Artur Vrekaj, Massachusetts
Përditësuar më 9 Mars 2025.
Ky ballafaqim kanunor bëhet për të mos e shuar frymën e Vatrës Noliane dhe Koniciane në SHBA edhe për të shërbyer si pjesë e një dokumentimi për brezat e ardhshëm se çfarë devijimi të ndërtimit organizativ të strukturave ka sot Vatra kupoliane krahasuar me Vatrën e Nolit dhe Konicës në Tetor 1926.
Çfarë është bërë mirë nga drejtues apo degët e Federatës PanShqiptare Vatra, më së shumti këto vite pas 2012 e deri sot patjetër që ka vlera komunitare dhe atdhetare.
Ajo që çdo vatran i thjeshtë aktiv që paguan kuotizacionin do, është ruajtja e emrit të dielltë të Federatës PanShqiptare Vatra. Pa bashkëkuvendim të përvitshëm dhe pa votë të fshehtë Federata Vatra po mpihet dita-ditës.
Federata Vatra është pasuri kombëtare për veprën e shpëtimit të Shqipërisë kur Shqipëria sakatohej nga fqinjët dhe Fuqitë Europiane në fillimshekullin e kaluar.
Nëse nuk paguan më kuotizacion në Federatën PanShqiptare Vatra, nuk je më aktiv, nuk je më vatran.
Çdo anëtar aktiv patjetër vlerësohet për kontributin financiar, për kohën, shpenzimet vetjake për projekte në degë, për projekt-idetë që Vatra të ketë zë në qytetin ku ka degë, të prezantojë e ndihmojë Shqiptarët në komunitet, por edhe për shtimin e anëtarësisë.
Të rrosh Shqiptar në Amerikë dhe për më shumë të jesh anëtar aktiv i Federatës PanShqiptare Vatra duhet të jetosh me dhimbjen e plagës që ka sot Vatra. Më konkretisht.
Për 96 vjet nuk guxoi kush të zvogëlonte Vatrën me kanunore, as dhe kryesia e Saj nuk tentoi deri më 26 Shkurt 2022 ta zaptonte me të drejtë vote apo ta linte pa Kuvende të përvitshme.
Aq më keq që për një vit e ca kanunorja e 26 Shkurtit 2022 nuk kishte as vëndlindjen Boston të Federatës PanShqiptare Vatra?! Me këmbëngulje të vatranëve të degës Boston më 17 Dhjetor 2023 u kërkua dhe u rishkrua edhe vëndlindja. Të paktën ti ruajmë Identitetin Federatës Vatra. Pak nga pak.
Jo si sot! Kryesia bën veprimtari në mes të Nju Jorkut vetëm me 19 veta!? Nuk ka më masivitet. Të emëruarit e klaneve nuk i ndjek kush pas. Kjo është DHIMBJE Shqiptare!
Le të shohim se si është përshtatur kanunorja e 1926-ës më 26 Shkurt 2022.
Kanunorja e Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra e vitit 1926 u votua nga degët.
Strukturat e Vatrës sot kanë ngrirë, që prej 17 Mars 2024 se kryetari Elmi Berisha mori fuqinë e Kuvëndit 2022 për plotësimin e këshillit me emërime.
Kanunorja e 26 Shkurtit 2022 është e votuar nga delegatët e Kuvendit të 26 Shkurtit 2022 të ardhur pa votën e fshehtë të anëtarësisë në disa degë.
Kjo kanunore e 2022-ishit nuk u diskutua në mbledhjet e përgjithshme të degëve të Vatrës. Pra, është cunguar fuqia e diskutimit të gjerë me anëtarësinë.
Shumë nga këta delegatë të 26 Shkurtit 2022 janë pazarkopsiturit e kupolës sot. Kanunorja e 26 Shkurtit 2022 bie ndesh në disa nene me kanunoren e vitit 1926 duke e devijuar organizatën Vatra nga rruga Noliane.
