Formimi i një koalicioni të pazakontë nga subjekti politik Alternativa për Ndryshim (APN), nën drejtimin aktual të Arbër Pajazitit, ka rezultuar me përjashtimin nga qeverisja lokale të shumicës së spektrit politik shqiptar, përfshirë Partinë për Veprim Demokratik (PVD), Partinë Demokratike (PD) dhe subjekte të tjera relevante.
Ky zhvillim politik nuk përbën vetëm një rikonfigurim numerik të pushtetit, por shtron çështje thelbësore mbi legjitimitetin përfaqësues dhe orientimin strategjik të politikës shqiptare në këtë komunë. Në vend të një bashkëpunimi të brendshëm shqiptar, është ndërtuar një shumicë qeverisëse përmes aleancave me parti politike serbe, duke krijuar një varësi të dukshme nga qendrat vendimmarrëse në Beograd.
Origjina ideologjike e APN-së, e themeluar rreth një dekade më parë nga Shqiprim Arifi, është ndërtuar mbi tezën se partitë tradicionale shqiptare në Luginë kanë dështuar të koordinohen dhe të bashkëpunojnë me institucionet qendrore të Serbisë. Sipas këtij diskursi, një qasje më e moderuar dhe më bashkëpunuese me autoritetet shtetërore serbe do të siguronte përfitime më konkrete për komunitetin shqiptar. Megjithatë, kjo paradigmë ka qenë që në fillim objekt kritikash të shumta, pasi është perceptuar si një devijim nga orientimi tradicional kombëtar i shqiptarëve të kësaj treve, i cili historikisht është mbështetur në lidhjet politike, institucionale dhe kulturore me Kosovën dhe Shqipërinë.
Pas një periudhe të sukseseve elektorale, të mbështetura edhe nga mekanizma të fuqishëm mobilizues, kjo forcë politike pësoi një rënie të ndjeshme në Preshevë, duke kulmuar me largimin e liderit të saj themelues nga skena aktive politike dhe transferimin e lidershipit në Bujanoc. Nën drejtimin e ri, qasja politike e APN-së është radikalizuar në drejtim të një bashkëpunimi më të thellë me subjektet politike serbe, duke prodhuar një model qeverisjeje që në thelb përjashton konsensusin e brendshëm shqiptar.
Në këtë kontekst, megjithëse komuna e Bujanocit drejtohet formalisht nga një kryetar shqiptar, praktikat e qeverisjes reflektojnë një varësi të theksuar nga politikat e qeverisë së Serbisë dhe, në mënyrë të veçantë, nga linja politike e partisë në pushtet, Aleksandar Vučić dhe subjektit të tij politik, SNS. Bashkëpunimi i hapur me përfaqësues institucionalë si Demo Berisha ka forcuar perceptimin për një orientim të tillë.
Një element i rëndësishëm i këtij orientimi është promovimi i njëanshëm i të ashtuquajturit “Plan 20-pikësh”, i cili është paraqitur si bazë për bashkëpunim me institucionet qendrore serbe, duke anashkaluar “Planin 7-pikësh”, të miratuar më herët në mënyrë unanime nga përfaqësuesit politikë shqiptarë. Ky veprim përbën një shkëputje të qartë nga platforma e përbashkët politike shqiptare dhe dobëson pozicionin negociues të komunitetit në raport me shtetin dhe ndërkombëtarët.
Në kontrast të dukshëm me këtë model është qeverisja në komunën e Preshevës, e udhëhequr nga koalicioni PVD–PDSH, me në krye Ardita Sinani dhe nënkryetarin Ragmi Mustafa, e cila mbetet e orientuar fuqishëm drejt bashkëpunimit institucional dhe politik me Kosovën dhe Shqipërinë. Ky dualizëm ka prodhuar një ndarje të qartë bipolare në orientimin strategjik të shqiptarëve në Luginë.
Në një plan më të gjerë analitik, kjo situatë reflekton tensionin ndërmjet dy qasjeve politike: njëra që privilegjon pragmatizmin institucional në raport me shtetin serb dhe tjetra që thekson kohezionin kombëtar dhe orientimin euro-atlantik përmes lidhjeve me Prishtinën dhe Tiranën. Megjithatë, përvoja historike e viteve ’90 ka treguar se politika e “mosprovokimit” apo “mosnervozimit” të Serbisë nuk ka prodhuar rezultate të qëndrueshme për shqiptarët, por përkundrazi ka çuar në margjinalizim dhe humbje të të drejtave kolektive.
Për rrjedhojë, aktualisht mund të konstatohet se shqiptarët në Luginën e Preshevës përballen me një krizë të thellë përfaqësimi dhe orientimi strategjik. Mungesa e unitetit politik dhe fragmentarizimi i skenës politike dobësojnë ndjeshëm kapacitetin e tyre për të artikuluar dhe mbrojtur të drejtat kolektive në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, domosdoshmëria e rikthimit te një platformë e përbashkët politike shqiptare, e bazuar në konsensus, koordinim dhe orientim të qartë strategjik, mbetet një imperativ politik dhe kombëtar. Vetëm përmes një qasjeje të tillë mund të shmangen pasojat afatgjata dhe potencialisht të pariparueshme për pozitën e shqiptarëve në Serbi, të cilët vazhdojnë të konsiderohen komuniteteti më i ekspozuar ndaj diskriminimit strukturor në Evropë.
Preshevë, 5 maj 2026










Discussion about this post