Isnet Azizi
Sipas përshkrimit që jep Ilija M. Jelić, fisi i Vasojeviqëve përfaqëson “plemen najveće crnogorsko-brdsko” — fisin më të madh malazez-malor, i cili është vendosur në pjesën lindore të Malit të Zi, në Lievë Rijeka, dhe në të dy anët e lumit Lim, deri te përroi i Lješnicës. Ky territor përkon me hapësirën etnografike që përfshin sot komunat e Andrijevicës, Beranes dhe pjesë të Bihorit e Peshterit.
Për origjinën e tyre ekzistojnë dy variante të traditës popullore, të cilat, megjithëse të ndryshme në formë, përmbajnë elemente që dëshmojnë rrënjën shqiptare të këtij fisi.
Tradita e parë: Vasojeviqët si pasardhës të Musiq Stevanit
Sipas versionit të parë, Vasojeviqët rrjedhin nga Vaso, i afërm i Vukan Nemanjićit, që ishte lindur në Prizren dhe ishte “vojvodë në kohën e carit Dushan”. Djalin e tij e quan Vasojević Stevo, i cili përmendet në këngët popullore për betejën e Kosovës me emrin Musić Stevan, dhe që “ka qenë vojvodë në Sjenicë, në Sanxhakun e Pazarit të Ri”. Pas Betejës së Kosovës (1389) dhe vdekjes së Vasojević-Stevës, fisi i tij u shpërngul si “uskokë” drejt Hercegovinës, u vendos fillimisht në Foçë, e më pas kaloi në Nožicë të Lievës së Rijekës, ku u formua bërthama e fisit të sotëm.
Ky rrëfim ka rëndësi të veçantë për dy arsye: Ai lidh origjinën e fisit me Prizrenin — qendër e pandashme e etnisë shqiptare dhe dardane në mesjetë. Përmendja e Sjenicës si vend ku “vojvoda Vasojević Stevan” ka vepruar, tregon se fisi i tyre ka qenë pjesë e bërthamës shqiptare të Sanxhakut lindor, pra të zonës ndërmjet Novi Pazarit dhe Pejës. Në këtë mënyrë, tradita e parë, megjithëse në shërbim të mitologjisë sllave (lidhja me “car Dushanin”), ruan qartë kujtesën për prejardhjen shqiptare dhe përhapjen në viset e Sanxhakut.
Tradita e dytë: Vasojeviqët si pasardhës të një “mbreti hercegovas”
Versioni i dytë thotë se Vasojeviqët rrjedhin nga Vaso, biri i një “mbreti hercegovas”, i cili, po ashtu, përmes Malit të Zi është shpërngulur nga Hercegovina dhe është vendosur në Nožicë. Edhe kjo traditë, megjithëse më e vonshme, e ruan itinerarin Hercegovinë – Mal të Zi – Lievë Rijeka, që përkon me rrugën e migrimit të fiseve shqiptare veriore gjatë shek. XV–XVI, pas rënies së zonave të Dukagjinit e Shkodrës nën osmanët. Kësisoj, edhe ky version i dytë e pranon karakterin “arbëror” të prejardhjes, duke e mbuluar nën termin “hercegovas”.
3. Bashkëvëllazërimi i fiseve shqiptare dhe vasojeviqëve
Të dyja këto tradita bashkohen në një pikë themelore: “thuhet se Vaso kishte edhe katër vëllezër — Ozra, Pipa, Krasa dhe Ota — prej të cilëve rrjedhin fiset Ozriniqë dhe Pipër në Mal të Zi, dhe Krasniqë e Hot në Shqipërinë Veriore.” Kjo është një dëshmi e qartë që Vasojeviqët, Hotët, Krasniqët dhe Pipërit ndajnë një trung të përbashkët etno-historik. Ky bashkëvëllazërim ndërfisnor ruhet në kujtesën gojore të të dy palëve: ndërsa në anën malazeze përmendet si “rođaštvo” (farefisni), në anën shqiptare të Plavës, Gucisë dhe Tropojës ekziston termi i përbashkët “jemi me një gjak me ta, por ata janë të shkombëtarizuar”.