Më poshtë do të kuptojmë se pse neni 92 nuk shpreh të vërtetën për përshtatjen me kanunoren e 1926-ës të kësaj të 26 Shkurtit 2022.
Kanunorja e 2022, neni 92. Kjo kanunore ka gjithmonë për bazë dhe është përshtatje e kanunores së vitit 1926 dhe në çdo rast i bashkëngjiten njëra tjetrës.
Kjo masakër që i është bërë nyjeve/neneve të kanunores së vitit 1926 shpreh sot devijimin nga rruga Noliane e ndërtimit të krejt strukturës së Federatës PanShqiptare Vatra me votë të fshehtë që në degë, me delegatë të zgjedhur nga dega për Kuvënd, Kryetar, Kryesi dhe Këshill të saj po të zgjedhur me Kuvënd.
Bazuar në keqfunksionimin e strukturave të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra sot dhe duke u ballafaquar me kanunoren e vitit 1926 vërejmë se me kanunoren e 26 Shkurtit 2022:
është fuqizuar më shumë kryetari i Vatrës në strukturat me bazë klanore të emëruara prej tij;
e dobëson rolin e sekretarit të Federatës, e zbret në vënd të tretë nga zyrtar i dytë, krahu i djathtë i kryetarit të Vatrës me kanunoren e 1926-ës megjithë përgjegjësitë e mëdha që ka dhe sot;
është ruajtur fryma e diktatit dhe e klaneve brënda Kryesisë dhe këshillit prej disa mandatesh këto dy dekada;
nuk ka një përfaqësim gjeografik në funksionet kryesore të Federatës PanShqiptare Vatra : kryetar, sekretar, nënkryetar, drejtor degësh apo kryetar këshilli nga gjithë Shqipëria natyrale;
është krijuar fryma përjashtuese në strukturat drejtuese të Federatës dhe në raste të tjera edhe në degë dhe po përdoret një gjuhë agresive jashtë normave qytetare në takime;
shtimi i përballjeve me drejtësinë Amerikane është parë si zgjidhje përkundër një Kuvëndi të Jashtëzakonshëm;
nuk shpreh vendimmarrjen e degëve për të zgjedhur me votë të fshehtë anëtarët e kryesisë së degës, kryesisë së Vatrës me fuqinë e delegatëve, apo kandidatët për anëtarët e këshillit të Vatrës;
nuk funksionon vendimmarrja e degëve për ndryshimet e reja në kanunore;
është përjashtuar llogaridhënia dhe mbajtja e Kuvëndit vjetor me degët e Vatrës;
është kthyer në praktikë normale mungesa e transparencës financiare 6 mujore, njëvjeçare dhe dyvjeçare nga kryetari dhe arkëtari i Vatrës me mosbotimin e buletinit zyrtar;
është kthyer në praktikë normale për disa degë mospagesa e anëtarësisë deri më 31 Dhjetor të çdo viti;
është shkelur kanunorja për themelimin ose riorganizimin e degëve të reja nga kryetari dhe strukturat drejtuese;
për disa degë që kanë anëtarësi aktive të madhe neglizhohet me qëllim nga arkëtari i Vatrës që të mos u merren kuotizacionet në prag Kuvëndi për të shmangur rrëzimin e klaneve me votë në Kuvënd;
mungon kultura e pranimit të shkeljeve të kanunores nga drejtuesit e Vatrës kushdo qofshin që fill pas ndodhjes së saj, në disa raste shkelja quhet triumf;
është dobësuar roli i vatranit dhe kjo kanunore e bën vatranin fare të pallogaritshëm atë në struktura;
është krijuar një gjëndje e sëmurë pasi strukturat e emëruara nga kryetari kanë marrë fuqinë e Kuvëndit duke shkelur haptazi kanunoren;
Gazeta Dielli gjatë këtij viti i ka ndaluar botimet e artikujve a letrave, që bëjnë fjalë për rastet kur kryetari dhe strukturat e Federatës PanShqiptare Vatra kanë shkelur kanunoren e 2022-ishit të paktën.
