Në letërsinë shqiptare të bejtexhijnve, Tahir Efendi Gjakova njihet me tre mbiemra: Njihet si Tahir Efendi Gjakova, sepse në Gjakovë jetoi, shërbeu, veproi dhe aty jetën e dynjas e përfundoi.
Njihet si Tahir Efendi Boshnjaku sepse lindi në një fshat afër Jeni Pazarit, në fshatin Llukare, nga familja e Saraçëve, që i përket fisit Kastrat.
Njihet si Tahir Efendiu i Madh, sepse ka qenë myderrizi i parë në Medresenë e Vogël të Gjakovës, ka qenë shejh i tarikatit Melami-Bajrami, është marrë edhe me krijimtari, ka shkruar prozë e poezi dhe mbi të gjitha, nderohet, çmohet, vlerësohet, për dituri, devotshmëri, thjeshtësi, vërtet ishte i përshpirtshëm, ishte hak sufi, për së gjalli e kanë quajtur Evlia, për veprat që la n’këtë dynja…
Pasi kreu studimet në Stamboll, Tahir Efendiu erdhi në Gjakovë, ku caktohet Myderriz në Medresenë e Vogël të Gjakovës.
Myderriz Tahir Efendi Gjakova në Gjakovë ka shërbye si misionar, poet, shkrimtar, edukator, pedagog, myderriz, imam, shejh, sufi, në tarikatin Bajrami-Melami…Ka qenë myderrizi i parë në Medresën e Vogël të Gjakovës.
Medreseja e Vogël në Gjakovë, e cila ndodhët në Mahallën Mahmud Pasha te kroni i Panxhallës ( te kroni i pesë rrugëve), pas Medresesë së Madhe të Gjakovës, e themeluar më 1707, ku Myderrizi i parë ishte Yvejs Efendiu, ishte institucioni më i rëndësishmi edukativ-fetar-arsimor dhe kulturor i qytetit.
Medreja e Vogël është themeluar në vitin 1807, ku Myderrizi i parë ka qenë Tahir Efendi Gjakova, i cili ka qenë dijetari më i madh i kohës, njihet edhe si bejtexhi (poet) e shkrimtar).Vepra e tij Vehbije (Dhuratë), shkruar me 1835, njihet si vepra e parë në gjuhën shqipe në Kosovë shkruar me alfabet arab.
Medreseja e Vogël e Gjakovës njihet me këtë emër jo pse ishte e vogël, por për arsye se ishte ndërtue një shekull më e vonë se Medreseja e Madhe, përndryshe ka pasur numër më të madh të nxënësve se Medreseja e Madhe…
Në Medresën e Vogël, përveç lëndëve mësimore, sipas programit të kohës, mësohej përmendësh Libri i Shenjtë, Kur’ani i Madhërueshëm, prej ekspertëve të kohës, siç ishin hafizët e myderrizët Fetah Efendi Buza, Emin Efendi Hoxha, Hafiz Ymer Guta, etj.
Shkollimi në Medresën e Vogël, e cila në kompleksin e saj kishte konviktin e nxënësve, zyre për administratorët e medresesë si edhe një bibliotekë të pasur me libra e dorëshkrime të çmueshme, ka vazhdue të funkcionojë deri në vitin 1947, kur e mbyllën komunistët…
Myderrizi i fundit në Medresen e Vogël të Gjakovës ishte Haxhi Jahja Efendi Bakalli (1908-1987)…
Viteve të fundit janë gjetur katër vepra në dorëshkrim, të panjohura të Tahir Efendi Gjakovës. Tri prej tyre janë në gjuhën osmane, kurse një në gjuhën arabe…
Myderriz Tahir Efendiu, përveç veprimtarisë, arsimore, pedagogjike, edukative, shpirtërore, na ka dhuruar në gjuhën shqipe veprën “Vehbija”: që është libri i parë shqip, me alfabet arab, në Kosovë, të cilin e shkroi në vitin 1251 sipas kalendarit të Hixhretit ose më 1835, sipas kalendarit Gregorian.
