Lirim Gashi i zhgënjyer dhe me keqardhje në profilin e tij në facebok shkruan:
“Nëse dikush do të më sillte gjithë arin e botës, të ngarkuar në një karrocë floriri që tërhiqet nga engjëjt e Beethovenit, unë prapë nuk do të pranoja të shkruaja libra madhështorë dhe pastaj të përfundoja i shtrirë mbi asfaltin e ftohtë si lypsar.
Për asnjë çmim nuk do t’i lutesha askujt që t’i blinte veprat e mia me arsyetimin: “përndryshe kultura jonë do të vdes”, sepse kjo do të ishte njësoj si ta ndërtoja një violinë Stradivari dhe pastaj ta përdorja për shkundjen e pluhurit nga batanijet në oborr.
As asketët më të mëdhenj të kulturave meksikane dhe hinduse nuk e bëjnë më këtë.
Madje as ata që dikur sakrifikonin trupin për ta ndezur një flakë mëshire në zemrat e popullit – duke mbajtur krahun lart derisa u thahej si dërrasë nga druri i njomë
Mirëpo as ata nuk e arrinin groteskun tonë kombëtar.
Ne kemi artistë, shkrimtarë dhe poetë si Çun Lajqi, që janë aq konsekuentë në poshtërimin e vetvetes, saqë mbajnë lart edhe “krenarinë” e tyre mashkullore derisa t’u thahet dhe t’u shndërrohet në një copë qymyri – pa frikë se një vejushkë e uritur për seks dhe humor të zi mund t’i marrë me vete në shtëpi, për t’i keqpërdorur si relike historike, duke ua treguar nipërve: dhe mbesave :
— Shikoni, fëmijë, këta kastraveca të djegur dikur ishin burra me ideale!
Ky është absurdi ynë: jetojmë në një shoqëri ku artisti, shkrimtari dhe poeti i madh shndërrohet në shitës ambulant të veprës së vet, ndërsa ata që nuk dinë të shkruajnë as emrin pa gabime ulen mbi karriget e buta të pushtetit dhe bëjnë ligje për kulturën.
Ky nuk është vetëm turp; ky është atentat ndaj intelektit dhe dinjitetit kombëtar, respektivisht vrasje e heshtur e mendjes.
Dhe në fund, duhet thënë prerë: një komb që i detyron krijuesit e vet të ulen në asfalt, ndërsa analfabetët marrin podiumin, nuk është vetëm i varfër në xhep. Ai është i shkatërruar në shpirt dhe i rrënuar moralisht deri në palcë.”
Discussion about this post