Ka hezitim për veprim demokratik nga kryetari i Vatrës edhe për një përçarje me 60 vatranë që kërkuan takime me të, por u përfundua me gjyq në vënd të një bashkëkuvendimi Vatran.
Po ta ngrejë zërin vatrani i thjeshtë se kupola e kalbi demokracinë e brendshme, i thonë elektronikisht se shqetësimi yt bie ndesh me kanunoren.
Ndaj kanunorja e 26 Shkurtit 2022 sot është kanunore-kurth për Vatranët Nolianë të degëve të 2024-ës, që nuk mbështetin frymën e Vatrës kupoliane.
Shihni sa demokratike është kanunorja e Vatrës së vitit 1926 se Komisioni (Kryesia) i Federatës Vatra të vitit 1926 ishte shumë largpamës dhe puro Nolian.
Ky komision e mbajti anëtarësinë në një mision kombëtar, pasi ishte i zgjedhur në mënyrë demokratike.
Ja ç’thotë kanunorja e 1926 për zyrtarët e Vatrës me të cilën e shpëtoi Federatën PanShqiptare Vatra ish-kryetari i Vatrës z. Vasil Pani një nga udhëheqësit legjendarë.
Kanunorja e 1926, Nyje 11. Zyrtarët e Vatrës janë : një kryetar, një sekretar një arkëtar edhe katër kontrollorë. Këta zyrtarë të bashkuar formojnë një Komision të Qëndrës dhe zgjidhen për një mot nga Kuvëndi i Vatrës, kuvënd i cili është një mbledhje e përmotshme e mbajtur nga delegatët e Vatrës.
Pas 26 Shkurtit 2022 kryesia e Federatës Vatra u emërua nga kryetari Elmi Berisha. Kryesia u rrit me 4 anëtarë krahasuar me 1926 dhe asnjë nga këta nuk është i titulluar kontrollor.
Mandati i kryesisë së emëruar shkon nga një në katër vjet. Anëtarësia e Federatës Vatra nuk ka një numër të saktë nga llogaritë me delegatët përfaqësues të Kuvëndit 2022 del se kishim 390 anëtarë.
Nuk kemi buletin zyrtar për anëtarësinë dhe financat sot. Më 1926, anëtarësia është padyshim në disa mijëra.
Më 1926 kemi një anëtar komisioni/kryesie për një mijë anëtarë të Federatës dhe i zgjedhur nga Kuvëndi.
Më 2022 kemi raportin një anëtar kryesie për 30 anëtarë të Federatës të emëruar nga kryetari, bile më e keqja është që këta të emëruar vijnë më së shumti nga dy klane: Miçigani dhe Nju Jorku.
Kryetari Elmi Berisha fuqizoi veten me frymën e klanit duke emëruar 4 anëtarë nga një degë, plus anëtarë të tjerë me lidhje biznesi me grupe jashtë, apo lidhje familjare.
Më keq akoma kryetari i Vatrës ka bërë emërim të zyrtarit me konflikt kombëtar në këshill të Vatrës, sepse i emëruari prifti Theofanis Koja përfaqëson Patriarkanën Ekumenike të Stambollit që ne Shqiptarët e njohim për Fanari apo Patriarkana Greke, një organizatë më qëllime kundërShqiptare dhe kundër misionit të Federatës PanShqiptare Vatra gjatë shekullit të kaluar.
Unë sugjeroj për më tutje, nga sot na duhet një nen që asnjë anëtar i Federatës PanShqiptare Vatra të mos pranohet në Vatër nëse ai/ajo është në fakt apo bëhet ndërsa është anëtar i Vatrës, anëtar i një organizate që ka punuar apo është sot kundër misionit kombëtar Shqiptar apo vetë Federatës Vatra.
Për fat të keq sot ka keqkonceptim të drejtimit të Federatës PanShqiptare Vatra nga kryetari Elmi Berisha.