Libri është ribotuar pas shtatëdhjetë e dy vjetësh në Sofje, në vitin 1907, me alfabetin latin, dhe pati përhapje më të mëdha në atë kohë; e transliteroi dhe e transkriptoi myderrizi, Ismail Haxhi Tahir Gjakova, dhe u shtyp prej Shoqërisë «Bashkimi», në shtypshkronjën shqipe «Mbrothësia» të atdhetarit të dalluar Kristo Luarasi.
Cila është rëndësia frymëzuese e “Vehbijes”?
Së pari, kjo është vepra më e vjetër shqipe në Kosovë, shkruar me alfabet arab. Është shkruar në vargje, e vende-vende edhe në prozë të rimuar.
Në veprën e Myderriz Tahir Efendisë flitet për tema të ndryshme, flitet kryesisht për Xhennetin dhe kënaqësitë e tij, për Xhehenemin dhe dënimet e tij, mbi kotësinë e kësaj bote, mbi detyrat kryesore të njeriut, mbi obligimet familjare, mbi obligimet e burrit ndaj gruas, të gruas ndaj burrit; flitet për pasurinë, varfërinë, koprracinë, për shpirtninë e sidomos mbi diturinë…
E vërteta në këtë vepër është paraqitur në mënyrën më të thjeshtë, më të kapshme, më të qartë. Ndërsa, rrena, mashtrimi, hipokrizia dhe injoranca janë damkosur në mënyrën më të ashpër.
E veçanta e këtij libri është se të gjithë shembujt, krahasimet e ndryshme, janë nxjerrë, kryesisht, nga Kur’ani, shpallja e fundit hyjnore, si dhe nga urtia popullore.
Mësimet e Zotit, Krijuesit të Gjithësisë, Zhvillues e Frymëzues, si edhe vetë libri «Vehbija», përshkruhen si Dritë, e cila i përngjet energjisë, e kjo Dritë na fuqizon, na edukon, na udhëzon, na ndriçon… Në vargjet, Myderriz Tahir Efendiu, thotë:
“Lum ai që Vehbijen e nxe, e kallxon,
se a si drita e sabahit kujdo që i difton.”
Përveç Zotit të Madhërueshëm, në këtë libër përmenden edhe tre të Dërguarit të Tij: Musai, Isai dhe Muhammedi (Paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të gjithë!), që janë tre personalitete më me ndikim në historinë e njerëzimit. Me këshillat e tyre, që ishin të zgjedhur e të frymëzuar prej Zotit, Myderriz Tahir Efendiu i mban lexuesve dhe dëgjuesve ligjërata fetare-filozofike, morale-etike dhe diturore.
Për njeriun, mësimet më të mira janë Mësimet Hyjnore dhe të pejgamberëve të lartpërmendur. Ato mësime na ndihmojnë që t’u japim përparësi gjërave që kanë vlerë e që janë të dobishme, dhe na nxisin që të zhvillojmë mënyra të shëndosha të mendimit e veprimit. Shkurt, pa Zot njeriu është i vdekur shpirtërisht! Pa besim, as jeta s’ka kuptim!
“Kush mbyll sytë para këshillave të Zotit, atij i shoqërojmë një djall që nuk i ndahet kurrë”. (Kur’ani, 34:36)
Pra, njeriu është krijuar të ketë nevojë për Zotin. Të gjithë shqiptarët duhet ta mësojnë këtë urti. Kjo është urtia kryesore e jetës njerëzore. Të mësohet kjo dhe të jetohet në përputhje me të…
Këto i kishte parasysh në veprën e tij Myderriz Tahir Efendiu, si njeri i ditur, me edukatë të lartë fetare, ishte njeri i ruajtur, i kujdesshëm e njeri me përgjegjësi, me përgjegjësi para Zotit, para popullit shqiptar. Këtë e pohon në vargje:
E vendoj shkipen me kalem e Vehbijen me vezen (metër)
senja njimi e dyqind e pesdhjet e nja
Tamam u ba Vehbije
Kur Zoti ma dha hedije.
Vehbije do të thotë dhuratë ose dhunti. Çdo njeri ka përgjegjësinë për dhuntinë krijuese që i ka dhuruar i Madhi Zot, prandaj çdo njeri duhet të krijojë, të dhurojë, të falë e të sakrifikojë.
