E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

Ish-krerët e UÇK-së deklarojnë pafajësinë: Fajtor ishte regjimi serb

Në fjalët e tyre përfundimtare para Dhomave të Specializuara në Hagë, katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë deklaruar njëzëri pafajësinë e tyre, duke theksuar se përgjegjës për çdo dhunë dhe masakër në Kosovë ka qenë regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe politikat e tij gjenocidale, jo UÇK-ja.

16
SHARES
195
VIEWS

Milaim Shefkiu/RTKLive

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-udhëheqësi i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka mbajtur fjalën e tij përfundimtare, duke deklaruar sërish pafajësinë e plotë ndaj akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në nisje, ai ka uruar qytetarët e Kosovës për 18-vjetorin e Pavarësisë dhe ka theksuar se liria dhe pavarësia nuk kanë qenë kurrë mjet për pushtet, por për dinjitet. Thaçi ka deklaruar se akuzat e Prokurorisë janë të pavërteta dhe se në fillim të vitit 1998 ai ishte student në Zvicër, pa plane politike apo ushtarake, ndërsa përgjegjës për dhunën dhe masakrat ishte regjimi i Millosheviqit.

Ai ka shtuar se vendimi për t’iu bashkuar rezistencës ishte personal dhe moral, duke shprehur krenarinë për rolin e tij në UÇK dhe duke siguruar se nuk do të pendohej kurrë për mbrojtjen e popullit të tij.

Sipas tij, pa ndërhyrjen e NATO-s nuk do të kishte liri dhe pavarësi për Kosovën. Thaçi ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në dhe Perëndimin, duke vënë në pah se suksesi më i madh i Kosovës ishte aleanca me botën demokratike, të cilën nuk do ta rrezikonte në asnjë rrethanë. Ai ka mohuar pretendimet se qëllimi i UÇK-së ishte marrja e pushtetit, duke rikujtuar se pas luftës u pranua administrimi ndërkombëtar dhe çarmatimi i UÇK-së.

Ai tha se akuzat e prokurorisë janë shumë të rënda. “Gjatë luftës nuk e dija nëse do të isha gjallë, prej orës në orë, prej ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do të shihja familjen time, gruan dhe djalin e porsalindur, e lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë, në Kosovën e pushtuar plotësisht nga Millosheviqi”, tha ai.

“Fakti që jemi gjallë ishte fat,” tha Thaçi. Ai ka thënë se Millosheviqi ishte arsyeja pse UÇK-ja u masivizua dhe jo ai.

“Kjo prokurori më ndau shumë grada, më lavdëroi. Nuk isha unë që e transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë. Iu bashkova rezistencës në Kosovë. Nuk isha unë arsyeja pse UÇK-ja po mobilizohej, por ishte Millosheviqi. Ish-sekretarja Madeleine Albright e ka thënë më mirë: ‘Millosheviqi me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës është rekrutuesi më i madh i UÇK-së. UÇK nuk ishte ushtri e një shteti, ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor’,” tha Thaçi.

Në përfundim, Thaçi ka deklaruar se serbët dhe komunitetet e tjera në Kosovë ishin gjithashtu viktima të regjimit të Millosheviqit dhe se ai kishte bërë thirrje për paqe dhe bashkëjetesë, edhe me rrezik personal. Ai i është drejtuar trupit gjykues duke theksuar se provat nuk mbështesin akuzat dhe se “i vetmi vendim i drejtë është pafajësia e plotë”.

Veseli: Drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet

Ish-kryetari i Kuvendit dhe ish-përfaqësuesi i UÇK-së, Kadri Veseli, ka theksuar se drejtësia mund të vonohet, por nuk mund të mohohet.

Ai ka deklaruar se është i bindur në pafajësinë e tij, duke thënë se di qartë veprimet që ka bërë dhe ato që nuk i ka bërë, dhe se çdo veprim i tij ka qenë njerëzor dhe ligjor. Veseli ka theksuar se pas dekadash hetimesh dhe dokumentesh nuk ekziston asnjë provë që e lidh atë me krime, duke shtuar se e vërteta duhet të mbrohet pa kompromis.

Në fjalën e tij, Veseli ka kërkuar nga Gjykata të ruajë paanësinë dhe drejtësinë, duke nënvizuar se ky nuk është vetëm një obligim ligjor, por edhe një trashëgimi morale që do të mbetet pas këtij procesi. Ai ka kujtuar arsyet pse iu bashkua mijëra grave dhe burrave në UÇK, duke theksuar se motivi i vetëm ishte liria e Kosovës dhe e drejta e qytetarëve për të jetuar me dinjitet.

