Liria e Kosovës nuk ishte produkt i një lufte të pastër, por i një sakrifice të përbashkët: me jetë, me diplomaci dhe me kontribut financiar masiv të mërgatës shqiptare. Kjo liri nuk u ndërtua mbi rregull, por mbi besim. Dhe sot, pikërisht ky besim është më i plagosuri në shoqërinë tonë.
▪️ Heshtja për fondet e luftës është turp kombëtar
Ndër vite, në emër të çlirimit dhe mbrojtjes së popullit, u mblodhën miliona marka e dollarë nga mërgata shqiptare përmes disa fondeve madhore:
– Fondi për Vetëmbrojtje,
- Fondi “Vendlindja Thërret”, që u menaxhua nga strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
- Fondi i 3%-shit, i administruar nga Qeveria në ekzil nën drejtimin e z. Bujar Bukoshi,
- Fondi i Degës së LDK-së në Gjermani, i cili mbikqyrej nga ish-kryetari z. Hafiz Gagica,
- Fondi i Ahenit, që menaxhohej nga Dega e LDK-së në Gjermani dhe i ndjeri Marijan Tuna.
Për të gjitha këto fonde, sot, populli nuk ka asnjë raport, asnjë auditim, asnjë shpjegim.
As në Prishtinë, as në Gjermani, askund.
▪️ Përfitime personale mbi djersën e mërgatës
Ndërsa mërgimtarët mbushnin zarfat me para të kursyera me mund, disa individë u pasuruan, ndërsa nuk dhanë asnjë shenjë transparence. Sot, shumë prej atyre që administruan këto fonde:
- jetojnë në luks,
- kanë pasuri të pajustifikueshme,
- u shndërruan në oligarkë politikë ose afaristë pas luftës,
- por kurrë nuk kanë dhënë llogari publike për asnjë qindarkë të shpenzuar.
Kjo përbën një tradhti morale dhe institucionale, një ofendim të hapur ndaj atyre që kontribuuan, ndaj atyre që ranë dhe ndaj idealit të lirisë.
▪️ Shteti hesht – sepse shumë janë të përlyer
Kuvendi i Kosovës nuk ka guxim ta hapë këtë çështje.
Qeveritë e njëpasnjëshme nuk kanë pasur vullnet ta trajtojnë.
Prokuroria ka dështuar ta hetojë.
Media është shpesh selektive.
A do të thotë kjo që të gjithë janë pjesë e pazareve makabre me fondet e luftës?
Apo thjesht mungon guximi për të përballuar të vërtetën?
▪️ KËRKESAT tona janë të qarta dhe legjitime:
- Hetim të plotë parlamentar dhe ligjor për fondet:
– Fondi për Vetëmbrojtje,
- “Vendlindja Thërret”
- Fondi i 3%-shit
- Fondi i LDK-së në Gjermani
- Fondi i Ahenit dhe të gjitha kontot e lidhura me to.
- Auditim të pavarur dhe ndërkombëtar të të gjitha llogarive që u përdorën për mbledhjen dhe shpenzimin e këtyre fondeve.
- Hetim pasuror të personave që nga viti 1990 e këndej krijuan pasuri të pajustifikueshme nga pozitat që kishin në administrimin e fondeve të luftës.
- Raportim zyrtar dhe publik për secilin cent të shpenzuar në emër të popullit.
- Krijimi i një fondi kombëtar për drejtësinë e kujtesës, ku mjetet e rikuperuara nga abuzuesit të përdoren për familjet e dëshmorëve, veteranët e vërtetë dhe trashëgiminë historike të mërgatës.
▪️ Nuk ka paqe pa drejtësi. Nuk ka shtet pa llogari.
Heshtja nuk është neutralitet. Heshtja është bashkëfajësi.
Nëse nuk flasim sot, nesër do të na qeverisin ata që e përdhosën ndershmërinë e sakrificës.
Thirrje për mërgatën, qytetarët e ndershëm, intelektualët dhe mediat:
Mos lejoni që liria të mbulohet me pluhur hajnie. Mos lejoni që djersa juaj të përfundojë në xhepat e të paturpshmëve.
Koha e harresës ka mbaruar.
Koha për transparencë, llogari dhe drejtësi ka ardhur dhe jemi vonuar.
Me përgjegjësi historike dhe ndjenjë të thellë kombëtare,
Osman (Oso) Ferizi
( Ish-kryetar i Degës së LDK-së,dhe ish antar i Komisionit Qendror i 3% )në Gjermani
15.06.2025
Diskutim rreth këtij postimi