Osman Ferizi, veprimtar, lufta i ditëve të pra të UÇK, në profilin e tij në facebok shkruan:
“DENONCIM PUBLIK DHE ZYRTAR
Drejtuar: Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës
Lënda: Kërkesë për hetimin dhe identifikimin e autorit të shkrimeve me pseudonimin “Martin Shkreli” në gazetën “Zëri i Kosovës”, për rolin nxitës në propagandë përçarëse dhe mundësisht përgatitje të vrasjeve politike
I nderuar Kryeprokuror,
I nderuar opinion publik,
Unë, Oso Ferizi, qytetar dhe veprimtar i angazhuar në çështjet e drejtësisë dhe interesit publik, paraqes publikisht këtë denoncim dhe kërkesë për veprim institucional, me qëllim të zbardhjes së një pjese të errët të së kaluarës sonë të afërt – që vazhdon të rëndojë mbi shoqërinë tonë si plagë e hapur.
Fakte dhe rrethana:
Gjatë viteve 1997–1999, në gazetën “Zëri i Kosovës”, organ propagandistik i LPK-së në Zvicër, janë publikuar vazhdimisht shkrime përçarëse, nxitëse dhe shpifëse kundër figurave institucionale të Republikës së Kosovës, përfshirë:
• Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova,
• Akademikun Fehmi Agani,
• Kryeministrin e atëhershëm në ekzil Bujar Bukoshi,
– Min.e Mbrojtjës kol. Ahmet Krasniqi,
– Kryengritesin kunder komunizmit – Azem Hajdari,
• Heroin Sali Çekaj,
• Familjen dhe veprimtarinë e vëllezërve Geci, dhe të tjerë përfaqësues të strukturave legjitime të shtetit të Kosovës.
Autor i një numri të madh të këtyre shkrimeve ishte një person i paidentifikuar publikisht, që shkruante me nofkën “Martin Shkreli”.
Pse është kjo me rëndësi sot?
• Këto shkrime jo vetëm që kanë nxitur përçarje të thella kombëtare, por edhe kanë krijuar klimë linçimi dhe urrejtjeje, që më vonë është shoqëruar me vrasje politike, atentate, frikësim dhe eleminim të kundërshtarëve institucionalë.
• Shumë nga figurat e përmendura në këto artikuj u sulmuan, u kërcënuan apo u vranë gjatë dhe pas luftës.
• Shkrimet përbëjnë prova të propagandës paraprirëse, që ka shërbyer për justifikimin moral dhe publik të vrasjeve politike.
• Është e domosdoshme të hetohet nëse ka pasur ndërlidhje funksionale mes autorit/autorëve të këtyre shkrimeve, strukturave të SHIK-ut dhe disa eksponentëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Kërkesa ime konkrete është kjo:
1. Të hapet hetim zyrtar për të identifikuar autorin e shkrimeve nën pseudonimin “Martin Shkreli” në gazetën “Zëri i Kosovës”.
2. Të shqyrtohet roli i këtij personi në nxitjen e urrejtjes politike dhe përçarjes së brendshme, e mundësisht në motivimin apo parapërgatitjen propagandistike të vrasjeve politike.
3. Të pyeten dhe hetohen ish-redaktorët dhe drejtuesit e gazetës “Zëri i Kosovës” dhe të LPK-së, për ta bërë transparente këtë rrjet.
4. Të merret në konsideratë bashkëveprimi i strukturave të SHIK-ut të pasluftës, nëse ka pasur përfshirje në mbrojtjen apo organizimin e veprimtarive për eliminimin e figurave institucionale.
Qëllimi im nuk është revanshi, por drejtësia.
Nuk kërkoj përndjekje politike, por zbardhje të të vërtetës historike dhe përgjegjësi penale për individët që mund të kenë qenë pjesë e mekanizmave që sollën tragjedi politike në Kosovë.
Kjo është në interes të familjeve të viktimave, të së ardhmes së shoqërisë sonë dhe të ruajtjes së pastërtisë së Luftës Çlirimtare, duke ndarë përgjegjësit individuale nga veprimtaria kolektive e UÇK-së.
Me respekt,
Oso Ferizi-veprimtar i qështjes kombtare, kryetar Nderi i Shoqatës “ SALI ÇEKAJ” në Gjermani.
20.05.2025
PS. Sot ju drejtova Prokurorisë soeciale të RK, të shofim!”
Diskutim rreth këtij postimi