OPINIONI
Historia politike e trojeve shqiptare, për fat të keq, rrëfen më shumë dështime morale sesa suksese shtetformuese. Shumica e partive tona lindin me premtime të mëdha, me fjalë të mëdha, me flamur kombëtar dhe me pretendimin se do të shërbejnë interesit publik. Por sa herë arrijnë pushtetin, sa marrin kontrollin mbi institucionet, idealet veniten dhe politikanët transformohen në administrues të privilegjeve dhe pasurisë, jo të shtetit dhe qytetarit.
Nuk jemi dëshmitarë të një gare për vizion, por të një gare për tenderë, borde, lista deputetësh, prona publike, poste të fitimprurëse e privilegje personale. Përçarjet e brendshme nuk lindin nga dallime ideologjike ,sepse shumë prej partive tona nuk kanë ideologji — por nga zhgënjimi i një grupi që nuk ka arritur të përfitojë sa grupi tjetër. Klientelizmi dhe korrupsioni janë bërë gurthemeli i funksionimit të politikës.
Ndërkohë, qytetari i thjeshtë mbetet i vetëm përballë një realiteti të padrejtë. Fëmija i tij nuk gjen kushte për arsim. Mërgimtari, që ia ka kushtuar jetën vendit, nuk merr as trajtimin minimal që meriton. Rinia ikën çdo ditë, jo sepse ëndërron të largohen, por sepse është detyruar të zgjedhë mes së pamundurës: të qëndrosh pa shpresë apo të largohesh pa kthim.
Në këtë mes, politikanët përfitojnë. Dhe përfitojnë shumë.
Si mund të jetë e justifikueshme që një deputet apo ministër brenda një mandati të vetëm të grumbullojë pasuri më të madhe sesa një punëtor shqiptar në diasporë që për 33 vite punë të ndershme, me grua e familje, nuk ka arritur të kursejë?
Unë jam një nga ata. Bashkëshortja ime dhe unë kemi punuar tre dekada e gjysmë në Gjermani. As pushimet nuk i kemi shijuar shpesh. As vila nuk kemi. As xhipa luksozë. As biznese të financuara nga shteti. Dhe jemi qindra e mijëra si ne në të gjitha qytetet e Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë, Italisë e më gjerë. Diaspora ka mbajtur gjallë trojet shqiptare për dekada. Por sot diaspora ftohet vetëm për vota, jo për respekt.
Ndërkohë, politikanët tanë pasurohen brenda një mandati më shumë se ç’mund të kursejë një familje e ndershme emigrantësh për gjysmë jete. Nga vjen kjo pasuri? Nga puna? Nga djersa? Nga sakrifica?
Jo.
Ajo vjen nga plaçkitja e shtetit dhe mashtrimi i qytetarëve.
Në historinë tonë kombëtare, shpesh kemi parë figura që u shitën pushtuesve për privilegje. Asnjë prej tyre nuk i dha kombit vlerë,as pasuria e tyre nuk mbijetoi. Dhe sot po përsërisim të njëjtën sëmundje. Kjo duket si një prirje gjenetike e shqiptarëve për të shërbyer interesave të të tjerëve, për sa kohë shpërblehen me pozita dhe pasuri afatshkurtër.
Por pyetja që duhet ta bëjmë sot është:
Deri kur do të vazhdojmë të paguajmë ne, qytetarët e thjeshtë, çmimin e degjenerimit të tyre?
Pa shtet të fortë nuk ka qëndrueshmëri kombëtare. Pa institucione të drejtë nuk ka zhvillim ekonomik. Pa vetëdije politike nuk ka ndryshim. Dhe pa qytetarë që refuzojnë të votojnë hajdutë, nuk ka shpresë.
Prandaj duhet t’i themi njëherë e përgjithmonë: mjaft ishte!
• Mos votoni askënd që është pasuruar në mënyrë të pashpjegueshme.
• Mos votoni askënd që ka më shumë vila së sa vite punë të ndershme.
• Mos votoni askënd që fëmijët e vet i shkollon jashtë, ndërsa fëmijët tanë i lë në shkolla të rrënuara.
• Mos votoni askënd që ndërton pasuri nga tenderët e korrupsioni e jo nga djersa e punës.
Zgjidhni njerëz me vlera, me moral, me integritet, me jetë të pastër.
Sepse nesër shteti mund të jetë i joni,ose i tyre.
Dhe është në dorën tonë ta zgjedhim.
Ne kemi detyrimin moral të ndërtojmë një vetëdije të re shtetërore.
Një kulturë të re politike.
Një të ardhme ku pushteti është shërbim, jo pasuri.
Kjo është koha për ndryshim.
Kjo është koha për përgjegjësi.
Kjo është koha për t’ua mbyllur derën atyre që e kanë hapur vetëm për të vjedhur. Shprehja e Makiavelit “ Përçajë e sundo”.
Mos i duartrokit mashtruesit që të rrenë më fjalë të bukura, shifja veprat.
Me respekt,
Oso Ferizi, veprimtar, kryetar nderi i Shoqatës kulturore”Sali Çekaj”, Gjermani,19.11.2025










Discussion about this post