Në momentet kritike për vendin dhe popullatën shqiptare të Republikës së Dardanisë (Kosovës), kur “mendtarët e atëhershëm” shitnin dije e patriotizëm, kur duhej ta merrnin përgjegjësinë për të udhëhequr një popull që kishte mbetur në “gojë të ujkut” – Serbisë – ai tregoi mençurinë, vizionin dhe trimërinë, të cilat kurrë nuk i përmendte me fjalë, por i dëshmoi me vendimin historik për ta drejtuar popullin. Ai tregoi guximin historik mbi të cilin, edhe sot e kësaj dite, Republika e Dardanisë qëndron dhe duhet të qëndrojë në këtë orientim, sepse bota e civilizuar dhe demokratike me pietet i kujton dhe i respekton parimet që mbetën orientim i përhershëm, posaçërisht marrëdhëniet me mikun, aleatin dhe gardianin e popullit shqiptar në të gjitha etapat e rrugëtimit të Republikës së Dardanisë.
Në shenjë respekti dhe përkrahjeje të ideve të tij brilante për forcimin dhe krijimin e shtetit autokton shqiptar, që nga propozimet për elementet e shtetësisë si flamuri, stema dhe himni shtetëror, të cilat të dërguarit e posaçëm nuk i përkrahën, unë, si publicist dhe autor i pesë librave, Republikës së Kosovës kam filluar t’i referohem si Republika e Dardanisë, emër i cili, bashkë me simbolet, një ditë duhet të ndryshohen përmes referendumit. Kjo nënkupton se po e çojmë amanetin e njeriut, liderit dhe patriotit të madh kombëtar, në vendin e vet. Në atë moment duhet të mbahet një tubim, akademi dhe manifestim madhështor, duke iu falënderuar përjetësisht që, definitivisht, u shndërruam në shtetin e origjinës pellazgo-ilire-dardane.
Jam krenar që për 35 vite, në kuadër të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, të udhëhequr nga Joe DioGuardi, Shirley Cloyes DioGuardi dhe Bordi Ekzekutiv, ishim në shërbim të çështjes kombëtare dhe të organizimit të shumë takimeve, dëgjimeve dhe darkave historike, posaçërisht takimin e parë me Presidentin Bill Clinton dhe atë dëgjim historik ku mori pjesë, në emër të Dardanisë, Dr. Ibrahim Rugova dhe Joe DioGuardi, i cili ua mbylli gojën përfaqësuesve të Serbisë, të të gjitha profileve – fetare, politike dhe diplomatike – përfshirë edhe “babain e kombit serb”, Dobrica Qosić.
Presidenti Rugova e ka vlerësuar lart veprimtarinë e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe të z. Joe DioGuardi, i cili në një rast deklaroi
“Ate që Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe z. DioGuardi kanë bërë për Republikën e Dardanisë, një shtet i fuqishëm nuk do të mund ta bënte.”
Prandaj, diaspora shqiptaro-amerikane ka qenë me fat që ka pasur një lobist me origjinë shqiptare nga trungu arbëresh, për të cilin lirisht mund të thuhet se është i pari në historinë e lobimit që çështjen shqiptare në përgjithësi, dhe atë dardane në veçanti, e futi në politikën amerikane, në instancat më të larta të demokracisë dhe të fuqisë vendimmarrëse – në Kongres dhe Senat.
Dr. Rugova ishte i pari që e dekoroi për punën e bërë në interes të paraqitjes së orientimit politik të njeriut që Republikën e Dardanisë e orientoi si republikë demokratike, në marrëdhënie të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lavdi e përjetshme Dr. Ibrahim Rugovës.










Discussion about this post