Kosova ka ngelur në vendnumëro për sa i përket konstituimit të legjislaturës së re të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Përveç opozitës, partia fituese e zgjedhjeve – Lëvizja Vetëvendosje nuk gjeti mbështetje as te shumica e minoriteteve për zgjedhjen e kryetarës së re të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Me VV-në i ndau rrugët deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, e cila ka bërë të ditur se do të qëndrojë në opozitë.
Ajo ka thënë se nga Albin Kurti i ishte ofruar një pozitë ministrore. Mirëpo, kërkesa e saj kryesore ishte fillimi i procesit për krijimin e një komune me shumicë boshnjake në Kosovë .
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti politik Gani Mehmeti ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së deputetes Duda Balje për themelimin e një komune boshnjake, të cilën ajo e ka paraqitur si kusht për mbështetjen e saj në formimin e qeverisë së re të Kosovës.
“Kanë thënë: pa e provuar njeriun, nuk mund ta njohësh. Jo se nuk i kemi besuar kësaj fjale, por ajo edhe u vërtetua. Duda Balje ka 26 vite që është në skenën politike në Kosovë, por deri tani, asnjëherë as që e ka bërë bisedë me dike për formimin e një komune boshnjake në Kosovë. Jo, sepse deri këtë here, nuk kishte ardhur puna të varet formimi i qeverisë për një votë, edhe kjo nga pakicat joserbe. Edhe Duda edhe të tjerët, rregullisht kanë formuar qeverinë pa asnjë kusht me atë parti që kishte shumicën e deputetëve. Jo, sepse nuk po varej formimi i qeverisë prej një deputeti”, deklaroi Mehmeti.
Ai shtoi se komunitetet pakicë në Kosovë, përfshirë boshnjakët, gëzojnë të drejta të zgjeruara, që sipas tij janë ndër më të mëdhatë në botë për një shtet shumicë.
Sipas Mehmetit, në vend të kërkesave për krijimin e komunës, Balje do të duhej të angazhohej për përmirësimin e infrastrukturës, arsimit dhe shëndetësisë për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe komunitetin boshnjak.
Njerëzit e tillë më dalin të ligj, të pakarakter e qe besa edhe jo të besueshëm, sepse të tradhtojnë për një interes të tijën të panevojshme.”, tha ai.
Në fund, Mehmeti kritikoi ashpër Kushtetutën e Kosovës për, siç tha ai, favorizimin e tepërt të pakicave në proceset politike.
“Prandaj, ra kjo punë, dhe u pa se kush është Duda Balje.
Dudë, me këtë “njerëzi” të pamë, me këtë “njerëzi” mbetesh. Do mbetesh ti pa komunë boshnjake dhe ne pa formimin e qeverisë, nëse varet prej votës sate. Nuk është faji tek ti, faji është tek Kushtetuta e Kosovës, e cila favorizon aq tepër pakicat në Kosovë. Do duhej të mos kishte fare favorizime, kush arrin të fitojë – do zgjedhje, kush jo, do shkonte në shtëpi, pa iu dhënë rasti të parashtrojë kushte. Ka boshnjakë shumë më shumë se në Kosovë në shtetet tjera rreth Kosovës, por nuk iu dëgjohet zëri e të mos flitet për kushte. Jemi për barazi, por jo për favorizime”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.
Diskutim rreth këtij postimi