“Ja nisen me gjuajtë, plakin e kena pas brenda, nuk kish kush që e hjek prej shtëpisë, na djegën shtëpinë”.
Kështu e kujton momentin para 25 vitesh Sabrie Aliu, kur forcat serbe sulmuan familjen e saj në Cerajë të komunës së Leposaviqit.
Por pas dy dekadash, shtëpinë të cilën ia dogjën serbët e kësaj zone, ia rindërtoi qeveria e Kosovës.
E kryefamiljarja thotë për televizionin se nuk ka besuar se do i ndërtohet kjo shtëpi në fshatin e saj.
“Dy shpija i kena pas afër, dyjat na kanë djegur, elhem prej Zotit që tash pas luftë masi shpëtuan edhe djemtë, po shyqyr Qeveria tanë na kanë ndihmuar e shtruan asfaltin, qe tash edhe shtëpitë po i ndërtojnë rend. Unë nuk e kom prit që marohet kështu, se mirë u maru, jam e kënaqur”, ka thënë Sabrie Aliu për Teve1.
Por sipas zonjës Aliu, tani në këtë pjesë ka ndryshuar edhe situata e sigurisë, për çka rrëfeu momentin e para disa vitesh kur djali i saj nisej për në veri.
“Shumë mirë, na jena të kënaqur që tash kah të sillesh, vetëm shqip flet. Djalin kur e nissha se na me qera kena ndejt, kur ardhke këndej, zemra jem e din që, o Zot veç ishalla dëgjoj që ka shkuar mirë, se ka qenë shumë keq, ka pas edhe provokime, u kanë qashtu situata, tash jo, endet lirë”, deklaroi Aliu.
Kujtimet ende i ka të freskëta, kur familja e saj u sulmuan nga serbët e kësaj pjese dhe dëbuan me dhunë.
Por dikush nuk ua pati frikën këtyre veprimeve nga pala serbe.
“Jena largu prej këtu ja nisën me gjuajt edhe çfarë kemi bërë, qysh kemi qenë krejt, plakun e kemi pas brenda s’kish kush që e largon prej shtëpisë, trojke qitu le t’më djegin në shtëpinë time jom, s’iku u quam krejt, kunet e kunati këtu, dolëm i kemi lënë me lopë, e kemi pas ahrin qitu me dhenë, 85 copa dhenë tona. Sulmet kanë ardhë nga kjo pjesë, serbët që janë në këtë pjesë prej atje sulmojshin e kemi ikur kësaj rruge kemi dalë në Dekovc, plakin s’ka pas që e nxjerrë nga shtëpia, në shtëpi ka nejt”, ka thënë zonja Aliu.
Kjo është familja e parë e cila ka hyrë në shtëpi që nga fillimi i rindërtimeve të shtëpive në katër komunat veriore pas një vendimi të Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal.
Ndërsa në shtator pritet të fillojë ndërtimi edhe i 200 shtëpive të tjera në veriun e vendit.
Për fund, Sabrie Aliu ka një kërkesë për Qeverinë që t’u sigurojë transport për fëmijët që janë në shkollë në Mitrovicë, teksa thotë se nuk do ta lëshojë këtë vend.
“Problemi është i udhëtimit, e vendi nuk lëshohet unë jam e kënaqur me ndejt gjithë, qitu jam plakë”, deklaroi ajo.
telegrafi
Razgovor o ovom članaku