkushtim dhe me qëndresë. Brenda meje gjithmonë ka jetuar një “Oso” i brendshëm—ai zë që më ka ngritur sa herë kanë menduar se do të dëshprohem, ai zjarr që nuk është shuar asnjëherë.
Sot u them të gjithë atyre—ish-luftëtarë, ish-të burgosur politikë, ish-veprimtarë—që mburren me kontributin e dikurshëm: kontributi për Atdheun nuk është dekoratë për t’u ekspozuar, as patentë për të sunduar e pasuruar. Ishte borxhi ynë. Dhe borxhi ndaj vendit nuk përfundon kurrë.
Po aq dhimbshëm, duhet thënë edhe këtë: disa trashëgimtarë të familjeve të heronjve, që Kombi i nderon me respekt e përulje, fatkeqësisht e kanë shpërdoruar atë nderim dhe atë vlerë kombëtare. Kanë abuzuar, kanë përfituar padrejtësisht nga shteti dhe pushteti, kanë pranuar pozita që nuk i meritonin me dije, me përgatitje apo me përvojë. Disa u pasuruan në mënyrë të skajshme, deri në atë pikë sa sot, me veprimet e tyre, po i zbehin dhe po i turpërojnë ato vlera për të cilat familjet e tyre u bënë simbol sakrifice.
Bindjet e mia nuk blihen. Nuk frikësohen. Nuk tjetërsohen.
Për 36 vite kam qëndruar besnik në rrugën time Rugoviste dhe te Lidhja Demokratike e Kosovës sepse u rrita dhe kontribova sa munda e dita, edhe kur kam qenë kritik, edhe kur jam sulmuar nga miq mbrenda e kundërshtarë njësoj. Dje më quanin patriot. Sot disa, që kanë shitur shpirtin, “patriot” të Facebook më quajnë tradhtar. Por emërtimet e tyre nuk e ndryshojnë të vërtetën dhe unin timë.
Sepse unë nuk jetoj për duartrokitje.
Nuk flas e as nuk shkruaj për pëlqime.Nuk qëndroj për favore.
Unë qëndroj për ndërgjegjen dhe dinjitetin time qlibar. Për të vërtetën time. Për Atdheun tim.
Dhe sa të kem frymë…
nuk do të thyhem,
nuk do të hesht,
nuk do të përulem.
Përballë më keni. Gjithmonë.
Oso Ferizi
05.05.2026










Discussion about this post