Ne Shqiptarët e Amerikës e njohim diktaturën mirë. Prandaj, nuk duam ripërsëritje të diktatit e frymës agresive në drejtimin e Federatës PanShqiptare Vatra, njē organizatë qytetare, vullnetare, sepse ne jetojmë në vendin simbol të demokracisë.
Shohim që nuk është vlerësuar ashtu si më 1926-ën, në kanunoren e 2022 funksioni i sekretarit të Federatës, këtu nuk kam parasysh kush është aktualisht në detyrë në kryesi.
Kanunore e 1926, nyje 23. Sekretari i Qëndrës është i dyti zyrtar i Vatrës, zë vëndin e kryetarit kur ky është i larguar (…).
Kanunore e 2022, neni 62. Sekretari i Federatës është zyrtar i lartë i Vatrës ( …).
Kanunore e 2022, neni 61. Nën-kryetari është zyrtari i dytë i rëndësishëm i Federatës Vatra pas kryetarit. (…).
Në të vërtetë, siç shihet, në kanunoren e 2022-ishit ka devijim të plotë për transferimin e rëndësisë së përgjegjësive nga funksioni i sekretarit të Vatrës tek funksioni i nënkryetarit të Vatrës, që më 1926-ën nuk ekzistonte fare.
Tradicionalisht, sekretari i Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra ka qënë më 1926-ën dhe duhet ta kemi udhëheqësin e Dytë të Federatës sipas Vatrës Noliane të 1926-ës. Akoma më shumë, në dokumentat zyrtare firmosin gjithmonë kryetari dhe sekretari.
Aktualisht, Sekretari i Vatrës në veçanti është titullari që ka njohuri dhe përgjegjësi për dokumentacionin zyrtar, për anëtarësinë, degët, arkën, kanunoren dhe arkivin e Federatës PanShqiptare Vatra. Më tej, ai mban përgjegjësi edhe për botimet, reklamat etj.
Duam apo nuk duam duhet ti japim të drejtë kanunores së 1926-ës edhe për funksionin e sekretarit.
Nëse klanet duan të ruajnë fuqi me funksione (i dyti, i lartë pa përgjegjësi të merituar) kjo nuk e bën kurrë Vatrën sot një Vatër Noliane.
Ja si shkruhet në kanunore më 26 Shkurt 2022 për ti hapur rrugë ndërtimit të Vatrës kupoliane.
Kanunorja e 2022, Neni 35. Kryesia përbëhet nga zyrtarët e Federatës, të cilët janë : kryetari, nënkryetari, sekretari, arkëtari dhe nëntë anëtarë. Kryesia zgjidhet çdo 4 vjet me propozim të Kryetarit dhe në konsultë me anëtarësinë e Vatrës jo më vonë se një muaj nga mbyllja e punimeve të Kuvëndit. Kryetari ka të drejtë të ndryshojë Kryesinë gjatë mandatit të tij 4 vjeçar sipas nevojave dhe performancês.
Në prag të Kuvëndeve të mëparshme, me praktikën kupoliane ka patur raste kur kryetari i degës i paguan nga xhepi i tij kuotizacionin vjetor për të plotësuar numrin 15 të anëtarëve, që të ketë të drejtë të përfaqësohet si delegat në Kuvënd.
Kanunorja e 1926, nyje 15. Komisioni me anë të Kryetarit vë në veprim vendimet e votuara në Kuvënd dhe përkrah Kryetarin për të mbaruar detyrat e tij në kufi të Kanunores dhe Rregullores.
Periodikisht Federata Vatra në 12 vitet e fundit ka në historinë e saj kryetarë që kanë shkelur statutin e Federatës, duke mos i mbajtur në kohë ose nuk i mbanin fare Kuvëndet e rregullta (vjetor, dyvjetor).
Kjo traditë e keqe e trashëguar u bë praktikë normale së fundmi me mandatin 4 vjeçar të kryetar Elmi Berishës.