Përveç rëndësisë historike, si vepër e parë në gjuhën shqipe, me alfabet arab, në Kosovë,”Vehbija” ka rëndësi të shumëfishta: Ka rëndësi arsimore, fetare, kulturore, edukative, gjuhësore, morale dhe atdhetare.
Rëndësia e kësaj vepre dhe roli i saj frymëzues, në shumë aspekte, ka vazhduar për më se një shekull, pothuajse derisa u mbyll nga regjimi komunist Medreseja e Madhe e Gjakovës, më 1948. Shumë hoxhallarë, shejhlerë e ndjekës të tyre e dinin përmendësh, e recitonin me shumë kënaqësi dhe e shpjegonin me shumë lehtësi…
Ideali qendror mbi të cilin ndërtohet kjo vepër e parë në gjuhën shqipe, është Ideali i Besimit dhe i Diturisë. Me besim të drejtë e të pastër, ne jemi ne Udhën e Lirisë Shpirtërore, e liria shpirtërore është themeli i lirisë politike. Me dituri, ne do të jemi më të zgjuar dhe më të fuqishëm…
Me pak fjalë, ky është iluminizmi që rrezaton kjo vepër… lluminizmi fetar, kur u shkrua kjo vepër, ishte veprimtaria kryesore e jetës intelektuale, mendore e shpirtërore. Kjo veprimtari zhvillohej kryesisht nëpër xhami, teqe, medrese, mejtepe dhe e ushqeu këtë popull shpirtërisht, e pasuroi intelektualisht dhe njëkohësisht e ruajti, e mbrojti dhe frymëzoi luftën për identitet kombtar e për liri… Me këtë rast vlen të përmenden me respekt Myderriz Haxhi Zeka, Myderriz Ymer Prizreni, etj… Ata i udhëhoqën kuvendet kryesore të shqiptarëve: «Lidhjen e Prizrenit» (1878) dhe Lidhjen e Pejës-”Besa-Besë” (1899), që u bën gurthemel i Shtetit Shqiptar, jo i këtij që është, por i atij që duhet të bëhet…
Myderriz Tahir Efendiu, në vargjet e tij, veç të tjerash, thotë edhe këto:
Në t’reftë në mend
masi t’shkojnë dhent
s’tep dobi kurrni send.
Ka e ka rrok dynjaja
sa s’mri për din
ai asht si qen qi lyp stërvin.
Vet Zoti yn tha:
Kush a alim i pa amel
aj magarit i përget ani fell.
Xhahil insan asht më terr
Asht hem qorr hem hajvan ja beter.
Mos ha haram e mos fol rren
t’bahet duaja kabull…
Shka u shkrue n’ball
s’jet pat’dal
Isaja tha:
Asht dashnija e dunjas
rranja e gjithsa (e) belas.
Temeli (i) gjithsa hajri asht sabri (i) njerit…
Lum aj qi Vehbijën e nxe, e kallxon
se a si drita e sabahit kujdo qi i difton…
Kurse në një poezi me titullin Beso im bir, Myderriz Tahir Efendia shkruan:
BESO IM BIR
Beso im bir
Se xhahili s’bahet dëshmor
As luftëtar.
Njeri fatzi gjithnji mbetet
Xhahili n’ket dynja.
Njeriu xhahil është më i keq
Se shtaza që ha bar
N’ket dynja.
Është anmik i Kur’anit
Dhe i fesë n’ket dynja.
Xhahilin ti e ke anmik
Edhe në qoftë se e ke baba.
Ndotës i tokës veçse është
Xhahili n’ket dynja.
Myderriz Tahir Efendiu ishte mësues, edukator i popullit në Medresen e Vogël në Gjakovë, shkrimtar i cili na dhuroi ”Vehbijen”, si drita e sabahut kur lind, në gjuhën shqipe, na la porosi: Të besojmë, të veprojmë dhe diturinë ta shtojmë…
Rahmet pastë Myderriz Tahir Efendiu i Gjakovës, që me gjuhën shqipe ia çeli sytë krejt Kosovës…
Diskutim rreth këtij postimi