Ekspansioni dhe asimilimi në luginën e Limit
Pas vendosjes në Nožicë, Vasojeviqët filluan të zgjeroheshin drejt lindjes, duke pushtuar “krejt luginën e Limit deri te lumi Lješnicë”. Gjatë këtij procesi, ata “i asimiluan, i nënshtruan ose i dëbuan” popullsitë e mëhershme të quajtura Lužanë, Bukumirë, Macurë, Španje dhe Latinë, të cilëve më pas u vunë një emër të përbashkët: “Srbljaci”. Këta “Srbljakë”, sipas Jelićit, nuk përbënin një njësi etnike, por një përzierje të elementeve të vjetër iliro-shqiptarë që ishin nënshtruar dhe humbur identitetin fillestar. Ata nuk kishin “as traditë të përbashkët, as kujtesë për një paraardhës të përbashkët”, çka tregon se vetë termi “serb” në këtë zonë ka qenë kategori e statusit dhe jo e prejardhjes. Pra, “serb” në kontekstin e Vasojeviqëve ka nënkuptuar i krishterë ortodoks – një ndarje fetare, jo etnike.
Ky proces asimilimi përkon në kohë me shpërnguljen e fiseve shqiptare drejt Plavës, Gucisë dhe Peshterit, dhe me ndërtimin e identitetit të ri sllavo-malazez, i cili do të konsolidohej në shek. XVIII–XIX.
Hierarkia e re dhe marrëdhëniet me “Srbljakët”
Pasi zunë vend në Luginën e Limit, Vasojeviqët formuan një strukturë të brendshme të ngjashme me atë të fiseve shqiptare: kishin bratstva (vëllazëri), pleq dhe vojvoda që vendosnin për çështjet e fisit. Ndaj “Srbljakëve” u vendos një raport i varësisë fisnore, ku këta të fundit “nuk kishin as kryetarë, as pjesëmarrje në kuvendet popullore” dhe “Vasojeviqët i gjykonin dhe i përfaqësonin ata jashtë dhe brenda”. Me kalimin e kohës, “Srbljakët” arritën të fitojnë disa të drejta, por asnjëherë nuk u trajtuan si të barabartë. Për Jelićin, Vasojeviqët dhe Srbljakët ishin “si dy popuj të ndryshëm” — që ndryshonin “në shpirt, karakter dhe ndjeshmëri”.
Simbolika e “kthimit në fenë e të parëve”
Në ligjin e tyre zakonor, një nga parimet themelore ishte: “Ko se ne bude oldžija, da bude nagondžija” — kush nuk dëshiron me dëshirë, të detyrohet. Kjo frazë përdorej fillimisht për pajtimin e gjakut, por në shekujt XVIII–XIX u përdor edhe për kthimin e myslimanëve në ortodoksi, duke u bërë simbol i politikës së dhunshme të konvertimit. Në këtë kuptim, Vasojeviqët paraqiten si fis i parë që institucionalizoi përjashtimin fetar si mjet politik, duke përgatitur terrenin për politikën e mëvonshme të shtetit të Malit të Zi ndaj shqiptarëve.
Nga burimet që ofron Jelić, mund të konstatohet se fisi i Vasojeviqëve përfaqëson një tranzicion të qartë nga shqiptaria fisnore në sllavizmin politik. Në vetvete, ata ruajnë strukturën, ligjet, dhe terminologjinë e së drejtës zakonore shqiptare, por përmes asimilimit të fesë dhe gjuhës u shndërruan në një element themelor të identitetit malazez. Prandaj, studimi i tyre nuk është vetëm etnografik, por thelbësisht historiko-politik: përmes historisë së Vasojeviqëve mund të shihet në mënyrë të përmbledhur mekanizmi i ndërrimit të identitetit shqiptar në Sanxhak dhe Mal të Zi, i cili më vonë do të çonte në konflikte të hapura dhe në përjashtime kolektive të popullsisë shqiptare myslimane.
Fusnota
1. Ilija M. Jelić, Ko ne bude oldžija, da bude nadondžija (Vasojevićki zakon u dvanaest točaka), në: Srpsko Nasleđe, Beograd, 1916, ribotim digjital.
2. Po aty: “Vasojevići su potomci nekakvog Vasa, srodnika Vukana Nemanjića… koji je bio vojvoda u Sjenici, u Novopazarskom Sandžaku.”
3. Po aty: “Vaso je imao još i četiri brata, Ozra, Pipa, Krasa i Ota, od kojih vode poreklo Ozrinići i Piperi, crnogorska plemena, i Krasnići i Hoti, severoarbanska plemena.”
4. Po aty: “Prilikom toga prodiranja oni su starosedeoce… asimilovali, potisnuli i potčinili, i svima nadenuli ime Srbljaci.”
5. Po aty: “Srbljaci… nisu jedna porodica, jedno pleme, jedna krvna zajednica, već skup raznih rodova… bez tradicije i bez zajedničkog pretka.”
dardaniapress










Discussion about this post