Vatra klanore është mbyllur në bunkerin e kanunores së 26 Shkurtit 2022. Nuk ka Kuvende pune të përvitshme.Edhe degët flenë, përjashtuar 4 a 5 degë që bëjnë veprimtari.
Edhe sot duket bukur rruga demokratike që na tregon viti 1926 me bashkëkuvendimin vjetor vatran.
Kanunorja e 1926, Nyje 28. Kuvëndi i Vatrës mblidhet një herë në mot dhe përbëhet nga delegatët e çdo dege të njohur, të rregullueshme nga Komisioni dhe e cila të ketë numrin e duhur të anëtarëve.
Ngaqë sot ecet me frymën e grupit të Vatrës kupoliane, Kuvëndi i Vatrës mblidhet çdo 4 vjet, sipas nenit 17 të kanunores së 2022. Zëri i anëtarësisë nuk dëgjohet më në struktura.
Kanunorja e 1926, Nyje 36. Në Kuvënd merr pjesë edhe Komisioni i Vatrës i cili nuk ka votë dhe mund të marrë pjesë në bisedime vetëm për të dhënë shpjegime .
Kupola praktikon nenin 24, të kanunores së 2022-ishit që është thikë pas shpinës së Federatës Vatra që nënvizon se, në Kuvënd përveç delegatëve të degëve merr pjesë me të drejtë vote edhe Kryesia e Vatrës.
Përfundimisht, Federata PanShqiptare Vatra është e marrë peng edhe me 13 votat direkte në Kuvënd nga klanet e Nju Jorkut dhe Miçiganit me mburojë kanunoren e 26 Shkurtit 2022.
Kanunorja e 1926, Nyje 38. Kuvëndi pasi bën vendime ose ndryshime për vitin e ardhshëm zgjedh Komisionin/(Kryesinë) e ri, i cili shtron një buxhet për bisedim dhe miratim para Kuvëndit.
Më 1926, kishim një kryesi të zgjedhur me votë demokratike.
Kanunorja 2022, neni 35.Kryesia zgjidhet çdo 4 vjet me propozim të Kryetarit dhe në konsultë anëtarësinë e Vatrës,jo më vonë se një muaj nga mbyllja e punimeve të Kuvëndit.
Pra, sot kryesia e Vatrës 2022 është puro emërim i kryetarit me propozim e miratim nga klanet.
Mbyllja e Federatës me fuqinë e klaneve e bëri më famëkeqe kupolën në sytë e Shqiptarëve të Amerikës.
Vlerësim ka për disa degë dhe qindra vatranë që janë aktivë për anëtarësi dhe veprimtari në komunitetet e tyre ku banojnë.
Ka me dhjetra vatranë me anëtarësi aktive, që edhe pse nuk janë të organizuar me degë Vatre në qytetet e tyre, ata prapë punojnë e rrezatojnë atdhetari.
Vatra për vatranët!
Ka ndërruar vetëm shekulli kalendarik i Federatës Vatra, jemi në të dytin, por nuk ka vdekur ende në Boston fryma Noliane!
Ne kemi qëllim që me projektet e degës së Vatrës në Boston të regjistrojmë dhe t’ju japim vëndin që u takon në degën Vatra Boston, në Federatën PanShqiptare Vatra të Amerikës të gjithë pasardhësve të familjeve vatrane që jetojnë aktualisht në Masaçusets.
Shtëpi të parë Noliane në Boston ne vatranët e Boston do të kemi gjithmonë kishën e Nolit.
Jemi me fat që e kemi kishën e Nolit se atje tingëllon bukur gjuha Shqipe, kushtrojnë emri i Gjergjit të Madh dhe ai i Theofan Stiljan Nolit.
Le të vazhdojmë tani me zgjedhjen e delegatëve nga dega me votë. Shihni, sa qartë më 1926.
Kanunorja e 1926, nyje 43. Degët mbajnë dy mbledhje në vit, njërën për të bërë hesapet e për të zgjedhur pleqësinë,tjetrën për të zgjedhur një delegat në Kuvënd.
