Isuf B.Bajrami
Fitorja zgjedhore përfaqëson shprehjen e drejtpërdrejtë të vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët, në përputhje me nenin 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, janë bartësit ekskluzivë të sovranitetit shtetëror. Ushtrimi i këtij sovraniteti realizohet përmes institucioneve demokratike dhe përfaqësuese, në pajtim të plotë me rendin kushtetues dhe parimet e shtetit të së drejtës.
Në këtë kontekst, neni 4 i Kushtetutës përcakton ndarjen dhe balancimin e pushtetit, ndërsa neni 7 sanksionon sundimin e ligjit si një nga vlerat themelore të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, bartësit e mandatit politik të subjektit më të votuar mbajnë përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore që ushtrimin e funksioneve publike ta realizojnë në përputhje me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe standardet demokratike, duke respektuar parimin e legalitetit dhe legjitimitetit institucional.
Në përputhje me nenin 92 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Qeveria ushtron kompetencat ekzekutive dhe është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve, politikave shtetërore dhe garantimin e sigurisë kombëtare. Në këtë kuadër, përmbushja e obligimeve kushtetuese për ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore mbetet prioritet institucional.
Duke pasur parasysh orientimin strategjik dhe të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës drejt integrimeve euroatlantike, si dhe aspiratën për anëtarësim të plotë në Aleancën Veriatlantike (NATO), institucionet e vendit janë të obliguara që politikat e sigurisë dhe mbrojtjes t’i harmonizojnë me standardet ndërkombëtare përkatëse. Në këtë drejtim, zëvendësimi gradual dhe i planifikuar i pajisjeve të trashëguara nga periudha e ish-Jugosllavisë me pajisje dhe kapacitete të certifikuara sipas standardeve të NATO-s paraqet një domosdoshmëri funksionale, ligjore dhe strategjike.
Ky proces duhet të realizohet në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi, parimet e transparencës dhe përgjegjshmërisë publike, si dhe në funksion të forcimit të sigurisë, stabilitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Vendi i Lekës;29.12.2025










Discussion about this post