Veseli ka folur edhe për përvojën personale dhe familjare të persekutimit dhe jetesës nën kërcënim të vazhdueshëm, duke thënë se kjo është një përvojë që nuk do t’ia dëshironte askujt. Megjithatë, ai ka shtuar se as në momentet më të errëta nuk e ka humbur besimin se e vërteta dhe drejtësia do të triumfojnë.

“Krijimi i kësaj gjykate dhe funksionimi i saj është rezultat i një debati të gjerë në vendin tim. Por ajo çka duhet të dalë nga kjo është paanshmëria. Unë qëndroj në këtë proces me bindje se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia. Drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet kurrë. Kam vepruar me këtë bindje dhe unë e di kush jam, unë e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Ndërgjegjja ime është e pastër,” ka thënë ai.

Selimi: Akuzat janë të pabazuara dhe të padrejta

Rexhep Selimi, ish-udhëheqësi i UÇK-së dhe ish-deputet, ka deklaruar se akuzat ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve janë plotësisht të pabazuara dhe të padrejta.

Ai ka thënë se ky është deklarimi i tij i fundit në sallë, pas më shumë se pesë vitesh proces të gjatë dhe të vështirë, i cili ka qenë i rëndësishëm jo vetëm për të akuzuarit, por edhe për historinë e Kosovës. Selimi ka shprehur shpresën se trupi gjykues ka pasur kohë të mjaftueshme për të vlerësuar faktet dhe për të kuptuar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme.

Ai ka rikujtuar deklarimin e tij të prillit 2023, duke theksuar se akuzat ndaj tij dhe bashkëluftëtarëve janë të pabazuara. Selimi ka theksuar se nuk është para trupit gjykues për të mbrojtur veten personalisht, pasi këtë rol e kanë kryer avokatët, por për të kërkuar që Gjykata të ushtrojë drejtësi të drejtë dhe të paanshme, bazuar në prova dhe fakte.

“Për mua, të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh. Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. Shumë nga bashkëluftëtarët tanë kanë vdekur duke i siguruar ato. UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare,” u shpreh Selimi.

Ai ka thënë se e vetmja kërkesë e tij është që trupi gjykues ta ushtrojë drejtësinë.

Krasniqi: Paraburgimi ynë ishte i padrejtë

Ish-kryetari i Kuvendit dhe njëri nga ish-krerët e UÇK-së, Jakup Krasniqi, e ka cilësuar paraburgimin e tij dhe të bashkëluftëtarëve si të padrejtë.

Ai fillimisht uroi qytetarët për 18-vjetorin e Pavarësisë dhe theksoi se para gjykatës nuk qëndron si kriminel, por si një njeri i formuar në luftëra për dinjitet njerëzor, nga një popull që refuzoi të zhdukej përballë politikave të krimit dhe gjenocidit serb. Krasniqi ka thënë se më shumë se pesë vjet paraburgim kanë qenë të padrejtë dhe të panevojshëm, duke i mohuar të drejtat themelore të njeriut, veçanërisht të drejtën për liri dhe për të jetuar vitet e fundit të jetës pranë familjes dhe në atdheun e lirë.

Ai ka theksuar se ndodhet në vitin e 16-të të burgimit, nga gjithsej 75 vite jetë, vetëm pse ka luftuar për lirinë dhe pavarësinë e popullit të tij, duke shtuar se dalja publike më 11 qershor 1998 dëshmonte kundërshtimin e tij ndaj politikave gjenocidale të Serbisë. Krasniqi ritheksoi se angazhimi i tij jetësor ka qenë gjithmonë në shërbim të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe të drejtës së popullit të Kosovës për të jetuar i lirë.

Ai theksoi se brezi i tij kishte një vizion: jetën në liri. “Kur e vërteta thuhet, thjesht nuk ka nevojë për zbukurime. Ishte ky vizion që udhëhoqi luftën,” ka thënë Krasniqi.

Në fund, katër krerët e UÇK-së kanë përshkruar se përgjegjës për dhunën dhe masakrat ishte regjimi i Millosheviqit dhe politika e tij represive, ndërsa UÇK-ja ka vepruar për mbrojtjen e qytetarëve dhe realizimin e lirisë së vendit. Ata kanë ritheksuar se drejtësia është e domosdoshme, edhe nëse vjen me vonesë, dhe se provat tregojnë qartë pafajësinë e tyre. Secili ka kërkuar nga Gjykata të marrë një vendim të drejtë, duke njohur rolin e UÇK-së si forcë çlirimtare dhe duke konfirmuar se lufta e tyre ka qenë një luftë për dinjitet, liri dhe mbrojtjen e popullit të Kosovës.

Discussion about this post

Welcome Back!

Login to your account below

Create New Account!

Fill the forms bellow to register

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.