Kanunorja e 2022, nuk e përcakton fare se si zgjidhet nga dega një delegat i Kuvëndit. Kjo është një paqartësi e qëllimtë për të abuzuar me fuqinë e degës dhe të Kuvëndit duke favorizuar kështu frymën klanore.
Kupolianët me kanunoren e 2022 thërresin për Kuvendin e Jashtëzakonshëm delegatët e Kuvendit të mëparshëm, sipas nenit 19, që i bie të mos bjenë klanet e Vatrës kupoliane. Me nenin 19 është e ndaluar kështu fuqia e degëve që kanë të drejtë të zgjedhin delegatë me votë të fshehtë,për Kuvënd të Jashtëzakonshëm, si themeli i ndërtimit të strukturave të Federatës Panshqiptare Vatra apo vendimmarrjes demokratike bazuar në gjëndjen aktuale aktive të degëve.
Nuk qëndron fakti, se nuk mund ti themi të gjitha në kanunoren e 2022, por të devijosh rrugën demokratike Noliane të kanunores së 1926-ës me qëllim zaptimi është kundërvatrane dhe kundërNoliane.
Vatra për vatranët!
Mos flini vatranë! Lexoni Shqip dhe me zë të lartë kanunoren e 1926-ës. Pastaj kur të lexoni kanunoren e 26 Shkurtit 2022 merreni zemrën në dorë dhe pyeteni shpirtin tuaj Shqiptar, a do ta mbajmë gjallë Vatrën Noliane?
Legjendari Noli ja dinte dhe ja qante hallin Vatrës dhe vatranit në çdo kohë. Ndaj Federata Vatra shkëlqeu me Nolin, se Noli bashkëkuvendonte çdo vit me kuvëndin e Federatës PanShqiptare, Vatra.
Vetëm ky mësim flet shumë për ne vatranët kudo në Amerikë dhe për Ju kryetar Elmi Berisha.
Historia e viteve që do të vijnë do të flasë edhe për këtë shkarje nga rruga Noliane e strukturave drejtuese të Federatës Vatra.
Ora për pajtim mbarëvatran dhe bashkëkuvendim me Kuvënd të Jashtëzakonshëm apo çdo emri Kuvëndi që do ti vëmë po troket…
Kemi shumë punë për të bërë, për ta ndërtuar si më 1926-ën strukturën organizative të Vatrës.
Vatra për vatranët !
Nga sa më lart, përfundoj se vetëm modeli i kanunores së 1926-ës e shpëton Federatën Panshqiptare Vatra nga kjo krizë organizative dhe drejtuese për një vatër Noliane.
Vetëm me Kuvend pune i përgatitur me grup organizator nga të gjitha degët, ku së pari kryesia e Vatrës duhet të tërhiqet vullnetarisht nga e drejta grabitqare e votës në Kuvend.
Ky ballafaqim do të vazhdojë për të mos e baltosur Nolin e Konicën, që e lanë dhuratë Federatën Vatra jo si KLANSHQIPTARE, por puro MbarëShqiptare!
Ka dijeni gjithashtu për këtë material përveç anëtarëve të Vatrës, kryetarëve të disa degëve aktive të Federatës Vatra, kryesia e Vatrës si dhe anëtarë të grupit të shkrimit të kanunores së 2022-ishit.
Heshtja e kryetarit të Vatrës dhe kupolës flet qartë për vijën bolshevike të ndërtimit të strukturave të Federatës PanShqiptare Vatra që sot duket sheshit se po vepron si Federatë KLANSHQIPTARE.
Vatra do shpëtim me kanunoren e Tetorit 1926 pasi mbijetoi mbi një shekull demokratikisht.
Shënim: Për këtë material është përdorur kanunorja e printuar nga Vatra’s Press, në Janar 2024, e aprovuar nga Kuvëndi i Federatës PanShqiptare Vatra më 26 Shkurt 2024.
Boston, 9 Tetor 2024.
Diskutim rreth këtij postimi